Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për Kreshme 2017

Një takim që të nxit drejt Unit…
22/02/2017
DBR-së. Papa të rinjve: mund ta bëni botën më pak mizore e më shumë njerëzore
23/03/2017

Të dashur vëllezër e motra,

Kreshma është një fillim ri, një udhë që na çon drejt një pikëmbërritje të sigurtë: Pashka e Ngjalljes, fitorja e Krishtit mbi vdekjen. Gjithmonë kjo kohë na drejton një grishje të fuqishme për kthim: i krishteri është i thirrur të kthehet te Hyji “me gjithë zemër” (Jl 2,12), që të mos mjaftohet me një jetë mediokër, por të rritet në miqësi me Zotin. Jezusi është miku besnik që nuk na braktis kurrë, sepse, edhe kur ne mëkatojmë, ai pret me durim kthimin tonë e me këtë pritje ai na shfaq vullnetin për të na falur. (khs. Homelia në Meshën e shenjtë, 8 janar 2016).

Kreshma është një kohë e përshtatshme për të fuqizuar më shumë jetën e shpirtit nëpërmjet atyre instrumentave të shenjta që Kisha na ofron: agjërimin, lutjen dhe lëmoshën. Në bazë të të gjithave qëndron Fjala e Hyjit që në këtë kohë jemi të thirrur ta dëgjojmë dhe ta meditojmë me më shumë vëmendje. Në mënyrë të veçantë këtu, do të doja të ndalesha në shëmbëlltyrën e të pasurit dhe Lazrit të varfër (khs. Lk 16,19-31). Ta lëmë veten të frymëzohemi nga kjo pjesë kaq domethënëse që na ofron një çelës për të kuptuar se si të veprojmë që të mbërrijmë lumturinë e vërtetë dhe jetën e pasosur, duke na porositur për një kthim të sinqertë.

1. Tjetri është një dhuratë

Shëmbëlltyra fillon duke na paraqitur dy personazhet kryesore, por i varfëri përshkruhet në mënyrë më të hollësishme: ai ndodhet në një gjendje të dëshpëruar e nuk ka fuqi të ngrihet, qëndron te dera e të pasurit dhe han thërrimet që bien nga tryeza e tij, e ka trupin të mbushur me plagë dhe qentë ia lëpijnë ato (khs. rr. 20-21). Situata paraqitet e trishtë dhe ky njeri është i degraduar e i poshtëruar.

Skena shfaqet edhe më dramatike nëse vihet re fakti që i varfëri e ka emrin Lazër: një emër i mbushur me premtime e që fjalë për fjalë do të thotë “Hyji ndihmon”. Prandaj ky personazh nuk është anonim, por ka trajta të mirpërcaktuara dhe paraqitet si një individ i cili ka edhe një histori personale. Ndërkohë që në sytë e të pasurit ai është si një i padukshëm, për ne bëhet i njohur, e pothuajse familjar, kthehet në një fytyrë; e si i tillë është një dhuratë, një pasuri e paçmueshme, një qenie e dashur, e dashuruar, për të cilin Hyjit i bie ndërmend edhe pse gjendja e tij konkrete është ajo e një refuzimi njerëzor (khs. Homelia në Meshën e Shenjtë, 8 janar 2016).

Lazri na mëson që tjetri është një dhuratë. Marrëdhënia e duhur me njerëzit ka të bëjë me pranimin falënderues të vlerës së tyre. Edhe i varfëri në derën e të pasurit nuk është një pengesë bezdisëse, por një grishje për t’u kthyer e për të ndryshuar jetë. Ftesa e parë që na vjen nga kjo shëmbëlltyrë është hapja e derës së zemrës tonë, pasi çdo njeri është një dhuratë, qoftë i afërmi ynë e qoftë i varfëri i panjohur. Kreshma është një kohë e volitshme për t’ia hapur dyert çdo nevojtari dhe për të dalluar te ai apo te ajo fytyrën e Krishtit. Secili prej nesh ka rast t’i takojë në rrugën e tij. Çdo jetë që na del para është një dhuratë dhe meriton pranim, respekt, dashuri. Fjala e Hyjit na ndihmon të hapim sytë për të pranuar jetën dhe për ta dashur, sidomos kur ajo është e brishtë. Por, për të bërë këtë gjë, është e nevojshme të merret seriozisht edhe ajo çka ungjilli na zbulon kur flet për njeriun e pasur.

2. Mëkati na verbon

Shëmbëlltyra është e pamëshirshme kur evidenton kundërshtitë në të cilat gjendet i pasuri (khs. rr. 19). Ky personazh, ndryshe nga Lazri i varfër, nuk ka një emër, dhe është i cilësuar vetëm si një “i pasur”. Tepria e tij shfaqet në petkat që mban veshur, janë të një luksi të tepruar. Mëndafshi në fakt ishte shumë i kushtueshëm, më shumë se argjendi e ari, dhe prandaj ishte i rezervuar për hyjnitë (khs. Jer 10, 9) dhe për mbretërit (khs. Gjq 8, 26). Pëlhura ishte një li i veçantë që ndihmonte të dukej qëndrimi sa më i shenjtë. Pra pasuria e këtij njeriu ishte e tejskajshme, edhe sepse shpërfaqej çdo ditë, ishte bërë zakon: “Gostitej shkëlqyeshëm si një ditë për ditë” (rr. 19). Në të tejshihet në mënyrë dramatike prishja që vjen nga mëkati e që kryhet në tre momente të njëpasnjëshme: dashuria për paratë, krenia dhe mendjemadhësia (khs. Homelia në Meshën e Shenjtë, 20 shtator 2013).

Apostulli Pal thotë se “Rrënja e të gjitha të këqijave, veç, është lakmimi i të hollave” (1 Tim 6, 10). Ai është shkaku kryesor i prishjes dhe burimi i zilive, zënkave dhe dyshimeve. Paraja mund të arrijë të na sundojë duke u kthyer kështu në një idhull tiran (khs. Nxit. Ap. Gëzimi i Ungjillit, 55). Në vend që të shërbejë si mjet në shërbimin tonë, për të përmbushur të mirën dhe për të ushtruar solidaritetin me të tjerët, paraja mund të na nënshtrojë neve dhe tërë botën ndaj një logjike egoiste që nuk i lë hapësirë dashurisë dhe pengon paqen.

Shëmbëlltyra na dëfton se si epshi i tij i shfrenuar e mbush të pasurin me kreni. Personaliteti i tij realizohet vetëm në dukjen e jashtme, duke u treguar të tjerëve atë çka ai ka. Por dukja e jashtme është një maskë për zbrazëtinë e brendshme. Jeta e tij është e burgosura e jashtësisë, e përmasës më të cekët dhe më të kalueshme të ekzistencës. (khs. Po aty, 62).

Shkalla më e ulët e kësaj rënie morale është krenia. Njeriu i pasur vishej si të ishte një mbret, simulon sjelljet e një hyjnie, duke harruar që është thjesht një vdekatar. Për njeriun e prishur nga dashuria për pasurinë nuk ekziston tjetër gjë përpos un-it të tij e prandaj, për të njerëzit që e rrethojnë nuk i hyjnë në sy. Rezultati i lidhjes së ngushtë me paranë është një lloj verbërie: i pasuri nuk e sheh të varfërinë e uritur, plot plagë dhe i rënë përmbys në poshtërimin e tij.

Duke shikuar këtë personazh, kuptohet pse Ungjilli është kaq i prerë kur dënon dashurinë për paranë: “Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duaj, ose do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë” (Mt 6, 24).

3. Fjala është një dhuratë

Ungjilli i të pasurit dhe Lazrit të varfër na ndihmon t’i përgatitemi mirë Pashkës që po afrohet. Liturgjia e të Mërkurës së përhime na fton të jetojmë një përvojë të ngjashme me atë që përjeton i pasuri në një mënyrë shumë dramatike. Meshtari duke hedhur hi në kokë përsërit: “Kujtohu se je pluhur e në pluhur do të kthehesh”. I pasuri dhe i varfëri, në fakt, vdesin të dy dhe pjesa kryesore e shëmbëlltyrës zhvillohet në jetën e përtejme. Të dy personazhet papritur zbulojnë se “nuk kemi sjellë gjë në botë e nuk mund të marrim asgjë me vete” (1 Tim 6, 7).

Edhe shikimi ynë i hapet jetës së përtejme ku i pasuri ka një dialog të gjatë me Abrahamin, të cilin e thërret “atë” (Lk 16, 24. 27), duke treguar kështu se është pjesë e popullit të Hyjit. Kjo veçanti e bën jetën e tij edhe më në kundërshti, sepse deri tani nuk ishte thënë asgjë në lidhje me marrëdhënien e tij me Hyjin. Në të vërtetë, në jetën e tij nuk kishte vend për Hyjin, i vetmi hyj i tij ishte vetvetja.

Vetëm midis vuajtjeve në jetën e përtejme i pasuri e njeh Lazrin dhe do të donte që i varfëri të lehtësonte vuajtjen e tij me pak ujë. Gjestet e kërkuara prej Lazrit janë të ngjashme me ato që mund të kishte bërë i pasuri, por që nuk i ka bërë. Abrahami megjithatë ia shpjegon: “… se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan” (rr. 25). Në jetën e përtejme rivendoset një lloj barazie dhe të këqijat e jetës ekuilibrohen nga e mira.

Shëmbëlltyra vazhdon dhe paraqet kështu një mesazh për të gjithë të krishterët. Në fakt i pasuri, i cili ka ende disa vëllezër gjallë, i kërkon Abrahamit të dërgojë Lazrin te ata për t’i qortuar; por Abrahami i përgjigjet: “kanë Moisiun dhe profetët; le të dëgjojnë ata” (rr. 29). E përballë vërejtjes së të pasurit, shton: “Nëse nuk dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden as nëse dikush ngjallet prej të vdekurish” (rr. 31).

Në këtë mënyrë del në pah problemi i vërtetë i të pasurit: rrënja e të këqijave të tij është se nuk ia vë veshin Fjalës së Hyjit; kjo ka bërë që ai të mos e dojë më Hyjin dhe kështu të përçmojë të afërmin. Fjala e Hyjit është një forcë e gjallë, e aftë të ngjallë kthimin në zemrën e njerëzve dhe të drejtojë sërish zemrat të Hyji. T’ia mbyllësh zemrën dhuratës së Hyjit që flet ka si pasojë mbylljen e zemrës ndaj dhuratës së vëllait.

Të dashur vëllezër e motra, Kreshma është një kohë e përshtatshme për t’u përtërirë në takimin me Krishtin e gjallë në Fjalën e tij, në Sakramentet dhe në të afërmin. Zoti – që në dyzet ditët e kaluara në shkretëtirë ka fituar mbi mashtrimet e Tunduesit – na tregoftë rrugën në të cilën duhet të ecim. Shpirti Shenjt na udhëheqtë në përmbushjen e një rrugëtimi të vërtetë kthimi, për të zbuluar sërish dhuratën e Fjalës së Hyjit, për t’u pastruar nga mëkati që na verbon dhe për t’i shërbyer Krishtit i cili është i pranishëm në vëllezërit në nevojë. Inkurajoj të gjithë besimtarët që ta shprehin këtë përtëritje shpirtërore duke marrë pjesë në Fushatat e Kreshmës që shumë organizma kishtarë, në shumë anë të botës, promovojnë që të rritet kultura e takimit në të vetmen familje njerëzore. Të lutemi njëri për tjetrin në mënyrë që, pjesëmarrës në fitoren e Krishtit, të dimë t’ia hapim dyert tona të dobëtit dhe të varfëritë. Atëherë do të mund të jetojmë e të dëshmojmë plotësisht gëzimin e Pashkës.

Nga Vatikani, 18 tetor 2016

Festa e Shën Lukës Ungjilltar

Françesku

Comments are closed.