Më kujtohet, kur isha në hapat e parë të ecjes sime si animatore para pak kohësh, tema e parë e formimit tim ishte “Don Bosko, jeta dhe vepra e tij”. Aty u njoha për herë të parë me sistemin parandalues të Don Boskos. Këtë temë e rimora sërish pas disa kohësh për të njohur edhe femijët e grupit tim të formimit, mbi atë që ishte krijuesi i gjithë kësaj vepre të madhe që sot është e shpërndarë në shumë vende të botës. Ne e transmetojmë çdo ditë në oborret e oratoreve tona, shkollës dhe kishës, por shpesh është e nevojshme të ndalosh dhe të rishikosh që nuk po del jashtë kornizave të asaj që Don Bosko ka nënkuptuar me sistemin parandalues.
Të rinjtë e Lëvizjes Rinore Saleziane të Shqipërisë; ne të rinjtë e Don Boskos, u takuam për një Kamp dimëror; për të rikujtuar edhe një herë Pedagogjinë e Edukimit sipas Don Boskos! U takuam në Shkodër, pranë oratorit don Bosko dhe shtëpia e motrave, ku punuam me shumë entuziazëm së bashku për të realizuar një takim gjithëpërfshirës. Atë çfarë kam admiruar nga këto ditë ishte pikërisht tema e përzgjedhurnga nga dy përgjegjësit e LRS motër Jolanda dhe don Bledari; jo vetëm një temë e mirë, por mbi të gjitha mënyra sesi na u përcoll nga relatorët tanë e bënë këtë përvojë edhe më të mrekullueshme. Fjalët e Fra Gazmendit, Motër Jolandës, Motër Teutës, Motër Mimozës, Don Bledarit, Motër Rozës, sollën tek ne Don Boskon vetë.
Të qenurit salezian, ndër të tjera nënkupton edhe bashkëpunimin. Pikërisht bashkëpunimi ishte një tjetër e veçantë e këtij takimi. E them këtë sepse secila qendër ishte përpjekur të kontribuonte në zhvillimin sa më të mirë të këtij takimi, dikush me leksione, dikush me lojra apo dinamika të tjera grupi.
Të zhvillosh takime me të rinjtë është e thjeshtë, por për të përcjellë tek ata mesazhe të forta nuk mund të themi të njejtën gjë. Dhe janë pikërisht elemente të tilla si: pedagogjia e ambjentit, aleanca edukative, prania, ato që e bëjnë më të lehtë dhe të kapshëm, të përvetësueshëm, nga të rinjtë këtë takim. Kur flas për pedagogji ambienti, flas për një ambient mikpritës dhe të mirë-parapërgatitur, dhe kur them aleancë nënkuptoj pikërisht marrëveshjen edukative mes të gjithëve ne.
Një element përbërës i sistemit edukativ salezian është i riu, apo e reja, në tërësi. Pikërisht ky takim shfrytëzoi të gjitha potencialet e të rinjve prezent, shpirtin, mendjen dhe trupin. Tek gjithësecili nga ne u arrit qëllimi që të përcillej vërtetë fjala e Don Boskos. Është e rëndësishme për ne të rinjtë e oratoreve të jemi gjithmonë të hareshëm dhe të gëzueshëm, të jemi optimist që çdo i ri është i edukueshëm, të gjithë jemi të përzgjedhur, të gjithë e kemi një mison, të gjithë jemi në kërkim të zbulimit të “markës sonë”; të jetojmë kujtimet tona dhe të bëhemi të dallueshëm; të çlirohemi nga zgjedhjet e lehta dhe t’i hapim derën vetë bariut tonë të mirë dhe të bukur, duke folur me arsye dhe besuar me mendje. Është e rëndësishme të japim shembuj, të orientojmë, të nxitim të mirën, të ndihmojmë atë që është në vështirësi, të bëhemi të qëndrueshëm për të arritur më të mirën. Dhe siç thotë Don Bosko të kemi durim dhe të lutemi shumë, dy element pa të cilët çdo gjë është e kotë, Eukaristia dhe Maria!
Faleminderit për çdo përvojë të jetuar së bashku.
Eriola Lleshi
Animatore pranë Oratorit Don Bosko Tiranë