Maria Domenika Maxarelo
Një jetë e thjeshtë dhe plot dashuri
Parathënie
Pak muaj pas vdekjes së Maria Domenika Maxarelos, e cila ndodhi më 14 maj të vitit 1881, u shkrua përmbledhja e parë biografike rreth saj, që u redaktua nga udhëheqësi i saj shpirtëror, saleziani dom Gjon Batista Lemuen. Ajo u botua pjesë-pjesë në Buletinin Salezian, në mënyrë që t’ia bënte të ditur familjes së madhe të dom Boskos, e cila në atë kohë ishte e pranishme ne Evropë dhe në Amerikë, shenjtërinë e asaj që kishte bashkëpunuar në themelimin e Institutit të Bijave të Marisë Ndihmëtare.
Që atëherë janë botuar shumë biografi mbi shenjtoren e Mornezes. Shumë janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe janë përhapur në bashkësitë edukuese të të pesë kontinenteve, ku veprojnë rregulltaret edukatore që frymëzohen pre saj për formimin e breznive të reja.
Shembulli i Maria Domenikës është i njohur jo vetëm në Familjen Saleziane. Një bashkësi bonzësh që jeton në Kamboxha ka shprehur simpati për këtë grua edukatore të urtë dhe të përvuajtur, të lindur në një vend të vogël të Monferratit, por me një zemër misionare që ëndërronte të shpallte Ungjillin deri në Patagoni.
Në Gjermani, një grup familjesh në Magdeburg, që nuk i përkiste asnjë besimi fetar, i ka dhënë jetë një shoqate solidariteti në favor të fëmijëve të varfër duke e quajtur Maria Maxarelo.
Madje në Brazil i kanë kushtuar asaj, që kishte mësuar të shkruante kur ishte bërë nënë e përgjithshme në moshën 35-vjeçare, bibliotekën e Universitetit Katolik të Brazilit.
Shenjtërit janë një dhuratë e madhe e Hyjit për botën dhe një burim i çmueshëm frymëzimi, që nuk e humbasin kurrë aktualitetin e tyre.
Ata i përkasin korit të atyre që Zhak Mariteni i përkufizon si “edukatorët e vërtetë të njerëzimit”. Në fakt, jeta e tyre vazhdon të shndrisë me atë plotësi humanizmi që na magjeps dhe që i jep botës drejtimin e duhur të ecjes drejt së ardhmes.
Shenjtërit jo vetëm flasin për Zotin, por e zbulojnë në identitetin e tij më të thellë, në Dashurinë.
Në 170 vjetorin e lindjes së Maria Domenika Maxarelos na është dukur e përshtatshme të publikojmë një edicion të dytë të së njohurës biografi “Një grua e së djeshmes dhe e të sotmes” e shkruar nga motër Maria Pia Xhudiçi me thellësinë e kërkimit dhe mprehtësinë e stilit.
Biografia aktuale, më e përmbledhur dhe më e zhdërvjellët se e mëparshmja, është e rishikuar me bashkëpunimin e motër Mara Borsit, mbi bazën e zbulimeve të fundit ndërdisiplinore përreth figurës së bashkëthemelueses së Institutit të Bijave të Marisë Ndihmëtare.
Nga faqet e këtij vëllimi del në pah profili historiko-shpirtëror i një gruaje me shikim të thellë dhe të largët, me zemër të apasionuar dhe të përvuajtur, me mesazh profetik të rrënjosur në freskinë e Ungjillit dhe të karizmës saleziane.
Uroj që ripërtëritja e botimit biografik të bijës së parë të Marisë Ndihmëtare të ndihmojë për të rindezur në të gjithë zjarrin e dashurisë ungjillore e për ta bërë çdo bashkësi dhe familje shtëpinë e dashurisë së Hyjit.
Romë, 24 tetor 2007
170 vjet nga lindja e Maria Domenika Maxarelos.
Motër Antonia Kolombo
Eprore Madhore e Bijave të Marisë Ndihmëtare
Çfarë bënte Hyji?
Nuk e dimë se si ishte qielli i Mornezes atë ditë. Ndoshta ishte i ndezur, me grumbull resh që mbushnin me reflekse të shndritshme vreshtat.
Në stanin e Valponaskës kishin reshtur edhe fjalët e fundit të argatëve, të cilët pak më parë kishin vendosur në vend veglat.
Jozef Maxarelo qëndronte i ulur tek pragu i derës. Ishte një fshatar, të cilit zor t’ia dalloje moshën. Mbi fytyrën e shënuar nga rrudhat dhe të nxirë nga dielli lexohej ajo butësi e kthjellët, e vullnetshme dhe hijerëndë, që karakterizonte dikur bujqit e ndershëm.
Papritmas doli nga shtëpia Maria, një vajzë e vogël jo më tepër se pesëvjeçare.
Duke parë drejt të atit, u shtri mbi bar pranë tij.
“A më tregon, – i tha, – se çfarë bënte Hyji, para se të krijonte botën?”
Fshatari, gati duke pyetur atë pjesë të vetes që kishte më shumë familjaritet me katekizmin e mësuar në kishë e mbi gjunjët e babait të tij, u përgjigj me një pyetje:
“Çfarë bënte?”
Një moment heshtjeje dhe pastaj:
“Epo, kundronte vetveten, donte vetveten, ishte i lumtur në vetvete.”
Përgjigjja, duke folur teologjikisht, nuk çalonte askund, po për vajzën ishte si një mister, ku ajo donte të zhytej. Kjo përgjigje s’e linte rehat.
Kur, shumë kohë më vonë, ia tregoi shoqes së saj më të afërt, Petronilës, atë kujtim të largët të fëmijërisë, shtoi: “Atë përgjigje të babait tim nuk e kam harruar kurrë më. Natyrisht, pak kuptova atëherë, po nuk e di pse përgjigjja e tij më shtyu gjithmonë të interesohem për Hyjin. As për gjithë arin e botës nuk do ta kisha braktisur katekizmin”.
Herët e para kishte marrë pjesë në katekizëm e turpshme dhe e heshtur, si bënin vajzat e baxhove në përgjithësi. Qëndronte e mbyllur në vetvete, sikur të kishte frikë nga ballafaqimi me bashkëmoshataret, që ishin çapkëne dhe të sigurta. Por, sapo fillonte mësimi, nuk humbiste asnjë fjalë.
Dom Domenik Pestarinoja, për të cilin do të flasim më tutje, e vuri re shumë shpejt që Maria regjistronte gjithçka në kujtesën e saj. Jo vetëm kaq, por kur e nxiste të thellohej e të mendonte, ajo jepte disa përgjigje për sa i përket fesë, që mrekullonin shoqet e, ndoshta, edhe më të rriturit.
Të njëjtët dëshmitarë, disa prej të cilëve u thirrën të dëshmonin edhe në procesin e shenjtërimit, kujtuan atë që dom Pestarinoja thoshte, diçka që atëherë do ta përmallonte: “Shikoni: kjo vjen nga ferma dhe nuk mund të vijë përherë e, megjithatë, dëgjoni pak sa mirë di. Ju jeni në fshat, jeni gjithmonë të pranishëm e nuk dini t’u përgjigjeni pyetjeve të mia. Pse kështu? Sepse nuk studioni dhe nuk jeni të vëmendshëm si Maria”.
Në fakt, Maria ishte një vajzë e zgjuar dhe e thellë. Me ta parë në sy, kuptohej që atëherë ai vullnet i fortë, i cili është shenjë paralajmëruese e guximit të madh.
“Nuk dua të mbetem poshtë të tjerëve, – thoshte. – Dua t’i mund të gjithë djemtë. Ata nuk më frikësojnë.”
E në fakt kështu ndodhte.
Të dielën dom Pestarinoja, sapo mbaronte shpjegimin e katekizmit, fillonte garën. Thërriste një djalë dhe një vajzë që të pyesnin njëri-tjetrin dhe ata bënin pyetje mbi pyetje.
“Maria, – thoshin, – fitonte gjithmonë.”
Më vonë dikush ia kujtoi atë prestigj që të dukej si personalitet përpara djemve. Dhe ajo iu përgjigj: “Ishte e gjitha dashuri për vetveten. Studioja mënyrën për të mos humbur dhe për të mos u turpëruar para të tjerëve”.
Moti i mirë shihet në mëngjes. Nëse dikush, që nga fëmijëria, apasionohet pas Hyjit dhe ka guximin e së vërtetës me vetveten, nga ai mund të priten gjëra të mëdha. Edhe shenjtëria.
Kapitulli 1
Vitet e saj të blerta
Ndihmëtarja, babai dhe nëna
“Në vitin e Zotit 1837, më 9 maj, dom Lorenco Gio pagëzoi një vajzë, të lindur sot nga Jozef Maxarelo dhe nga Madalena, kjo nga Kalkanjoja, bijë e Silvestrit dhe e Maria Domenikës. Të dy janë bashkëshortë në famullinë e Tramontanës dhe bijës së tyre iu vu emri Maria Domenika.”
Faqet e pluhurosura të arkivit famullitar të Mornezes (Aleksandri) regjistrojnë emra dhe data: kjo histori zhvillohet aty.
Maria Domenika Maxarelo, bashkëthemeluese e ardhshme me shën Gjon Boskon e Istitutit të Bijave të Marisë Ndihmëtare, lindi në Morneze, në një vend të humbur në mes të kodrinave të Monferratit.
“Çfarë e mire mund të vijë nga Mornezeja?” do të mund të thonë të gjithë ata që, me të njëjtin mentalitet të bashkëkohësve të Jezusit, kishin pyetur: “Çfarë e mire mund të vijë nga Nazareti?”.
Maria, ashtu si duket nga kërkimet e fundit të Tomë Durantes në arkivin famullitar të Mornezes, është vajza e parë ndër 13 fëmijë.
Kur lindi, prindërit e saj banonin në lagjen e Maxarelove, një grusht shtëpish, të cilave iu shtua, në vitin 1843, një kishë e vogël kushtuar Marisë Ndihmëtare.
Zoja e Bekuar nderohej me atë titull nga kisha vetëm prej pak vitesh. Ishte Piu VII ai që e themeloi festën vjetore më 24 maj të vitit 1815, në fund të luftërave napoleonike dhe të burgosjes së tij të dhimbshme.
Prindërit e Marisë ishin fshatarë dhe të krishterë të vërtetë. Jetonin duke e dashur njëri-tjetrin në thjeshtësi, duke ritmuar shenjat dhe fjalët me punën e palodhur e plot durim që kërkonin vreshtat dhe festat e fshatit.
Jozefi ishte i mirë dhe i rreptë. Anëtar i Vëllazërisë së shën Vinçenc de Paolit, kishte një kuptim të thellë mbi Hyjin dhe kjo i bëhej dije dhe urtësi në çdo përvojë jete.
Gruaja e tij, Madalena, kishte një karakter tërësisht të ndryshëm. Gjaknxehtë e plot gjallëri, gëzonte hirin e të kuptuarit të anës humoristike të realitetit, duke ditur, – në kohën dhe vendin e duhur, – të rrezatonte një mendjemprehtësi edhe në situatat më të errëta.
Edhe për të, Hyji ishte një prani e gjallë dhe po ashtu edhe Zoja, ndaj së cilës ishte e devotshme në mënyrë të veçantë. Feja e bashkuar me jetën e kishte bërë të thoshte një fjalë të urtë për sa u përket kohëve të vështira, në të cilat kishte kundërshtime dhe vuajtje: “Ky vit është një vit parajse”.
Ajo që i bashkonte të dy bashkëshortët, ishte feja.
Maria trashëgoi nga babai urtësinë dhe konkretësinë, ndërsa nga nëna guximin për të përballuar situatat e ndryshme me thjeshtësi dhe humorizëm. Që të dy prindërit i dhanë atë fe të fortë si një shtëpi të ndërtuar mbi shkëmb: Krishtin dhe Ungjillin i tij.
Valponaska
Nga fundi i vitit 1848 familja e Marisë u transferua nga Maxarelot në Valponaskë, një stan i markezëve Doria, të cilin i ati i Marisë e mori për të kultivuar vreshtat.
Tre çerek ore larg nga fshati, prapë sot ai ngrihet në anën e një kodrine. Dritarja e tij është karakteristike e banesës fshatare dhe hapet drejt perëndimit si një sy i zgurdulluar në horizontin e madh.
Në Valponaskë bashkëshortët Maxarelo shkuan me Marinë, vajzën e parë, Feliçinën e sapolindur dhe Domenikën, një mbesë dymbëdhjetëvjeçare, e cila kishte mbetur vetëm gjatë kolerës që kishte shpërthyer në mënyrë të vrullshme në Morneze në vitin 1836, një vit para se të lindte Maria. Maxarelot e kishin nën kujdestari mbesën e tyre jetime. Maria pati në Valponaskë një fëmijëri të qetë dhe pak të vuajtur rreth vitit të njëmbëdhjetë.
Kushërinjtë Katerina dhe Xhanbatista Bodrato, për shkak të një vështirësie në shtëpinë e tyre, u kërkuan Maxarelove vajzën e tyre për pak kohë. Kush e di, mendonin, Maria do të mësohet dhe prindërit e saj do të na e japin përgjithmonë e ne do ta mbajmë si vajzën tonë. Por nuk ndodhi kështu. Para se të mbaronte një vit, Marinë e thirrën të kthehej në Valponaskë. I kishte lindur një vëlla dhe duhej të ndihmonte nënën që të kujdesej për shtëpinë dhe për fëmijën.
Maria në zemrën e saj u ndie e lumtur që po kthehej te prindërit.
Jo pse Bodratët nuk e donin, përkundrazi! Ajo që nuk i pëlqente aspak te kushërinjtë e saj, ishin lutjet e gjata dhe devocionet. Këto ishin pak të përshtatshme për moshën e saj dhe ishin shumë në kundërshtim me mënyrën e perceptimit të Hyjit që ajo kishte që në atë moshë.
Vite më pas, ajo vetë do të pohojë: “Mua më pëlqente të isha e mirë, por pa qëndruar gjithë ato orë në kishë dhe pa u rënë tepër në sy të tjerëve”.
Këto janë fjalë që na tregojnë atë nevojë për thjeshtësi, që i shmanget mendjemadhësisë dhe që do të jetë, më pas, stili karakteristik i personalitetit të Marisë.
Në Valponaskë ajo vajzë e fushave u bë e shkathët dhe e lumtur si thëllëzë.
Lejoi të edukohej nga mjedisi, duke u rritur e shëndetshme, e ekuilibruar, e qetë dhe e çiltër.
“Që vajzë, – shkruan Ferdinand Makono, një nga biografët e saj të parë, – ndiente një antipati të pathyeshme ndaj gënjeshtrave.”
Petronila, shoqja e saj më besnike, në procesin e lumturimit dëshmon: “Deri edhe në mendime nuk dëshironte të thoshte gënjeshtra. Kërkonte të shmangte ndëshkimin por në mënyrë të tillë që të mos gënjente”.
Në shkollë nuk pati mundësi të shkonte. Nga Valponaska deri në Morneze rruga, sidomos në dimër, ishte me të vërtetë një problem i madh. Dhe pastaj dihej që, në ato kohë, se fshataret e staneve mbeteshin analfabete.
Por inteligjente dhe e hareshme siç ishte, Maria nuk vonoi të mësonte të lexonte. Mësues iu bë i ati.
Marrja në dorë e stilolapsit dhe përballimi i lodhjes së të shkruarit ishin nisma më të mëdha se mundësitë e ambientit, ndërkohë interpretimi i shkronjave, i rrokjeve dhe i fjalive të tëra bëhej një aventurë tërheqëse, sidomos në mbrëmjet e gjata të dimrit.
Edhe numrat përfaqësonin për Marinë një botë të panjohur e megjithatë ia doli të mësonte të “bënte llogaritë” me gishta, duke kryer në një çast çdo lloj ushtrimi aritmetik të fillores.
Një moment i rëndësishëm: kungimi i parë
Monika Meneguci dhe Piera Rufinato që ishin përgjegjëse për projektin Morneze, shkruajnë për këtë periudhë që Maria kaloi në Valponaskë: “Itinerari i fillimit të fesë së saj shndërrohet këtu në personalizim, sepse Maria i hapet Hyjit me vetëdije dhe vendos t’i dorëzohet Atij në liri dhe dashuri. Këtu ajo i hapet jetës fetare të pjekur dhe të gjitha përvojat e drejtojnë që të zhvillojë vetëdijen gjithnjë e më të qartë të Krishtit në qendrën e jetës së saj”.
Dom Pestarinoja e pranon në kungimin e parë, edhe pse akoma nuk e ka mbushur moshën e duhur 12-vjeçare. Maria është e përgatitur dhe takimi i saj me Zotin bëhet në vitin 1850 sipas regjistrimit në librat “Gjendja e shpirtrave” të ruajtura në famulli.
Në biografinë e saj përshkruhet kështu ai moment i paharrueshëm: “Nata para kungimit kalohet në një përgjumje të këndshme që është lutje, dëshirë, hov i shpirtit në atë mënyrë që kush i fle afër ia ka zili fatin e saj”. Në mëngjes, ajo që është më e largëta e fshatit arrin në kishë ndër të parat; “ulet në gjunjë me devotshmëri, nuk shikon asnjeri përveç dom Pestarinos, që po jep lajmërimet e fundit […]. Fytyra e skuqur, ndryshe nga herët e tjera, thotë që ndjenja të forta i kalojnë në zemër dhe bëhen të sajat, duke e ndezur gjithnjë e më shumë me një dëshirë të gjallë. Dom Pestarinoja këndon punën e pendimit […]. Edhe zëri i lartë dhe i sigurtë i Marisë dëgjohet; i qëndrueshëm është hapi i saj, tërësisht i përmbledhur shikimi kur afrohet për të marrë Jezusin e shndritur nga lumturia dhe duke u dridhur nga gëzimi”.
Maria gjatë gjithë jetës së saj do të kultivojë këtë “magjepsje” për Eukaristinë. Pjesëmarrja në celebrimin Eukaristik bëhet angazhimi i saj i përditshëm dhe Jezusi e merr me butësi për dore duke e drejtuar drejt kundrimit në të përditshmen: “Ky sakrament bënte që mendimi i Marisë të ishte gjithnjë i zënë o për Jezusin, që e kishte marrë në mëngjes, o për Jezusin që do të merrte të nesërmen; zemra e saj, vazhdimisht e vëmendshme mbi veten, për tjetër nuk interesohej përveçse për qëndrimin me Hyjin, e etur vetëm për t’i pëlqyer çdo ditë e më shumë”.
Çapkënllëqe, gabime dhe një zemër e mirë
Maria nuk kishte lindur e shenjtë. Si të gjithë fëmijët, edhe ajo kishte grykësitë e saj dhe gjente mënyrën për t’i kënaqur ato. Për vezët, për shembull, i shkonte goja lëng. Vite më vonë do t’i kujtohet se si i kishte projektuar dinakëritë e vogla, veç të mos i merrte fshehurazi dhe as të mos rrezikonte që e ëma t’i thoshte jo.
Për Marinë, jo vetëm vezët, por edhe djathi ishte një tundim i vërtetë. Një ditë i kishte gjetur të vendosura mirë mbi tavolinën e kuzhinës. Çdo copë djathi i thoshte grykëses: “forca, më merr”. Ajo reagoi duke i dhënë djathit një të shtyrë. Të gjitha copat u përhapën përreth. Natyrisht, ndonjëra u zhduk në gojën e saj të vogël dhe llupëse.
Me një fjalë, gabimet nuk mungonin, por ajo kishte edhe një zemër shumë të mirë. Shenjtja tregon një ngjarje, që ndodhi pak kohë më pas kur Maria ose Main, si e quanin familjarisht, ishte adoleshente.
Nikolla, vëllai i vogël, ia kishte mbathur nga mesha e së dielës. Marisë i erdhi shumë keq dhe i tregoi të atit, i cili i foli të birit me autoritet dhe sigurisht edhe me ndonjë shuplakë.
Djaloshi, për t’u hakmarrë, u ngjit lart mbi grazhd dhe qëndroi aty si një trumcak i frikësuar. Në orën e drekës nuk u duk fare. Maria shkoi ta zbulonte. I solli racionin e ushqimit dhe, për të mos përkrahur gabimin e tij, i tha: “Babai të ka rrahur, sepse dëshiron që ti të rritesh mirë; por tani jepi vetes, merr e ha”.
Shikoi djaloshin, i buzëqeshi, ndërsa po vendoste ushqimin mbi sanë, dhe pastaj vrap e për në shtëpi, por Nikolla, i skuqur nga inati, zbriti poshtë duke bërtitur: “Nëse të rrahurat janë për të mirë, merre edhe këtë tas mbi kokë, se për mirë është!” dhe ia gjuajti ushqimin nga pas.
Maria nuk reagoi dhe prindërit e saj e morën vesh këtë pas shumë vitesh kur ngjarja ishte shndërruar në kujtim për të qeshur së bashku. Sa për të tjerat, prindërit e saj e njihnin. Kur dikush bënte diçka që nuk shkonte dhe për të cilën baba Jozefit i hanin duart, ajo i lutej: “Baba, faleni kësaj here; do të jetë më i vëmendshëm dhe nuk do të gabojë më”.
Të dukesh apo… të jesh?
Me kalimin e viteve u rrit në Marinë edhe dëshira për t’u dukur, për të bërë figurë të mirë. Kishte goxha shije dhe dinte të njihte cili ishte modeli më i bukur për një fustan, që të nxirrte në pah trupin e saj të hedhur.
Ana e saj femërore po lulëzonte dhe fara e mendjemadhësisë kërkonte të bënte çerdhe në të.
“E kuptoja që gaboja, – do t’i tregojë Petronilës, – por isha me të vërtetë ambicioze. Veshja e re duhej të më pëlqente mua dhe jo nënës sime.”
Në ato vite ishte e apasionuar të shoqëronte të atin nëpër tregjet dhe panairet e fshatrave ose të vendeve përreth. Është e natyrshme: duke u rritur në moshë, ndiente nevojën për të zgjeruar horizontin e saj. Valponaska dhe Mornezeja ishin pak të vogla.
Tregjet dhe panairet paraqisnin për të kontaktin me shumë njerëz, përvojën me një realitet të ndryshëm, mundësinë për të parë gjëra të bukura ose argëtuese. Gjatë një vitit tillë ndodhi që t’i mbeteshin sytë mbi një palë çisme të zeza të modës së fundit. Nuk ua ndante dot sytë. E luti aq shumë të atin, saqë ai u bind t’ia blente. Për një çast iu duk se po prekte qiellin me dorë, por, ashtu siç ndodh për një gjë të dëshiruar me aq lakmi, ndjeu një dhimbje të madhe.
Përse ishte bërë aq kokëfortë për t’i blerë? Me siguri nuk ishin çizmet që e mbushnin atë zemër të madhe, të etur dhe të zjarrtë që e digjte nga brenda.
Këshu, sapo erdhi dita e rrëfimit, ia tregoi rrëfyesit të saj si një akt mendjemadhësie – defekti i saj kryesor.
Don Pestarinoja nuk e bëri të madhe, por as nuk ia hoqi rëndësinë. Marisë, që ishte e gatshme t’ia jepte çismet kushërirës së saj, Domenikës, i tha: “I ke blerë? Atëherë mbaji. Por dëshiroj që t’i lyesh me dhjamë, që të humbin ngjyrën tepër të ndritshme”.
Ajo ditë ishte e paharrueshme në jetën e Marisë.
I kushtoi shumë të lyejë çismet, por ishte një mënyrë për t’i bërë shah, mat mendjemadhësisë. Filloi me vendosmëri të kalonte nga “të dukurit” drejt të “qenit”.
Ky kthim është dëshmuar nga shumë persona. Kushëriri i saj Jozef Maxarelo, gjatë procesit të lumturimit, deklaroi: “Vishej thjesht, aspak e dhënë pas mendjemadhësisë”.
Dhe një ish-nxënëse e saj pohoi: “Kujtoj mirë si vishej Maria. Veshjet e saj ishin të pastra, por të thjeshta”.
“I jam mirënjohëse babait tim!”
Në të atin Maria pati një mbështetës të fortë për t’ia dalë mbanë mirë, mbi të gjitha në stinën e brishtë të adoleshencës.
Kemi treguar më lart për pasionin e saj për tregjet. Por ajo që e tërhiqte më shumë, ishin panairet. E etur për t’u zbavitur, si çdo vajzë e moshës së saj, e tërhiqnin të rejat dhe argëtimet.
Baba Jozefi nuk i kundërshtonte etjes së saj për t’u argëtuar, por mundohej të ishte gjithmonë një prani që vigjëlon dhe edukon.
Një herë, duke e kuptuar se një spektakël mund të ishte vulgar, vendosi të bënte një rrugë të gjatë me Marinë përkrah, duke u sjellë lart e poshtë. Shumë gjëra pa dhe dëgjoi Maria, por asgjë trashanike dhe gojështhurur.
U kthye në shtëpi e gëzuar, por e lodhur si asnjëherë tjetër. Që nga ajo ditë i iku dëshira të harxhonte fjalë për të shkuar në panair.
Jo menjëherë, por më vonë, në vite, kuptoi se çfarë karakteri edukues kishte babai i saj.
Më shumë se një herë e dëgjuan të thoshte: “Sa shumë i detyrohem babait tim! Nëse në mua ka ndonjë virtyt, unë i jam mirënjohëse atij, sepse ishte me të vërtetë një shenjt. Shumë më vonë kam kuptuar sekretin e mënyrës së tij të vendosur. Për këtë tani i detyrohem një falënderim edhe më të madh”.
Maria ishte e shkathët dhe e fortë. Shumë shpejt nuk i mjaftoi të kujdesej për shtëpinë dhe vëllezërit. Ndoshta edhe për shkak të njëfarë ngjashmërie me të atin, kërkoi dhe arriti të punonte me të në vreshta.
Mësoi të mbështeste hardhitë, të ujiste rrënjët e reja kur toka, e thatë dhe e fortë, çahej nga etja. Njohu sekretet e plehërimit në kohën e duhur dhe mësoi mjeshtërinë e shartimit me saktësi kur hëna është e përshtatshme. E përshtati zërin e saj me atë të rinjve që vilnin rrushin, argatët që punësonte çdo ditë babai i saj. Bënte gjithçka pa humbur asnjë minutë kohë.
Ata që punonin në vreshta, e vunë re shumë shpejt forcën dhe shpejtësinë e saj. U shuan buzëqeshjet pak tallëse, me të cilën e kishin pritur kur e kishin parë fillimisht, duke marrë në dorë shatin. Vajza nuk hiqte dorë aspak dhe, për të mos i tallur njeri, duke i krahasuar me forcën e rezistencën e saj, atyre u duhej të punonin shumë. Ndonjëri prej argatëve nuk ia dilte të punonte sa ajo dhe hoqi dorë nga puna.
Babai, me zë serioz, por në fund të fundit krenar për të bijën, i përsëriste shpesh: “Duhet të jesh më e përmbajtur, Maria. Nëse vazhdon në këtë mënyrë nuk do të gjej më burra për t’i punësuar në vreshta. A e di se çfarë thonë? Ajo vajzë ka një krah të hekurt dhe është zor i madh t’i rrihet përkrah”.
Një bashkëmoshatare e saj dëshmoi: “Punonte si burrë për të ndihmuar të atin”. Dhe disa gra të tjera thoshin: “Asnjë vajzë në Morneze nuk ka punuar kurrë si Maria”:
Si zjarr
Edhe në vreshta Maria tregohej ashtu si ishte: e zjarrtë. Dhe zjarri është diçka që djeg dhe shkëlqen, por duhet edhe të jetë i përmbajtur.
Mbeti e paharruar në kujtimet e saj rinore dita në të cilën u vu të lidhte hardhitë, ndoshta me më tepër zell se zakonisht. Lidhi një sasi të madhe pa pushuar një sekondë. Natyrisht, në një farë momenti u lodh. Në vend që të pushonte vazhdoi më shpejt.
E mundur nga padurimi, si e çmendur, filloi të priste lastarët e butë. Shumë shpejt u pendua dhe u ndal. Ndërgjegjja e saj e urdhëronte të rrëfehej. Dom Pestarinoja nuk u tregua i butë as këtë herë. “Çfarë të bërtituri!, – i tha Maria shoqes së saj më të ngushtë., – Kam bërë me të vërtetë një gabim të madh, edhe pse mua më dukej se, duke pasur shumë hardhi, nuk ishte aq dëm i madh, nëse u prishën ca lastarë.”
Erdhi koha të ndalemi pak te dom Pestarinoja, rrëfyesi i Marisë të cilin jo rastësisht Provania Hyjnore ia vuri pranë.
“Maria, – vë re biografi i saj i parë, – kishte trashëguar nga nëna e saj një karakter të zjarrtë, që duhej të vetëpërmbahej me mirësi dhe butësi; nga babai kishte marrë arsye dhe saktësi në të vëzhguar. Megjithatë kishte një vendosmëri gjykimi, që duhej mprehur me përvujtëri, dashamirësi dhe përkulshmëri, që të mos bëhej kokëfortësi. Kishte një zemër shumë të ndjeshme, ndjenjat e të cilës duhej të lartësoheshin dhe të shenjtëroheshin”.
Sa për këtë pikë, qe vendimtare ndërhyrja e urtë dhe e ekuilibruar e dom Domenik Pestarinos.
Maria Ester Posada në botimin “Urtia e jetës” e përshkruan kështu veprimin e tij edukues: “Drejtimi i tij shpirtëror karakterizohet nga qartësia e parimeve dhe nga forca e orientimit, nga shkallëzimi dhe vazhdimësia; fillon nga vetëmohimi i jashtëm dhe kërkon të formojë dhe kultivojë qëndrime të brendshme”.
Dom Domenik Pestarino
Dom Jozef Kampi, i lindur në Morneze, në kujtimet e ruajtura në arkivin e përgjithshëm të Bijave të Marisë Ndihmëtare, nuk heziton të flasë për dom Pestarinon si “shpëtimtari i Mornezes”.
I lindur në vitin 1817 në Morneze, ishte bërë meshtar më 1839 kur pak më parë në Piemonte kishte arritur kulmin tensioni ndërmjet dy rrymave baritore: e buta dhe e rrepta ose e përpikta.
Siç thotë Pjetër Stela, rryma e parë, në të cilin bënin pjesë Jezuitët dhe Oblatët e Marisë, mund të rrezikonte të provokonte, ashtu si në të kaluarën, një rehatim zakonesh; por tjetra anonte shumë nga rryma e rreptë janseniste.
Herezia e jansenizmit, lindur në Francë në shekullin XVII dhe e rrënjëzuar më vonë edhe në Itali, sidomos në Piemont, zgjati shumë në zvarritjen e rreptësisë së saj.
Për një keqkuptim ndaj sovranitetit absolut të Zotit, meshtarët e ndikuar nga jansenizmi, këshillonin të hiqej dorë nga sakramentet, duke lënë pasoja në fe dhe në zakone.
Për shkak të kësaj, ndodhte që feja të ishte më e vakët dhe më i dobët praktikimi i jetës së krishterë. Mornezeja nuk ishte jashtë këtij rreziku.
Dom Pestarinoja kishte trashëguar nga familja e tij, njëra ndër më fisniket e Mornezes, rehati dhe mendje të hapur; nga formimi kishtar i Gjenovës një përgatitje teologjike-baritore të aftë për t’iu kundërvënë ndikimeve janseniste; nga Zoti një pasion të madh për Mbretërinë e Tij.
Dihet që Provania Hyjnore është një endëse. Thurjet e saj janë shpesh lidhjet miqësore që zakonisht bëhen ndërmjet shenjtërve, afërsitë e zakoneve të tyre dhe njësia në ndërhyrjet apostolike të nxitura nga Shpirti i Zotit.
Kështu, dom Pestarinoja në Gjenovë, për aq kohë sa ishte student i teologjisë dhe pastaj prift prefekt në seminar, ishte në marrëdhënie me personalitete të njohura në historinë e përshpirtërisë së atyre viteve. Mjafton të kujtojmë dom Luigji Sturlën, dom Tito Borgatën, dom Tomë Rexhon, i cili u bë më pas arqipeshkëv i Gjenovës, dhe dom Gaetano Alimondën, arqipeshkvin e ardhshëm të Torinos.
Por, më shumë se me të gjithë, ishte i lidhur me dom Jozef Frasinetin për nga miqësia dhe vlerësimi i ndërsjelltë. Ai kishte një zemër të dashuruar me Zotin e një karakter ungjillor, që la vepra të panumërta plot me përshpirtërinë më të mirë të asaj kohe.
Lulëzimi i jetës së krishterë
Në kujtimet e dom Kampit thuhet për dom Pestarinon: “Ishte një kopje besnike e dom Frasinetit në punën për lavdinë e Zotit”.
Vetëm disa vite pas shugurimit meshtarak ai u kthye në vendlindjen e tij, ku situata baritore ishte e dhimbshme.
Famullitari, dom Lorenc Gio, i moshuar dhe i verbër, tashmë nuk mund të punonte shumë për të lëruar tokën që jansenizmi kishte ngrirë dhe ngurtësuar. Nuk u besoi syve kur pa pranë këtë bir të tokës së tij, pa pretendime por të zelltë nga pasioni apostolik. Që atëherë vendi ndryshoi pamje.
Monsinjor Modesto Kontrato, ipeshkëv i Akuit, e konsideronte Mornezen si “kopshtin” e dioqezës së tij. Pas vizitës baritore të 1857-ës i shkroi famullitarit, dom Gios: “U bëj përgëzimet e mia të gjithëve, në mënyrë të veçantë për shpirtin e vërtetë të lutjes dhe të fesë, me të cilin janë të mbushur. Ju siguroj që jam përmalluar thellësisht tek pashë personalisht fenë e gjallë, devocionin e fortë që mbretëron në të gjithë popullin”. Letra e ruajtur në arkivin famullitar të Mornezes mban datën 27 maj.
Don Pestarinoja nuk i llogarit sakrificat. Para se të zbardhë dita gjendet në rrëfyestore. Dom Kampi vëren që në tre të mëngjesit burrat prisnin dhe dëshironin të merrnin sakramentin e faljes para se të fillonte puna në fusha. Pas burrave ishte radha e grave dhe e të rinjve. I njëjti dëshmitar kujton që në të gjithë Mornezen ishin vetëm dymbëdhjetë burra që nuk rrëfeheshin te dom Pestarinoja. Edhe të rinjtë, të ashtuquajtur “liberalë” që vetëm gjatë misioneve u afroheshin sakramenteve, parapëlqenin të rrëfeheshin tek ai.
Nga ana tjetër, dom Domeniku, me zërin e tij tingëllues, me shembuj dhe krahasime, nuk lodhej kurrë së ungjillëzuari. Ishte gjithnjë i gatshëm të ndalej dhe të bisedonte me ndonjë shok të tijin.
I vetëdijshëm që një farë ndryshimi në predikim i bën dëgjuesit më të vëmendshëm, nuk hezitonte të ftonte personalitete të rëndësishme për treditëshe, nëntëditëshe dhe festa të veçanta.
Një argument delikat
Nëse u ndalëm pak mbi figurën e dom Pestarinos dhe mbi hapësirën e horizontit shpirtëror të Mornezes, e bëmë për të kuptuar më mirë dhe në thellësi fizionominë shpirtërore të Marisë.
Vitet e paraadoleshencës dhe të adoleshencës kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në formimin e personalitetit. Dhe, në qoftë se në ato vite një i ri gjen një ambient dhe një udhërrëfyes të përshtatshëm, ka shumë mundësi që fuqia e shenjtërisë, e fshehur në zemër, të përkthehet në fakte.
Marinë e kemi parë, nuk ishte një shenjtëreshë.
Me atë karakter energjik dhe të vendosur, që e bënte të merrte menjëherë pozicion ndër shoqe, duke shprehur me siguri mendimin e saj, i ndodhte shpesh të ndihej e kundërshtuar.
“Sa herë, – shkruhet në biografinë e saj, – e shihnin të bëhej e kuqe si prushi, me një dridhje buze të dukshme, ose duke i hedhur një shikim të shpejtë e serioz atij që i kundërvihej, apo duke bërë një lëvizje si për t’u larguar.”
Ishin ato momentet, në të cilat fitorja dukej e vështirë. Pastaj, nëse ndonjë shoqe pak e vëmendshme i pëshpëriste: “Sa e kuqe bëhesh!”, skuqej edhe më keq.
“Nuk do të doja kurrë të ma thoshin këtë, – i tregoi një ditë shoqes Petronila, – sepse atëherë, jo vetëm skuqem, por bëhem zjarr!”
Që fëmijë kishte një farë “neverie” për t’u rrëfyer, sikurse me vështirësi i duronte predikimet e gjata.
Dom Pestarinoja, që e njohu shumë shpejt karakterin e Marisë, dinte mirë si të vepronte kundrejt saj.
Një ditë një grup të rinjsh doli nga mesha e së dielës me gëzim të madh. Me ta ishin edhe Maria dhe kushërira e saj, Domenika. Kjo e fundit nuk vonoi t’u tregonte shoqeve arsyen e haresë së saj.
“A e dini? – tha. – Kam bërë rrëfimin tim të përgjithshëm. Përse nuk e provoni edhe ju?”
Maria dëshiroi të ndryshonte bisedë. E vinte në siklet ideja e një vështrimi rrënjësor mbi jetën e saj. “Nëse e bëjnë ata, – mendoi, – u dashka ta bëj edhe unë, ndërkohë që unë nuk e ndiej.”
Sapo erdhën në shtëpi, Domenika e preku prapë çështjen dhe Maria u nxi në fytyrë. Baba Jozefit nuk i kaloi ky diskutim pa e vëzhguar. Tha: “Rrëfimi i përgjithshëm për disa është i nevojshëm, për disa të tjerë njësoj, për të tjerë i dëmshëm”.
“Shumë mirë, – mendoi Maria, – për mua është i dëmshëm, prandaj nuk do ta bëj.”
Por ujërat e zemrës tashmë ishin turbulluar dhe nuk do të mund të heshtnin para dom Pestarinos.
Vendosi ta prekte shkarazi disktutimin, duke i kujtuar atë që i kishte thënë i ati.
Dom Pestarinoja, sapo dëgjoi Marinë, mbeti për një çast në heshtje, si për të pritur nga Shpirti i Shenjtë të dhëna të sakta për shpirtin e Marisë.
Pastaj u përgjigj: “E saktë: për disa është i dëmshëm. Por për ty është i nevojshëm. Do të jetë mirë që ti ta bësh”.
“Kur?” e pyeti vajza pak e shqetësuar.
“Menjëherë.”
“Por unë nuk jam e përgatitur” protestoi.
“Të përgatis unë” iu përgjigj.
“Më përgatiti ai, – i tregoi Maria shoqes së saj me të dashur, – dhe në pak minuta më ndihmoi të bëja rrëfimin që aq shumë e kisha frikë.”
Ajo vepër përvujtërie e Marisë ishte si t’i hapte derën Zotit.
Nuk e dimë ditën, por vitin po. Ishte viti 1852.
Menjëherë dhe përgjithmonë
Në atë klimë përshpirtërie të vërtetë, jeta e krishterë në Morneze synonte të prodhonte fryte shenjtërie.
Kishte të rinj që, të vetëdijshëm për dashurinë e pamatë të Krishtit, i dhuroheshin Atij me kushtin e pastërtisë. Një ditë kjo gjë doli në shesh e u mor vesh në grupin ku bënte pjesë Main, e cila atëherë ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç.
Ajo e para u mrekullua. Pastaj u hodh nga gëzimi dhe tha: “Me të vërtetë nuk e kuptoj si duhet të kërkoj leje për të bërë kushtin e pastërtisë për një farë periudhe. Unë e kam bërë atë kusht menjëherë dhe përgjithmonë dhe nuk besoj se kam gabuar”.
Sa herë e kishte dëgjuar dom Pestarinon duke ua rrënjosur dashurinë për pastërtinë si një kusht i domosdoshëm për një jetë të krishterë të vërtetë!
Edhe predikuesit që dom Pestarinoja i sillte në Morneze, kishin forcuar në Marinë këtë bindje.
Vetë librat që dom Pestarinoja u lexonte njerëzve të tij, ndonjëherë plot me argumente të dijshme e herë të tjera me dëshmi nga shenjtërit, i kishin zgjuar asaj në brendësi idenë e të qenit e gjitha për Zotin. Jo për një muaj apo për një vit. Me Zotin dashuria është përgjithmonë.
Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare Tereza e vogël e Liziësë, për të njëjtën arsye, trokiste në derën e Karmelit.
Maria Maxareloja ndoshta nuk mendonte aspak se do të ishte e mundur të hynte në ndonjë manastir, por edhe ajo e kishte zgjedhur Zotin dhe e kishte zgjedhur përgjithmonë.
Petronila: një shoqe si thesar
Mornezeja është plot me familje që quhen Maxarelo. Njërës prej këtyre, por jo në farefis me Marinë, i përkiste Petronila, një vit më e vogël se ajo.
“Si natyrë ishte e urtë, e mirë, jo shumë e shpejtë për punët” kështu e përshkruan Makonoja, “por si Maria plotësisht e vendosur ndaj Zotit.”
Babai i saj kishte qenë për pak kohë në seminar dhe më pas ishte bërë mësues i shkollës fillore në fshat. Petronila mësoi prej tij të lexonte dhe të shkruante.
Është domethënëse si dhe kur lindi kjo miqësi.
“Ndërsa ishim të dyja të vogla, – tha Petronila në procesin informues dioqezan, – një herë e gjeta, para të Falemi Marisë së mëngjesit, përpara derës së kishës akoma të mbyllur.”
Më thirri afër e më tha: “Më lejo të të them diçka. Edhe herë të tjera jemi gjendur përpara derës së kishës ende të mbyllur. Përse nuk më ke ftuar të lutemi së bashku? Të lutemi bashkë se lutja së bashku ka më shumë vlerë”.
Në këtë dëshmi shihet tashmë lloji i kësaj miqësie: një marrëveshje e bërë mes të dyjave, në të cilën Maria ndikon karakterin e saj të fortë, intuitiv dhe të gatshëm për veprim.
Petronila është e nënshtruar për të bërë më të mirën, po bëhet edhe mikja më e afërt dhe më e matur, bashkëpunëtorja e çdo vepre për Mbretërinë e Zotit. Jo rastësisht Makonoja shkruan: “Nuk e dimë nëse Maria, pa Petronilën, do të kishte mundur të bënte gjithçka që ka bërë”.
Nëpër shtigje kur akoma ishte natë
Miqësia, në jetën e Marisë lulëzoi nën hijen e pasionit të përbashkët për Eukaristinë.
Sigurisht, të zgjohesh herët në mëngjes, të lësh ngrohtësinë e shtratit edhe në mëngjeset e fohta të dimrit, na tregon gjendjen shpirtërore të të dy vajzave.
Por për Marinë, angazhimi, i bërë tashmë i përditshëm, për të marrë pjesë në Eukaristi, ishte diçka me të vërtetë heroike. Mjafton të mendojmë largësinë nga kisha dhe rrugën që duhej bërë në këmbë.
Shtegu që zbret pjerrët nga kodra mbi të cilën lartësohet stani i Valponaskës, zbret pastaj poshtë nëpër fusha dhe ngjitet nëpër kodrina të mbjella me vreshta, derisa, jo pa kalime të vështira, bashkohet me rrugën e komunës vetëm në atë pikë, në të cilën fshati është shumë afër.
Kur koha është e bukur, një udhëtim i këtij lloji mund të jetë një shëtitje e këndshme.
Por, nëse fryn era e veriut dhe bie borë ose shi me rrëmbim (e cila në dimrin e gjatë të Monferratit ndodh shumë shpesh), ecja kur gjithçka është e mbështjellë nga errësira, nuk është edhe aq e kënaqshme.
Dëshmoi një mornezin: “E kam takuar ndonjëherë shërbëtoren e Zotit duke shkuar në meshën e shenjtë së bashku me motër Feliçinën. Kalonte nëpër shtigjet e vështira për të shkurtuar rrugën”.
Balta ngjitëse dhe rrëshqitëse i bënte edhe më të pakalueshme ato rrugica gjatë shirave të gjatë pranverorë dhe vjeshtorë.
Pastaj kur bora ndryshonte me të vërtetë kohën dhe nata ngurronte të mbështillte me errësirë atë mbulesë të akullt, duhej guxim për t’u hedhur nga shtrati e për të marrë rrugën.
Megjithatë, Maria, jo vetëm që e kishte përzemër të merrte pjesë në meshë, por edhe të arrinte herët. Me siguri nuk kishte një orë në dhomën ku flinte. Për t’u zgjuar, vëzhgonte hënën në mëngjeset e ftohta dimërore, ndërsa në ditët e festave motin dhe mënyrat e agimit. Por, plot me dëshirë për të arritur në kohë, i ndodhte shpesh të paraprinte agimin. Atëherë gjunjëzohej për tokë. Lutej dhe kundronte. Ndonjëherë kur vinte ndonjë shoqe si ajo, shtronin një bashkëbisedim shpirtëror. Ndërkohë, kjo ishte një mënyrë për të qëndruar zgjuar.
Një vajzë e asaj periudhe, tashmë grua e pjekur, dëshmoi: “Maria kënaqej shumë duke kundruar qiellin e yjëzuar. Shpesh e kam dëgjuar të thotë: “Shiko sa yje dhe si shndrisin!”.
Më thuaj: “Si të bëj për t’u kujdesur për ty?”
Mund të dukej e pakujdesshme që një e re, e shoqëruar nga një vajzë, të përshkonte në çdo kohë ato rrugë akoma të zhytura në errësisirë.
Ndoshta këtë mendoi edhe burri që e takoi pikërisht aty ku shtegu bashkohet me rrugën që lidhet me Montaldeon. Sapo e vuri re atë hije në mes të natës, Maria i tha të motrës: “Ta pyesim sa është ora, kështu, nuk do të na frikësojë më”. Pasi e pyetën, burri u përgjigj: “Është ora dy”. Dhe shtoi: “Po ju ku shkoni kështu vetëm?”.
“Në meshë.”
“Në dy pas mesnatës? Nuk duhet të dilni në rrugë kaq herët.”
“Nuk e dinim sa ishte ora. Por kështu do të kemi më shumë kohë për t’u lutur.”
Nuk ishte kjo e vetmja herë që gabuan orën.
Maria një mëngjes arriti në kishë me rrobat qullë; kullonte ujë gjithandej. I shtrydhi pak dhe vetëm që të mos humbiste meshën dhe të mos alarmonte dom Pestarinon vendosi të hynte në kishë, por u gjunjëzua nga ana e kundërt e rrëfyestores.
Megjithatë, nuk ia doli dot mbanë. Ndoshta dikush i tregoi dom Pestarinos për gjendjen e saj, ndoshta kollitja e Marisë e lajmëroi, por dom Pestarinoja doli nga rrëfyestorja dhe i urdhëroi vajzës të shkonte te ndonjë shtëpi aty afër që të ngrohej e të thante rrobat.
Maria u bind menjëherë. Po si ishte e mundur që, sapo u përpoq të ngrihej, mbeti e bllokuar? Uji, duke pikuar, ishte bërë akull dhe nallanet i ishin gozhduar fort mbi dysheme.
Një pamje e tillë tregon që Maria tashmë po e bënte të sajën fjalën e Palit: “Për mua jeta është Krishti”.
Nëna e saj jo gjithmonë arrinte ta kuptonte këtë radikalitet të Ungjillit, që përballon me besim çdo rrezik.
Me seriozitet të ëmbël e pyeste: “Pastaj kur të sëmuresh, më thuaj, si të bëj për t’u kujdesur për ty?”.
Rregullisht përgjigja i dilte e qetë: “Po jo, moj nënë, mos u mërzit. Unë nuk do të sëmurem”.
Lutje dhe punë
Në jetën e Marisë lutja forcohej me punën dhe puna gjallërohej me lutjen. Si vajza e parë e një familjeje të madhe, nuk kishte kohë për të humbur. Pastronte, ndihmonte nënën në kuzhinë dhe në larjen e rrobave, babanë në stallë, mësonte vëllezërit dhe motrat në punët e vogla të shtëpisë. Ishin këto për Marinë punët e përditshme ashtu si për çdo vajzë të moshës dhe të kushteve të saj. Por, nëse shtojmë edhe zgjedhjen që kishte bërë për të ndihmuar babanë në vreshta, kuptohet se puna që do të kishte mjaftuar të mbushte jetën e çdo vajze bashkëmoshatare të saj, bëhej për Marinë një gjë më shumë dhe jo e lehtë. Nga ana tjetër, gjëja më e rëndësishme është të kuptojmë shpirtin dhe zemrën me të cilën Maria i bënte ballë gjithçkaje.
Shoqja e saj Petronila dëshmoi: “Maria, jo vetëm që mendonte vazhdimisht për Zotin, por jetonte në Praninë e tij, madje edhe më shumë, ajo jetonte e bashkuar me Të me dashuri të madhe”.
Me të vërtetë, Provania e përgatiste këtë vajzë të fushave të kishte të njëjtën ndjeshmëri si dom Boskoja, shenjti themelues të Institutit të Bijave Ndihmëtare, ku ajo vetë, Maria Maxareloja, do të bëhej bashkëthemeluese.
Si dom Boskoja, Maria, që nga vitet e saj rinore, harmonizonte ekzistencën e saj brenda ritmit të punës dhe të lutjes, gjë që e bashkon dhe e harmonizon në çdo aspekt, jo vetëm nga ana shpirtërore, por edhe nga ajo fizike e psikike, sepse bëhet grua e ekuilibruar dhe e qetë në të gjitha kuptimet.
Edhe kur ishte në vreshta, puna nuk e përfshinte të tërën. Nga ana tjetër, kurrë lutja nuk e mënjanonte nga të qenit aktive në shtëpi dhe në vreshta. Ja, pra, harmonia: lutje e punë.
Kujdesi për shpirtin
“Gjatë kohëve të pushimit, – na siguron Makonoja, – largohej me takt nga llafet e atyre që punonin në vreshta, për t’u lutur në heshtje dhe për të lexuar ndonjë libër.”
Leximet, me të cilat ushqente përshpirtërinë e saj, ishin Parime të përjetshme, Praktika e të dashurit Jezu Krishtin e shën Alfons Maria de Liguori, Ushtrimi i përsosmërisë së krishterë të Rodrigezit. Përveç këtyre Ditari Shpirtëror dhe Imitimi i Krishtit. Mbi të gjitha kjo e fundit dhe veprat e shën Alfonsit tregojnë një lloj përshpirtërie me në qendër Krishtin, e brumosur me realizëm të shëndetshëm.
Gjon Boskos kur ishte akoma djalosh, që nga 1827 deri më 1829 i ishte dashur ta fitonte bukën te stani Molia, duke punuar në fusha. As studime e as seminar për atë që kishte në zemër dëshirën për t’u bërë prift. Sa herë edhe atë e kishin parë të përqendruar në lutje dhe në lexime shpirtërore! Pjetër Stela, duke vëzhguar jetën e tij me ndjeshmërinë e thellë të Kronihistoriat dhe të besimtarit, shënon: “Nuk ishin vite të kota, pasi atëherë u rrënjos më në thellësi te Gjoni kuptimi i Hyjit dhe kundrimi. Mundi të krijonte me Zotin një bashkëbisedim gjatë punës në arë”.
Një bashkëmoshatare e Marisë tregoi atë që kishte marrë vesh nga i shoqi, i cili punonte si argat në atë kohë, në vreshtat e Maxarelove: “Unë shkoja herët në mëngjes në punë, – tregon, – por atë çapkëne e gjeja tashmë aty ndër hardhi. Sa herë e kam zënë tek po recitonte Rruzaren me të motrën, Feliçinën!”.
Ndër shprehjet e urta të jetës së përditshme, karakteristike të dom Pestarinos, gjendet kjo: “Urreni dembelinë dhe shfrytëzojeni kohën tuaj duke bërë mirë detyrat që jeta ju ka besuar”.
Atij nuk i pëlqente të zgjatej tepër në kremtimin e meshës. Në fakt, e dinte shumë mirë që detyrat e besimtarëve të famullisë së tij kërkonin që ata të ishin të pranishëm herët në mengjes.
Shumë rrallë ndodhte që të zgjatej pak më tepër e që Maria të vinte në shtëpi me vonesë. Nëna e shikonte të bijën pak vëngër dhe i thoshte ndonjë fjalë si: “Mund të qëndroje në shtëpi sot! Ti e di që kemi shumë punë!”.
Maria, pa u shqetësuar, i përgjigjej: “Nënë, do të shohësh që para se të erret do të mbarojmë gjithçka”.
Në sekretin e natës
Ndonjëherë hëna ishte ngritur lart në qiell dhe Feliçina kërkonte që e motra, të cilën aq fort e donte, të vinte për të fjetur pranë saj.
“Maria, përse nuk vjen në shtrat?”.
“Ti ke nevojë për gjumë, – i përgjigjej Main., – Fli, pra, dhe mos u shqetëso për mua”.
E ulej nën dritën e kandilit ose të zjarrit dhe, duke përdorur me shkathtësi sakicën, nga degëzat bënte shkopinj të rregullt për t’i përgatitur për të nesërmen, për të lidhur hardhitë.
Ndonjëherë ngutej që të tjerët, duke shkuar te vreshtat, t’i gjenin tashmë të mbjellë. Kështu ndodhte që në një ose në dy të natës të ishte në punë ndër hardhi.
Në Valponaskë nuk kishte shumë ujë. Sidomos në verë Maria ngarkonte mbi shpatulla një bucelë dhe zbriste përgjatë rrugicës, që, nëpëmjet një kurrizi kodre të mbuluar me bar, bashkohej me rrugën e komunës.
Në atë pikë ndodhet ende pusi ku vajza nxirrte ujë e pastaj ngjitej sërish duke dihatur drejt shtëpisë. Por sakaq nuk kishte më kohë për të marrë frymë.
Maria kujdesej që gjithçka të ishte në rregull në stan dhe pastaj vraponte te Feliçina: “Shpejt, është koha për meshë”.
Por kur stina bëhej e ashpër, Maria e linte të motrën të shihte ëndrra të lumtura dhe shkonte vetëm.
Kishte edhe Berterën për të zgjuar, prandaj shkonte poshtë me vrap në stanin e Maxarelove të tjerë që banonin dhjetë minuta larg nga Valponaska. Bertera ishte një vajzë në moshë me Marinë. Në pagëzim ia kishin vënë emrin Roza, por pastaj i kishin ngjitur një nofkë.
Edhe ajo dëshironte ta fillonte ditën me meshë. Por, për t’u zgjuar herët, nuk do ta kishte gjetur kurrë as dëshirën dhe as mënyrën.
Edhe për këtë mendonte Main. Nuk i interesonte, edhe pse vajza vonohej, të priste, ndërsa ajo ngrihej dhe vishej.
“Dashuria, – ka thënë dikush, – matet me durimin.” Dhe pikërisht, duke u ushtruar përditë, Maria poqi dashurinë e saj.
“Lutuni shumë dhe me zemër: kujtohuni gjithmonë që lutja është çelësi që i hap thesaret e parajsës.”
Këtë fjali Maria do ta shkruajë më vonë kur të bëhet “Nënë” duke iu drejtuar bashkësisë së motrave të Melakos. Por ajo në zemrën e saj ishte e bindur me kohë për këtë, që nga vitet e Valponaskës.
Lutja për të ishte mbi të gjitha një qëndrim i brendshëm, edhe pse nuk i përçmonte aspak formulat.
Jezusi ishte për Marinë i Gjalli. Kërkimi i tij në Eukaristi ishte gëzimi i saj.
Motra e saj Feliçina, e rritur nën hijen e saj, kujtohej mirë sa gëzohej Maria kur i ati dhe e ëma e dërgonin ndonjëherë në fshat për ndonjë punë.
“Kështu, – thoshte, – mund të kaloj nga kisha dhe të përshëndes Jezusin.”
Nëse shkonte Feliçina, i thoshte: “Mos harro, – përshëndete edhe nga ana ime Jezusin në tabernakull dhe lutu për të gjithë”.
Dritarja si një sy i hapur në horizont
Çdo mbrëmje, gati në të njëjtën orë, e ëma vinte re që Maria zhdukej nga qarkullimi:
“Ku shkon e fshihet kjo vajzë, që punon shumë dhe nuk humb kurrë asnjë minutë?”
Atëherë vuri re që pikërisht në atë orë kuzhina dhe shtëpia shkretoheshin. Edhe vëllezërit, për të cilët kujdesej Maria, nuk ishin më as për një fjalë, as për një shikim. Sekreti u zbulua shumë shpejt.
Dritarja, që në anën e perëndimit të Valponaskës hapej si sy mbi Mornezen dhe mbi të gjitha mbi famullinë, ishte bërë si magnet për fëmijët.
Maria e dinte që dom Pestarinoja çdo mbrëmje mblidhte popullin për lutjen e përbashkët. Në atë orë, pra, takimi me Jezusin në Eukaristi ishte aty, afër dritares.
Kështu, e ëma e zbuloi. Nëna nuk e qortoi, por thirri të shoqin dhe u bashkuan edhe ata me zgjedhjen e Marisë.
Kështu, çdo mbrëmje takimi afër dritares, për të lutur Rruzaren dhe mbrëmësoren, u bë zakon i familjes. Më pas çdonjëri shkonte në paqe: kush menjëherë të flinte kush të bënte akoma ndonjë punë. Por vëllezërit mbanin mend që Maria rrinte akoma afër dritares në një heshtje të mbushur me dashuri. Nga ana e tjetër, edhe gjatë ditës, në një pushim të shkurtër ndërmjet punëve të zakonshme, merrte për dore njërin apo tjetrin ndër vëllezërit dhe vrap e tek dritarja.
“Shiko, – thoshte, – Jezusi është atje, i gjallë në tabernakull. Të shkojmë shpesh ta takojmë, të paktën me mendje.”
Është një kohë, në stinën rinore, në të cilën zemra ndizet. Është koha e dashurisë. Kur Hyji është objekti i saj, jeta shkëlqen në mënyrë absolute. Fjalët e Këngës së këngëve bëhen veçanërisht domethënëse: “E fortë si vdekja është dashuria dhe ujërat e mëdha nuk mund ta fikin”.
Maria nuk kishte ditar dhe nuk ishte aspak poete, kështu që nuk e përktheu me fjalë muzikën e hapjes ndaj Zotit si i dashuri i zemrës së saj. Megjithatë Makonoja, biografi i saj i vëmendshëm, na bën të kuptojmë qartë magjepsjen e atij momenti kur shkruan: “Në këtë kohë, Hyji në lutje, në meshë, në kungim kishte pushtuar zemrën e saj”.
Kapitulli 2
Iniciativa të reja në Morneze
Anxhelina Makanjo
Maria Maxareloja nuk ishte e vetmja vajzë “dritë dhe kripë” e Mornezes. Jo më kot dom Pestarinoja kishte një vëmendje të veçantë për të rinjtë dhe këmbëngulte që prindërit t’i edukonin fëmijët si të krishterë.
Nga frytet njihet pema. Dhe një fryt i asaj peme të mirë të kujdesjeve të tij baritore, ishte Anxhela Makanjoja, ose, si e quanin familjarisht, Anxhelina. E lindur në vitin 1832, i përkiste njërës nga ato familje që në fshat, ku të gjithë janë fshatarë, njihen si më të pasurit dhe të shkolluarit.
Babai i saj kishte vdekur kur ajo ishte akoma e vogël. Nëna e saj e donte shumë dhe ishte e kënaqur kur e shikonte të angazhuar në famulli.
Shumë e ndjeshme prej natyre, me një farë kulture dhe shumë praktike, Anxhelina dukej e prerë me të vërtetë për të bashkëpunuar me dom Pestarinon në veprën e tij baritore për të rinjtë. Ndodhi kështu që e reja shkoi në Gjenovë të studionte dhe u kthye në Morneze me diplomë, e gatshme të mbulonte detyrën si mësuese komunale.
Ishin ato vitet, në të cilat edhe Monferrati ndiente atë që Kronihistoria dom Pjetër Stela e quan “lëvizje e pandalshme drejt bashkimit kombëtar, që tashmë e kishte qendrën e saj politike dhe ushtarake në Piemonte”.
Aspekti më i pakëndshëm i kësaj “lëvizjeje të pandalshme” ishin keqkuptimet dhe paragjykimet e ndërsjellta që rrënjoseshin brenda pjesëve kundërshtare dhe pastaj, si gramishta, përhapeshin në popull.
Brenda vetë kishës ishin dy qëndrime ekstremiste: ata që shikonin në çdo manifestim patriotik një rrezik “për fronin dhe për altarin” dhe ata që jepeshin pas entuziazmit sipërfaqësor e të menjëhershëm dhe nuk dinin të kuptonin rreziqet e lidhura me disa pozicione rrënjësisht materialiste.
“Viti 1848, – shënon gjithnjë Stela, – u kishte vënë themelet ligjeve të mbylljes të bashkësive rregulltare dhe të konfiskimit të pasurive të tyre.”
Shteti, duke mbyllur manastiret dhe kuvendet, ushtronte një pushtet që nuk ishte i tiji. Dikush shkonte deri atje saqë shikonte në vendimet e këtij shteti gjithnjë e më laik, parathënien e pashmangshme të shkatërrimit të kishës, të çdo feje dhe të moralit.
Si kundërpërgjigje, në shoqatat sekrete me karakter patriotik dhe pastaj në mes të popullit, filloi të gjarpëronte urrejtja antiklerikale që bëhej urrejtje ndaj kishës dhe fesë.
Një shoqatë femërore
Rreth të nëntëmbëdhjetave, Anxhelina, tashmë e sigurtë që Zoti nuk e donte motër, por apostulle në botë, filloi të mendonte që t’i jepte jetë një shoqate rinore të bashkuar nga angazhimi i përbashkët për t’u shenjtëruar.
Ideja e Anxhelinës ishte kjo: nëse një vajzë nuk mundet ose nuk dëshiron të bëhet motër, duhet patjetër të gjejë mundësinë të bëhet e shenjtë. Bashkimi bën fuqinë, – është e dukshme, – edhe për një qëllim të tillë. Kështu, rreth vitit 1851, Anxhelina më së pari i tregoi kushërirës së vet, Maria Arekos, dhe pastaj shkoi te dom Pestarinoja për t’i treguar idetë e saj.
E hapur dhe e ndjeshme ndaj realitetit kishtar të asaj kohe, Anxhela paraqiti arsyet, për të cilat do të mund të kishte lindur në Morneze një shoqatë femërore, dhe i prezantoi dom Pestarinos idenë që të rejat që i përkisnin shoqatës, do të quheshin Bijat e Zojës së Papërlyer.
Në fakt, ato ishin vitet, në të cilat kisha po orientohej drejt shpalljes së dogmës, që do të kishte pasuruar me titullin “e Papërlyera” kultin e Nënës së Zotit.
Don Pestarinoja e dëgjoi me vëmendje dhe menjëherë u përfshi nga projekti kaq premtues.
Por kur Anxhela Makanjoja i propozoi të shkruante një rregullë, i tha: “Shkruaje ti vetë. Pastaj e di unë se kujt t’ia jap për ta rishikuar me kujdes”.
Mësuesja u bind. Dom Pestarinoja, natyrisht, sapo pati në dorë shkresën, ia dërgoi shokut të vet dom Frasinetit, eprorit të Shenjtes Sabinë në Gjenovë. “Pa këshillën e tij, – shkruan Makonoja, – nuk merrte kurrë asnjë vendim të rëndësishëm.”
Frasineti, i cili lundronte në një det angazhimesh, dhe ndoshta nuk i kishte dhënë një peshë të madhe atij dokumenti, e humbi atë. Dom Pestarinoja nuk hoqi dorë. Bëri që Frasineti të kishte një kopje tjetër. Kështu, pas dy vitesh, lindi varianti përfundimtar i rregullores. Frasineti tha: “E kam hartuar pasi u këshillova me persona inteligjentë dhe me përvojë në gjërat e shpirtit”. E shtypi rregulloren ai vetë, duke u bazuar mbi shkrimin e Makanjos, dhe më pas vuri re se bashkimi i Bijave të së Papërlyerës ishte e njëjta shoqatë e themeluar nga shenjtja nga liqeni i Gardës, me emrin Shoqëria e Shenjtes Orsola, e aprovuar nga papa Pali III më 9 qershor 1544.
Frasineti më së pari kishte qenë pak mosbesues rreth mundësisë dhe themelimit të një shoqate të tillë; por, sapo vuri re frytet e jetës shpirtërore dhe të apostullimit, që pema e shoqatës po piqte në Morneze, pa asnjë dyshim vendosi ta promovonte edhe në Gjenovë, ku ky njeri i Zotit kishte ndihmuar në themelimin e shumë veprave të përshpirtshme femërore: vepra e Shenjtes Dorotea, ajo e Fëmijërisë së Shenjtë, kongregata e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, etj. Nuk është e pakuptimëtë për historinë tonë të kujtojmë se më 16 gusht 1856 Frasineti i dha fillesë një shoqate edhe në Gjenovë. Nga aty pastaj, pak nga pak, ajo u përhap në të gjitha anët e Italisë. Maria Ester Pozada në studimin Histori dhe shenjtëri, vë në dukje që Frasineti kishte një rol juridik ndaj Bijave të së Papërlyerës në Morneze, si hartues i rregullores, e më pas ndërhyri edhe nga pikëpamja shpirtërore nëpërmjet një formimi direkt dhe indirekt, të ndërmjetësuar nga dom Pestarinoja.
Një grup i vogël
Më në fund dom Pestarinoja pati në dorë rregulloren në vjeshtën e vitit 1855. Më 9 dhjetor të të njëtit vit i dha fillim formal shoqatës, duke thirrur të rejat, në të cilat kishte më shumë besim dhe që prej tre vitesh ishin përpjekur të jetonin sipas bocës së rregullores së Makanjos. Ishin vetëm pesë: Anxhela Makanjo, Maria Maxarelo, Maria Areko, Rozina Maxarelo, Xhovana Ferretino. Main, më e reja, ishte vetëm 18 vjeç. Angazhimi ishte serioz: në fakt bëhej fjalë për të bërë çdo vit kushtin e pastërtisë dhe të bindjes ndaj drejtorit të shoqatës ose ndaj një shoqeje nga drejtori i zgjedhur. Ndër të tjera duhej “të punohej për lavdinë e Hyjit në të mirën e të afërmit” shkruhet tekstualisht në rregullore.
Bijat e së Papërlyerës duhej të ishin si tharmi në mes të njerëzve me dëshmi dhe me fjalë kur të paraqitej rasti. Por angazhoheshin të jetonin “të ndara nga bota më shumë se ato që jetojnë të mbyllura”. Rregullorja nuk hezitonte të thoshte që vajzat anëtare duhej të ishin “të gatshme të jepnin jetën” për besnikëri ndaj premtimit që kishin bërë, dhe dëshmisë së jetës së krishterë.
“Edhe nëse persekutohen në çfarëdolloj mënyre nga të afërm, miq, popuj, madje edhe besimtarë që predikonin të kundërtën” thotë tekstualisht rregullorja, të rejat duhej të angazhoheshin të jetonin deri në pikën e fundit vlerat e Ungjillit.
Si të krishterët e parë, për të cilët flet Letra drejtuar Dionjetit, ai grup guximtaresh kishte për qëllim të ishte shpirti i asaj qoshes ku jetonin në botë, duke shpallur Krishtin edhe duke rrezikuar jetën e tyre me të vetmin qëllim për të përhapur Mbretërinë.
Atij, “Dhëndrit të vetëm dhe të dashur” i premtonin që “donin të bashkoheshin duke u kushtuar në shpirt, në zemër, në vullnet, me shpirt të vërtetë për të lënë gjithçka, për të dashur vetëm Atë”.
Miqësi duke kërkuar të mirën e tjetrës
Maria mori pjesë në grupin e Bijave të së Papërlyerës me gjithë zemër dhe me gjithë vullnetin, por kishte një dëshirë të madhe që shoqja e saj Petronila ta bashkëndante tërësisht me të këtë angazhim total me Krishtin.
Do të jetë vetë ajo, shoqja e saj dhe dëshmitarja më e mirë në procesin e lumturimit, e cila do të tregojë: “Don Pestarinoja kundërshtonte. Nuk donte t’ia dinte, sepse thoshte që isha shumë e dhënë pas pamjes së jashtme”.
Ajo që Maria bëri për shoqen me shembullin dhe bindjen e saj, flet shumë mbi përshpitërinë që karakterizonte jetën e saj.
Makonoja tregon: “Maria nuk u dorëzua. Filloi të bindte shoqen rreth lutjes, që kur gjendej vetëm, të lutej si t’i pëlqente asaj, por jo kur ishte në praninë e të tjerëve. Duhej të bënte si të tjerat, me përjashtim të rastit kur vepronin keq. Bëhej fjalë për devotshmërinë e zemrës, duke e treguar së jashtmi me shembullin e mirë dhe jo me lutje të gjata e të veçanta”.
Interesante kjo inteligjencë edukuese nga ana e një vajze tetëmbëdhjetëvjeçare! Biografi i saj shënon: “Pa u bërë e mërzitshme, një herë qortonte seriozisht, një herë tjetër me shaka, herën tjetër qesh e ngjesh”.
Në Marinë shihet që tani edukuesja tipike saleziane, që do të zbulohet më vonë. Fakti është se shoqja e saj, Petronila, i dha një drejtim të vendosur mënyrës së saj të të qenit e devotshme. Shkurtoi disa ushtrime lutjeje të gjata dhe i shpërvjeli mëngët me hare për të ndihmuar kunatat e veta që të mos ankoheshin.
Kur dom Pestarinoja e pa Petronilën të pjekur në dëshminë e krishterë më të thjeshtë dhe të qetë, e pranoi këmbënguljen e Marisë. Kështu, Petronila u bë Bijë e Zojës së Papërlyer. Të dy të rejat, duke thelluar së bashku angazhimin e tyre me Krishtin, forcuan miqësinë e tyre. Por dom Pestarinoja vazhdonte të ishte i ashpër për pranimin në shoqatë. Bijat nuk kaluan kurrë mbi pesëmbëdhjetë.
Më 31 maj 1857, monsinjor Modesto Kontrato, ipeshkëv i Akuit, aprovoi rregulloren dhe me kënaqësi kremtoi ceremoninë e rastit. Kështu, në prani të atij që përfaqësonte Zotin, Bijat e Zojës së Papërlyer bënë hyrjen e tyre zyrtare në kishën e Hyjit.
Vazhdimisht në praninë e Hyjit
Maria gjeti në shoqatë një kanal, në të cilin të drejtonte që nga rinia e hershme aftësitë e mëdha afektive dhe shpirtërore. Çdo javë shkonte në shtëpinë e Makanjos së bashku me të tjerat.
Në ato kohë ato ishin akoma larg nga ballafaqimi i drejtpërdrejtë me Fjalën e Hyjit, të cilën e njihnin nëpërmjet një përshpirtmërie të fortë. Kështu, Ungjilli i Zotit arrinte në ato zemra që donin vetëm të ishin pjesë e shëlbimit të tij.
Kështu, fjala “jini të përkryer siç është i përkryer Ati që është në qiell” i angazhonte të bënin verifikime javore. Akuzonin veten për këtë apo për atë mungesë të jashtme me zellin e atij që nuk gjykon të tjerët, por e di mirë se bota mund të transformohet vetëm nëse vendosim të pranojmë gabimet tona, duke ndryshuar jetën tonë sipas Ungjillit.
“Në këto mbledhje, – tha në procesin e lumturimit Petronila, – Maria akuzoi veten me shumë dhimbje se kishte ndenjur për një çerek ore pa menduar për Zotin.”
Një akuzë e tillë është prova që dëshmonte për atë që ajo kishte për zemër: të jetonte dhe të vepronte në praninë e Hyjit të saj. Për Marinë prania e Zotit ishte bërë një gjë e vetme me frymëmarrjen dhe me të rrahurat e zemrës, siç është e natyrshme për peshkun të qëndrojë në ujë dhe për zogun të fluturojë.
Nuk ia kalonte njeri
Bijat e Zojës së Papërlyer, siç u tha, angazhoheshin jo vetëm të jetonin me Hyjin, por të ishin tharm i mirë mes njerëzve. Kështu, pasi ballafaqonin përvojën javore të jetës me mesazhin e Zotit, kalonin medoemos në projekte konkrete që sot do t’i quanim baritore.
Bëhej fjalë për të bërë të ndjeshme vajzat e tjera ndaj nevojës për të frekuentuar katekizmin, për të ndërhyrë me vendosmëri dhe me mirësjellje ndaj disave që, të tërhequra nga argëtimet dhe nga bota, nuk e shikonin rrezikun. Duhej të bënin punë bindëse afër të sëmurëve që t’u hapnin derën sakramenteve.
“Nëse të gjitha ishin të zellshme, – shkruan Makonoja, – Marisë jo vetëm që nuk ia kalonte asnjëra, por as nuk i afrohej.”
Dhe ja dëshmitë.
“Diçka nuk kishte shkuar mirë në rrëfim, – tha një bashkëmoshatare, – dhe vendosa të mos rrëfehesha më. Shumë u përpoqën të ma ndryshonin mendjen, por nuk ia dolën. Provoi edhe Maria dhe gati duke bërë shaka më bëri të rrëfehesha te dom Pestarinoja për të mirën e shpirtit tim.”
Po e njëjta dëshmitare thotë se nuk ishte e vetmja nën kujdesin e saj: “Pa e humbur guximin, – shton, – rrinte orë të tëra me ndonjërën që ishte në rrezik moral. Kërkonte ta bënte të ndryshonte drejtim dhe të rrëfehej. Ishte me të vërtetë krahu i djathtë i Makanjos”.
E aftë t’u përshtatej situatave dhe karaktereve, i thoshte ndonjë vajze: “Do të më bësh një nder?”.
“Edhe dy” ishte përgjigjja e bashkëmoshatareve, të cilat, të gjitha, e vlerësonin.
“E di çfarë? Do të doja të shkoja për t’u rrëfyer. Do të vish edhe ti? Do të jemi në shoqëri të mirë.”
Na ishte një herë një vajzë, që do të kishte dashur t’iu afrohej sakramenteve, por, siç ndodh shpesh, e shtynte gjithmonë vendimin.
“Nuk mundem, – thoshte, – duhet të punoj në dyqan.
Maria gjeti dikë që ta zëvendësonte për dy orë në atë punë, kështu, tjetra u dorëzua dhe në atë zemër lulëzoi gëzimi.
Në mes të nënave
Don Pestarinoja prej kohësh mblidhte të ndarë nëna dhe baballarë. Në një moment mendoi: “Përse të mos ia besojmë Bijave të Zojës kujdesin e nënave?”. Dhe projektoi mënyrën për ta realizuar. Zgjodhi leximet më të mira të përshpirtmërisë të asaj kohe, Praktika e të dashurit Jezu Krishtin e shën Alfonsit dhe Miqësitë shpirtërore të shën Terezës; sugjeroi mënyrën dhe kohën kur t’u propozonte këto faqe shpirtërore nënave, gati si të fillonin një bashkëbisedim miqësor mbi jetën e krishterë dhe mbi angazhimet delikate të prindit veçanërisht për sa i përket edukimit të fëmijëve.
Propozoi që çdo Bijë e të Papërlyerës të kujdesej për pesë nëna, duke i mbledhur në shtëpitë e tyre ose ku të ishte më e përshtatshme ndoshta gjatë verës edhe nën hijen e pemëve.
Maria, ndonëse e re, edhe në këtë u tregua më e zellshmja.
Një dëshmi në procesin e lumturimit të saj thotë: “Nënat bisedonin me të me më shumë dëshirë se me çdokënd tjetër, sepse, thoshin, ‘ajo di më mirë se të tjerat të na mbushë me zell në dashurinë për Hyjin dhe në përmbushjen e saktë të detyrave’”.
Makonoja shënon ndër dëshmitë e tjera: “Shumë nëna dhe gra për nevojat e tyre shkonin me gjithë qejf tek Maria”.
Që nga ato vite, pra, shihet në të, ai hir i këshillës dhe i urtësisë së krishterë, që do ta bëjë të jetë udhëheqësja e Institutit të ardhshëm të Bijave të Marisë Ndihmëtare.
Një tip i afrueshëm dhe shakaxhi
Qëllimi më i madh apostolik i Marisë ishin bashkëmoshataret e saj dhe vajzat e vogla. Kur për ndonjë shërbim shkonte në fshat, ia ngulte syrin sa njërës, tjetrës çapkëne dhe i drejtohej duke e ftuar: “Eja! Jezusi po të pret edhe ty”. Dhe e çonte në kishë për një vizitë të shkurtër, por të ngrohtë dhe të gjallë. Kur e vinte re që ndonjëra ishte tepër mendjemadhe, ecte pak me të dhe pastaj, në mënyrën më të mirë, i thoshte: “Gjithçka kalon. Çfarë fiton me krenarinë tënde?”.
Maria kishte filluar të donte një jetë aq të thjeshtë, sa t’ua mbushte mendjen të gjithave, që edhe ato të bënin ashtu.
Një vajzë e asaj kohe tha: “Më kujtohet mirë: në Morneze prindërit ishin të kënaqur kur na shikonin me Mainin. E dinin se prej saj vinin vetëm shembuj virtytesh dhe këshillash të mira”.
Gjithnjë e njëjta dëshmitare thotë: “Sa për ne, ishim të lumtura të qëndronim me të. Ishte gjithnjë e qeshur, me batutën e gatshme dhe shumë e afërt”.
Kështu kuptohet një krahasim i përdorur nga Petronila, përsa i përket Marisë: “I tërhiqte vajzat siç tërheq magneti hekurin”.
Lamtumirë, Valponaska
Në vitin 1858 Valponaska pati një vizitë të pakëndshme. Nëna e Marisë pati shkuar në Morneze për të blerë dhe i kishte marrë fëmijët me vete. Baba Jozefi ishte tek vreshtat. Me të punonin tek hardhitë Maria dhe i vëllai, Domeniku.
Dikush, ndërkohë, e kishte parë stanin vetëm. Kur Maxarelot erdhën në mbrëmje në shtëpi, e gjetën shtëpinë të bërë rrëmujë dhe ishin zhdukur shtatëqind lira. Në ato kohë ishte një kapital.
Ndonjë prej familjarëve tha fjalë të hidhura mallkimi. Maria nuk duronte që të mallkohej dikush, as hajdutët.
“Janë të varfër të shkretë, – tha, – janë më keq se ne. Të lutemi më mirë për ta që Hyji t’i kthejë.”
Që nga ai moment, nuk vonoi shumë, dhe baba Jozefi, edhe pse me zemër të thyer, vendosi të braktisë Valponaskën. “Hajdutët mund të kthehen, – mendonte, – dhe do të ndodhë më keq. Mund t’u bëjnë keq vajzave”. Bleu një shtëpi në fshat në rrugën e quajtur Valxhelata, gati nën hijen e kështjellës Doria. Pak më vonë u vendos aty së bashku me të tijtë.
Maria nuk ishte e mërzitur që la stanin e fëmijërisë së saj. Kisha ku Jezusi qëndronte i gjallë në Eukaristi, ishte më afër në shtëpinë e re. Për Marinë kjo ishte gjithçka.
E fortë në tundime
Edhe qielli i Marisë, qielli i saj i brendshëm, i bukur, u errësua. Kaloi një moment “thatësire” të madhe. Ndihej si e ndarë brenda vetes; një vdekje shpirti. Me pjesën e saj më të brendshme dëshironte të bashkohej me Jezusin deri në vdekje. Nga ana e tjetër, me mendjen e shqetësuar nga tundimi, kërkonte patjetër ta shmangte.
Një apati e madhe filloi të mbretëronte në shpirtin e saj. Fara e keqe, e lashtë e jansenizmit dukej se po jepte frytet e saj. Dhe pikërisht në zemrën e vajzës më të zellshme të Mornezes!
Një ditë Maria, duke u ndier më keq se zakonisht, u hap me shoqen e zemrës. Petronila e shikoi e hutuar. Si ishte e mundur që pikërisht Maini, një vajzë e guximshme dhe e gjitha zjarr dashurie për Zotin, të arrinte e të mendonte gjëra të tilla?
“Jo, jo, – i tha, – ti nuk duhet ta lësh kungimin pa folur me dom Pestarinon.”
Maria e ndoqi atë këshillë të urtë. I tregoi rrëfyesit, i cili dha këshilla të përshtatshme për rastin e saj. Makonoja na sjell fjalët e sakta që Maria do t’i ketë thënë shoqes së saj, sapo doli nga ai tunel i errët: “Gjithçka kaloi dhe jam përsëri e qetë si më parë. Nuk po ta fsheh që ka qenë një vuajtje e madhe. Po tani jam e gëzuar!”.
Maria doli nga ajo gjendje më e pjekur në shpirt e me një ndjeshmëri më të hollë për gjërat e Zotit.
Një dëshmi nga shoqet e vjetra në Biografinë e saj pohon: “Kishim zakon të bënim vigjiljen e lutjes për festën e Zojës së Dhimshme natën e së Enjtes së Madhe. Shkëmbeheshim me grupe në mënyrë që disa prej nesh të qëndronin gjithnjë në kishë duke e lutur Zojën dhe duke medituar mbi mundimet e Jezusit. Maria ishte gjithnjë e para që hynte në kishë dhe e fundit që dilte. Nëse mendonte që askush nuk e vështronte, ndalej akoma me grupet e tjera”.
Përkushtimi ndaj Zojës së dhmishme qe një devocion që shënoi ato vite të reja. Në kishën private të dom Pestarinos një portret i Zojës varej mbi murin qendror. Dom Domeniku e kishte marrë në një treg të thjeshtë kur kishte qënë klerik i ri. Më vonë kishte mësuar se bëhej fjalë për një vepër arti të shkollës së Dolçëve.
Jo rastësisht përpara figurës së Zojës së Dhimshme, Maria bëri kushtimin e saj të parë si anëtare e shoqatës ende sekrete të Bijave të së Papërlyerës.
Në tokën e përvujtërisë
“Maria përfitonte nga çdo rast që të bënte të vdiste pa shumë mëshirë ajo që në shpirtin e saj të lirë ishte e padisiplinuar” thonë shoqet. Ka një stof për të zgjedhur, një shall për të blerë? Do të konsultohet me Makanjon dhe nuk ndjek shijen e saj. Ka një vendim përreth sjelljes së jashtme? Do të dëgjojë këshillën e mësueses. Shoqet ia vënë në dukje kështu pak për tallje këtë “varësi”. Ajo do të përgjigjet me atë humor delikat që e dallon. Pastaj bëhet papritmas serioze dhe thotë: “Ju nuk e dini akoma se çfarë më leverdis”.
Edhe nëna ndonjëherë nuk arrin ta kuptojë këtë vullnet që e fundos të bijën në tokën e përvujtërisë. Ndihet e prekur në shpirt, gati sikur të ishte prekur dinjiteti i saj.
“Po të shkretën, kush është kjo Makanjoja, me të cilën vajza ime u dashka të konsultohet për gjithçka?”.
Maria kupton dhe tund kokën duke buzëqeshur.
“Po jo, moj nënë, mos u shqetëso”:
Është kjo koha, në të cilën Frasineti ka botuar një libër: Murgesha në shtëpi, të botuar në Gjenovë në vitin 1859. Jo vetëm që ato faqe e ushqenin urinë e saj për Zotin, por kishin në fund edhe Rregullën e Bashkimit të Bijave të së Papërlyerës. Ishte për të sikur të kishte në dispozicion një pasqyrë për shpirtin. Duke e lexuar, shikonte edhe më mirë se nga cila anë shkonte rritja e saj shpirtërore.
Nga një mendim i vinte një gëzim i madh: “Ja, tani që është botuar, këtë Rregullë mund ta njohin më shumë vajza të reja. Do të jemi shumë që do të të duam, që të të kushtohemi Ty, o Hyj”.
Kapitulli 3
Ndër prova dhe shpresa
Tifoja në Morneze
Në vitin 1860 Piemonteja ishte e lodhur nga lufta që i solli si fryt përfshirjen e Lombardisë në territoret e saj, por edhe masakra me të vdekur të panumërt. Vetë dom Boskoja në një libër të tijin në atë kohë shkruan: “Pas betejës së Solferinos, kam thënë gjithmonë së lufta është diçka e tmerrshme. Unë e besoj me të vërtetë që është kundër dashurisë”.
Në Morneze, një fryt i këtyre tmerreve ishte ardhja e tifos. Në ato kohë ngjitja e kësaj sëmundjeje ishte një tmerr i vërtetë. Çdonjëri mbrohej sa më mirë që mundte. Portat e shtëpive kyçeshin dhe njerëzit mbylleshin pas barrikadave të frikës dhe të mosbesimit.
Por dom Pestarinoja ishte në gatishmëri. Me një grusht guximtarësh i varroste të vdekurit, tashmë të shumtë, dhe i mbante sytë hapur mbi të gjallët. Kështu, kur mori vesh se në shtëpinë e një xhaxhai të Marisë të gjithë e kishin marrë sëmundjen, shkoi menjëherë te Maxarelot.
Me mirësjellje e pa i ardhur rrotull bisedës, u tha atyre se, sipas atij, Maria do të kishte bërë mirë të shkonte pranë të afërmeve për t’u kujdesur e për t’i kuruar. E ëma reagoi: “E pamundur Zoti prift. Si do të mundem e vetme t’u rri prapa shtëpisë e fëmijëve? Pa Marinë unë nuk ia dal dot”.
Dhe, me sytë e mbushur me lot, shtoi: “E pastaj a e kupton se çfarë rrezikon? Nuk bëhet shaka me sëmundjen”.
Edhe baba Jozefi i shprehu kundërshtimin e vet. I foli për punën e vështirë dhe të pafund në vreshta, i vuri në dukje se Maria ishte krahu i tij i djathtë…
Por dom Pestarinoja nuk hiqte dorë. E njihte stofin e besimtarëve të tij. Po ua kërkonte në emër të Hyjit dhe të dashurisë. Si do të mund t’i rezistonin? Në të vërtetë, në një farë momenti rezistencat ranë. Baba Jozefi tha: “Unë atje brenda, Marinë nuk e çoj. Por, nëse ajo dëshiron të shkojë, unë nuk do t’i kundërshtoj”.
Dom Domeniku nuk priste tjetër përveç kësaj përgjigjeje.
Pati frikë…
Dom Pestarinoja foli menjëherë me Marinë. Oh, ajo nuk do të kishte hezituar asnjë çast! Ishte e sigurtë. Por vajza e re u bë e zbehtë në fytyrë dhe nuk u përgjigj menjëherë.
Ndonjëherë mendojmë se shenjtërit janë të ndryshëm nga ne. Që kanë gjithnjë guxim, heroizëm dhe ndjenja bujare. Përkundrazi, jo. Shenjti nuk lind i tillë, bëhet. Nga egoizmi i përbashkët, nga frika, Shpirti i Shenjtë pak nga pak nxjerr në dritë ato kryevepra dashurie dhe altruizmi që janë shenjtërit.
Pra, Maria, me plot njëzet e dy vitet e saj të jetës, pati frikë se do të merrte sëmundjen. E ndiente se do të sëmurej. Megjithatë, zemra nuk iu mbyll ndaj asaj ftese: “Kush e humb jetën e vet për dashurinë time, do ta gjejë”. Sigurisht, u kujtua për këto fjalë të Zotit dhe e dha pëlqimin e vet, ndonëse ngurroi pak.
“Nëse ju doni, – u përgjigj, – unë shkoj. Por jam e sigurtë se do ta marr sëmundjen.”
Dom Pestarinoja me siguri në atë moment u mallëngjye. Nuk mund t’i propozohet dikujt një rrezik vdekjeje pa u tronditur thellësisht.
Kështu, Maria shkoi te të afërmit e saj në lagjen e Maxarelove, pikërisht në shtëpinë ku kishte lindur. Qëndroi aty e qetë dhe në shërbim.
Për praninë e saj në atë shtëpi, me të vërtetë të infektuar nga tifoja dëshmon kushëriri i saj, Jozefi. Në vitin 1913 ai shkruan kështu: “Unë isha shtatëmbëdhjetë vjeç kur plasi tifoja. Të gjithë në familje u sëmurëm. Nëna ime më shumë se të tjerët. Ajo mori edhe vajimin e shenjtë dhe qëndroi në shtrat për shumë kohë. Dom Pestarinoja na dërgoi kushërirën tonë, Maria Maxarelon, që ishte rreth të njëzet e dy viteve. Më së pari mua nuk më dukej shumë e kujdesshme të kem afër një person kaq të ri, por e kuptova menjëherë që dom Pestarinoja kishte qenë i frymëzuar nga Zoti. Maria nuk ishte e re në virtyte. Bënte çdo gjë me aq seriozitet, me aq kujdes dhe me aq thjeshtësi të gëzueshme, saqë na e ngrinte moralin edhe neve […] ajo diti të na mësonte si të vuanim.
Pak nga pak të sëmurët, të kuruar me dashuri dhe këmbëngulje, u shëruan.
Përsa i përket Marisë, u verifikua saktësisht ajo që ishte parashikuar.
Sëmundja
Më 15 gusht, në festën e Marisë së ngjitur në qiell, Maria u ndie keq. Kishte ëndërruar të kalonte pak nga koha e saj në kishë. Përkundrazi ra në shtrat.
Dridhje të forta e përshkuan në mbarë trupin.
Ishte shenja e sëmundjes. Ethet bënë që të thirrej mjeku, i cili nuk hezitoi të bënte diagnozën: tifo në një nga format më të këqija. Po realizohej parandjenja e Marisë.
Por zemra e saj nuk u shqetësua. Shumë herë e kishte menduar një gjë të tillë dhe, kështu, u braktis plotësisht në duart e Hyjit.
Inteligjente si ishte, nuk vonoi shumë ta kuptonte se sëmundja qe e rëndë. Sido që të ishte puna, do të kalonte shumë kohë në shtrat. Mund të shkonte deri në vdekje.
Pa u shqetësuar, por me zell të madh, kërkoi të rrëfehej. Dom Pestarinos, i cili i ishte afruar te shtrati, i kërkoi një gjë të vetme pas faljes së mëkateve: që t’i jepte Jezusin në Eukaristi çdo ditë.
Kështu, në mëngjes, para se dielli të praronte kodrat, kush kalonte nga rruga e Valxhelatës, mund të dëgjonte një tingull kambane. Ishe dom Pestarinoja që nxitonte t’i çonte të Shenjtërueshmin i paraprirë nga ndonjë Bijë e së Papërlyerës dhe i shoqëruar nga vëllezërit e Marisë. E reja, që kishte kaluar natën në kllapi nga ethet, dilte për ndonjë çast nga kllapia e errët.
Gjatë sëmundjes erdhi një moment delikat. Prindërit e saj ranë në pikë të hallit.
“T’i kishim thënë një jo të mirë dom Pestarinos!, – murmurisnin me gjysmë zëri. I gjithë faji është yni. Nuk duhej të hidhej kështu jeta e Marisë. Jo, aspak nuk duhej.”
Edhe e përgjumur nga ethet e saj, e perceptoi të gjithë atë keqardhje dhe filloi ta interpretonte.
“Përse besoni se e keqja më ka ardhur për këtë?”
Një heshtje dhe pastaj: “Edhe sikur të ishte e vërtetë, do të ishte e mrekullueshme. Mendoni: mund të vdisja si martire e dashurisë”.
Një heshtje tjetër, me ritmin e gjakut që ethet e bënin t’i rrihte në tëmtha. Pastaj përsëri duke i shkoqitur mirë me ngadalë rrokjet: “Martire! A e mendoni? Do të isha tepër fatlume. Por unë nuk jam e denjë”.
Nga ato fjalë dikush ia plasi të qarit. “Jo, – tha, – nuk duhet të qani. Të gjithë bëjmë vullnetin e Zotit.”
Ai që më shumë e ndiente dhimbjen, sepse e dinte sa fe dhe përkushtim kishte kjo vajzë, ishte dom Pestarinoja. Ai i kishte kërkuar Marisë të kuronte të sëmurët me tifo. Mbi atë po binte tani i gjithë faji për atë sëmundje të keqe, për atë vdekje të mundshme. Maria e ndjeu në ajër këtë akuzë. Jo rastësisht e dëgjuan shumë herë të përsëriste: “Sa të mira më ka bërë dom Pestarinoja! Të gjithë Mornezes i ka bërë të mira dhe të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës, por unë më shumë se çdo njeri tjetër”.
Vera atë vit ishte shumë e nxehtë. Nën mbulesa, me të dridhurat karakteristike të etheve alternoheshin djersitje të mëdha. Bijat e së Papërlyerës bënin turne për t’i qëndruar pranë së bashku me të ëmën. Vinin për miqësinë dhe për afërsinë e atyre që bashkëndajnë të njëjtin ideal. Shkonin të pasuruara, jo vetëm pse ofronin me dashuri shërbimin e tyre, por nga dëshmia e fesë së Marisë.
Kurrë nuk kërkonte asgjë, kurrë nuk refuzonte, sado e keqe të ishte.
Ndërkohë ethet nuk jepnin shenja zhdukjeje dhe sëmundja përkeqësohej. Maini e vuri re. E shikoi vdekjen mirë në sy. E vendosur dhe energjike si ishte gjithmonë, i tha mjekut: “Tani mos më flisni më për ilaçe. Unë nuk kam nevojë më për asgjë. Nuk kam më dëshirë për asgjë përveç parajsës”.
“Atëherë, – shënon Kronihistoria, – mjeku, që e kishte kuruar gjithnjë me dashuri, i humbi shpresat për shpëtim.” Ishte ajo vetë që e kërkoi vajimin e shenjtë të të sëmurëve. Kurrë si ajo ditë shtrati nuk u duk si një altar.
Këshilla për jetën
Ndërkohë që Maria ishte rëndë, u afrua te pragu i derës së dhomës një fqinjë i saj, një famëkeq i mjerë. Kush e di se çfarë e kishte shtyrë?
Burri, me sytë e ngulur mbi atë të re që vdekja po e merrte, u ndalet dhe e kundroi, i tërhequr në mënyrë të mistershme. E ëma e vuri re. E kuptoi se nuk duhej ta largonte, madje i bëri shenjë drejt vajzës të mbështjellë nga heshtja e Zotit. Maini, duke e ndier mbi vete atë shikim pikëpyetës, i hapi sytë dhe i tha me një fije zëri: “E sheh? Vdekja vjen për të gjithë dhe shpesh kur më pak e mendon”.
Sytë e atij ulen. Duart po i dridhen në mënyrë të perceptueshme. Maini vazhdon t’i flasë. I flet shkurt për jetën e tij të gabuar dhe për takimin e pashmangshëm me vdekjen.
“E nëse do të të takonte ty të vdisje sot?”
Pyetja mbie në një tokë tashmë të tronditur. Maria vazhdon akoma me fjalë të shkurtra dhe të ndërprera. E nxit dhe e ngushëlloon. Edhe ai mund t’i besojë një Hyji të ngadalshëm në zemërim dhe të madh në mëshirë. Burrit tashmë i shndrisin sytë nga lotët. Kur del nga dhoma është i vendosur ta lejojë Zotin ta ndryshojë. Do të marrë sakramentin e faljes dhe do të ndryshojë jetë. Përgjithmonë.
Sëmundja vazhdon rrugën e saj dhe duket e pandalshme. Shoqet e Marisë kanë frikë se vdekja do të jetë te dera dhe, për të mos u gjendur të papërgatitura, mendojnë për funeralin. Dikush mendon edhe të porosisë në Gjenovë një kurorë të madhe lulesh të bardha artificiale.
Ndëkohë Maria është gjithnjë e më shumë nën prenë e kllapisë. Çfarë jeton në brendësi, shfaqet qartë nga ajo që na tregon Kronihistoria: “Vetëm fytyra e bërë zjarr nga ethet, shikimi i fiksuar diku si i përhumbur tregonin që ishte në kllapi. Fjalët i thoshte me vend dhe të vërteta, gjë që tregonte për një shpirt të dhënë vetëm pas interesave të Zotit”.
Që të harrohem prej të gjithëve
Më 7 tetor, pas pesëdhjetë e dy ditësh sëmundje, Maini u ngrit për të filluar një ripërtëritje të gjatë. Ishte festa e Zojës Rruzare. Të jetë një rastësi? Brenda ritmit të historisë së Marisë gjejmë një mori datash mariane. Në të Ngriturit në Qiell u sëmur, me Zojën Rruzare kthehej në jetë.
Nuk mund të shkojë në kishë menjëherë, edhe pse e dëshiron me gjithë shpirt. Prindërit e saj e shohin duke kundruar gjatë nga dritarja e dhomës së saj një pikturë të thjeshtë të Zojës Ndihmëtare në murin e rrugës Valxhelata. Figura, kishte të ngjarë të ishte një premtim i të rënëve në luftërat napoleonike dhe mbartte shkrimin: Auxilium Christianorum (Ndihma e të Krishterëve), një latinishte e qartë dhe e kuptueshme edhe për një të re që nuk e njihte atë gjuhë.
Gjithçka është kaq harmonike në kozmos dhe në jetët njerëzore, sa nuk mund t’i besohet rastit. Është Provania, regjisorja e madhe, së cilës asgjë nuk i shpëton, dhe koinçidenca si këto, të para nën dritën e saj, tregojnë praninë e Nënës së Hyjit në jetën e atij që dëshiron të ndjekë rrënjësisht Jezusin, Birin e saj.
Sigurisht, në atë tetor që pikturonte me ar dhe me purpur vreshtat, Maria ishte si disa pemë të shkundura nga furtuna. E dobët dhe e zbehtë, mbahej në këmbë me vështirësi. Kur më në fund mundi të tërhiqej zvarrë deri te famullia, Petronilës iu desh t’i bindej dëshirës së saj: të ulej në gjunjë në vendin e fundit, në qoshen më të errët.
Se çfarë i thoshte Zotit, në intimitetin e atij takimi kaq të dëshiruar nuk mund të dihet. Por shoqes së saj të zemrës do t’i ketë thënë diçka. Ndoshta ndërsa i jepte krahun për t’u mbështetur ashtu si bëhet me një të sëmurë, Petronila regjistroi një nga shprehjet më treguese të një ekzistence të dhuruar krejtësisht një të vetmes dashuri.
Si Kronihistoria, ashtu edhe Makonoja, në një nga biografitë e dokumentuara, referojnë këtë lutje: “O Zot, nëse më jep akoma jetë, bëj që të harrohem prej të gjithëve. Unë jam e lumtur, nëse të kujtohem vetëm ty”.
Më shumë kohë për të lexuar
Erdhën ditët e një konvaleshence të gjatë. Maria nuk mund të ngrihej më si më parë, që në agim.
Dimri, si gjithmonë, sillte në Morneze erë veriu, borë dhe akull. Dalja në ajrin akoma të pazbutur nga dielli, nuk mund të mendohej aspak.
Duhej hequr dorë nga mesha e përditshme. Shumë shpesh edhe nga kungimi. Urdhri i mjekut ishte i qartë dhe i prerë. Edhe dom Pestarinoja nuk korruptohej. Maini duhej të kurohej: këtë donte Zoti tani.
Ndonjëherë, me zemër të shtrënguar e shikonte nënën të lodhur, kërkonte të bënte prapë rolin e vjetër të “bijës së gatshme për gjithçka” po gjunjët nuk e mbanin. Megjithatë, Maria nuk e humbte kurrë humorizmin e saj. Nëse ai ishte vullneti i Hyjit, aty ishte paqja.
“Mirë, – bënte shaka, – do të bëj për pak kohë rolin e zonjës. Por do të shihni si do të kthehem e fortë në pranverë!”
Qe ajo koha, në të cilën Maria u dha pas leximeve. Dom Frasineti, që i kishte dhënë një strukturë rregullores së Bijave të së Papërlyerës, mbaroi së publikuari diçka shumë interesante për Marinë. Bëhej fjalë për biografinë doracake, atë të Rozina Pedemontes dhe të Roza Kordones, dy të reja të moshës së saj, anëtare, si ajo, të bashkimit të Bijave të së Papërlyerës.
Madje të parën Maria e kishte njohur personalisht. Kur qe e sëmurë, kishte ardhur në Morneze si mike e Makonjos. Kishte kërkuar ajër të shëndetshëm dhe një jetesë të gëzuar me vajzat e tjera të bashkimit të Mornezes, duke lënë ndër bashkëmoshataret atë përshtypje vlerësimi dhe admirimi që lind nga të jetuarit e sinqertë dhe plot me virtyte.
Kështu, Maria, tashmë e dhënë pas Zotit, gjeti në ato faqe modele të vërteta jete. Ashtu si dy të rejat gjenoveze të udhëhequra shpirtërisht nga dom Frasineti, vajza e Mornezes nuk mund të kishte më besim në energjitë e saj fizike. Si ato, kishte në dorë të njëjtën rregull jete: një binar, mbi të cilin vraponte nëpër rrugën e Hyjit me ndihmën e Marisë, nënës së Zotit. Si në ato, edhe në të, digjte e njëjta etje: të ishte krejt e Hyjit, t’u bënte mirë vajzave!
I erdhi një ide
Prilli i stolisi hardhitë me lule të vogla e të bardha. Dhe në maj kodrinat qeshnin, tashmë të gjitha të gjelbra, në diell. Por Marisë forcat nuk po i ktheheshin.
Kërkoi, si dikur, të vazhdonte jetën e saj në fusha, por më kot. Nuk ia dilte dot. Dhe qe e vështirë për atë që e donte tokën dhe vreshtat me dashurinë e fshehtë të atyre që kanë lindur dhe janë rritur aty.
Maini nuk hezitoi të lexonte edhe në këtë fakt një shenjë të saktë të Hyjit. Tek hardhitë Ai nuk e donte më. Po ku, pra, po e thërriste? Çfarë donte që ajo të bënte?
Sëmundja e gjatë i kishte lënë njëfarë lodhjeje, por diçka në të nuk ishte zbehur aspak: pasioni për Hyjin, që bëhej një dëshirë e madhe për t’u bërë mirë vajzave të vogla dhe vajzave të fshatit.
Rinia, për kë ecën nën diellin e Hyjit, është si një rrugë në mal. Sa më shumë të ngjitesh aq më shumë të hapet horizonti. Vjen pastaj një çast, në të cilin e përqafon të gjithin. Maria gjendej tani në një kthesë gjatë shtigjeve të diellit të Hyjit. Diçka po linte pas vetes, diçka tjetër po nxirrte disi kokën, por në zemër, ama, i trokiste fort.
Nëse si Bijë e së Papërlyerës kishte mësuar ta bënte jetën në prani të Hyjit dhe të të afërmit, tani i dukej se po kuptonte më mirë nevojën për t’u qëndruar afër vajzave, për të jetuar me ato, vazhdimisht në gatishmëri ndaj tyre. Por në çfarë mënyre?
Filloi t’i vinte një ide: t’u mësonte atyre të qepnin. Ky mendim, i dalë si një lule nga toka që Hyji dalëngadalë e kishte përgatitur, zuri rrënjë gjithnjë e më mirë me ndihmën e arsyetimeve që Maria pak nga pak po zbulonte.
“Sikur të dija të punoja më mirë me gjilpërë, sikur të isha rrobaqepëse, sa vajza do të mund të mblidhja! Do t’i mbaja larg nga rreziqet dhe do t’i lidhja me Hyjin dhe me Zojën.”
E shihte se Makanjoja po bënte një apostullim të mirë në bankat e shkollës së komunës, por asaj i duhej t’i braktiste shkollaret pikërisht në moshën, në të cilën kishin më shumë nevojë për t’u përgatitur për jetën. Po, të bënte një laborator që mos t’i lejonte të shpërndaheshin pikërisht në atë moshë delikate; ishte pikërisht ajo që duhej.
Vizion në Borgoalto?
Për të përforcuar edhe më shumë idenë që të mësojë rrobaqepësi për të qenë e nevojshme për rininë, e ndihmoi edhe një fakt krejt i paparashikueshëm.
Kronihistoria shënon: “Kalonte një ditë në të përpjetën e Borgoaltos, kur iu duk se po shihte përballë një shtëpi të madhe, që nga ana e jashtme i ngjante një kolegji me shumë vajza. U ndal duke parë me shumë habi dhe tha me vete: “Çfarë është kjo që po shikoj? Këtu nuk ka qënë kurrë më parë një pallat. Çfarë po ndodh? Dhe dëgjoi një zë: “Ty po t’i besoj”.
Në të vërtetë, nëpërmjet ngjarjesh të çuditshme dhe të pamenduara të Provanisë Hyjnore, do të lindte, pikërisht në atë vend, shtëpia e parë e Institutit të Bijave të Marisë Ndihmëtare. Por duhej të kalonin akoma vite të tjera.
Maria ishte një grua e fortë dhe madje shumë konkrete. Fantazive nuk ua vinte veshin shumë as kur ishte adoleshente e jo më tani, në moshën njëzetetrevjeçare! Ajo e para nuk donte ta mendonte. U përqendrua në punët e saj të vogla të përditshme. Kur i vinte prapë ky mendim, e ekuilibruar dhe në paqe e hiqte tutje. Por ja, kthehej prapë, i njëjtë dhe i përpiktë. Mbi të gjitha kur i duhej të kalonte nëpër Borgoalto.
Kjo gjë ishte tepër intime dhe delikate për t’ua thënë të tjerëve, as edhe Makanjos, së cilës i fliste për problemet e saj të vogla. Por dom Pestarinos si do të kishte mundur t’ia fshihte atë që i dukej si një fantazi, tani që po i paraqitej brenda si të ishte një mesazh nga lart?
Një ditë të bukur u bë guximtare dhe i foli dom Pestarinos. Më mirë mos ta kishte bërë!
Ai e ndërpreu duke i thënë që ishte një fantazi; e qortoi dhe ia ndaloi të fliste përsëri për ato gjëra, pastaj ia mbylli derën e rrëfyestores në fytyrë.
Imagjinoni se si Maria u largua e hutuar vetëm nga mendimi se si i pat shkuar nëpër mend që ajo, krijesë aq e mjerë do të mund të zgjidhej nga Zoti për një mision aq delikat.
Kronihistoria na sjell atë që Maria i tregoi Petronilës: “A e di? Shkova te dom Pestarinoja për t’u rrëfyer dhe pastaj më erdhi t’i them një gjë për disa vajza… Por… më largoi duke më quajtur vizionare”.
Kuptohej që Maria vuante dhe kishte nevojë të shfrynte, por ndërkohë nuk donte të mos bindej. Unë, historinë gjerë e gjatë e kam dëgjuar më vonë nga motër Laurentoni, që e kishte marrë vesh nga Maria Maxareloja vetë.
E përulur por jo e fyer, Maria u angazhua edhe më shumë për të mos i dhënë hapësirë brenda saj kujtimit të atij vizioni. Por mbetej, gjithnjë e më këmbëngulës mendimi: “Në Morneze ka shumë vajza. Unë duhet të kujdesem për to. Hyji e do këtë”.
Në shtegun e kopshteve
Oborri i kishës famullitare vazhdonte nga njëra anë në një shteg të vetmuar. E quanin “shtegu i kopshteve” sepse familjet e fshatit kishin gjithësecila, jo larg shtëpisë së tyre, një kopsht të vogël. Një mëngjes pranvere Maria doli nga kisha e vendosur t’i fliste shoqes për projektin e saj. mesha dhe forca e kungimit e kishin prekur në zemër, duke e nxitur të bashkëndante projektin e saj. Maini e mori Petronilën, të dyja shkuan drejt rrugicës së mbështjellë me heshtje dhe i tha:
“Duhet të të flas. Është një gjë e rëndësishme”
“Më thuaj, Main. Po të dëgjoj.”
“Më duket me të vërtetë se Zoti do nga ne që të kujdesemi për vajzat e Mornezes.”
“Pikërisht ne? Si mund ta thuash me aq siguri?”
“Shiko, Petronila, ti nuk ke forcë e nuk mund të shkosh në vreshta. Edhe unë, pas sëmundjes, nuk ia dal më. Të dyja ndjejmë dëshirën e gjallë për të shpëtuar duke u bërë mirë të gjitha këtyre vajzave.”
“Po, por si t’i tërheqim? Nuk është e lehtë.”
“E kam menduar” u përgjigj Maria dhe sytë bojëkafe iu ndezën nga gëzimi që më në fund mundi të tregonte nga fillimi deri në fund projektin që e kishte mbajtur aq gjatë në zemër.
“A nuk të duket se, po të dinim të qepnim, mund t’ia dilnim?”
“Do të thotë që dëshiron të mësosh të bëhesh rrobaqepëse?”
“Po, tashmë e kam vendosur.”
“Po, por në ç’mënyrë? Kush do të na mësojë të qepim?”.
“Dëgjo, Petronila, eja edhe ti me mua te Valentino Kampi. Është rrobaqepës i aftë dhe një i krishterë shumë i mirë; i merr sakramentet dhe ka vetëm një fëmijë pesëvjeçar. Çfarë rreziku mund të ketë në shtëpinë e tij?”
Petronila e shikonte e hutuar. Çfarë koke ajo e shoqes së saj. Sa hap e mbyll sytë po ia ndryshonte ditët e saj kaq të zakonshme, të paracaktuara, të qeta.
Jo se ideja nuk po e tërhiqte edhe atë, që e donte shumë Hyjin dhe prandaj i donte edhe të gjitha vajzat, por ajo donte të kishte në dorë arsyetime logjike të kësaj zgjedhjeje. Donte të ishte e sigurtë që të mos ishte një fantazi e tepruar.
“Përse pikërisht tek rrobaqepësi, – pyeti. – Mos do të qepim për burrat?”
“Sigurisht që jo. Ne do të bëhemi rrobaqepëse për gra. Kujtohu se Kampi shet edhe stofin. Ne ndërkohë mësojmë gjërat më të vështira: të presim, të qepim për burra dhe të praktikohemi duke e marrë zanatin aq mirë sa mundemi.”
“Po, – iu përgjigj me ndrojtje Petronila, – po pastaj ne do të qepim gjithnjë për gra.”
“Tani po të shpjegoj çdo gjë. Te Kampi shkojnë edhe gra pa shumë pretendime dhe janë të kënaqura. Atyre ai u shërben jo me shumë urgjencë, sepse ka shumë punë. Kam menduar që mund t’i propozojmë të na sjellë në shtëpi ndonjë punë. E bëjmë në mbrëmje, në orët e lira.”
“Ah, kuptova, – tha Petronila, – ai do të gëzohet duke na dhënë neve klientët që kanë ngut.”
“Rrobaqepësja, përkundrazi, – saktësoi Maini, dhe sytë i shkëlqyen, – ka pak njerëz që shkojnë tek ajo dhe një propozim i tillë nuk do t’i pëlqente. Do të mendojë se ne e bëjmë këtë gjë për t’ia marrë klientët. A nuk të duket edhe ty?”
“Sapo të kemi mësuar pak, mund të punojmë vetë ne, – vazhdoi, – do ta lëmë rrobaqepësin, do të marrim me qira një dhomë dhe do të pranojmë ndonjë vajzë që dëshiron të mësojë të qepë.”
Petronila e pa shoqen me atë habi që lind nga admirimi dhe miqësia. Ishte ky një fillimi i pranimit, por i përshkuar akoma nga dyshimi.
Maria, në këtë pikë, deshi të saktësonte: “Kujtohu që qëllimi kryesor duhet të jetë ai që të heqim vajzat nga rreziqet, t’i ndihmojmë të përmirësohen dhe veçanërisht t’u mësojmë atyre të njohin Zotin dhe ta duan Atë”.
“Po si do të jetojmë Main? A e ke menduar mirë?”
“Do të jetojmë me punën tonë, duke bashkëndarë fitimet tona. Shiko, është e rëndësishme të jemi të pavarura ekonomikisht nga familja jonë. Duke vepruar kështu, do të jemi plotësisht për Hyjin dhe për këto vajza. Si thua Petronila, a dëshiron?
Para se të përgjigjej shoqja, Maria shtoi me atë tonin e atij që nuk i thotë gjërat nga vetja, po prej Atij që po ia frymëzon: “E di që është e nevojshme të veprojmë në këtë mënyrë, po ndërkohë duhet të marrim një vendim që tani: që çdo përshkim gjilpëre të jetë një vepër dashurie për Hyjin”.
Rezistencat e fundit të Petronilës ranë. Nëse deri tani dyshimi se projekti i Marisë mund të ishte një dëshirë e çastit apo fantazi e sëmurë e kishte penguar, tani edhe brenda saj kishte hyrë projekti i Hyjit, duke kuptuar deri në fund se ky propozim vinte prej Tij.
“Atëherë, çfarë mendon, – e pyeti Maini. – A po vjen te rrobaqepësi?”
“Mendoj se gjithçka shkon mirë, Main. Kam vetëm një frikë.”
“Çfarë do të thuash?”
“Që kunatat do të më vënë shkopin ndër rrota. Ato, ti e di, më duan në shtëpi për t’i ndihmuar.”
“Kunatat! – tha Maria duke e vibruar zërin, – ti fol vetëm me babanë tënd. I zoti i shtëpisë është ai. Do të shohësh se do të të lejojë.”
Dy vajzat u kthyen drejt fshatit dhe Maria shtoi: “Eja, të shkojmë një moment tek Jezusi. Vetëm Ai mund të na shndrisë! Zoja do të na ndihmojë”.
Në kërkim të lejes
Ashtu siç kishte parashikuar Petronila, në shtëpinë e saj u çuan peshë. Por paqja nuk vonoi të vinte sapo babai tha: “Deri sa të jem gjallë unë, në shtëpinë time komandoj unë. Ti shko”.
Iu duk sikur Petronilës t’i dilnin flatrat. Fluturoi tek Maini, e cila menjëherë i tha dom Pestarinos.
“Po, po bëjeni, – u tha ai, – jam i sigurtë që po ju frymëzon Zoti.”
Edhe në shtëpinë e Marisë nuk vonoi t’i jepej leja. Kur Hyji do diçka, e do dhe rrëzon çdo pengesë. Më së pari kishte pastruar Marinë duke e shkëputur nga çdo siguri njerëzore gjatë sëmundjes së dhimbshme. Pastaj, gjatë shërimit, e kishte bërë të zbulonte paaftësinë e saj, në mënyrë që t’i dorëzohej plotësisht Zotit, duke harruar vetveten. Tani Ai po ia hapte dyert që, në përvujtëri dhe guxim, të mund të hidhej nëpër rrugët e reja të një projekti që sapo fillonte.
Valentino Kampi, rrobaqepësi, i priti me shumë mirësi Marinë dhe Petronilën.
Dy të rejat vendosën të ndaleshin për të bërë praktikën prej Pashkëve deri në Krishtlindjet e po të njëjtit vit 1861. Marrëveshja ishte: të punohin për të në orët kur dyqani ishte i hapur dhe për gjërat personale në të gjithë kohën e lirë.
Në fshatrat e vegjël risi të tilla janë si gudulisja, ngjallin të qeshura. Njerëzit i shikonin Marinë dhe Petronilën tek shkonin çdo mëngjes drejt dyqanit të Kampit dhe tundnin kokën duke qeshur nën buzë me tallje.
“Shiko, shiko, – pëshpërisnin disa, – këto Bija të së Papërlyerës. Shpikin më të vërtetë gjithçka, vetëm që t’ia mbathim nga puna e fushave, ja ku i ke në dyqan, madje tek një burrë!”
Të dy vajzat nuk kishin ndër mend ta humbnin guximin nga këto kritika. Ditën punonin shumë në dyqanin e rrobaqepësit dhe në mbrëmje, pas një momenti në kishë për lutjen e përbashkët të udhëhequar nga dom Pestarinoja, ndaleshin ende te Makanjoja me gjilpërën në dorë. Mësuesja, në fakt, e kishte kuptuar qëllimin që gjendej në rrënjë të asaj zgjedhjeje e cila, për nga ana e jashtme, dukej pak e çuditshme. Ajo i kishte thënë Mainit dhe Petronilës: “Dëgjoni, unë jam vetëm me nënën. Ejani tek unë. Do të na bëni shoqëri dhe do të punojmë nën të njëjtën dritë, unë mbi fletoret e shkollareve të mia, ju mbi rrobat e grave që po fillojnë t’ju besojnë punët e tyre”.
Edhe këtu filli i Provanisë, nëpërmjet Makanjos, u lejoi atyre të punonin së bashku, të konsultoheshin, të provonin e të riprovonin. Kjo gjë nuk mund të realizohej në paqe dhe qetësi as në shtëpinë e Marisë, të mbushur me vëllezër e motra dhe as në shtëpinë e Petronilës, ku mbretëronin kunatat.
“Në dyqanin e rrobaqepësit dhe në shtëpinë e Makanjos, – tregon Petronila, – ishim gjithnjë në heshtje ose gati në heshtje. Kur ktheheshim në shtëpi, kishim shumë gjëra për t’i thënë njëra-tjetrës! Gjëra të shpirtit dhe vështirësi të punës. Pastaj shpresat, mbi të gjitha shpresën e madhe që të mund të punonim më vete, duke iu afruar sa më shumë realizimit të idealit: të ndihmonim vajzat.”
Njerëzit kishin mësuar t’i vlerësonin Marinë dhe Petronilën për seriozitetin, me të cilin angazhoheshin për dorëzimin e punëve. Por, duke i parë në rrugë gjithmonë mes bisedash të gjalla, disa bëheshin kuriozë. Dikush tjetër bënte gjithnjë të njëjtën vërejtje: “Po sa shumë gjëra keni për t’i thënë njëra-tjetrës! Gjithë ditën së bashku ishit”.
Petronila, kujton: “Ne qeshnim dhe ecnim përpara”.
Orsolinet e Reja
Si breshër erdhi lajmi që e ndezi zjarrin e idealit dhe të angazhimit apostolik të të dy shoqeve: Piu IX më 11 korrik të vitit 1861 kishte shpallur një dekret, që kishte si qëllim t’i ripropozonte kishës stilin e kushtimit në botë të realizuar nga Anxhela Meriçi dhe nga Orsolinet, rregullorja e të cilave ishte thelbësisht e njëjta me atë të Bijave të së Papërlyerës.
Shenjta Anxhela Meriçi kishte jetuar në Dezencano, në Gardë, në shekullin XVI. Tre shekuj, – është e dukshme, – nëse e kishin ruajtur aktualitetin më të thellë të intuitës së Meriçit, nga ana tjetër kishin hedhur shumë pluhur mbi atë që ishte rregulla e saj. Pra, bëhej fjalë të ripërtërihej për sa i përket formës një propozim jete që, duke qenë shumë i ngjashëm me atë të shoqatës së Bijave të së Papërlyerës, duhej shkrirë me të.
Natyrisht, njeriu i aftë ta bënte këtë ripërtëritje dhe këtë shkrirje ishte vetëm një: Dom Frasineti. Ai e përpunoi mirë rregullën duke shtypur në të njëjtin vit 1861 një rregullore të re me titullin: Rregullat e Bijave të Shenjtës Mari të Papërlyer nën mbrojtjen e Shenjtës Orsola dhe të Shenjtës Anxhela Meriçi.
Kështu, Bijat e së Papërlyerës filluan të quheshin Orsolinet e Reja. Ky u bë emri zyrtar. Por në Morneze të gjithë vazhdonin t’i thërrisnin Bijat e së Papërlyerës madje shkurt Bijat.
Ky fakt është domethënës për të parë se si Maria, e thjeshtë si vendi i saj, thithte ajrin e përshpirtërisë më të thellë të kishës. Gjendej, në fakt, në qendër të rrymave shpirtërore që shënonin në Piemonte, në Itali dhe në të gjithë kishën një rizgjim të botës së lashtë dhe gjithmonë të re të virgjërave të kushtuara, apostulle të botës.
Nga ana tjetër ishte e rëndësishme që Maria mundi të ballafaqonte rregulloren e vjetër me të renë dhe të kuptonte se, që në atë kohë, Shpirti i Shenjtë kishte zgjuar dëshirën për t’u kujdesur për vajzat e sidomos për vajzat më të varfra dhe të lëna pas dore. Edhe në rregulloren e re për Orsolinet e Reja diçka e tillë nuk ishte sugjerim por detyrim.
Dukej gjithnjë e më qartë se ëndrra e Marisë përkonte me projektin e Zotit.
Te Pampuroja
Më 16 dhjetor të po këtij viti babai i Petronilës vdiq. Anxhela Makanjoja, edhe në këto rrethana, u tregua e dashur dhe e kujdesshme. Pastaj dom Pestarinoja, me syrin e vëmendshëm të Zotit dhe të atit të mirë, e pa që vajza po hynte në një mjedis ku kunatat do ta detyronin të hiqte dorë nga ideali dhe nga puna e ndërmarrë, për t’u kujdesur vetëm për punët e shtëpisë. Dhe Provania i ofroi menjëherë një mundësi. Gjendej ndër Bijat njëfarë Tereza Pampuro, rreth të tridhjetave, vetëm dhe e brishtë nga shëndeti. Rregullorja fliste qartë: asnjë bijë nuk duhej të jetonte në vetmi të plotë. Kështu, dom Pestarinoja përfitoi dhe i tha Petronilës: “Dëgjo, ti merr shtratin tënd dhe shko të qëndrosh me të. Dhe askush nuk do të mund të thotë gjë”.
Mësimi te Kampi po zgjatej shumë. Krishtlindja nuk kishte kaluar dhe dy të rejat nuk nguteshin të linin dyqanin, sepse donin të mësonin mirë, të mësonin deri në fund. Jo se tek rrobaqepësi ishin si në parajsë. E kundërta! U jepte bezdi ajo vajtje dhe ardhje e burrave që ndonjëherë i bënte të ndiheshin në siklet.
“Të shpejtojmë e të mësojmë, – e nxiste Maini, – që të ikim këndej.”
Por është interesante të kuptojmë edhe në këtë një qëndrim të kulluar lirie të brendshme: jashtë dhe përtej çdo frike dhe parehatie, ndaj të cilave të dy të rejat duhej të ishin veçanërisht të ndjeshme, brenda asaj lloj shoqërie të tetëqindës fshatare kishte rëndësi për to mbi të gjitha të mësonin të qepnin dhe të arrinin idealin që kishin vendosur.
Më në fund, sapo mbaroi puna e madhe e festave të Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri, të dyja e mbyllën përvojën e tyre te rrobaqepësi. Tek Tereza Pampuro mundën t’i japin fillesë një laboratori të vogël dhe nuk kishin më kohë në mbrëmje të shkonin te shtëpia e Makanjos.
Me siguri nuk kishin përvojë
U dukej sikur po preknin qiellin me dorë, edhe pse ishin akoma larg nga zotësia në zanat. Mbi të gjitha këtë e vunë re një ditë kur një grua e mirë u besoi atyre një copë stofi të mirë. Ishte i zi me lule të vogla. Mund të dilte një fustan i shkëlqyer, por përkundrazi u prish.
“Maini, sa na e solli zonja në mbrëmje, e shpejtë siç ishte, e preu dhe e përgatiti, – tregon Petronila. – Po si është e mundur që mëngët janë të dyja të krahut të djathtë? E vetmja mënyrë për të zgjidhur situatën, ishte të shkonim tek rrobaqepësi dhe të blenim një copë për krahun tjetër. E pamundur. Kampi tha: ‘Nga ajo copë nuk ka më as dhe një pëllëmbë.’”
Nuk ka shpëtim. Duhet të thirret klienti dhe t’i bëhet e ditur ajo që ka ndodhur. Por duhet të gjendet dhe ndonjë mënyrë për të dalë nga situata. Nuk mund të çohet dëm një copë kaq e mirë. Ata janë njerëz që nuk kanë mundësi. Me të vërtetë që nuk munden.
Të dyja përgatiten për reagimet e mundshme. Përkundrazi, ajo grua e mirë tregohet e kuptueshme. Madje u jep guxim rrobaqepëseve të reja. Maria i bën propozimin. E saktë dhe e sjellshme: “Shikoni, mund të pritet krahu nga copa përpara dhe t’i përdorim këto copa të krahut të gabuar si filet anësor. Sigurisht, gjithçka duhet të mbulohet me përparëse, shton me një buzëqeshje të turpshme”.
“Po mirë, do ta vë përparësen” thotë gruaja e dorëzuar.
Dështimi i vogël nuk e pengon famën të vrapojë nëpër Morneze. Thuhet që Bijat janë shumë të lira në çmime. Por, për më tepër, pranojnë çdo lloj veshjeje, edhe të përdorur e të arnuar. Kanë duar të shpejta dhe të afta të bëjnë të bukur të shëmtuarën, të re të vjetrën.
Dhe kështu projekti i Hyjit ecën përpara, edhe pse copa është e endur me penj të varfër e të përvuajtur.
Një laborator në Morneze
Gati pas dy muajsh pune guximtare, edhe pse jo pa dështime të vogla, erdhi e papritura. Dom Pestarinoja e thirri Petronilën dhe i tha se Antonieta Barko, rrobaqepësja, duhej të largohej nga vendi për të ndjekur të shoqin, që kishte marrë me qira një tokë jo larg Mornezes.
Vajzës i shndritën sytë dhe tha: “Kështu e gjithë puna do të na mbetet neve?”.
“Pikërisht, – iu përgjigj dom Pestarinoja, – por më parë do të ishte mirë që të shkoni të punoni për pak kohë tek ajo. Do të jetë mënyra më e sigurtë për t’u bërë praktike në prerjet për gra, për të njohur klientët e saj dhe për t’i fituar ata për dobinë tuaj dhe të tyrin.”
Kronihistoria regjistron me besnikëri atë që vetë Petronila tregoi: “Unë vrapova mënjëherë që t’i tregoja Marisë. Oh, si e kemi falënderuar Zotin, duke shpejtuar të bënim ashtu si na tha dom Pestarinoja”.
Në maj rrobaqepësja u nis dhe të dy shoqet u kthyen tek Pampuroja.
Por këtë herë kishin me vete disa vajza të cilat kishin dëshirë t’i ndiqnin si nxënëse. Në këtë mënyrë lindi laboratori i parë: një hapësirë për promovimin njerëzor dhe shoqëror, për një mësim falas, në një ambient ungjillëzimi dhe formimi të krishterë.
Në shtëpinë e Petronilës kunatat turfullonin: “Si është e mundur që nuk mund të fitohet ndonjë para për t’ia dhënë familjes?”.
Dhe familjarët e Marisë ankoheshin: “Me të vërtetë nuk mund të vijë me ne në vreshta? Kemi kaq nevojë për krahë që të na ndihmojnë në shtëpi dhe ajo fillon një lloj pune kaq të ndryshme!”.
Kjo klimë pakënaqësie u qetësua shpejt, falë Zotit. Babai i Marisë ua mbylli gojën të tijëve duke thënë: “Dua që bija ime të jetë e lirë të bëjë atë që i duket më mirë në Zotin”.
Dhe një vëlla i Petronilës e siguroi: “Dëgjo, unë në ndërgjegje detyrohem të të jap pesë lira në muaj. Ti pastaj, në sy të kunatave, do të mi japësh si fitim i punës sate. Çka është imja, është edhe jotja. Gjëja më e rëndësishme është që ti të mund të bësh mirë”.
Përsa i përket punës, u erdhi me bollëk nga e gjithë Mornezeja. Problemi ishte të pajtoheshin dëshira e lindur e adoleshenteve për t’u dukur, me kërkesën për të edukuar të rejat në virtytin e thjeshtësisë dhe modëstisë. Edhe për këtë qëllim këshilla e dom Pestarinos u tregua e urtë dhe realiste: “Bëjini veshjet sipas dëshirave të tyre, vetëm të mos jenë të ekzagjeruara. Nëse ju nuk do t’i kënaqni këto vajza, ato do të shkojnë gjetiu të kërkojnë rrobaqepëse të modës jashtë vendit. Dhe do të jetë më keq”.
Duke qenë se Maini i kishte të gjitha nënat nga ana e saj, problemi u zgjidh. Nga laboratori dilnin veshje të thjeshta, por shumë të hijshme dhe jo në kundërshtim me modën e kohës.
“Unë isha vajzë, – tregon një mornezine e atyre kohëve, – dhe doja të bëja figurë të mirë, prandaj më ishte fiksuar në kokë të kisha një fustan të modës së fundit, me shumë salltanet dhe provokues. Maria, e mbështetur nga nëna ime, më foli aq shumë, sa e ula kokën dhe e vesha me gëzim fustanin e ri të thjeshtë e modest. Ashtu si ia doli me mua, Maria ia doli edhe me vajzat e tjera.”
Silvi Vrancken, në studimin “Koha e zgjedhjes” nënvizon se Maria arriti të ndërtonte një marrëdhënie bashkëpunimi me mamatë, duke fituar, kështu, një bashkim më të madh dhe një koherencë në ndërhyrjet e ndryshme edukuese.
Endacake të Hyjit
Puna po u përgjigjej, pra, kërkesave të klientëve dhe të atyre që donin të mësonin. Të kënaqura, ato u shtuan në numër. Tashmë dhoma e Pampuros ishte tepër e ngushtë për t’i nxënë. Kështu, Maini u gëzua shumë që përfitoi edhe një herë tjetër nga Makanjoja.
Bujare dhe e vetëdijshme për të mirën që dy Bijat e së Papërlyerës po realizonin sipas shpirtit të shoqatës, u ofroi atyre falas një lokal që kishte një avantazh. Ishte i tëri i shkëputur nga pjesa e tjetër e shtëpisë. Të dy shoqet i transportuan aty tendat e tyre. Por, si endacake të mira të Hyjit, ishin menjëherë të gatshme t’i hiqnin ato pas dy muajsh, kur dom Pestarinoja u shfaqi dëshirën për të kërkuar një banesë të tyren, në mënyrë që të ishin të lira nga të tëra ndërhyrjet e, mbi të gjitha, edhe nga familjarët.
Një etapë tjetër e endjes së tyre për Hyjin ishte tek Biragoja. Morën nga ajo me qira një lokal të ngushtë me të vetmin avantazh që ishin afër famullisë. Por me të vërtetë që aty nuk mund të jetohej. Edhe një herë tjetër u erdhi në ndihmë Provania. Një vëlla i Makanjos kishte një shtëpi me apartamente që ua jepte me qira në verë zonjushave gjenoveze.
“Ja një dhomë e madhe dhe e ajrosur, – i tha një ditë Mainit, duke e ditur se ajo dhomë ishte e përshtatshme për ato. Më jepni pesë lira qira në muaj dhe mund të përdorni edhe oborrin: një gjë e mirë për vajzat, sepse është vend i rezervuar.”
Kur mendon se ai lokal ishte edhe afër kishës, mund të kuptohet atëherë gëzimi i Marisë.
“Kështu, – mendonte, – do ta kem më të thjeshtë t’i stimuloj vajzat t’i bëjnë vizita të shpeshta Jezusit.”
Ishte një mënyrë për t’i dashuruar me Eukaristinë.
Kronihistoria shënon: “Sapo e morën atë lokal, vajzat u shtuan përsëri: ajo u konsiderua si një shkollë e vërtetë pune, e paguar me një lirë në muaj, në para ose në shkëmbime në natyrë.
Ishte një shkollë-familje, ku shkohej pa droje. Në Morneze u bë zakon që, nëse ndokush kishte nevojë për ndërresa ose veshje, e vinte copën në duart e vajzës duke i thënë: “Shko te Maria: ajo do të të mësojë të qepësh”.
Tashmë Maini ishte “Maria”. Ashtu siç dëshmoi kardinali Kaljero në procesin e lumturimit: “Për njerëzit dhe për shoqet e saj ishte “Maria” sepse konsiderohej si vajza më e mirë ndër më të mirat e vendit”.
Interesante edhe ajo çfarë tha Anxhela Pestarinoja, një ish-nxënëse e atyre kohëve: “Ishte e drejtë dhe kishte dashuri për të gjithë edhe për më të këqijtë. Për këtë të gjithë e respektonin dhe e donin. Në laborator përgatiste me preferencë punët për vajzat, merrte dhe bënte porositë me kujdes, me pëvujtëri dhe saktësi.
Jeni për rininë
“Nuk ndizet një llambë për ta vënë poshtë tavolinës, por që të shndrisë në mes të shtëpisë” ka thënë Jezusi. Ja, drita e dy Bijave të së Papërlyerës shndriste tashmë në të gjithë Mornezen aq sa një grua, duke u sëmurur rëndë, kërkoi që Maria dhe Petronila t’i qëndronin pranë. Ia tregoi dëshirën e saj dom Pestarinos, i cili i pyeti të dy të interesuarat dhe i ftoi ta provonin.
Me qejf të dyja shoqet u organizuan në mënyrë që vajzat në laborator të vazhdonin të ishin të ndjekura dhe e sëmura të kurohej. Ditën qëndronte afër saj Maria, e cila ishte më e dobët me shëndet; natën Petronila. Të dy shoqet e bënë aq mirë edhe këtë detyrë si infermiere, sa i kërkuan edhe njerëz të tjerë.
Bëhej fjalë për gra të vetmuara, me sëmundje të pashërueshme, që askush nuk i përgatiste për takimin e fundit me Zotin. “Angazhohem të jetoj me dashuri në imitimin e Marisë së Shenjtë” thoshte rregullorja e Bijave të së Papërlyerës. Ja një mënyrë për të jetuar deri në fund këtë dimension.
Të dy të rejat e ndanin kohën: pak këtej dhe pak andej. Përsa i përket zjarrit të dashurisë, ishte gjithnjë e njëjta flakë përfshirëse që ndizej në to, sa në një vepër aq edhe në tjetrën.
Por, megjithë angazhimin heroik, nuk ishte e mundur të bëheshin mirë të dyja punët deri në fund. Dom Pestarinoja e vuri re. U lut dhe pastaj thirri Marinë: “Lëreni asistencën ndaj të sëmurëve, – tha, – ju jeni për rininë. Zoti ju do mes vajzave të laboratorit”.
Vetëm një plakë e varfër dhe e vjetër vazhdoi të kishte kujdesin e Marisë.
Ndërkohë laboratori po fillonte të merrte fytyrën dhe ritmin e vet. Në anën më në dritë të lokalit Maria kishte vënë një statujë të së Papërlyerës. Çdo mëngjes, duke hyrë ndalohej para saj për një shikim dhe për një të Falemi Mari. Ua kishte mësuar edhe vajzave. Hapej dera dhe fluturonte një “mirëmëngjes” i hareshëm. Pastaj çdo nxënëse spontanisht imitonte mësuesen.
Sa për punën, Maria kishte gjetur një ritëm të këndshëm dhe të qetë. Punët kalonin nga Maria që vlerësonte ç’punë duhej bërë tek Petronila. Nëse bëhej fjalë për rroba që vishen, edhe nëse ishin të përdorura, Maria i mbante, studionte mënyrën për t’i prerë, për t’i përgatitur ose për t’i qepur dhe shpërndante detyrën më të duhur për çdo nxënëse.
Në këtë periudhë zgjedhja e Marisë për t’u marrë kryesisht me vajzat konsolidohet dhe përcakton kalimin nga një fushë aktiviteti baritor relativisht të gjerë, “siç thuhet në Rregulloren e Bashkimit, në fokusimin e qëllimshëm në një dimension të vetëm në këtë fushë, domethënë në një aktivitet edukues të përcaktuar mirë, që do të kërkojë dalëngadalë përjashtimin e çdo apostullimi tjetër” .
Paqe që përhapet
Ajo që e donte shumë heshtjen, nuk ua impononte atyre vajzave të gjalla. Ajo që nuk lodhej së luturi, nuk pretendonte që të tjerat të luteshin aq gjatë. Prej një instinkti të lindur e dinte që ka një masë dhe një gradualitet edhe në të propozuarit e së mirës. Spontanisht, vetëm për faktin që e “mira është për natyrë ngjitëse” ajo plotësi heshtjeje dhe paqeje që ishte në të, përhapej përreth.
Në laborator mbretëronte heshtja. Maria thoshte me zë të lartë një lutje të shkurtër ose lexonte një faqe të jetës së shenjtërve ose të ndonjë libri të Frasinetit. Pastaj u mësonte ndonjë këngë të bukur dhe dita fluturonte.
Që nga këto përvoja të para edukuese kuptohet sa është i vërtetë pohimi i Maria Ester Pozadës: “Jeta e saj ka pasur gjithnjë një bashkim të fortë me realitetin, në të cilën ishte e zhytur”. Kështu, kur e njëjta studiuese paraqet kuptimin e mesazhit të Maria Domenika Maxarelos në shprehjen “realizëm shpirtëror” me siguri ka përpara vetes edhe mënyrën e saj të të qenit dhe të të vepruarit që nga stinët e blerta të laboratorit-familje të Mornezes
Kapitulli 4
Në orbitën e dom Boskos
Një buzëqeshje e shpejtë, kuptimplotë
Nuk ka të dhëna të sigurta mbi takimin mes dom Boskos dhe dom Pestarinos. Është e sigurtë që për të ardhmen e Maria Domenika Maxarelos miqësia e tyre qe vendimare.
Sipas dëshmisë së kardinalit Gjon Kaljero, dom Domenik Pestarinoja e njohu dom Boskon para vitit 1860, në shtëpinë e teologut Jozef Frasineti. Por është interesante të dihet se një takim që i dha më shumë hapësirë një njohjeje reciproke, u bë në vitin 1862. Ka shumë mundësi të ishte “një festë ose konferencë, në të cilën merrte pjesë kleri, më në krye imzot Kontraton, ipeshkëv i Akuit” sipas asaj që kujton dom Lemueni bazuar mbi dëshminë e dom Jozef Kampit.
Është një fakt që dom Pestarinoja në atë rast i foli miqësisht dom Boskos mbi gjendjen baritore të Mornezes. I foli për Bijat e së Papërlyerës dhe për qëllimin e tyre që të edukonin vajzat nëpërmjet laboratorit-familje.
Relacioni i dom Pestarinos për zemrën e vëmendshme të dom Boskos ishte një shenjë shprese.
Dom Boskoja, – tregon Kronihistoria, – duke dëgjuar dom Pestarinon që i tregonte për Bijat e së Papërlyerës, i shpjegoi mendimin e tij për një institut femëror, që shumë ipeshkvinj e kishin këshilluar të themelonte. Dom Pestarinoja atëherë, gati me ndroje, ia propozoi dom Boskos Bijat mornezine si gur themeli për realizimin e këtij plani.
Një buzëqeshje e gatshme dhe shpehëse u shfaq mbi fytyrën e dom Boskos, sikur ai propozim t’i vinte përpara një projekt që tashmë ziente në zemrën e tij.
Si përfundim të atij takimi, nga ana e dom Boskos erdhi një ftesë domethënëse: “Ejani, dom Pestarino, ejani të më takoni në Valdoko”.
Me siguri dom Boskoja kujtonte në atë moment që po Piu IX, – si na thotë dom Cerruti, – i kishte thënë: “Ju deri tani keni menduar për djemtë. Përse nuk mendoni të bëni edhe për vajzat atë të mirë që po bëni për të djemtë e rinj?”.
Dom Pestarinoja bëhet salezian
Takimi me dom Boskon qe vendimtar për dom Pestarinon. Mendoi shumë, u lut, dhe në vitin 1863 u ndie i frymëzuar t’ia kushtonte jetën dhe gjithçka kishte, dom Boskos, duke e lidhur jetën e tij përgjithmonë me veprën saleziane.
Dom Lemueni dëshmon se dom Pestarinoja filloi menjëherë të praktikonte Rregullat e Shoqërisë Saleziane në mënyrën më shembullore. U deklarua i gatshëm edhe të jetonte në Orator, në Valdoko. Por dom Boskoja, duke e parë të mirën e madhe që bënte në Morneze, deshi që ai të vazhdonte të qëndronte në vendin e vogël të Monferratit. Nga ana tjetër ishte e rëndësishme të mos i mungonte Bashkimit të Bijave të Zojës së Papërlyer një udhëheqës kaq i urtë. Dom Boskoja vazhdonte, pra, të kishte në mendje atë grup apostullesh të reja që premtonte shumë. Brenda projektit për të bërë me vajzat atë që po bënte me djemtë, ato ishin një propozim i Provanisë Hyjnore që tani për tani duhej mbajtur mirë parasysh, por ishte një grup, për të cilin duhej të kujdeshin me besim. Pikërisht për këtë, duke përshëndetur dom Pestarinon, që, tashmë Salezian, kthehej në mes të mornezinëve, i dorëzoi dy medalje të Zojës: një për Marinë, tjetrën për Petronilën.
“Ta mbajnë me kujdes, – i këshilloi, – sepse do t’i lirojë nga shumë fatkeqësi dhe do t’i ndihmojë në të gjitha punët e jetës.”
Dom Pestarinoja shpejtoi të falenderonte, duke e lutur dom Boskon që të shkruante dy fjalë bashkë me medaljet. Ai mori një shirit letre dhe aty shkruajti: “Lutuni, por bëni mirë sa më shumë të mundeni, veçanërisht rinisë dhe bëni të mundur që të ndaloni mëkatin, qoftë edhe një mëkat të vogël”.
Ishte mesazhi i parë i atij që Provania po e vinte në rrugën e Marisë për një vepër, fara e së cilës në Morneze tashmë ishte e gjallë dhe e frytshme. Bijave iu mbush zemra plot me gëzim. Dhe Kronihistoria shënon: “Don Pestarinoja duke u shpjeguar këshillat që dom Boskoja u dha me gojë dhe me shkrim, fliste me aq ngrohtësi për të, saqë natyrshëm i bënte ta donin”.
Një fole për dy jetime
Ndërkohë laboratori fitonte gjithnjë e më shumë vlerësimin e vajzave dhe të prindërve. Të rejat shkonin në një numër shumë të madh.
Shihej kaq më sy të mirë vepra e Marisë dhe e Petronilës, sa, kur një tregtar mbeti i ve me dy vajza, njëra tetë dhe tjetra gjashtë vjeçe, mendoi: “Kujt mund t’ia besoj përveçse Mainit?”. Shpresa e tij nuk mbeti e zhgënjyer. Kështu, të dy jetimet u mirëpritën në laborator. Në fillim vetëm ditën. Pastaj, duke iu përgjigjur edhe kërkesave të tregtarit, i cili duhej të largohej nga shtëpia për punë, edhe natën. Aty vajzat gjetën folenë e tyre të ngrohtë. Dom Pestarinoja, kur e pyetën për çështjen, u shpreh në favor.
Kështu, në Morneze si në Torino, Provania në vitin 1863 çonte përpara endjen e një modeli të bërë me të njëjtin material: kujdesin për të rinjtë dhe për fëmijët më të varfër dhe të vetmuar.
Është e qartë se fakti që vajzat flinin tashmë në laborator, solli ndryshime në orar dhe në zakone, të cilat ngjallën pakënaqësi tek familjarët e Marisë e Petronilës. Ishte, pra, një sakrificë jo e vogël.
Të dyja shoqet morën me qira një dhomë tjetër të vogël për të vënë dy shtretërit e vajzve dhe atë të Petronilës që, duke u larguar nga Pampuroja, kalonte natën afër dy jetimeve. Por hapësira nuk ishte më e mjaftueshme sidomos kur dom Pestarinoja i luti Bijat të mirëprisnin edhe Rozina Barbierin, një katërmbëdhjetëvjeçare jetime nga nëna, ati i së cilës ishte i alkoolizuar.
Kërko sot e kërko nesër, më në fund një farë Antonio Bodrato u ofroi atyre dy dhoma në një shtëpi, që, si ta kishin bërë me qëllim, ishte përballë shtëpisë së Makanjos. Si u tha, u bë. U morën me qira ato lokale duke bërë laboratorin te Makanjoja dhe fjetjen te Bodratoja.
Tashmë, përreth dy shoqeve po lindte një familje e qëndrueshme.
Rozina Maxareloja, mbesa e Petronilës, edhe kjo jetime nga nëna, katërmbëdhjetë vjeçe, e etur për dashuri dhe gëzim, qau dhe bërtiti shumë, derisa të afërmit e lejuan të qëndronte edhe ajo tek halla.
Nga Voltaxho erdhi më vonë edhe njëfarë Katerina. E lënë pas dore nga prindërit, adoleshentja gjeti këtu ambientin më të përshtatshëm për të qënë vetvetja. Vetëm dy vite përfitoi nga kujdesjet inteligjente dhe të dashura të Marisë dhe të Petronilës. E, pra, duhej të kishte marrë shumë të mira, nëse Makonoja shënon: “U bë shumë e mirë dhe veproi pastaj për shëlbimin e prindërve të saj”.
Gëzimi dhe shpirti i sakrificës mbizotëronin në bashkësinë e vogël. Mes dy shoqeve kishte një garë bujarie. Petronila e dinte mirë se Maria ishte delikate me shëndet. Kështu, mundohej t’i përgatiste pak qumësht dhe një vezë shtesë pas gjellës së zakonshme dhe patateve të ziera. “Por, – thotë ajo vetë, – nëse doja t’ia dilja qëllimit duhej të bëja të njëjtën gjë edhe për vete. Nëse jo, Maini ishte e aftë të ndante një vezë për gjysmë, duke më thënë: “Shiko, unë nuk dua të trajtohem ndryshe”. Donte të flijohej, – shton, – dhe, po të kishte mundur, do të kishte dëshiruar të jetonte me ajër”.
Orë të gëzuara
Në laborator orët kalonin gëzueshëm. Maria gjatë punës lexonte rregullisht ndonjë faqe të librave të shën Alfons Maria de Liguorit ose të dom Frasinetit. Komentonte leximin në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë, për t’u kuptuar nga të gjitha, dhe në të njëjtën kohë me aq forcë argumentash dhe gjallëri, saqë i nguliste në mendjen e vajzave të vërtetat e fesë me një qëndrueshmëri që koha nuk do të mund ta trandte.
Në orët e pasdites bëhej lutja e Rruzares; ndërkohë që qepnin me shkathtësi, thuheshin me ritëm të ëmbël të Falemi Mari-të. Pastaj, rreth orës 16.00, një pushim, një zemër dhe pak lojë në oborr.
Mainit nuk i besohej që thjesht mund të kalonte rrugën dhe të gjunjëzohej përpara tabërnakullit, kaq afër ishte kisha. Dhe pas mësueses vraponin edhe nxënëset. Spontanisht. Si njëra, tjetra. Pa qenë aspak të detyruara.
“Dalëngadalë, – tregon Kronihistoria, – e mësuan të gjitha zakonin dhe shkonin në kishë edhe pa të.”
Gjithnjë i njëjti burim kujton që Maria dëgjohej shpesh të thoshte: “Sa mirë do të ishte sikur të mund të rrihej gjithnjë afër Jezusit! Sikur të mund të shkonim në kishë për të qepur në bankën e fundit për t’i bërë shoqëri Jezusit, të paktën le të shkojmë me mendje sapo të mundim”.
Karlo Koli, në një studim të vëmendshëm mbi kontributin e dom Boskos dhe të Maria Domenika Maxarelos dhënë karizmës së themelimit të Institutit të Bijave të Marisë Ndihmëtare, nënvizon: “Fshatarja e përvuajtur e Mornezes, pa kulturë, në padijeni për mënyrat edukuese, e shndritur dhe e shtyrë vetëm nga Shpirti i Zotit, pa e ditur, para se të takohej me dom Boskon, ecën në të njëjtën rrugë”.
Ndodhi kështu edhe përsa i përket argëtimit. Kjo vajzë e fushave kuptoi në Shpirt atë që dom Boskoja do të formulojë në këtë mënyrë: “Duhet të duam atë që të rinjtë duan, që edhe ata të jenë të nxitur të duan atë çfarë ne u propozojmë”.
Kështu, kur erdhën karnavalet, nuk i mbylli dyert e laboratorit dhe as i la vajzat të shpërndaheshin në ndonjë vend tjetër. Përkundrazi, i organizoi gjërat në mënyrë që të mund të argëtoheshin si të tjerat, madje edhe më shumë, por pa rënë në asnjë rrezik për shpirtin.
Dom Pestarinoja, si gjithmonë, ishte aleati i madh i një propozimi që erdhi nga Maria. I tha: “Po patjetër, mund t’i lësh të vallëzojnë tek ju, nën sytë e tuaj. Madje, mund të ftosh Katerinën, e cila i bie edhe organos”.
Katerina Maxarelo ishte një Bijë e së Papërlyerës dhe ishte e kënaqur ta vinte në dispozicion të Marisë dhe të nxënësve të saj atë instrument muzikor.
Vallet e laboratorit u bënë zakoni i të djelave të karnavaleve. Prindërit i lejonin dhe ishin të kënaqur. Të rinjtë, përkundrazi, u zemëruan. Të mos flasim pastaj për organizatorët e ballove publike që me të vërtetë nuk mund ta falnin Mainin për këtë pengesë në planet e tyre dhe të fitimeve të tyre.
Katekizëm informal
Përsa u përket krezhmëve, Maria kishte në mendje një projekt të sajin.
“Nuk bënte tamam katekizëm, – thotë Petronila, – e, pra, mund të thuhet se, edhe pa e përmendur kurrë për gjithë atë kohë, nuk mendonte tjetër.”
Taktika ishte kjo: i rimerrte temat e krezhmëve, me të cilat dom Pestarinoja u fliste njerëzve në kishë, duke i përshtatur në jetën e vajzave.
Maria i njihte mirë nxënëset e saj, prirjet e mira dhe mangësitë e çdonjërës nuk i shpëtonin. Prandaj bëhej fjalë herë për një gjë, hërë për një tjetër, me qëllim të vazhdueshëm edukues. Kush di të edukojë, është si artisti: ka vetëm një temë, që e pasqyron në çdo punim. Ajo e Marisë ishte kotësia, mendjemadhësia, dëshira për t’u dukur, sinqeriteti i pakët (ishte shumë e rreptë dhe nuk i toleronte gënjeshtrat), dembelinë (i mbante vajzat përherë të zëna me punë).
Çdo vajzë e dinte se mund t’i besonte mirësisë dhe vëmendjes së saj. Por jetimet dhe më të lënat pas dore nga familja kishin prej saj kujdesjet më të veçanta.
Shpirti i Mornezes
“Maxareloja, – shkruan dom Exhidio Vigano, – inauguron një karateristikë femërore brenda salezianitetit: më së pari sepse është grua dhe pastaj sepse projekti i Hyjit që ka bërë të lindë shpirti i Mornezes, i ka dhënë asaj hire, aftësi, prirje që konvergojnë drejt kësaj detyre.”
Është interesante, për këtë, një vërejtje: ajo që në Valdoko është vepra karakteristike e dom Boskos, oratori i së djelës, lind edhe tek Maria, por para se të dy shenjtërit të kenë rastin për t’u takuar. Ja si ndodhi.
Me iniciativën e dom Pestarinos, tashmë në harmoni të plotë me dom Boskon, të rinjtë kishin filluar të praktikonin gjashtë të dielat e shën Luigjit. Bijat e së Papërlyerës, të zellshme si gjithmonë, i kërkuan atij të përgatiteshin për të celebruar festën e shën Luigjit. Ndodhi kështu që Maria dhe Petronila në vitin 1863 e futën këtë praktikë edhe mes vajzave të laboratorit.
Po si t’ia bënin me ata që banonin larg? Maini e zgjidhi menjëherë problemin: vajzat u ftuan të sillnin drekën dhe pak zemër që e hanin hareshëm në laborator-shtëpi. Kështu, pasdite, kur rreth orës dy vinin edhe ato nga fshati, të gjitha mblidheshin te kisha.
Marisë nuk i dukej e vërtetë që mund t’u lexojë vajzave lutjet dhe meditimet e shkruara nga dom Boskoja, nga manuali më i mirë për formimin shpirtëror të të rinjve: I riu i përgatitur që dom Pestarinoja e kishte sjellë nga Valdokoja.
Argëtime të këndshme në ajër të pastër
Të dielat e përgatitjes së festës së shën Luigjit, bëheshin, pra, kohë të forta gjatë harkut të vitit për formimin e të rejave.
Por ja intuita e Marisë në përputhje me atë të dom Boskos: duhej ndërthurur angazhimi shpirtëror me argëtime të këndshme e të hareshme, që nxisin krijmtarinë. Dukej si e bërë enkas për këtë punë kodra e shën Silvestrit: një hapësirë me bar ku ndodhej edhe kisha e lashtë e famullisë së Mornezes. Këtu, pas një ndalimi të shkurtër në kishë, Maria dhe Petronila udhëhiqnin vajzat.
“Maria tregonte ndonjë ndodhi të bukur që i bënte përshtypje, dhe, duke i argëtuar, i bënte edhe të mendonin. Pastaj luanin duke fshehur ndonjë objekt e duke ndjekur njëra-tjetrën… Të lodhura nga këto lojëra këndonin derisa vinte ora e kthimit. Si fluturonin ato orë! Maria propozonte gjithnjë ndonjë gjë të re me zellin e saj tipik në punë, si në lutje, ashtu në lojë.”
Është e rëndësishme të konstatojmë që oratori festiv për vajzat ishte në gjithçka i ngjashëm me oratorin e të rinjve në Valdoko dhe ky orator lindi në Morneze nga zemra e madhe e Marisë.
“Çfarë të qeshurash, – thotë Rozina Maxarelo, një nxënëse e atyre kohëve, – çfarë orësh gëzimi! Sa të kënaqura shkonim në kishë për katekizmin, për lutjet e mbrëmjes. Në dimër ktheheshim edhe për pak kohë në laborator […] pastaj çdonjëra kthehej në familjet e veta. Ndërsa në pranverë ktheheshim në shën Silvestër dhe rifillonim lojërat dhe prej aty shkonim në shtëpi para se të errej. Maria donte që, sapo të dëgjohej kambana e të Falemi Marisë, të gjitha të ishim në shtëpintë tona.”
Karlota Pestarino pas shumë vitesh e kujtoi atë moment para se të errej, me zemrën plot gëzim: “Edhe pse akoma nuk ishte errësuar, – shkruan ajo, – shiheshin dy ose tre yje. Ne i shikonim duke vazhduar bisedën. Për një çast Maria u ndal rrëmbyeshëm dhe, duke bërë shenjë me dorë ndërsa sytë po i shndrisnin, tha: ‘Sa të bukur janë dhe si shndrisin lart. Ja, jemi të thirrura të ngjitemi edhe më lart, të bëhemi edhe më të shndritshme, në qiell afër Zojës!’. Këto gjëra ne nuk i harronim kurrë më”.
Një nxënëse tjetër dëshmon: “Gjatë gjithë javës nuk kishim mendim tjetër përveç të dielës”. Maria dinte të entuziazmonte dhe gjithçka i shërbente për të na dhuruar gëzim me duart plot.
Edukuese krijimtare
Me mbarimin e qershorit mbaruan edhe të dielat e shën Luigjit. Nuk kishte më funksione të veçanta. Po Maria kishe gjetur një libër të ri për t’ua lexuar, ditë pas dite, vajzave të saj. Titullohej: Për një bijë që dëshiron të jetë bija e Jezusit. Ishte, natyrisht, i teologut Frasineti.
Një ushqim i mirë për shpirtin, shumë hare dhe shumë klimë familjeje, gjë që vazhdonte të karakterizonte laboratorin si dhe oratorin festiv, pasi kishte një rëndësi të pazëvendësueshme për veprën edukative, ndaj edhe vazhdonte.
Maria ishte vetëm njëzet e gjashtë vjeç, po megjithatë, sa për strategjitë edukuese, mund të bëhej mësuese e shumë edukatorëve. Dinte, në fakt kur dhe si të toleronte dhe kur të merrte vendime edhe të rrepta.
Prindërit, mbi të gjitha mamatë, e mbështesnin veprën e Marisë, duke e kuptuar sa të mira sillte. Madje me nënat dialogu ishte gjithnjë i hapur.
Piera Kavalja në tekstin: Aktuale, sepse e vërtetë, duke përshkruar karizmën edukuese të Maria Domenikës, nënvizon: “Sistemi parandalues që i përket dom Boskos, tashmë prej vitesh kuptohej dhe jetohej nga Maria Domenika në të përditshmen e saj në marrëdhënie me shoqet dhe me vajzat, aq sa ishte bërë pjesë e natyrës së saj. Zotëronte artin e dashurisë, të një dashurie të çiltër, delikate dhe të fortë, duke e fuqizuar me optimizëm dhe me shpresë botën e brendshme të çdo personi. Prandaj dinte të bëhej e dashur për vajzat”.
Lajme jo gjithmonë të këndshme
Në Morneze rritej vlerësimi dhe simpatia për dy vajzat e reja që punonin pa u kursyer për të mirën e vajzave. Po në të njëjtë kohë rritej dhe një pakënqësi që kishte filluar të gjarpëronte mes Bijave të tjera të së Papërlyerës që kur Maria dhe Petronila kishin vendosur laboratorin.
Në fillim, rregullsia me të cilën dy shoqet frekuentonin çdo takim, me gjithë angazhimet e mëdha apostolike, e përmbanin humorin e keq. Por, sapo dom Pestarinoja i liroi të dyja nga çdo detyrim përballë Bashkimit të Shoqatës në mënyrë që të mund t’i përkushtohen tërësisht kërkesave të laboratorit dhe shtëpisë së pritjes, gjithçka doli në sipërfaqe. Dhe shpërthimi qe i madh.
Me siguri jo nga ana e më të rejave, që, përkundrazi, shkonin me dëshirë për të ndihmuar Marinë dhe Petronilën. “Bomba” shpërtheu nga më të vjetrat, që thoshin: “Cfarë janë këto risi? Përse këto të dyja nuk veprojnë si të gjitha të tjerat dhe nuk kënaqen me gjërat që kemi bërë gjithnjë? Po, pikërisht Maria e tërheq edhe Petronilën. Maria po që është një tip i çuditshëm. Dëshiron të bëjë në kokë të saj. Dhe s’i mjafton se po gabon për vete, por tërheq në rrugë të gabuar edhe shoqen”. Natyrisht, bënin kujdes të mos flisnin në sy të tyre.
Kështu, disa Bija të së Papërlyerës iu ngjitën Petronilës, duke ia mbushur kokën me akuza. “Nuk duhej të merrnit një shtëpi më vetë, përderisa secila prej jush ka akoma një familje. Nuk ishte kjo marrëveshja. Ju jeni jashtë dhe kundër rregullores.”
Petronila shmangej dhe, ngaqë ishte e lidhur me Mainin, ndiente zemrën t’i shtrëngohej kur ato i thoshin: “Oh, ti nuk do ta kishe bërë kurrë, por ajo kokëshkreta tjetër ta ka mbushur mendjen”.
Aq thanë e aq bënë sa Petronila, duke mos mundur më, i tregoi gjithçka dom Pestarinos.
“Mos ua vini re, – qe këshilla e urtë, – ju nuk jeni kundra rregullores suaj, prandaj bëni mirë, sa më mirë të mundeni dhe lërini të flasin.”
Kundërshtimet i bënin të futeshin në misterin e Kryqit të një vepre, që kishte të njëjtat rrënjë në Torino si në Morneze. Dhe në këtë mënyrë Provania vazhdonte të thurte vizatimin e saj.
Dom Boskoja ndërkohë në lutje kërkonte planin e Zotit për projektin e tij: themelimi i një instituti femëror ndoshta pikërisht me përfshirjen e Bijave të Zojës së Papërlyer. Në Leximet Katolike boton edhe rregulloren e tyre. Këta ishin një seri librash të vegjël, që çdo muaj ai shtypte në Torino për ungjillëzimin, për formimin shpirtëror dhe për promovimin njerëzor të shtresave popullore. Është domethënëse që pikërisht në atë korrik të vitit 1863, aspak i lehtë për Marinë, u publikua një libër me titullin: Jeta dhe instituti i shën Anxhela Meriçit i J. Frasinetit, epror i shën Sabinës në Gjenovë. Pikërisht në ato ditë Karolina Provera, një vajzë e pasur nga Mirabeloja, shkoi te dom Boskoja plot me gëzim, sepse donte t’i dhurohej Zotit.
“Më thoni se në cfarë instituti duhet të hyj!” – i kërkoi.
Dhe ai, me një shikim që përqafon horizonte të mëdha u shpreh: “Nëse doni të prisni pak kohë, edhe dom Boskoja do të ketë motrat e tij saleziane, ashtu siç ka tani klerikët e tij dhe priftërinjtë”.
Një shkëputje jo e thjeshtë
Ndërkohë një fakt tjetër e bëri edhe më të qartë tërheqjen që Maria ushtronte pa vetëdijen e saj në më të rejat e Bijave të së Papërlyerës.
U bënë zgjedhjet vjetore. Nëse deri në atë moment mbizotërimi i Makanjos i shprehur nga votimet kishte qenë absolut, tani edhe Maini kishte zgjedhëset e saj. Nuk u zgjodh. Por ai fakt shtoi humorin e keq. Madje ndonjëra që kishte mbështetur atë dhe kishte mbetur e zhgënjyer, shkoi dhe i tha: “Më thuaj, cfarë mendon për këto zgjedhje?”.
“Më duket se dolën mirë. Nuk mund të bëhej më mirë, a nuk të duket?”
“E megjithatë, – tha tjetra me ton pak dinak, unë do të kisha dashur shumë që të ishe zgjedhur ti. A e di se edhe të shumë të tjera dëshironin të ishe ti e zgjedhura?”
“Shihet qartë se mendonit gabim!”
“Këtë e thua ti.”
“Dëgjo, përse të mos falenderojmë Zotin? Përse të mos e lusim që të na ndihmojë të mos humbim kohë të çmuar për të bërë mirë?”
Maria nuk ishte me të vërtetë tipi që shkonte pas thashethemeve, sidomos kur flitej për ndarje. Përkundrazi, kishte për zemër vetëm që gjërat të shkonin në drejtim të realizimit të projektit të kushtimit total Hyjit nëpërmjet shërbimit me kohë të plotë në laboratorin-shtëpi.
Në muajt e parë të vitit 1864, kur karnavalet ktheheshin dhe kërkonin krijimtarinë edukuese, Maria kërkoi mënyrën se si ta linte familjen. U mundua, por nuk nxori dot lejen të flinte në shtëpinë e pritjes me Petronilën dhe vajzat.
Këtë herë, ai që kundërshtoi me forcë, qe i ati. Maria nuk e pa të arsyeshme të qëndronte në pozicion kundërshtimi total përballë tij. Me atë kishte pasur gjithnjë një marrëveshje të thellë. Nuk mundej, pikërisht në këtë periudhë të pleqërisë së tij, ta lëndonte me vendimet e saj.
Nga ana e tjetër, Maria e kishte tepër të qartë se Hyji dëshironte prej saj të priste. Dhe u vendos që Maini të vazhdonte të bënte si gjithmonë, por që, në raste të veçanta, të mund të kalonte edhe natën në laborator. Edhe ky hap u shënua nga vuajtja.
Petronila dëshmon: “Një mbrëmje, pasi kishte shkuar në shtëpi kush e di se për çfarë dhe për të lajmëruar se do të kishte qëndruar në mbrëmje me ne, u kthye shumë vonë dhe plot shqetësim, duke më thënë: “Kam vuajtur deri tani me babanë, i cili nuk donte të më linte të vija. Por më dhimbset ta bëj të vuajë atë njeri të shenjtë. Nga ana tjetër, kundër zërit të Hyjit nuk shkohet. Shpresoj se një ditë do të ma japë pëlqimin e tij” psherëtiu plot dhimbje por pa e humbur guximin”.
Raprezalja
Me karnavalet u kthye tradita e vallëzimit në laborator.
Organoja tepër e zhurmshme u zëvëndësua nga pianola. Katerina Maxarelo ia besoi një vajze përgjegjësinë e pianolës (mjaftone të rrotulloje manivelën) dhe përveshi mëngët për të bërë ëmbëlsira, që t’i gëzonte të gjitha.
Maria ishte gjithnjë e pranishme edhe pse nuk kërcente. “Vajzat e donin shumë, – shënon Kronihistoria, – dhe e dëgjonin me shumë dëshirë, prandaj, sapo bënte shenjë për të thënë diçka, ndaleshin të gjitha pa u ardhur keq. […] Në thelb Maria arrinte t’i bënte të hareshme në maksimum vetëm me një valle shumë të thjeshtë”.
Por kjo taktikë u ngrinte nervat atyre që, duke parë ballot e tyre publike të shkretuara, ndiheshin të tallur nga mungesa e vajzave në argëtim dhe akoma më shumë nga humbja e fitimit. U ndezën prapë fjalët e liga mes Bijave të së Papërlyerës.
Maria heshtte. Por përreth, toka e punuar fillonte të jepte frytet e saj. Tereza Pampuro jo vetëm që nuk i bashkëndante kurrë kritikat, po pikërisht në këtë moment vendosi të kalonte në shtëpinë e pritjes gjithë ditën. Kujdesej për punët e shtëpisë. Kështu, Maria dhe Petronila ishin më të lira për t’iu kushtuar punës me vajzat. Rozina Maxarelo, që kishte qenë deri tani nxënëse, duke fjetur shpesh në shtëpinë e saj, vendosi të përqafonte në gjithçka jetën e Marisë dhe të Petronilës, duke bashkëndarë punën apostolike me vajzat.
Në Valponaskë, por jo për pushim
U ashpërsuan edhe më shumë kritikat e Orsolineve të Reja dhe dom Pestarinoja, edhe pse qejfprishur, i urdhëroi Marisë të tërhiqej në Valponaskë.
Në Kronihistori lexohet: “Do të mund të hynte në fshat vetëm për meshën dhe për takimet festive me vajzat. Për ta zëvëndësuar do të kishin qëndruar përkohësisht Petronila dhe Tereza Pampuro”.
Maria u nis pa thënë asnjë fjalë që mund të tingëllonte si fyerje personale ose mosaprovimi. Heshtja, në disa rrethana, është me të vërtetë ar.
Në Valponaskë, në atë periudhë, dy vëllezërit e saj, Domenikoja dhe Jozefi, qëndronin natë e ditë për punët në vreshta. Shpesh qëndronte edhe i ati. Maria gjeti përsëri të paprekur “botën e saj të vogël dhe të lashtë” plot me kujtime. Çdo gjë i bënte t’i kujtohej thjeshtësia e asaj kohe, çapkënllëqet e vogla, stinët e dëshirës së madhe për Hyjin.
U kthye të shihte dritaren, që nga perëndimi i hapte pamjen e fshatit me këmbanën: një thirrje e Pranisë së dashur, më e rëndësishmja se të gjithë dhe gjithçka. Në orët e gjata të ditës ulej pranë dritares krejt e vetme. Qepte dhe lutej.
Për këtë periudhë tregon dëshmia e Petronilës: “Që të pushonte çdo thashethem, Maria në gjithë atë kohë nuk vinte kurrë pranë meje as në kishë. Ulej në bankën e fundit, e gjitha e përmbledhur, sikur të mos njihte asnjeri. Por ndonjëherë, kur kisha ndonjë vështirësi, i dërgoja afër ndonjë vajzë nga më të besuarat dhe e lusja që të kalonte ndonjë çast nga unë, sepse kisha me të vërtetë nevojë. Maria e shkretë vinte, më dukej sikur ishte mbi ferra nga frika se mos nuk po bindej. Unë i jepja llogari për gjithçka. I përsërisja atë që dom Pestarinoja më thoshte ato ditë, i tregoja paratë që kisha dhe dëgjoja se çfarë duhej të bëja. Pastaj ajo ikte shpejt, por jo pa shikuar rreth e rrotull me dashuri. Po kurrë nuk ka thënë një fjalë ankimi, as atëherë e as më vonë… Në atë kohë dhurata më e bukur që mund t’u jepje vajzave, ishte t’i dërgoje në Valponaskë. Besoj që, edhe nëse do të kishin të dielën ethe, do ta kishin duruar pa lodhje vetëm që të shkonin në shën Silvestër, ku Maria kishte mundësi të vinte”.
Dom Pestarinoja ndërkohë vërente gjithçka: nostalgjinë që kishin vajzat për Marinë, për atë që thoshin mamatë tani që e vërenin boshllëkun dhe mungesën në një ambient, në të cilin Maria ishte shpirti dhe forca edukuese.
Peshoi arsyet pro dhe kundër; mes qëllimit që të shmangte fjalët e këqija, të cilat po qetësoheshin, dhe nevojës kaq të hapur për të pasur përsëri Marinë, pa qartë se nga rëndonte pjata e peshores dhe vendosi të thërriste përsëri Mainin.
Kishte kaluar më shumë se një muaj. Vilet e rrushit dukeshin se po bëheshin të arta mbi hardhi, kur Maria u kthye në laboratorin-shtëpi të saj. E kishte pranuar shartimin me zemër të dorëzuar. Ishte tashmë e gatshme të sillte fryt.
Maria Ester Pozada, në hyrjen që bën në botimin e rishikuar dhe të pasuruar të Letrave të Maria Domenika Maxarelos, shkruan: “Origjina e apostullimit të saj është i lidhur intimisht me vuajtjen, me atë lloj vuajtjeje që quhet moskuptim dhe vetmi e që, duke jetuar në heshtjen e lirë nga rebelimi dhe plot e përplot me besim, përgatit zanafillën e një misioni kishtar autentik”.
Dom Boskoja në Morneze
Ishte jo e zakonshme vizita e dom Pestarinos në laborator atë ditë shtatori. Mbi të gjitha, depërtonte përtej vetëpërmbajtjes së zakonshme një gëzim që, prej fytyrës dukej se përhapej në tërë qënien e tij. Por, sapo u komunikoi arsyen e gëzimit të tij, edhe Maria me shoqet e saj u “infektuan”.
Lajmi ishte i jashtëzakonshëm për Mornezen dhe i ëmbël për to: dom Boskoja do të vinte ditët e para të muajit të ardhshëm me gati njëqind çapkënë të tijët dhe do të qëndronte deri më 11 tetor, që në ato kohë ishte festa e Marisë, Nënës së Hyjit.
Marisë, Petronilës dhe Terezës, dom Pestarinoja u besoi detyrën të përgatisnin gjërat e nevojshme për mikpritjen në shtëpinë e tij në Borgoalto. Njëqind djem për t’u sistemuar nuk janë shaka. Maria, jo vetëm nuk u shkruajua, po ndjeu një gëzim të madh.
Ishte një nga ato angazhimet që nxjerrin në pah të gjitha forcat e së mirës. Maria u hodh kokë e këmbë duke ia dalë të gjente bashkëpunim jo vetëm nga ana e Petronilës, por edhe nga ana e Bijave të së Papërlyerës.
Lexojmë në Kronihistori: “Në ato ditë mund të thuhet se paqja ishte kthyer me të vërtetë. Të gjithë ishin të gatshëm të punonin së bashku. […] Të gjitha shkonin nëpër shtëpitë që ishin më miq të dom Pestarinos dhe merrnin hua dyshekë, pjata, mbulesa, tavolina dhe dhurata si pula, gjalpë, miell, djathë, peshk të kripur, me premtimin se do të furnizoheshin me bukë, verë dhe gjithçka që do të mund të shërbente. Për shtretër as nuk u fol fare. Dyshekët u shtruan të gjithë përtokë, një pjesë brenda shtëpisë, një pjesë tjetër poshtë strehës […]. Ajo që i mungonte rehatisë, plotësohej nga bollëku i gëzueshëm.
Ngjarja e paharruar
Më në fund, 7 tetori i vitit 1864 qe me të vërtetë i paharruar për banorët e Mornezes; dom Boskoja erdhi në mesin e tyre. Bëhej fjalë për një nga pushimet lëvizëse tashmë tradicionale të vjeshtës përmes Ligurisë dhe Piemontes, për gëzimin e djemve të tij.
Ai kishte përshkuar me shoqërinë e tij të hareshme një pjesë të mirë me tren, por tani po vinin të gjithë në këmbë. Nga Serravaleja për në Morneze rruga nuk ishte e shkurtër. Kështu “shëtitja” u zgjat deri natën.
Dom Pestarinoja, i vetëdijshëm që dom Boskoja ishte më i lodhur se çapkënët e tij, i dërgoi përpara një kalë. Ishte një mëz i bardhë. Dom Boskoja në shalë duhej të kalëronte me atë forcë, zell dhe butësi që bënin të mendonin ndoshta mendjet e njerëzve të mirë të Mornezes se po vinte Shëlbuesi i mirëpritur me festë në Jerusalem.
Lemuen në Kujtesa biografike të dom Boskos shkruan: “I gjithë populli po i dilte përpara, i paraprirë nga famullitari, dom Valeja, dhe dom Pestarinoja, që, duke i dalë përpara në Serravale dhe duke i lënë në Gavi, ku atëherë kanoniku Alimonda kishte përgatitur drekën, u kishte parapriprë njerëzve për t’u kthyer në Morneze me bandën që bënte të dridhej ajri nga harmonia e saj. Të gjithë uleshin në gjunjë ndërsa kalonte dom Boskoja dhe i kërkonin bekimin me shenjën e kryqit”.
Diçka të tillë që duhet të ketë provuar Maria, që nga ajo mbrëmje e parë. Mund ta kuptojmë edhe nëpërmjet kujtimeve të Petronilës: “Menjëherë atë mbrëmje kuptuam zemrën e dom Boskos, sepse, edhe pse i lodhur si duhej të ishte, dëshiroi të shihte se ku do të flinin të rinjtë. Dhe ndoshta duke pasur frikë se ata të nënstrehës mund të kishin ftohtë, këshilloi që të gjithë të ishin të kujdësshëm e të mbuloheshin mirë, duke hedhur sipër edhe xhaketat e tyre, e të flinin të qetë deri sa të vinin asistentët për t’i zgjuar”. Shoqja besnike e Marisë mbaron tregimin: “Ne ishim të magjepsura”.
“Dom Boskoja është një shenjt dhe unë e ndiej”
Ditën tjetër dom Boskoja kremtoi herët meshën e shenjtë dhe pastaj u ndal gjatë për të rrëfyer. Kur dom Pestarinoja e ftoi të dilte nga kisha për të ngrënë pak mëngjes, u bë takimi i parë me Bijat e së Papërlyerës. Asgjë e veçantë: prezantimi nga ana e dom Domenikut i atyre që ai do t’i quante me të drejtë “krahu i tij i djathtë”. Nga ana e dom Boskos pak fjalë, por kaq të ndritura, të thjeshta dhe të ngrohta, sa të mbeten gjithmonë të shënuara në zemra.
Për Marinë ato fjalë ishin si zbulimi i një melodie të fshehtë, që ajo vetë e mbante brenda shpirtit, por që vetëm në kontakt me atë njeri të Hyjit i ishte dhënë mundësia ta interpretonte.
Thotë Kronihistoria: “I tha Petronilës se kishte ndier diçka të jashtëzakonshme, që nuk e kishte ndier kurrë më parë e që nuk dinte ta shpjegonte, por që ia mbushte shpirtin me një lumturi qiellore. I dukej se fjala e dom Boskos ishte si jehona e një gjuhe që dëgjonte në zemër, pa e ditur si ta shprehte, si përkthimi i një ndjenje të njëjtë, si diçka e pritur gjithmonë që tashmë ka ardhur”.
Pastaj erdhën ditët e lodhjes së madhe. Petronila tregoi se kishte kaluar tërë natën duke përgatitur me duart e veta makarona për gjithë ato gojë. Edhe Maria nuk pushonte. Gati në të errur, kur dom Boskoja mblodhi tërë djemtë e tij dhe në prani të gjithë popullsisë po uronte “natën e mirë” tradicionale, gjithçka ishte gati. Maria po e priste atë moment si njeriu, i cili, pasi ka qëndruar zgjuar gjithë natën, pret agimin. Kërkonte në oborr një “pikë strategjike” për të parë dhe për të dëgjuar sa më mirë të ishte e mundur dom Boskon. E gjithë qenia e saj “pinte” atë që njeriu i Zotit komunikonte me fjalën dhe me gjithë vetveten.
Shoqja e saj besnike kujton: “Të gjitha Bijat e së Papërlyerës, edhe Makanjoja, së cilës dom Boskoja i kishte lënë përshtypje shumë të mirë, si edhe neve, kishin ardhur për ta dëgjuar, por asnjëra nuk ishte e lumtur sa Maria. Ndokush e pyeti: “Ku e gjen guximin për të shkuar dhe për të hyrë mes gjithë atyre burrave e të rinjve?”, u përgjigj thjesht: “Dom Boskoja është një Shenjt dhe unë e ndjej’”.
Në planin e Hyjit nga ai takim në Shpirtin e Shenjtë do të lindte, jo shumë më vonë, një kongregatë motrash të reja të kushtuara shëlbimit të vajzave.
Ishte e shtuna e 8 tetorit, akoma më shumë, ishte nata e festës së Marisë, Nënës së Hyjit. Edhe kjo përputhet me faktet që përkonin me data mariane. Provania dukej se po tregonte planin e vet: po lindte një vepër që do të ishte “e gjitha e Marisë”.
Një projekt themelimesh realist dhe i qëndrueshem
Ndërkohë nga ana e tij dom Boskoja po i hapte mirë sytë. Në atë vend, që vepra baritore e dom Pestarinos e kishte transformuar, vajzat sidomos ishin premtimi i një të nesërmeje edhe më thellësisht të krishterë. Mjaftonte të vështroje në kishë si kremtohej mesha, si këndonin dhe luteshin besimtarët afër Marisë dhe Petronilës.
Ato konstatime personale konfirmonin plotësisht informacionet e dom Pestarinos rreth laboratorit-shtëpi dhe oratorit. Dom Boskoja nuk ishte një burrë, në të cilin entuziazmi fetar mund të përkthehej në vendime impulsive.
Kështu qe edhe përsa i përket Institutit të Bijave të Marisë Ndihmëtare që sa po lindte. Duke iu bashkuar salezianëve, do të kishin bërë me vajzat të njëjtën të mirë që po u bëhej djemve. Ai shikim i tiji mbi Maria Maxarelon dhe mbi atë fillesë vepre edukuese, në një farë mënyre tashmë në mënyrë të mistershme saleziane, nuk duhet të ketë ndodhur pa paqen, heshtjen dhe reflektimin e peshuar mirë.
Kujtesat biografike dhe Kronihistoria na sjellin një letër të motër Madalena Terezës të Motrave të Strehës, të themeluara nga Markeza Barolo, së cilës dom Boskoja jo vetëm që i ofronte një asistencë rregulltare të fortë dhe një personel salezianësh të kualifikuar, por ai vetë vazhdimisht dëgjonte e drejtonte shpirtërisht eprore dhe motra veçanërisht në festa dhe nevoja.
Edhe themeluesja e Motrave të Dashurisë të Shenjtës Mari, motër Maria Luiza Anxhelika Klarak pati jo pak kontakte me apostullin e të rinjve, ashtu si tregojnë edhe kërkimet e kujdesshme historike.
Pietro Stela shkruan se “dom Boskoja i sugjeroi motrës Klarak të ndërtonte një orator të madh për të mbledhur ndër festa bijat e popullit, duke i premtuar asaj se do t’i kishte dërguar për meshë një meshtar. Për këtë arsye, thotë Klarak, dom Boskoja mund të quhet me të drejtë themeluesi i Oratorit”.
Edukuesit më të mirë të Valdokos, si dom Gjon Kaljeroja, dom Paolo Albera, dom Françesko Dalmacoja, u dërguan nga dom Boskoja të jepnin ndihmën e tyre si meshtarë te veprat e motrës Klarak, e cila, sipas asaj që na thotë Stela, “ndër figurat femërore që ekzistonin në Torino, ishte më e ngjashmja me dom Boskon”.
Maria Ester Pozada, mbi bazën e studimeve të Ixhino Tubaldos, dokumenton kontaktet e dom Boskos edhe me mësuesen Benedeta Savio të Kastelnuovos së Astit dhe pohon: “Një grua e kulturës dhe një institucion tashmë i qëndrueshëm në strukturë, do t’i kishin ofruar atij, si është e qartë, më shumë garanci dhe siguri”.
Arnaldo Pedrini në botimin Dom Boskoja dhe themeluesit e kohës së tij, vë në dukje lidhjet familjare dhe të qarta edhe me Euxhenia Ravaskon. Autori na sjell pjesë domethënëse të ditarit të themelueses së Kongregatës së Bijave të Zemrave të Shenjta të Jezusit dhe Marisë: “Më vjen shpesh mendimi të bashkohem me salezianët, jo vetëm si bashkëpunëtore, sepse tashmë u regjistrova nga vetë dom Boskoja, por si bashkëndihmëse e themelimit të tij […]. Jam në dyshim, lëkundem…”.
Apostulli i të rinjve pati, pra, kontakte të ndryshme dhe të gjata me persona dhe vepra që kishin si qëllim shëlbimin e të rinjve të varfër dhe të braktisur. Mendja e tij medituese dhe e shkathët analizoi dhe konsideroi seriozisht këto përvoja dhe u pasurua me ide në lidhje me një projekt realist themelimi. Jo rastësisht dom Boskoja kishte ardhur në Morneze. Jo më kot ky njeri që njihte shumë situata e persona, hodhi shikimin e tij të vëmendshëm mbi Bijat e së Papërlyerës. I bindur ndaj Shpirtit të Shenjtë po parapëlqente tani veprën e përvuajtur dhe të varfër të Maria Domenika Maxarelos, për ta bërë atë gurin e këndit të institutit që ai donte të themelonte.
Një kolegj për djemtë e Mornezes?
Dom Pestarinoja e donte shumë dom Boskon, por edhe vendlindjen e vet.
Nga këto dy dashuri lindi një plan që e kishte për zemër gati sa jetën: të ndërtonte në Morneze një vepër publike në Borgoalto, në pronën që e kishte trashëguar nga familja.
“Dom Boskoja, pasi e studioi mirë situatën dhe pasi dëgjoi edhe dëshirën e shumicës, – lexojmë në Kronihistori, – u shpreh pro ndërtimit të një kolegji për djem duke premtuar që, sapo të mbaronte, do të kthehej për ta inauguar.”
Dom Pestarinoja më 16 tetor të vitit 1864 komunikoi nga altari lajmin e madh. Shenjti me të gjithë djelmoshat e hareshëm u nisën për në Torino dhe në Morneze filloi të shperthente entuziazmi.
Pra, do të kishin edhe një kolegj për bijtë e tyre. Për më tepër, jo një kolegj të çfarëdoshëm, por një shtëpi edukimi të karakterizuar nga shpirti salezian, prandaj të rinjtë do të ishin rritur të shëndetshëm, të hareshëm dhe të krishterë të formuar si ata që dom Boskoja kishte sjellë me vete në shëtitje.
Nuk duhej tjetër për të mbledhur menjëherë të gjitha forcat e gjalla të vendit dhe për t’i drejtuar në realizimin e një vepre kaq të shenjtë.
Gjatë gjithë javës mund të bënin punët e tyre. Mobilizimi i përgjithshëm ishte në ditët e festave: një ushtri e vogël burrash, grash, të rinjsh, të gatshëm të sillnin gurë, t’i mblidhnin, t’i vendosnin, t’u vinin çimenton.
Shënon dom Pestarinoja në kujtimet e tij: “Deri edhe fëmijët me karrocat e tyre të vogla transportonin gurë me një zell që të mallëngjen”.
Përsa i përket protagonistes së historisë sonë, na intereson ajo që dëshmon Petronila: “Në mëngjesin e së dielës pas meshe, vrap e në shtëpi për punët më të nevojshme. Pastaj njëra nga ne, gati gjithmonë Maria, me vajzat e konviktit shkonte nëpër rrugë dhe duartrokiste. Atëherë të gjitha vajzat nga shtëpitë e tyre vraponin përreth dhe shkonin së bashku në vendin e punës. Pastaj vinin edhe gratë […]. Rreth njëmbëdhjetës puna ndërpritej për të shkuar në meshën, të cilën e celebronte dom Pestarinoja apostafat në atë orë në famulli”.
Petulla dhe hare
Erdhi dimri dhe në shkurt karnavalet kaq të shumëpritura. Por atë vit pianoja dhe organoja pushuan. Nuk u bënë më valle në laborator, por vetëm ëmbëlsira të shijshme dhe këngë, bashkëbisedime vëllazërore dhe ndonjë darkë e hareshme. “Gurët na lodhin mjaft, – kishte thënë Maria. – Atëherë përse të sillemi rreth e rrotull vetvetes si buratinë?”
Dhe duke qenë ajo një udhëheqëse e vërtetë që bind dhe tërheq, të gjitha ishin dakord.
Hareja mbizotërone sidomos në vreshta, kur të rejat gjendeshin të gjitha së bashku për të mbledhur gurë për ndërtimin.
Për të kuptuar çfarë ishte në ato kohë për ata njerëz premtimi i një kolegji të tillë, është e rëndësishme të lexojmë në kujtimet e dom Pestarinos: “Në fshat dhe nga vendet afër Shën Shtjefnit, Shën Rrokut të Parodit, Shën Remixhit, Tramontanës, Parodit, Lermës dhe Kazalexhit, të gjithë vraponin me qerre me rërë për të na ndihmuar. Në ndonjë festë u bënë edhe deri në 22 qe, 60 gomarë, 200 persona e më shumë që sillnin gurë mbi supe nga hardhitë dhe nga shtëpitë. Dhe çdo ditë shumë gra me bijtë e tyre bënin në drekë, në orën më të lirë, një ose dy rrugë për gurë, kështu që deri në 20 muratorë kishin gjërat e nevojshme për tërë javën, madje edhe më shumë […]. Ishte një mrekulli t’i shihje të gjithë ata ndihmës të vendeve përreth të mikpritur nga fëmijët me degë pemësh dhe me kambana. Në fshat nga më i vjetri, 86-vjeçar, deri te fëmijët 8-vjeçarë, të gjithë ndihmuan në mënyrë mallëngjyese në bashkim të plotë vëllazëror”.
13 qershori i vitit 1865 ishte një tjetër ditë për t’u kujtuar në Morneze. Në Borgoalto u vendos guri i parë i kolegjit të ri. Dhe u bë një festë e madhe. Jo vetëm për mornezinët, por edhe për të gjithë banorët e vendeve përreth: një turmë në festë, më shumë se kurioze, sepse që nga fillimi kishte qenë plotësisht e përfshirë, ishte bërë pjestare dhe solidare në këtë iniciativë.
Me siguri jo rastësisht, por për një elegancë të Provanisë, kjo po ndodhte në të njëjtin vit, kur në Torino, më 27 prill, ishte vënë guri i parë i Bazilikës së Marisë Ndihmëtare. “Këtu është shtëpia ime, prej këndej do të dalë lavdia e ime” i ishte thënë në ëndërr dom Boskos që nga viti 1844. Dhe apostulli i të rinjve i ishte vënë punës me zell për t’i ndërtuar tempullin Marisë. “Maria do që ne ta nderojmë me titullin Maria Ndihmëtare, – i kishte treguar dom Boskoja dom Kaljeros në vitin 1862. – Kohët janë kaq të trishta, sa kemi me të vërtetë nevojë që Virgjëra e Shenjtë të na ndihmojë të ruajmë dhe të mbrojmë fenë tonë të krishterë. […] Zoja është themeluesja dhe do të jetë mbështetëse e veprave tona.”
Kapitulli 5
Një e ardhme e re
Do të kemi motrat tona
Më 1866 lufta shkuli njerëzit nga shtëpia dhe puna, edhe nga puna e ndërtimit të kolegjit të Mornezes. Në kujtimet e tij dom Pestarinoja shkruan: “Atëherë gratë dhe bijat e fshatit, edhe pse kishin punuar shumë vitin e kaluar, zëvendësuan të rinjtë. Të gjitha të frymëzuara nga i njëjti shpirt, ranë dakord që të trasportonin nga hardhitë, në kohë të ndryshme, gjithë materialin për pjesën e re të ndërtesës. Kështu, afër qershorit, edhe pjesa e dytë e kolegjit arriti deri te çatia.
Më 24 të të njëjtit muaj, në Torino, në një natë të shndritur nga hëna, dom Boskoja bisedoi me dom Lemuenin, në atë kohë drejtor në Lanco. Kishte festë në oborr. Zërat e hareshëm të të rinjve arrinin deri te dhoma ku ata po bisedonin.
“Sa i mirë është Zoti! – tha dom Boskoja. – Në njëzet vite buka nuk i mungoi askujt. Çfarë është njeriu në të gjithë këtë vepër? Nëse do të ishte vepër njerëzore, sa herë do të kishim dështuar!”
“Dhe nuk është e gjitha. Në po rritemi në numër dhe në vepra çdo ditë.”
Një heshtje e shkurtër. Pastaj dom Lemueni e mori fjalën: “E, pra, dom Bosko, nuk ju duket se diçka mungon për të kompletuar planin e Hyjit?”.
“Ç’do të thuash?” e nxiti dom Boskoja.
“Për vajzat, nuk do të bëni asgjë? Nuk ju duket se, po të kishim edhe ne një institut me motra për vajzat, do të ishte sikur të kurërozonim veprën tonë? A nuk ju duket se duhet bërë edhe për to ajo që po bëhet për djemtë?”
Dom Lemueni e kishte hedhur zarin pa hezitim. Në fakt përgjigja nuk erdhi menjëherë. Pasoi një heshtje e gjatë, sikur i pyeturi po i kërkonte mendim dikujt që mund t’i sugjeronte përgjigjen. Pastaj tha: “Po, do të kemi motra, por pak më vonë”.
Zoti po i udhëhiqte gjërat sipas projektit të dashurisë parandaluese.
Gjithçka për mbretërinë e Hyjit
Në fillim të vitit 1867 dy bijat e tregtarit duhej të linin shtëpinë e pritjes. Babai i tyre po transferohej diku tjetër dhe nuk ia vlejtën të qarat e tyre për t’ia ndryshuar mendjen. Por, sapo ikën, vendi u zu nga dy katërmbëdhjetëvjeçare afër Shën Shtjefnit: Maria Groso dhe Maria Gastaldi. Edhe këto adoleshente atje u gjendën menjëherë mirë, më mirë se në shtëpinë e tyre, saqë është e vërtetë që më vonë u bënë Bija të Marisë Ndihmëtare.
Ndërkohë Maini nuk kujdesej vetëm për vajzat që banonin aty, por edhe me të tjerat kërkonte mënyrën për të “hedhur rrjetat”.
Shënon Kronihistoria: “Ndihmohej nga shoqet, nga të njohurit, gjente mënyrën që t’i takonte te dalja e kishës. E dinte se një fjalë e thënë do t’i kishte bërë ta shoqëronin për një copë rrugë. Dhe kaq i mjaftonte për të hedhur farën e mirë […]. Kishte një sens praktik instinktiv, të saktë, që nuk mund të gabonte, sepse ishte i ushqyer nga vëzhgimi dhe nga përqëndrimi në lutje. Dinte të përshtatej dhe të kënaqej nga përgjigjja e bashkëpunimi që gjithsecila mund t’i jepte”.
Megjithatë dukej me interes të veçantë, në atë kohë dhe në atë vend të largët nga qendra urbane, intuita dhe aftësia e saj për të përdorur edhe librat e mirë. Atëherë ishin i vetmi mjet komunikimi shoqëror. Megjithëse kjo e re nuk kishte shkollë, ishte familjarizuar me të gjitha instrumentet e komunikimit dhe e vlerësoi menjëherë librin për Mbretërinë e Hyjit.
Petronila dëshmon: “Një herë me paratë e Bashkimit, kemi blerë njëqind kopje nga libërthi: Një vajzë që dëshiron të jetë e gjitha e Jezusit. Duke e vënë re se ishte një moment i favorshëm, i linim fletët të binin këndej dhe andej, ose bënim sikur po harronim ndonjë. Kush e merrte librin, e lexonte dhe jepte fryt”.
Një ndarje e vështirë
Në gusht ndërtimi i kolegjit kishte ecur përpara. Pasi u përfundua kisha e vogël, dom Pestarinoja mendoi të transferohej në Borgoalto. Aty do të mund t’i ndiqte më mirë punët, që në këtë fazë kishin më shumë nevojë për një sy të vëmendshëm, duke u lënë me gjithë qejf Bijave të së Papërlyerës shtëpinë e tij, atë që kishte ndërtuar afër kishës, për të qenë gjithnjë i gatshëm për shërbimin liturgjik dhe baritor.
Foli me dom Boskon dhe, siç shënon Kronihistoria, “mendoi për një moment, pastaj u përgjigj ‘po’: ishte një gjë e mirë që duhej bërë sa më shpejt. Por më parë duhej të sigurohej së Bijat me punën e tyre mund të mbulonin të gjitha shpenzime e jetesës”.
Maria, Petronila dhe Tereza u gëzuan, pa u mrekulluar shumë. E dinin që dom Pestarinoja mendonte për Bijat e së Papërlyerës që kur shtëpia ishte në ndërtim.
Më në fund! Ndërkohë Maria mori lejen për t’u ndarë përfundimisht nga familja. Një moment i ëndërruar me kohë, por që e bën zemrën të vuajë. Mes lotësh, Maria guxon t’i kujtojë të atit se nuk mund të pengohet një thirrje e Hyjit.
Maini vuan por kthehet pas dhe i përgjërohet t’et duke i kujtuar atij përgjegjësinë për të bashkëpunuar për realizimin e thirrjes së Hyjit. Jozefi dorëzohet dhe fillon të bindë të shoqen. Kronihistoria na sjell me besnikëri fjalët e tij: “Çfarë të bësh? – i thotë, – bijtë duhet të ndjekin prirjen e tyre dhe prindërit duhet t’u kundërshtojnë vetëm kur bëjnë keq. Maria ka bërë mirë deri tani. Ne nuk mund ta kundërshtojmë”.
Jo vetëm qëndroi i vendosur, por i dha Marisë 200 lira si pajë, që të mund t’u bënte ballë vështirësive të para.
Vajza, e gëzuar dhe e mallëngjyer u largua nga të sajët me një batutë qesharake.
“Dëgjoni, – tha, – mbetet e vërtetë që kjo është shtëpia ime gjithmonë dhe ju jeni gjithnjë familja ime e dashur. Në kohën e nevojës do të trokas në këtë derë. Nuk do të mbetet e mbyllur, apo jo?”
Vetëm heshtje
Në tetorin e atij viti 1867 erdhi momenti i shpërnguljes. Mbërritja në shtëpinë e re, e cila që nga ai moment do të quhet ‘e së Papërlyerës’, shënoi një tjetër kthesë: një grup i bashkuar u nda në dysh. Ato që shkuan të banonin së bashku, u quajtën Bijat e së Papërlyerës dhe të tjerat Orsolinet e Reja.
Marisë dhe Petronilës, të cilave u ishte shtuar përfundimisht Tereza Pampuro, iu bashkua edhe Xhovana Ferretino. Kateria Maxarelo, e famshme për familjaritetin e saj me organon dhe e penguar për arsye familjare të bashkohej me grupin, qëndroi mes tyre, me zemër dhe me të gjithë ndihmën e saj, edhe pse vazhdonte të banonte me babanë dhe me vëllanë furrtar.
Dom Pestarinoja, jehonë e zërit të dom Boskos, u kishte thënë: “Tani për tani vazhdoni të bëni si në laboratorin tjetër dhe më pas do të shohim. Por, nëse ndonjëra dëshiron të kthehet në shtëpi, mund ta bëjë lirisht kur t’i duket e arsyeshme”.
Ato as që e mendonin një gjë të tillë, edhe pse jeta ishte e vështirë. U mjaftonte gëzimi, për të rrezikuar ekzistencën e tyre për Zotin, duke përjetuar brenda në shpirt ngrohtësinë e një Shpirti familjar që i jepte tonalitet dhe harmoni të jetuarit së bashku.
Natyrisht, kishte edhe asish që u zemëruan; pakënaqësitë që i kishin kushtuar Marisë largimin në Valponaskë, gjarpëronin përsëri. Maria pati një reagim të vetëm: atë të heshtjes.
Kështu, thashethemet pak nga pak u zbehën dhe u bë më e madhe se kurrë simpatia dhe admirimi i mornezinëve për ato Bija kaq guximtare në të mirën, kaq të ndryshme nga gratë e reja të vendit.
Varfëri dhe hare
Nëse do të ishte bërë një vrojtim më i vëmendshëm në “Shëpinë e së Papërlyerës” do të kishte lindur një pikëpyetje. Si mund të jetonin kaq të hareshme ato të reja, nga momenti që në magje mungonte shpesh edhe mielli për kaçamakun? Dhe ndonjëherë, kur mielli ishte aty, mungonin drutë për ta zier.
Maini kthehej dhe trokiste te prindërit e saj, e shkujdesur dhe pak çapkëne: “Nënë, për drutë e atyre vreshtave mos u shqetësoni; do të shkojmë ne dhe do t’i marrim këtë vit”.
Për furnizimin me dru edhe babai i Maria Grosos, nxënëse konviktore, kishte thënë: “Bija ime e di se kemi një pyll. Shkoni aty dhe merrni dru për dimër”.
Ferdinando Makono na sjell dëshminë e një nxënëseje të laboratorit: “Më kujtohet që Maria dhe shoqet e saj ushqeheshin me një copë kaçamak, me sallatë ose me përshesh. Edhe këto në sasi të vogla, por, ajo që më mrekullonte, ishte gjithmonë hareja e Marisë, e cila dinte ta mbante gjallë”.
Gëzimi, si uji nga zhkëmbi, buronte gjithnjë i ri nga një shpirt sakrifice, i jetuar në lumturinë e atij që është me të vërtetë i varfër në shpirt.
Në procesin e lumturimit del në pah një frazë që Marisë i shërbente për të mbyllur disa gojë gjithnjë të gatshme të parashikonin se në aq varfëri nuk do të kishin rezistuar. Ajo dëgjonte dhe pastaj përgjigjej e bindur: “Kush beson në Hyjin, a mund të heqë dorë?”.
Rrufe mbi Mornezen
Ishte ajo, për Mornezen, stina e shpresës. Të gjithë vazhdonin me zell ndërtimin e kolegjit, të cilit në ato ditë i ishte përfunduar kishëza. Premtohej një e mirë e madhe nga ajo ndërtesë tashmë gati e përfunduar, ku të rinjtë do të ishin bërë edhe më të mirë se etërit e tyre.
Më shumë se të gjithë, dom Pestarinoja e kishte zemrën në festë.
Por papritur shpërtheu stuhia. Kjo është dëshmia e dom Jozef Pestarinos, nip i dom Domenikut, në procesin apostolik: “Kur një e katërta e ndërtesës, që në planimetri duhej të ishte tetëdhjetë metra përballë dhe dy krahë anësorë, ishte përfunduar si muraturë dhe dy kate ishin tashmë të banueshme, erdhi ose një vendim, ose një disaprovim formal i Kuries të Akuit që, meqenëse kishin filluar seminarin e vogël, ndoshta kishin frikë për një konkurencë. Xhaxhai im i ngadalësoi menjëherë punët dhe jo shumë më vonë i ndërpreu përfundimisht”.
Goditja ishte e rëndë, por dom Pestarinoja në fillim vazhdoi të shpresonte, madje ftoi dom Boskon në Morneze që të inauguronte kishëzën e kolegjit. Dhe ai erdhi. Edhe një herë mikpritja ishte triumfuese. Të rinjtë i dolën përpara duke i kënduar një himn që i kushtohej atij.
Natën gjatë rrugës shkëlqente një zjarr, që, nga Shën Rroku, duhej të shoqëronte dom Boskon tek kolegji. Dhe ishte aq e madhe turma, saqë karroca duhej të ecte me hap njeriu.
Atë mbrëmje dhe në ditët që pasuan, festimet ishin plot entuziazëm.
Së bashku me poezitë, këngët dhe fjalimin e kryetarit të bashkisë, u bë një garë ofertash për kolegjin dhe për tempullin e Marisë Ndihmëtare. Dom Boskoja u vu, si gjithnjë, në një shërbim apostolik, që nuk i linte kohë për pushim. Por, përsa i përket kolegjit, përmendi vështirësi të mëdha që pengonin dëshirën e tij për t’iu përgjigjur kërkesave të fshatarëve.
Para se të kthehej në Torino, dom Boskoja u ndal pak me Bijat e së Papërlyerës. Maria edhe këtë herë u prek shumë.
“Qëndroni të hareshme, – u kishte thënë atyre, – qëndroni të hareshme, sepse Zoja ju do shumë.”
Dhe ajo më shumë se çdokush tjetër u angazhua për atë tip hareje, që lindte nga praktikimi i udhëzimeve që dom Boskoja u kishte këshilluar: një dashuri e përvuajtur, e gatshme për çdo sakrificë, vetëm që të edukohen të rejat.
Kështu, kur dom Pestarinoja u propozoi që mes Bijave të zgjidhnin një eprore, nuk pati hezitime. Konsultimi u bë edhe mes vajzave të brendshme e të jashtme. Të gjitha me një zë zgjodhën Maria Maxarelon. Petronila tha: “Mirë. Tani dua të jem unë e para që do t’ju flas me ‘ju’”.
Të tjerat pohuan të gëzuara. Maria me thjeshtësinë e zemrës pranoi. Ndërsa në fshat qeshën me ato vajza kokëshkreta si me çdo gjë tjetër të çuditshme.
Provania nuk vdes kurrë
1868. Një vit i shënuar nga vështirësi të kobshme për të shkretin dom Pestarino.
Ishte akoma nëpër ajër ai “ndalimi” i famshëm i Kuries së Akuit. Do të kishte rënë me kalimin e kohës? Do të ishte kthyer mbrapsht? Dom Domeniku shpresonte e ndërkohë kujdesej për përfundimin sa më të mirë të kolegjit, duke hequr dorë nga dëshirat për ta zgjeruar më tej.
Por paratë mungonin. Edhe Petronila nxori njëmijë lirat e fundit, që i kishte fituar nga shitja e trashëgimisë së saj modeste. Madje dikush pati guximin ta quante edhe të marrë për këtë gjest.
“Por, e kupton ti, se, nëse vdes dom Pestarinoja, do të mbetesh pa një grosh?”
Dhe ajo, me përgjigjen gati, tha: “Por Provania, oh, ajo nuk vdes kurrë!”.
Në shtëpinë e së Papërlyerës erdhën edhe dy të reja të tjera: Asunta Gaino dhe Maria Poxho nga Ponti. Jeta në bashkësi forcohej çdo ditë e më shumë. Në thjeshtësi, varfëri dhe gëzim.
Ndërkohë, në Torino, dom Boskoja, më 24 Maj i kushtonte Marisë Ndihmëtare, Katolikun e përgatitur, një libër, për të cilin kishte punuar me vite të tëra dhe po në atë muaj i thotë në konfidencë dom Gjon Kaljeros se donte të themelonte një kongregatë motrash të kushtuara së mirës së vajzave të popullit, që të bënin atë të mirë që salezianët bënin për djemtë.
Më 9 qershor në Torino u shugurua bazilika kushtuar Marisë Ndihmëtare.
Maria dhe vajzat e tjera të “Shtëpisë së të Papërlyerës” duke dëgjuar dëshminë e rrobaqepësit Valentino Kampi dhe të vëllait, dy bashkëfshatarët që morën pjesë në këtë kremtim solemn në Valdoko, u mbushën me ngazëllim. Edhe dy të rinj salezianë, që dom Boskoja i dërgoi në Morneze që të kremtonin meshën e tyre të parë atje, treguan mbi atë klimë të mrekullueshme të atyre ngjarjeve.
Ishin dom Xhakomo Kostamanja dhe dom Jozef Fanjano, dy priftërinj të rinj, që në të ardhmen do të bëheshin pionierë në aventurën e madhe misionare të familjes saleziane.
Salezianët aprovohen nga Kisha
1869-a shënoi një përgjigje tjetër që Zoti i dha dom Boskos. Me 19 shkurt Shoqëria e shën Françeskut të Salesit aprovohej nga Selia e Shenjtë dhe Piu IX i shprehte gëzimin e tij personal dom Boskos.
Pastaj pranvera solli në Morneze bashkë me lulet e bardha të bajameve edhe një pushim tjetër të “atit dhe mësuesit” të të rinjve atje. Mikpritja, si zakonisht, ishte “sikur të kishte ardhur Zoti”, sa për të përdorur një shprehje tjetër të gjyqit universal.
Shenjti u interesua sërish për kolegjin, i cili, për arsyet që tashmë i dimë, nuk po arrinte të mbarohej dhe me mirësi iu drejtua edhe Bijave. Kur u nis, premtoi se do të përgatiste vetëm për to një rregullore të shkurtër, që, sapo u kthye, e shkroi me dorën e vet.
Kjo rregullore e strukturuar në mënyrë të thjeshtë, kishte, mund të thuhet, katër shtylla. Ia vlen t’i rishkruajmë, sepse aty kuptohet thelbi ungjillëzues-salezian, mbi të cilin jeta e Marisë dhe e kongregatës që sa po lindte, po ndërtohej në mënyrë më të qëndrueshme:
1) Të ushtroheshin të jetonin në Praninë e Hyjit, me përdorim të shpeshtë të lutjeve shigjetore; 2) dashuri për punën, kështu që çdonjëra të mund t’i thoshte vetvetes: mbahem me djersën e ballit. 3) punë të vazhdueshme mbi nayrën personale për të formuar një karakter të mirë, të durureshëm, të hareshëm, të tillë që të mund ta bënte virtytin më të arritshëm e të dashur dhe më të lehtë jetën në bashkësi; 4) zell i vërtetë për shpëtimin e shpirtrave […]. “Mundohuni më shumë t’ju duan, sesa t’ju kenë frikë vajzat; të keni një vigjilencë të dashur, të vazhdueshme, jo të rëndë, jo mosbesuese; t’i mbani gjithnjë të zëna me lutje, punë, pushim; t’i formoni me përshpirtëri e seriozitet, duke luftuar në to gënjeshtrën, krenarinë, mendjelehtësinë.”
Për atë grup vajzash të reja, mbi të gjitha për Marinë, ishte si një pedanë e re kërcimi. Filluan të jetonin edhe më thellë në Hyjin dhe me vëmendje aktive për të rejat, me dashuri, durim dhe gëzim, pikërisht ashtu si dom Boskoja priste prej tyre.
Një ide që konkretizohet gjithnjë e më tepër
1870-a shënoi edhe një vizitë të shkurtër të dom Boskos në Morenze, meqë po bëheshin festimet për meshën e parë të dom Jozef Pestarinos, nipit të dom Domenikut. Shihej qartë se forcohej gjithnjë e më tepër në të ideja për të themeluar një institut motrash.
Kur Rozalia Pestarino, mbesa e dom Pestarinos, mori vesh se do të vinte në Morneze shenjti i të rinjve, kërkoi ta linte për disa ditë kolegjin në Ovada ku studionte për tu bërë mësuese. Ishte një vajzë shumë e gjallë dhe simpatike. Ndihej e tërhequr prej dom Boskos si njeri që lexonte ndërgjegjet.
“Dua të di se çfarë mendoni për të nesërmen time, – tha, – kam nevojë t’ju them gjithçka.”
Rozalia u rrëfye tek dom Boskoja duke i hapur shpirtin. Përgjigjja qe e saktë dhe pa sfumatura: “Bëhuni motër!”.
Gjithnjë në vitin 1870 dom Boskoja i tha njërit nga bijtë e tij më të dashur, dom Gjon Batisti Françezia. Ishte vjeshtë dhe po ecnin së bashku nëpër rrugët e Torinos. Në një moment dom Boskoja i tha: “Tani duhet të mendojmë për vajzat”.
“Në ç’mënyrë?” e pyeti dom Françezia.
“Duke themeluar një kongregatë motrash që të bëjnë për to pikërisht atë që salezianët bëjnë për të rinjtë.”
“Do ta bëni shpejt?”
“Varet nga Provania.”
“I dashur dom Bosko! A është e mundur që nuk lodheni kurrë duke filluar gjithnjë gjëra të reja?”
“Zoti e di, s’kërkoj tjetër veç vullnesës së tij, lavdisë së tij. Nëse Ai vëren se në punët e tij hyn edhe diçka imja, do të dijë mirë se si ta shkatërrojë.”
Dom Françezia komenton: “Nuk guxonte t’i bënte dhunë Hyjit. Dom Boskoja ishte i tëri i gatshëm të ulte vetveten derisa ta thyente vullnetin e tij, vetëm për të përmbushur atë të Hyjit. Ai priste ngjarjet”.
Mrekulli në Morneze
Ndërkohë “ngjarjet” bëheshin gjithnjë e më të lexueshme. Dom Boskoja e shikonte gjithnjë e më qartë dëshirën e Provanisë, se si ndalimi i hapjes së kolegjit për të rinjtë nga ana e kuries së Akuit po luante një rol të rëndësishëm dhe shumë tregues për të. Por dom Boskoja shprehej me kujdes. Ndoshta hezitonte të tregonte një projekt që i hidhte në erë aq shumë kërkesa të drejta.
Megjithatë në vitin 1871 dom Pestarinoja mundi t’i shkruante nipit, dom Jozefit: “Kam qenë në Torino dhe u vendos për hapjen e kolegjit, por në një kuptim të jashtëzakonshëm. Dom Boskoja ka vizione shumë të gjera dhe duhet akoma të ndërtojmë”.
Prandaj u ble shtëpia Karante, një ndërtesë bri kolegjit, dhe për të vendosur për disa gjëra të nevojshme dom Boskoja vetë u kthye përsëri në Morneze.
Këtë herë, me ndërmjetësinë e shenjtit, ndodhi mrekullia e parë “saleziane”. Krahu i një fëmije disa muajsh, i thyer që në javët e para të jetës, tani po kthehej në gangrenë. E ëma i tha jo prerjes së krahut, por edhe jo vdekjes, duke zgjedhur t’ia ofronte Zojës arin e saj të nusërisë dhe duke e kërkuar mrekullinë nëpërmjet dom Boskos. Me fenë e saj të fortë tha: “Kur do të shërohet? Ma thuaj”.
“Për bujarinë e tuaj besoj se do t’ju dëgjojë, – iu përgjigj dom Boskoja. – Në fund të majit fëmija do të shërohet. Ndërkohë lutuni.”
Dhe kështu u bë. E quajtën “biri i Zojës”.
Kështu, pra, rritej gjithnjë e më shumë vlerësimi i mornezinëve për dom Boskon dhe rritej edhe vëmendja e tij për vajzat e “Shtëpisë së Zojës së Papërlyer”. Tek ato pati mundësi të vërente sa me seriozitet e jetonin orarin dhe stilin e jetës që ai u kishte propozuar. Vuri re me sa urti Maria Maxareloja mbante në dorë bashkësinë e vogël. Qoftë Bijat, qoftë vajzat e ndiqnin me bindje të hareshme. Dhe ajo dinte t’i udhëhiqte.
Një mbledhje solemne
Në majin e vitit 1871 dom Boskoja mblodhi Këshillin e Shoqërisë Saleziane: dom Ruan, dom Savion, dom Kaljeron, dom Durandon, dom Givarelon, dom Alberan të përfshirë në projektin e themelimit të institutit të motrave. Ai u kërkoi atyre të “mendonin përpara Zotit, të peshonin të mirat dhe të këqijat, pro dhe kundër, gjithë muajin të luteshin së bashku dhe personalisht me qëllim që të kishin nga Zoti dritën e nevojshme në këtë punë kaq të rëndësishme”.
Ajo që dalëngadalë ishte pjekur në zemrën e shenjtit dhe që në njëfarë mënyre ai e kishte shprehur disa herë, tani po merrte formën e një propozimi konkret shumë të rëndësishëm për të gjithë.
“Na foli me aq solemnitet, – shkruan dom Lemueni në Kujtimet biografike, – saqë nga mbledhja u larguam me një përshtypje shumë të fortë.”
Në fund të majit i thirri të gjithë përsëri dhe dëgjoi mendimin e gjithësecilit. Të gjithë me një zë ishin të mendimit se duhej të angazhoheshin edhe për vajzat. Atëherë dom Boskoja tha: “Mirë, pra, tani mund të jemi të sigurtë se është vullneti i Hyjit që të kujdesemi edhe për vajzat. Dhe, për të pasur diçka konkrete, propozoj t’i kushtohet kësaj vepre shtëpia e dom Pestarinos, që po përfundohet në Morneze”.
Më 23 qershor dom Boskoja u nis për në Romë. Kishte ardhur koha të konsultonte Zëvendësin e Krishtit rreth themelimit. Piu IX nuk u shpreh menjëherë.
“Do të mendohem, – u përgjigj, – dhe do t’ju them mendimin tim në një takim tjetër.”
Kur shenjti u kthye në Vatikan, papa foli menjëherë për argumentin: “Kam menduar mbi atë idenë tuaj për të themeluar një kongregatë rregulltaresh. Më është dukur sipas Hyjit. Ja ajo që mendoj: të kenë si qëllim kryesor të bëjnë për edukimin dhe mësimin e vajzave atë që anëtarët e Shoqërisë së shën Françeskut të Salesit bëjnë për djemtë […]. Në këtë kuptim formuloni Kushtetutën e tyre dhe filloni provën; pjesa e tjetër do të vijë vetvetiu si rrjedhojë”.
Pasi mori aprovimin kaq të përzemërt dhe të saktë nga Papa, dom Boskoja punoi më me ngut. Deri atëherë kishte ecur me hapa të ngadaltë dhe të matur, duke ua bërë të ditur qëllimin e vet vetëm më të afërmve nga bijtë, por tani u nis duke larguar çdo ngurrim.
Surpriza
Ditët e para të korrikut dom Boskoja thirri në Valdoko dom Pestarinon. I komunikoi atë që papa i kishte thënë dhe si ishte shprehur Këshilli i Përgjithshëm i Salezianëve. I tha edhe se si do të kishte dashur të quheshin rregulltaret e reja: Bijat e Marisë Ndihmëtare.
Dom Domeniku, si na tregon vetë në Kujtimet e tij, premtoi se do të kishte bashkëpunuar pa kushte dhe me përvujtëri: “Nëse dom Boskoja e pranon drejtimin dhe mbrojtjen e menjëhershme dhe absolute, unë jam në duart e tij. Do ta ndihmoj në atë pak që mund të bëj, por me gjithë zemër”.
Deri këtu ishte për atë si një ecje e mrekullueshme në një pjergull trëndafilash. Por më pas ndjeu se po e shponin thellë ferrat e tyre.
“Shiko, përsa i përket banesës, – vazhdoi dom Boskoja, – kemi vendosur që vajzat të shkojnë në kolegjin e Mornezes. Kështu, çdo kontrast me kurien e Akuit do mbyllet përfundimisht.”
Dom Pestarinoja u bë si gur. Me siguri i kaluan shumë shpejt para mendjes dhe zemrës entuziazmi, pritjet, shpresat, vështirësitë, dhimbjet dhe gëzimet që ndërtimi i kolegjit kishte ngjallur në Morneze. Dhe surpriza u bë makth.
I njihte mirë njerëzit e tij. Ky ndryshim objektivi, kthimi i kolegjit të ndërtuar me aq sakrifica në banesë për motrat, nuk do të kishte mbetur pa ndëshkim. As për atë, as për dom Boskon.
Të forta dhe të shpejta si rrufe, pyetje të tjera e përshkuan dom Pestarinon. Dom Boskoja fliste për themelimin e një instituti motrash. Po kush e kishte atë siguri absolute që Bijat do të ishin të gatshme për t’u bërë rregulltare? Maria Maxareloja, që kur ishte e re, e kishte dëshiruar shumë dhe ai angazhim i vazhdueshëm sipas mësimeve të Ungjillit mund të ishte një shenjë. Po të tjerat? Dhe pastaj në famulli kishin qenë tharm dhe dritë. A nuk ishte vetëm kjo thirrja e tyre?
Kur dom Boskoja heshti, nga rrëmuja e brendshme e dom Domenikut nuk mbeti gjë tjetër veçse një shikim i dhimbshëm, por tashmë i hapur ndaj fesë.
Kronihistoria shënon: “Kur dom Boskoja mbaroi së treguari projektin e tij, nga buzët që po i dridheshin, dom Pestarinos nuk i doli tjetër veç një pyetjeje: “Si do t’i njoh cilat ndër Bijat kanë thirrje?”. Dhe përgjigjja erdhi: “Ato që janë të dëgjueshme edhe në gjërat më të vogla, që nuk fyhen për korrigjimet e bëra dhe duket se kanë një shpirt vetëflijimi”. Kjo qe një prej përgjigjeve të paharrueshme”.
Dom Boskoja nuk ishte baba-padron, por një njeri i Hyjit, i pathyeshëm për të ndjekur projektet që e dinte se janë të Tijat, por i butë përballë bijve të vet.
Qe ky momenti kur i foli dom Pestarinos me zemër në dorë e i dha guxim të mos shqetësohej. Do të kishin realizuar gjithçka me shumë qetësi dhe me besim të plotë. Provania do të kishte bërë pjesën tjetër.
500 lira dhe një lajm shqetësues
Në “Shtëpinë e së Papërlyerës” dihej që dom Pestarinoja do të kishte ardhur sapo të ishte kthyer nga Valdokoja. Madje, me këtë rast, Bijat i kishin përgatitur një surprizë të vogël: jo më pak se 500 lira, të gjitha të fituara nga shitja e krimbave të mëndafshit, një aktivitet që e kishin nisur për të fituar pak para më tepër për të mbështetur aktivitetet e shtëpisë.
Por çfarë i kishte ndodhur dom Pestarinos?
Dukej se kishin kaluar dhjetë vite dhe sikur ishte plakur. Edhe shikimi pikonte dhimbje.
Nuk mund ta fshihte dot.
Sapo mbeti vetëm me Marinë dhe Petronilën, shfryu: “Gjëra serioze. A e dini? Në kolegj dom Boskoja, në vend të klerikëve dhe të djemve dëshiron të vendosë bija”.
“Bija?” e pyetën me zë të mrekulluar.
“Mendojeni çfarë do të ndodhë në fshat. Tani për tani kyçeni gojën. Por le të lutemi. Të lutemi shumë.”
Kur mbetën vetëm, dy shoqet panë njëra-tjetrën, gati-gati verifikuan njëra-tjetrën dhe emocionin e tyre. Por optimizmi i Marisë doli në pah.
“Më vjen keq për dom Pestarinon. Të lutemi që Hyji ta ndihmojë, por për ne… nëse dom Boskoja në kolegj do të vendosë bijat, mund të shkojmë edhe ne”.
Më vonë Petronila saktësoi: “Se bëhej fjalë pikërisht për ne, as nuk e ëndërronim. Por kishim kuptuar se ai ndryshim do ta kishte kthyer fshatin përmbys dhe do t’i kishte shkaktuar të shkretit drejtor jo pak probleme”.
Një fletore shumë e rëndësishme
Në verën e vitit 1871 iu dorëzua dom Pestarinos një fletore. Ishte për Bijat dhe e dërgonte dom Boskoja. Kishte një datë domethënse: 24 maj 1871.
Bëhej fjalë për kopjen e parë të shkruar me dorë, të Rregullës për institutin që sa po lindte, e që dom Boskoja e kishte dashur nën emrin e ndihmën e Marisë Ndihmëtare. Kishte konsultuar Kushtetutat më të mira që ishin në fuqi në institutet femërore. Mbi të gjitha iu referua rregullave të motrave të shën Anës, si na dëshmon një letër e firmosur prej tij drejtuar nënës Enriketa Dominiçi, më 24 prill 1871. Megjithatë ai i vuri vulën e tij: gjithë qëndrueshëmrinë e një stili jete të themeluar mirë në Shpirtin e Shenjtë dhe gjithë lirshmërinë dhe përshtatjen me kohën dhe me qëllimin e qartë edukues që ai kërkonte.
Nënës Enriketa Dominiçit, eprores së motrave të shën Anës dhe bashkëpunëtores së saj në hartimin e rregullave të para, ua dha ta shikonin me kujdes, sepse ai kishte ndër mend të themelonte një institut, “në të cilin bijat përpara kishës të ishin rregulltare të vërteta, por përpara shoqërisë të ishin, gjithashtu, qytetare të lira”.
Qëndrimin e Maria Maxarelos e njohim nëpërmjet një dëshmie të Petronilës në gjyqin informues për lumturimin: “Maria u shfaq menjëherë entuziaste për t’u bërë rregulltare dhe e përqafoi menjëherë propozimin e dom Boskos. Unë pranova më vonë e po kështu edhe të tjerat që ishin me ne, ndonëse nuk u përkisnin Bijave të së Papërlyerës”.
Me shumë mundësi, në zemrën e saj Maria po fillonte të shihte më qartë çdo gjë. Ai vizion vajzash në kolegjin e madh të Borgoaltos dhe fjala misterioze “Ty t’i besoj” po shkonin dalëngadalë duke u realizuar.
Korina: një vajzë e bukur dhe kryeneçe
Për dom Pestarinon ndërkohë përgatiteshin ditë furtune. Si do të kishin reaguar mornezinët kur ta merrnin vesh që në kolegj do të shkonin Bijat dhe, akoma më shumë, si motra të një instituti që po lindte?
Dielli buzëqeshte nga Bijat. Mbi të gjitha nga Maria që, sipas asaj që tregon Kronihistoria, “me shembullin e saj i jepte shtëpisë një pamje të qetë të jetës rregulltare”
Në atë përiudhë Maria Maxarelo e shfaqi edhe më shumë aftësinë e saj të lindur edukuese: duke iu dorëzuar totalisht Shpirtit të Hyjit, bëhej dhuratë këshille edhe në marrëdhëniet më të vështira me të tjerët.
E bëri këtë përvojë edhe Korina Arrigoti, mbesa e një ndërtuesi, e rekomanduar dom Pestarinos që të pranohej mes nxënëseve të brendshme. Ishte jetime nga nëna dhe bijë e një njeriu jo aq të moralshëm, i cili krenohej me vajzën që shkonte nga festa në festë dhe ishte e dhënë pas mondanitetit. Shtatëmbëdhjetë vjeç e bukur dhe e shkolluar, Korina njihte mirë pianon dhe ishte e apasionuar pas saj. Në Morneze u pranua falas. Do të mund të vazhdonte të studionte instrumentin e saj të preferuar dhe ndërkohë do t’u kishte dhënë mësim vajzave.
Përsa i përket “alergjisë” së saj për çdo propozim të tipit fetar, Maria Maxarelo nuk u shkandullua dhe as nuk u shqetësua. Pati urtinë të priste, pa këmbëngulur me rrëmbim, që Korina të pranonte të lutej me bashkësinë. Kur vajza vendosi ta bënte lirisht, ishte akoma larg nga ideja e frekuentimit të sakramenteve. Dhe Maria priti akoma.
“Vigjilonte, – thotë Kronihistoria, – që asnjëra të mos skandalizohej dhe lutej që të punonte hiri. Duke e rrethuar me kujdesin e dashurisë, për t’i fituar zemrën, kërkonte ta prekte me argumente feje.”
Dhe një mbrëmje erdhi momenti. Vetë Korina i kërkoi Marisë ta ndhihmonte të shihte më mirë në ndërgjegjen e saj ende në errësirë. Që nga ai moment filloi një jetë e re. Çdo orë kjo e re e paaftë nga mediokriteti iu dhurua krejt vetëm Hyjit. Dhe dashuria shpërtheu në të: një dashuri pa masë.
Një rrënqethje
Në dhjetor dom Boskoja, gjatë një vizite në shtëpinë e re në Varace, u sëmur rëndë. Flluska të vogla e të forta mbi gjithë trupin dhe ethe të forta me dhimbje therëse. I dhanë vajimin e shenjtë dhe kongregata e re e Salezianëve u trondit nga një rrënqethje: frika se do të humbisnin babanë e tyre.
Në Morneze lajmi u prit me trishtim. Të gjithë vuanin dhe luteshin, por në mënyrë të veçantë dom Pestarinoja, Maria Maxarelo dhe Bijat. E dëshmon një letër e gjatë e dom Domenikut, që i shkruajti dom Ruas, ku ndër të tjera i thoshte: “Në trishtimin e madh pata ngushëllimin të dëgjoja nga një Bijë që, nëse e lejoja, do t’i ofrohej si viktimë me jetën e saj Hyjit, për të fituar shërimin dhe jetën e dom Boskos. Pastaj të tjerat më kërkuan të njëjtën gjë. Unë me gjithë qejf pranova dhe një shembull i tillë, e rrëfej, më dha zemër të bëja të njëjtën gjë gjatë Sakrificës së Shenjtë”.
Dom Boskoja doli nga ai rrezik dhe filloi ta merrte veten. Dom Pestarinoja më 2 janar shkoi në Varace me dymbëdhjetë mornezinë. U kthye me zemrën plot, sepse vetë dom Boskoja u tregoi mornezinëve për ndryshimin e destinacionit të kolegjit, por edhe sepse kishte ardhur momenti ta fillonte atë projekt të institutit rregulltar që, prej zemrës së dom Boskos, kishte zënë tashmë rrënjë edhe në të tijën.
Në festën e Ujit të Bekuar, dom Pestarinoja u dorëzoi Bijave rregullat që dom Boskoja kishte përgatitur. Bëhej fjalë për t’i lexuar me vëmendje, për t’u lutur dhë për të zgjedhur. Gjithçka në lirinë më të madhe. Kush do të dëshironte të angazhohej me Hyjin për një jetë të kushtuar sipas atyre rregullave, do të fillonte insitutin që dom Boskoja me kohë kishte në mendje.
“Maxareloja, – thotë Kronihistoria, – nuk pati nevojë të mendonte gjatë. Nëse dom Boskoja kishte menduar dhe shkruar, këtë donte Zoti prej saj. Do të kishte qenë e gatshme të ecte edhe mbi zjarr për t’u bindur menjëherë dhe plotësisht.”
Ishte kaq e bindur dhe entuziaste saqë Feliçina, e motra, e cila gjithnjë e kishte admiruar dhe dashur, në atë pikë vendosi si ajo dhe filloi menjëherë të qëndronte nën të njëjtën çati. Ndërsa Petronila pati disa momente lufte.
Më 29 janar, jo rastësisht, atëherë ishte festa e shën Françeskut të Salesit, dom Pestarinoja përbushi një dëshirë tjetër të dom Boskos. I thirri të gjitha Bijat: ato që jetonin në “Shtëpinë e së Papërlyerës” dhe ato që si “Orsoline të Reja” jetonin në familje. Ishte momenti solemn. Bëhej fjalë për zgjedhjen e një eproreje të institutit që sa po lindte.
E zgjedhura thotë “jo”
Mes dy qirinjve të ndezur, mbi tavolinë, u vu një kryq.
Dom Pestarinoja filloi të këndonte “Eja, Shpirti i Shenjtë”, në mënyrë që të ishte Hyji Ai që do t’i shndriste në zgjedhjen e tyre.
Dokumenti i publikuar në Gjurmë jete, shenja të së ardhmes, saktëson disa data: “Ishin të pranishme 27 Bija të së Papërlyerës dhe detyrën si vëzhguese e pati Anxhela Makanjo. Nga numërimi i votave dolën 21 vota për Maria Maxarelon e Jozefit nga Valponaska”.
Pra, Maria u zgjodh gati me një zë edhe nga vetë personat që, me pakënaqësitë dhe murmurimet e tyre, i kishin shkaktuar vuajtje dhe largimin nga Mornezeja.
Cili ishte reagimi i Marisë? Krejt duke u dridhur, ashtu e brishtë siç ishte që nga koha e sëmundjes, u ngrit në këmbë.
“Jo, – tha, – nuk mund të pranoj. Ju falënderoj për vlerësimin dhe për besimin por unë nuk jam e aftë; më besoni, nuk jam e aftë të jem eprore.”
U bë një zhurmë e madhe. Nga ana e shoqeve të saj këmbëngulej, por nga ana e saj refuzimi forcohej gjithnjë e më shumë.
“Vetëm nëse më detyrojmë të bindem, – tha, – mund të ma ndryshoni mendjen.”
Dom Pestarinoja ndërhyri i qetë: “Nuk është një urdhër që më përket mua ta jap. Duhet të flas me dom Boskon”.
Ai emër qe për Marinë, si për një shtegtar të humbur, një dritë në errësirë. Kërkoi që zgjedhja delikate për një eprore të vihej tërësisht në duart e tij. Të tjerat pranuan vetëm me një kusht: që ajo të qëndronte si asistentja e parë me titullin ‘zëvendësuese’, sipas Kushtetutës. Në atë moment ujërat u qetësuan. Asistente e dytë u zgjodh Petronila, mësuese e novicieve Feliçina, motra e Marisë, ekonome Xhovana Ferretino. Makanjoja vazhdoi të ishte eprore e Orsolineve të Reja domethënë e atyre Bijave që jetonin në shtëpitë e tyre.
Guri i duhur
Por në Morneze ujërat nuk ishin të qeta. Dihet, disa lajme janë si pluhuri i luleve në pranverë, era e çon kudo. Kështu ndodhi edhe për atë që u vendos me Bijat dhe me kolegjin.
Aq më shumë që Orsolinet e Reja, duke mos e ndier që të përqafonin jetën rregulltare në bashkësi, kishin mbetur pak keq.
Nëpër rrugë shpesh formoheshin grupe njerëzish. Dhe, nëse rastësisht dom Pestarinoja ose një nga Bijat afroheshin, zërat uleshin shpejt. Por fluturonin ca shikime që ishin plot me kërcënim. E megjithatë, atij që i afrohej dom Pestarinos për të shfryrë frikën që mbante brenda, ai i përgjigjej: “Kush dëshiron të rrijë me dom Boskon hesht, lutet dhe ia lë Zojës në dorë”.
Kështu, kur Zoja, Ndihma e të Krishterëve hyn në lojë, mund të shihet qartazi se në duart e saj edhe rrethanat më të paparashikueshme bëhen të favorshme. Kjo është Provania. Këtë herë burim i kësaj të papriture ishte komuna e Mornezes. Ishte 8 maji i vitit 1872 dhe me këshilltarët komunalë duhej të zgjidhnin shtëpinë e re për ta bërë çelë, sepse banesa e vjetër e famullisë veç duhej rrëzuar, kaq keq ishte katandisur. Kështu që pikërisht këshilltari Domenik Maxarelo, kundërshtues e paepur i dom Pestarinos, nxori në shteg bisedën mbi shtëpinë e së Papërlyerës: “Le të shpërngulen Bijat, – propozoi, – dhe tani për tani të dërgohen në kolegjin e ri që ka ambiente bosh me tepri”.
Ai burrë me siguri nuk ishte në dijeni se kishte lëvizur pikërisht gurin e duhur për të realizuar jo një projekt të tijin, por planin e Hyjit. Dom Pestarinoja e kuptoi fluturimthi dhe tha “po”.
Verbali i këshillit komunal, i publikuar tërësisht në librin: Gjurmë dhe jetë, shenja të së ardhmes, na bën të njohur edhe se si e shikonin njerëzit grupin e Bijave të së Papërlyerës që banonte në shtëpinë që i takonte në të vërtetë dom Pestarinos.
Zhvendosja u bë pikërisht në vigjiljen e festës së Marisë Ndihmëtare, më 23 maj. Kështu, gati në të errur, për të mos u rënë në sy njerëzve që nuk donin që Bijat të shkonin në kolegj, u bë zhvendosja. Asnjë mjet transporti. As edhe një qerre. Çdo banor i “Shtëpisë së të Papërlyrës” ngarkoi mbi shpatulla ato pak gjëra që kishin, dhe shkuan e erdhen disa herë derisa gjithçka ishte në rregull. Gjërat e fundit që u transportuan, ishin krimbat e mëndafshit. Atyre që shqetësoheshin se kjo “shëtitje” mund t’i dëmtonte ata, dom Pestarinoja u thoshte: “Bindja do të bëjë mrekulli edhe për krimbat”.
Kështu u bë: atë vit prodhimi qe i bollshëm më shumë se kurrë.
Një 24 maj i paharrueshëm
Pikërisht më 24 maj, pra, ndërsa në Torino dom Boskoja celebronte solemnisht festën e Marisë Ndihmëtare, Bijat inauguronin shtëpinë dhe një jetë më të rregullt në kolegj. Atë ditë vajzat, duke i injoruar mërmërimat e bashkëfshatarëve të rritur, ishin entuziaste. Për to një oborr me aq hapësirë dhe ambientet më të gjera përbënin një risi të shkëlqyer.
Dy nga vajzat që flinin aty, Rozina Maxarelo dhe Maria Poxho, iu afruan Marisë për t’i kërkuar që të mund të ishin pjesë e familjes rregulltare të themeluar nga dom Boskoja. Në një ditë si ajo asnjë kërkesë tjetër nuk do ta kishte gëzuar më tepër.
Ditët i ritmonin duke u lutur gjithnjë e më thellë dhe duke punuar pa pushim dhe puna nga lutja merrte kuptim. Në kolegj Bijat jetonin pak më të veçuara nga fshati, por jo aq sa të mos ndienin thashethemet si një valë kthimi plot hidhësi. Nxënëset nuk ngurronin të flisnin, ato tregonin gjithçka bisedohej në fshat.
“Thonë që jeni gra të mjera që mbylleni kështu. Thonë se do të lodheni shpejt… se do të vuani. Dhe pastaj – a e dini? – ata e kanë inatin me ju për shkak të dom Pestarinos. Për ato katër të marra, – thonë, – ai banon në Shtëpinë Karante dhe, nëse do të kremtojë meshën në kolegj për ato, do të kemi një meshë më pak”.
Maria Maxareloja i shkundte krahët dhe ia priste shkurt diskutimit: “Të thonë ç’të duan; ne le të bëhemi të shenjta”.
Marisë nuk i vlenin ballet e rrudhosura nga mendimet. Kishte aftësi të bënte të lindte dielli edhe në ditët me re dhe të shndërronte në kënaqësi jo vetëm fjalët më të palezetshme dhe punët më monotone, por edhe ato më të rëndat […]. Me karakterin e saj të gjallë, të dashur dhe gazmor mbante të hareshme edhe shoqet. Dhe pas lodhjes së ditës hiqnin urinë me pak kaçamak”
Një shije feste
Ditët ngjyroseshin me qetësinë, me të cilën i përballonte dhe i organizonte zemra e saj. Janë ditë të kaluara në thjeshtësi dhe në varfëri, por jo në rutinë. Të famshme mbeten daljet te përroi në Roverno. Jo pse në kolegj nuk mund të lanin e sistemonin të gjitha rrobat. Por, nëse njerëzit shkojnë Roverno, përse të mos shkojmë edhe ne të paktën për të shpëlarë?
Me në krye Marinë, grupi shkonte te përroi i vetëm, që ishte disa kilometra larg. Megjithatë për të dhe për vajzat kjo punë merr shijen e festës. Në mesditë, në mes dy gurëve vendos disa dru dhe ndez një zjarr të madh. Flaka nxeh supën dhe duart e ngrira, kurse zemra e saj vëzhgon e vëmendshme secilën: atë të lodhurën që ka etje, atë që mund të punojë dhe atë tjetrën që ka nevojë jo vetëm të pushojë, por edhe të qeshë e të bëjë shaka.
Kështu, larja e rrobave merrte karakterin e një feste popullore. Mbi të gjitha, më të rejat ushtroheshin në sakrificë, po kurrë nuk trajtoheshin me ashpërsi.
Për sa i përket punës në kolegj, vazhdonin çmimet modeste për qepjen e veshjeve dhe ndërresave. Kështu kishin kërkesa edhe nga vendet rreth e rrotull.
Por Maria ushtrohej të shmangte çdo shfrytëzim të mundshëm. “Vërtet jemi gra, por askush nuk duhet të përfitojë nga ne, – thoshte. – Ç’është e drejtë është e drejtë”.
Ndërkohë Maria i kërkonte me këmbëngulje dom Pestarinos: “Kur do të vendosë dom Boskoja të dërgojë eproren?”.
“Dom Boskoja e ka premtuar dhe do ta dërgojë. Por ka thënë edhe që ti të vazhdosh të jesh zëvendësja.”
“Më bëni një nder: kujtojani përsëri. Shkruajini që të na e dërgojë shpejt.”
“Vazhdoni të bëni siç keni bërë deri tani. Hyji do ta mendojë kur të jetë koha.”
Maria ulte sytë. Kur do ta kuptonin se asaj i interesonte vetëm t’i dhurohej Hyjit dhe t’u shërbente të tjerëve në dëgjesë dhe varfëri?
Kapitulli 6
Një hir për vajzat
Një ipeshkëv, dom Boskoja dhe 5 gushti
Ipeshkvi i ri i Akuit, monsinjor Jozef Maria Shandra, pas festës së Corpus Domini, pati një bronshit të gjatë dhe të keq.
Mjeku për konvaleshencë i urdhëroi të shkojë në një vend me ajër të shëndetshëm të kodrave të Monferratos dhe dikush i sugjeroi Mornezen.
Kështu ndodhi që Provania çoi një ipeshkëv në kolegj dhe dom Boskoja vendosi për kalimin e Bijave nga gjendja laikale në jetën e kushtuar. Jo rastësisht Kronihistoria shkruan: “Dom Boskoja në të gjitha veprat e tij priti që në një mënyrë apo në një tjetër Hyji t’i tregonte kur dhe si. Ai e kuptoi menjëherë se ai rast ishte urdhëri prej qiellit”.
Në marrëveshje me dom Pestarinon vendosi që në kolegj nga 1 gushti të bëheshin ushtrimet shpirtërore dhe e luti ipeshkvin të udhëhiqte funksionet, ngaqë ai nuk do të mund të largohej nga Torinoja. Por monsinjor Shandra nuk ishte i të njëjtit mendim. Si të mos ishte i pranishëm themeluesi i institutit, pranina e të cilit ishte kaq e dëshiruar, pikërisht në atë ditë?
Ipeshkvi u bë si i shurdhër ndaj çdo arsyeje dhe dërgoi sekretarin e tij deri në Torino që të merrte dom Boskon. Kështu, para se të përfundonin ushtrimet, ai erdhi.
Pikërisht në atë ditë kushtuar Zojës së Borës, më 5 gusht, në praninë e themeluesit, imzot Shandra kremtoi meshën dhe bekoi veshjen rregulltare që çdonjëra mbante në duar. Pastaj pranoi kushtet e atyre që ishin pranuar.
Në verbalin e themelimit të institutit janë sjellë të gjithë emrat e 11 Bijave të Marisë Ndihmëtare dhe të katër novicieve: Maria Maxarelo, Petronila Maxarelo, Feliçita Maxarelo, Xhovana Ferretino, Terca Pampuro, Feliçita Arreko, Roza Maxarelo, Maria Groso, Korina Arrigoti, Klara Spaljardi dhe Margarita Mota.
Në dokumentin e rëndësishëm, që mban datën 8 gusht 1872, i redaktuar nga Kuria e Akuit, gjenden lajme historike domethënëse dhe dallohet ndërhyrja vendimtare e dom Boskos, që sheh të realizuar projektin e tij për edukimin e krishterë të vajzave të popullit.
Aroma e livandos
Ipeshkvi nuk deshi ta bënte homelinë dhe i takoi, kështu, dom Boskos ky nder. Mendimet, për të cilat ai foli, kanë ende sot aktualitetin e tyre, aq janë të vërteta në forcën e dashurisë së tij për Hyjin, për Marinë Ndihmëtare dhe për këto Bija, që ai po i përfshinte në një aventurë të vështirë dhe entuziazmuese.
Tha që i kuptonte vështirësitë, përndjekjet, përbuzjen e të gjithë bashkëfshatarëve edhe madje të familjarëve. U tha të mos e humbnin guximin për këtë. Babai i shën Françeskut të Asizit kishte bërë edhe më keq me të birin.
Iu referua një bime, livandos, dhe një vargu të marrë nga lutjet e Zojës: “I dashuri im ka një aromë të këndshme”. Por a dini se kur ndodh kjo? Vetëm nëse livandoja shtypet mirë e mirë, e lëshon aromën e vet”
I nxiti, pra, të pranonin për dashuri sa më të pastër ndaj Hyjit çdo keqtrajtim dhe ashpërsi. I siguroi për të mirën që do t’u bënin vajzave, pikërisht për arsye të jetës rregulltare që po përqafonin, edhe pse tani shikonin vetëm kundërshti: “Unë ju siguroj që instituti do të ketë një të ardhme të madhe, nëse do të mbaheni të thjeshta, të varfra dhe të flijuara”. Shprehu pastaj idenë thelbësore të asaj dite dhe të themelimit të ri: “Ja, pra, gjithçka të mirë kemi bërë deri tani, e kemi bërë vetëm në sajë të Zojës Ndihmëtare. Prandaj dëshiroj që ju të jeni monument i gjallë falënderimi ndaj kësaj nëne të mirë. Po, ky monument janë Bijat e Marisë Ndihmëtare”.
Nëse mendojmë që dom Françesko Cerruti, për 31 vjet drejtor i pëgjithshëm i shkollave saleziane dhe mik shumë i afërt i dom Boskos, në gjyqin informues tha se kishte dëgjuar shumë herë nga goja e dom Boskos këtë mendim, kuptohet, pra, për sa kohë shenjti e kishte pjekur këtë vendim në zemër, me shpresë, dëshirë dhe duke pritur”.
Atë ditë në çdo vend, në çdo qoshe të shtëpisë, motra, novicie dhe vajza i këndonin Zojës. Përsa i përket Marisë, dihet që, sapo doli nga kisha, në një atmosferë magjepsëse, në atë heshtje të mbushur me premtime dhe me angazhime shpërtheu në një thirrje të zjarrtë: “Oh, le të bëhemi shenjte; duhet të bëhemi shenjte të mëdha”.
Udhëheqësja e institutit të ri
Dom Boskoja u nis në të njëjtën ditë, jo pa u takuar gjatë me dom Pestarinon, i cili e informoi, hollësisht për ecjen e bashkësisë së re. Nga ana tjetër dom Pestarinoja nxori nga xhepat disa shënime, nga të cilat si Makonoja, ashtu dhe Kronihistoria patën mundësinë të na përçonin atë që ai kishte shkruar mbi Maria Maxarelon.
Ja ajo që dom Boskoja lexoi atë ditë: “Maria tregohet gjithnjë me shpirt të mirë dhe me zemër të orientuar drejt lutjes. Frekuenton gjithnjë sakramentet e shenjta të rrëfimit dhe të kungimit dhe është shumë e devotshme ndaj Marisë së shenjtë. Karakteri i saj i zjarrtë është zbutur nga bindja. I largohet gjithmonë rehatisë dhe delikatesave dhe, nëse zëri i dëgjesës nuk do ta mbante, do të ishte konsumuar shpejt në flijime dhe pendesa. Është një zambak i pastër, e thjeshtë, e sinqertë, e qorton të keqen kudo që ta shohë. Nuk kujdeset që të ketë reputacion prej njerëzve. Punon me të vetmin qëllim për t’i dhënë lavdi Hyjit dhe për të mirën e shpirtrave. Gati nuk di të shkruajë, di të lexojë pak, por flet kaq me finesë dhe delikatesë përsa u përket virtyteve dhe me një aftësi bindjeje dhe të tillë qartësi, sa shpesh të bën të mendosh se e frymëzon direkt Shpirti i Shenjtë. Pranoi me dëshirë të hynte në institutin e ri dhe ishte ndër më të angazhuarat në të mirën dhe e nënshtruar eprorëve. Është me karakter të çiltër, të zjarrtë, të zellshëm, me zemër shumë të ndjeshme. Tregohet gjithnjë e gatshme të pranojë çdo vërejtje që i bëhet nga eprorët dhe u jep atyre prova përvujtërie, nënshtrimi dhe respekti”.
Një dorëshkrim i dom Pestarinos i sjellë nga Makonoja, nga Kronihistoria dhe nga një biografi e shkurtër mbi Maria Maxarelon e shkruar më 1881 nga dom Lemueni në Buletinin Salezian, zgjatet akoma mbi përvujtërinë e Maria Maxarelos, e cila “plot me zell kur mbështeste atë çka i dukej e arsyeshme, njëkohësisht u lutej shoqeve që t’ia tërhiqnin vëmendjen kur ajo gabonte në ndonjë gjë”.
Dom Boskoja u kushtoi shumë vëmendje këtyre informacioneve. Formoi përshtypjen se nga këta hapa të parë instituti i udhëhequr nga Maria Maxarelo do të forcohej me një autonomi të vërtetë.
“Kufizoni, pra, veprimet tuaja, – i tha dom Pestarinos, – bëni rolin tuaj vetëm si këshilltar, ndihmës dhe drejtor shpirtëror. Për udhëheqjen e brendshme motrat të veprojnë vetë me eproret që kanë zgjedhur në ditën e shën Françeskut të Salesit.”
Para se të përshëndeteshin, dom Boskoja i mblodhi edhe një herë motrat dhe i përgëzoi për atë që në emër të Hyjit dhe të Marisë Ndihmëtare kishin ndërmarrë. Pastaj u paraqiti eproren e tyre, motër Maria Maxarelon: “Gëzon besimin tuaj, – tha, – dhe ka qenë ndër të parat mes jush që ka përballuar vështirësitë, si pasojë e gjendjes së re. Dëgjojeni, pra, dhe bindjuni. Për tani do të ketë vetëm titullin zëvendësuese, sepse eprorja e vërtetë do të jetë Zoja”.
Kur tashmë ishte në të ikur, pasi kishte përsëritur: “Ju këshilloj, qëndroni të hareshme, jua përsëris, qëndroni të hareshme”, ja dhe motër Maria i afrohet shpejt, gati duke e ndaluar tek pragu i derës.
“Atë, – i lutet, – mos harroni, këtu ne të gjitha presim eproren. Unë mund ta zëvendësoj vetëm për pak.”
Një shikim atëror e mbështolli: “Rrini e qetë dhe besoni në Zotin, – iu përgjigj, – Ati do të mendojë”.
Nëse në kolegj festa i ngriti zemrat në qiell, në Morneze humori i keq dhe zemërimi shkaktuan një ferr të vërtetë. Dom Boskoja, duke u nisur, nuk kishte pasur iluzione; vendi ishte kundër faktit tashmë të kryer. Ata njerëz, që e kishin pritur shumë herë si një mbret, tani ishin kundër tij. E denonconte këtë mospërfillja, me të cilën e shihnin tek largohej, e shprehte shikimi i shtrembër i shumicës dhe disa fjalë të shkurtra e therëse. “Humori i keq i atyre njerëzve të mirë, me të cilët ishte i lidhur, e plagoste zemrën e tij të butë dhe të ndjeshme.”
Strategjia dhe joshja për Korinën
Ndërkohë edhe mbi bashkësinë e re rregulltare mbidheshin provat, si retë përpara shiut. E para, shumë e dhimbshme për atë familje kaq të bashkuar tashmë në një vëllazëri të vërtetë, ishte nisja e novicies Korina Arrigoti. Gjoja për shkak të sëmundjes së gjyshes, i ati e thërriste në shtëpi. Motër Korina i tha motër Marisë: “Unë duhet të shkoj. Përndryshe puna do të vejë më keq”.
Por as ajo, as motër Maria dhe as motrat e tjera nuk kishin iluzione: për Korinën priteshin ditë të vështira. Do t’i ishte dashur të luftonte kundër joshjeve, të shkonte buzë kënetës.
“Përshëndetja u bë në heshtje dhe lot” shënon Kronihistoria. Edhe ditët që pasuan, na sjellin vetëm një këshillë të vazhdueshme të motër Marisë: “Të lutemi dhe të mos pushojmë së qeni të gëzuara. Zoti është me motër Korinën dhe me ne”.
Parashikimet u realizuan me saktësi. Korinës iu desh t’u nënshtrohej provave më të forta për atë që ka një zemër të ndjeshme: të gjithë të afërmit i tregoheshin tepër të dashur dhe s’e linin rehat askund. Ishte një strategji. Në fakt prej saj prisnin vetëm një gjë: që të kthehej dhe të bëhej “ylli” i festave mondane.
Por ajo nuk hoqi dorë. As joshjet, as kërcënimet nuk e ndaluan t’i thoshte të atit me vendoshmëri që shtëpia e saj tani ishte në Morneze.
Duke qenë se as babai i saj nuk mundi ta mohonte progresin që kishte bërë e bija në piano dhe në bërjen e punëve të shtëpisë, ajo guxoi: “Baba, përse nuk më lejon që të vazhdoj studimet në Morneze? Në fund të fundit është falas. Dhe mendo, mund të më çosh me Idën, motrën. Me mësimet që do t’u jap vajzave nuk do të paguajmë asgjë, ta siguroj”.
Kishte prekur telat e duhur dhe kështu, pas një muaji “azili”, u kthye në Morneze. U bë një festë e madhe: për të dhe për zemrat e motrave, duke filluar nga zemra amnore e motër Maria Maxarelos.
Gojët e liga
Ndërkohë humori i keq i mornezinëve për shkak të kolegjit, nuk dukej se po qetësohej. Përpara mendonin se Bijat në kolegj do të kishin qëndruar për pak kohë. Tani nuk kishin më iluzione: ato “murgesha” kishin zënë vend si në shtëpinë e tyre. Por, për më tepër, dom Pestarinoja, kaq i vëmendshëm në përkujdesjen për ato dhe për vajzat, u dukej atyre njerëzve si të ishte tërhequr në një farë mënyre nga detyrat e veta baritore në famulli.
Në qendër të shënjestrës ishte pikërisht ai, dom Pestarinoja, saqë Makonoja dhe Kronihistoria vëzhgojnë se ishte objekt jo vetëm fyerjesh por edhe kërcënimesh të hapura.
Shkuan kaq larg në qëndrimet e tyre armiqësore, sa më të tërhequrit dhe të heshturit u ngritën për ta mbrojtur.
Përsa u përket atyre të rejave të varfra, të veshura me stof bojëkafe dhe me një vel të kaltër mbi kokë, nuk mund të dilnin nëpër rrugët e Mornezes pa ngjallur ngërdheshje dashakeqe dhe fjalë fyese te kalimtarët. Dihet, një shuplakë dhemb, por të plagos më tepër ironia, sarkazma, mëshira përqeshëse. Ndodhi që disa prej vajzave shkuan te motër Maria me zemrën në revoltë.
“Mos na ço më nëpër rrugë, mos na dërgo më.”
Ajo, e vendosur, përgjigjej: “Çfarë na intereson ajo që thonë? Tani ne jemi rregulltare dhe veshja është shenja. Le ta shikojnë veshjen tonë dhe le të reagojnë si t’ua marrë mendja. Ajo që ka rëndësi, është t’i japim lavdi Hyjit dhe të bëhemi të shenjta”.
Dhe, duke parë lotët që disave u dalin nga sytë kur dikush i fyente, thoshte: “Të sharat është më mirë t’i marrësh se t’i thuash”.
Libra dhe gojë për t’u ushqyer
Të njëjtin ton hijerëndë, por jo të ngurtë, patën edhe konferencat e para javore që u zhvilloi motrave e që, jo rastëshisht, filluan më 15 shtator të po atij viti, festa e Zojës së Dhimbshme.
Kronihistoria e përmbledh kështu: “Motër Maria thotë që jo vetëm ajo, zëvendësja e shkretë, duhet të çojë përpara shtëpinë sipas rregullave dhe dëshirës së dom Boskos, por çdonjëra nga motrat duhej t’i ishte ndihmë dhe këshillë dhe prandaj çdonjëra duhej të përparojë në më të mirën në çdo kuptim”.
Kështu, iu duk e qartë se si rrugët e pjesëmarrjes dhe të bashkëpërgjegjësisë përshkohen gati instinktivisht, sapo zemra e asaj që udhëheq, e lejon veten të udhëhiqet në gjithçka nga Shpirti i Shenjtë.
Dhe duke qenë se Shpirti i Shenjtë, për të qënë në krye të timonit, ka nevojë që barka të jetë e përvuajtur, zëvendësja e gjeti mënyrën se si të ushtrohej në këtë virtyt.
Ajo dhe disa motra të tjera nuk ishin shumë të familjarizuara me Shkrimin e Shenjtë, disa prej tyre nuk dinin as të lexonin. Por motër Anxhela Zhande, të cilën dom Boskoja e kishte dërguar nga Torinoja vetëm dy javë para se të fillonin ushtrimet shpirtërore, kishte diplomën si mësuese dhe ishte e zonja në punën e vet. Zëvendësja iu lut që çdo ditë t’i jepte pak mësim asaj, motrave dhe vajzave. Qe një shkollë me shpejtësi të ndryshme. Kishte nga ato që mësonin shpejt, të freskëta në vite, me kujtesë të mirë dhe kishte nga ato që lodheshin.
“Motër Maria, – shënon Kronihistoria, – në të shkruar e ka dorën të vonuar dhe të pabindur dhe thotë me urtësi: ‘Përvujtëria u bën mirë të gjithëve: mua veçanërisht.’”
Ndërkohë varfëria troket edhe më fort në derën e kolegjit. Disa nëna mendojnë se dom Boskoja dëshiron t’i bëjë rregulltare të gjitha vajzat më të mira të vendit. Është, pra, e rrezikshme t’i çojnë ato akoma në laborator. Pakësohet edhe numri i nxënëseve, edhe prespektiva për t’u bërë mirë, por edhe fitimet e vogla ekonomike.
Nga Torinoja dhe nga vende të tjera vijnë vajza të reja. Familja rritet, por rriten edhe gojët për t’u ushqyer. Nuk mjafton që motër Petronila të shkojë në kërkim të rrobave për të prerë, duke trokitur derë më derë. Nuk mjaftojnë më krimbat e mëndafshit. Dhe as nuk mjafton që dom Boskoja të dërgojë thasë për të larë e arnuar dhe çfarë atij i dukej më e nevojshme për shtëpinë e re. Me oreksin e kaq vajzave të reja është e vështirë të luftosh. Vetëm besimi total i Marisë në Provaninë arrin të mos dorëzohet. Është e vërtetë që varfëria gjen shtëpi në Morneze, por nuk ka pamjen e një nevoje pa rrugëdalje, por atë të lumturisë ungjillore.
Pas shumë vitesh, motër Eulalia Bosko, mbesa e shenjtit dhe këshilltare e përgjithshme, tregon: “Kam dëgjuar me veshët e mi të thuhet nga motrat e para se si në ato rrethana të dhimbshme Maxareloja diti ta mbante lart moralin e motrave dhe t’u jepte atyre aq forcë, sa të pranonin varfërinë dhe jo vetëm kaq, por të dëshironin edhe sakrificat”.
Është domethënëse ajo që lexohet në tekstin Nga Jeruzalemi në Morneze dhe në të gjithë botën: “Vula e një ‘matirizimi’ të përditshëm shënon të gjithë bashkësinë. Format janë të ndryshme dhe mund të kenë emra të ndryshëm: uri dhe mundime, sëmundje, keqkuptime, përqeshje të mornezinëve dhe largime të motrave të reja.
Emilia Moska, konteshëza
Më 30 dhjetor të vitit 1872 kaq të mbushur me ngjarje, erdhi në kolegj Emilia Moska, një zonjushë nga një familje fisnike.
Ishte mbesa e arkitektit Bernardino Moska, i cili, duke projektuar urën Moska mbi Dora, në Torino, kishte fituar titullin Kont e, gjithashtu, edhe miqësinë e mbretit Karl Albert.
Nga ana e nënës, Emilia rridhte nga kontët Belegardë të Shën Larit. Në Morneze e shtynte nevoja urgjente për një punë si mësuese frëngjishteje, ngaqë familja e saj ishte ngushtë financiarisht. Dom Boskoja i kishte propozuar të shkonte atje lart, duke iu përgjigjur një rekomandimi të të atit, i cili ia kishte besuar dy djemtë dom Boskos në Valdoko.
Emilia Moska, pikërisht në vizitë te dy vëllezërit, kishte takuar shenjtin. Dhe ai e kishte vështruar në thellësi. Nuk i kishte shpëtuar pa ia dalluar në sy flakën, por edhe buzëqeshjen lehtësisht të menduar, buzëqeshje tipike e personave që kanë vuajtur shumë. Pas ballit të gjerë zbuloi forcën e një mendjeje që është mësuar të reflektojë.
Ajo që i tha, ishte provokuese: “E ju zonjushë, – e pyeti, – do të shkonit me gjithë qejf në Morneze? Por shikoni, se atje ka një farë ajri… Shkoni e përgatitur…Nuk e ndjeni kurrë dëshirën për t’u bërë rregulltare?”.
Ajo pyetje e zuri të habitur, por nuk e bindi aspak. Ndërsa po bënte rrugën nga Novi për në Morneze, mendimet e Emilias riktheheshin te fjala e dom Boskos.
“Unë rregulltare? – bluante brenda vetes. Kjo po që është e bukur! Jo jo, nuk kam pasur kurrë qëllim të bëhem e tillë. Në Morneze po shkoj e detyruar nga nevoja për të fituar dhe për të ndihmuar familjen. Jo për tjetër gjë.”
Me Emilia Moskën impakti qe tërësisht i ri për motër Marinë.
Ajo zonjushë e përmbajtur në fjalë e në gjeste e shumë e rafinuar në paraqitjen e jashtme dhe në sjellje ishte, mes “banoreve” të kolegjit, si një gur i lëmuar e i çmuar, mes gurëve të zakonshëm të kodrinave.
E megjithatë nuk dukej se mezi e duronte atë ambient. E saktë çdo ditë në detyrën e saj, sillte në shtëpinë-kolegj një element elegance jo të zakonshtë për atë ambient.
Motër Maria e vëzhgonte me atë shikim të dashur dhe të vëmendshëm, që, i shndritur nga Shpirti i Shenjtë, e vëshgonte, e vlerësonte, por njëkohësisht ndikonte mbi zemrën e saj.
Gati duke qeshur, pas disa ditësh, i kërkoi të braktiste mënyrën e të veshurit pak si tepër elegant për atë ambient. Emilia e priti mirë këtë vërejtje.
Motër Maria i flet shpesh. Emilia e dëgjon. Asaj mendjeje reflektuese dhe të vëmendshme i hapen horizontet e Zotit.
Në Morneze Emilia Moska dëgjon nga zëri i motër Marisë atë që më vonë do të mund ta shohë qartazi të jetuar prej. Gëzimi përfshirës i motrave dhe nxënëseve bën që t’i përmbysen edhe hezitimet e fundit. Pas një muaji qëndrimi në kolegj Emilia Moska bën kërkesë të pranohet mes të rejave që përgatiten për t’u bërë rregulltare.
Me këtë vajzë instituti i ri fiton një element të çmuar, të destinuar të sjellë me dhuntitë e saj jo të zakonshme të mendjes e të zemrës një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e veprës edukuese të Bijave të Marisë Ndihmëtare.
Po nuk do të kishim pasur Emilia Moskën me të gjithë aftësitë e saj të përkthimit femëror të sistemit edukues salezian, nëse nuk do të kishte qenë prania e përvuajtur dhe e ditur e asaj, që në orën më delikate të rinisë diti t’i jetë nënë dhe këshilltare.
Emilia hyri në institut dhe novicia Klara Spaljardi iku. Në Morneze jeta është e varfër dhe e ashpër, por edhe shumë e lumtur. Dhe është interesante që Maria Maxarelo, shumë e butë me atë që ka nevojë për mirëkuptim dhe guxim për të ndjekur Krishtin, nuk u bën kurrë lëshime atyre vajzave që do të donin t’ua përshtasnin dobësive të veta jetën rregulltare. Duke ia hapur të dyja kanatet e derës Klarës dhe të tjerave që do të dalin më vonë, përgjegjësja e mençur e bashkësisë refuzon çdo kompromis dhe çdo dobësi të vullnetit.
Emilia Moskës motër Maria i beson drejtimin e shkollës, e cila, bashkë me konviktin, përbën një gjë të vetme me bashkësinë.
Një vit më vonë, më 1873 Bashkimi Katolik i datës 1 tetor, botonte një artikull për veprimtaritë që zhvilloheshin në kolegjin femëror të Mornezes dhe për përparimin e nxënëseve në gjuhën franceze, në këngë dhe në muzikë.
Aprovimi zyrtar i shkollës së kolegjit nga ana e shtetit erdhi në dhjetor të vitit 1873, pas kërkesës së drejtoreshës Emilia Moska më 11 tetor të të njëjtit vit. Në një letër të delegatit shkollor të Kasteleto Orbës lexohet: “Nuk kam hequr dorë së mbështeturi kërkesën e zonjushës Emilia Moska për të marrë rregullisht lejen për të hapur në Morneze një shtëpi edukimi për vajzat, me ndihmën e mësueseve Katerina Gareli, Salvini Kandida dhe Anxhela Zhande”.
Një shkollë asketizmi
Dom Boskoja ndërkohë ndjen një nevojë urgjente: në Morneze, padyshim jetohet në shpirtin e Ungjillit, por njeriu nuk lindet rregulltar, mëson të jetë i tillë.
Ekziston një rishtari edhe për këtë. Ndaj duhen mësuese. Atëherë troket në derën e eprores së përgjithshme të motrave të shën Anës, të nënë Enriketa Dominiçit, duke i kërkuar të dërgonte në Morneze ndonjë rregulltare të aftë të udhëhiqte atë grup të rejash të zellshme, por gati pa përvojë në praktikën e jetës së kushtuar. Kërkesa u pranua.
Nëna Dominiçi shkoi personalisht në Morneze para se të dërgonte motrat e saj. Duke i shkruar monsinjor Pelegrino Tofonit, drejtorit të saj shpirtëror, më 26 janar të vitit 1873, tregohet kritike për mungesën e disiplinës rregulltare, por nënvizon gatishmërinë e Bijave të Marisë Ndihmëtare që paraqiten të hapura, mikpritëse, të përvuajtura dhe të thjeshta.
Në letrën e publikuar në Gjurmë jete, shenja të së ardhmes lexohet: “Shtëpia, si intstitut shekullar, është e strukturuar mirë tashmë, por si shtëpi rregulltarësh ka shumë mangësi, në drejtim të rregullit dhe të mjeteve për ta ruajtuar. Fatmirësisht kam parë në ato motra të mira shumë shpirt thjeshtësie dhe përvujtërie, virtyte aq të dashura të zemrës së Hyjit dhe shumë të frytshme për atë që i ka. Terreni duket se është i gatshëm; nëse kultivohet me kujdes do të japë fryte të mira”.
Kështu, në shkurtin e 1873-it erdhën në Morneze nëna Françeska Gareli, ndihmëse dhe sekretare e përgjithshme e motrave të shën Anës, së bashku me motër Anxhela Aloan.
Kur dom Pestarinoja i dha lajmin e ardhjes së tyre bashkësisë, u ndie pak frikë dhe dyshim. Por ajo që e solli diellin menjëherë edhe këtë herë qe ndërhyrja e sinqertë dhe e thjeshtë e motër Marisë: “Qoftë falënderuar Zoti, – tha, – do të mësojmë, pra, të bëhemi motra të vërteta”.
Kjo, si shumë të tjera në jetën e saj, është koha, në të cilën zemra pranon pa përkulje ushtrimin konkret të përvujtërisë. Motrat e shën Anës nuk janë koprace në mësime, që nga organizimi i ditës së rregulltareve dhe të vajzave, te mënyra si t’i trajtonin të afërmit e si të sistemonin pajën. Gjithë praktikën e marrë nga jeta e tyre ua mësuan motrave të Mornezes.
Por, mbi të gjitha, këto elemente të jashtme flasin për atë që është më thelbësore: motër Maria përpin gjithçka dhe kujdesej të mos humbiste asnjë mësim. “Meditimi, prania e Hyjit, zbatimi i kushteve rregulltare, ndihma për t’u bërë e përvuajtur janë mësimet që i interesojnë.”
Kronihistoria nuk humbet rastin për të dokumentuar përvujtërinë e motër Marisë dhe zemrën e saj të varfër e të gatshme për të pranuar Hyjin: “Këtë me të vërtetë nuk do të kisha ditur ta bëja, – i thotë me falënderim sa njërës, tjetrës. – Faji im që jam injorante”.
Është thellësisht e bindur dhe zemra e saj nuk vuan nga shqetësimi apo shkurajimi. Por “lutja dhe finesa e zemrës së saj zëvendësojnë mungesën e shkollimit”.
Motrat e shën Anës e vënë re. Ato, për të cilat ushqimi përgatitej veçmas si nga sasia, ashtu edhe nga mënyra, edhe pse hanë në të njëjtën mensë, nga ditë në ditë mbeten gjithmonë e më të prekura nga gëzimi që buron pikërisht nga ajo jetë e ashpër dhe e varfër.
Po kush nuk e vë re se cila ishte zanafilla e këtij gëzimi edhe mes vuajtjesh? Ishte Motër Maria. Ajo ushtrohej që me kohë në këto virtyte. Motër Petronila na referon këtë konfidencë të shoqes së saj : “Në kreshmë unë e shuaj urinë vetëm të dielave”.
Lutje dhe jetë e thjeshtë
E para javë e madhe në kolegj e çon zellin e tyre në kulm. Motrat dhe vajzat në këtë kulm të vitit liturgjik jetojnë përvojën e të qenit të ripërtërira dhe të forcuara në Krishtin deri në shpërthimin e Alelujës së Pashkëve, që e bën bashkësinë e vogël të Mornezes një dëshmi, një festë, një shpallje ringjalljeje, e cila lulëzon mbi Mornezen dhe – pse jo? – në të gjithë botën.
Kështu, në këtë pranverë të vitit 1873, duket se po zbuten keqkuptimet dhe ndihmat vijnë me bollëk.
“Është bukur, – thotë Kronihistoria, – të shohësh shoqet e para të motër Marisë dhe të gjithë të tjerat tek ngjiten këtu, duke sjellë copa për një fustan ose për një palë çarçafë, duke mbajtur në përparëse pak miell misri ose fasule.
Para se Maria Maxarelo ta vërë re, vrapojnë te kuzhina duke çuar gati fshehurazi ofertën e tyre të vogël: “Merre, motër Tereza, janë nga Maxarelot… provoji, nëse zihen mirë!”.
Ndonjëherë vjen edhe vëllai i motër Marisë me duart plot ushqime. Takimi me të motrën është i ngrohtë, por i shpejtë: “Ka gjithmonë ngut ajo motra ime Maria!”. Ajo që vlen është liria, me të cilën motër Maria ia lejon vetes të thotë se ato ushqime nuk mjaftojnë. Janë shumë gojë për t’u ushqyer. Edhe pse kohët janë të vështira, familja e saj duhet ta ndihmojë. Vëllai vrapon në shtëpi dhe e çon mesazhin. Kështu, buka e freskët, patatet dhe frutat e tjera të tokës marrin rrugën për në kolegj. Por ushqimet nuk mjaftojnë kurrë. Dhe atje në kolegj nuk duan të jetojnë me lëmoshë.
Është interesante të shohësh shpirtin e institutit të sapolindur me një atmosferë dhe ritëm pune të vazhdueshme e plot harmoni.
Në Morneze asgjë nuk është një monotoni stresante, por bëhet fjalë për një aktivitet të tipit artizanal, që i jep hapësirë realizimit të personave, duke u kujdesur për nevojat e mbijetesës.
Thotë Kronihistoria: “Në kolegjin e Mornezes bëhen të gjitha llojet e punëve, duke ia nisur nga endja. Në heshtjen absolute në shtëpi, kënga ritmike e tezgjahut duket si një zë lutjeje, që troket në zemrën e Hyjit, për të kërkuar bukën e përditshme: bukë materiale dhe bukë shpirtërore.
Endja bëhet në katin përdhes. Nga tezgjahu dalin copa për veshjet e konfeksionuara, për ndërresat, batanijet e pambukta e madje edhe copa të mbushura. Gjithçka bëhet me kujdesin më të madh dhe me falënderimin më të përzemërt ndaj Zotit dhe për të gjithë ata që janë ministra të Provanisë së tij”.
Enriketa takon dom Boskon
Motrat e shën Anës pyesin veten: “Shpirti i mirë i këtyre motrave të dom Boskos që dëshirojnë të imitojnë themeluesin e tyre, aftësia natyrore e motër Marisë për të përkthyer shpirtin e institutit të sapolindur do të jenë të mjaftueshëm për suksesin e tij?”.
Dyshimet e tyre kishin të bënin me jetën e varfër dhe të vështirë. Mendojnë se postulantet nuk do t’ia dalin. Por duket që Provania dëshiron t’i zhgënjejë.
Në Rozinjano Monferrato, Enriketa Sorbone, një vajzë jetime nga nëna, transparente si uji i burimit, dëgjon disa bashkëmoshatare të saj të flasin për dom Boskon. Njëra nga ato e kishte vëllanë salezian.
“Pa shiko, – mendon, – pikërisht ai, dom Boskoja, për të cilin më tregonte nëna ime si të ishte një shenjt.”
“Dhe çfarë shenjti! – thonë shoqet. – Duhet të dëgjosh se çfarë tregohet për të.”
Kështu, kur saleziani i ri erdhi në Rozinjano, Enriketa ishte ndër ata që e dëgjonin pa pipëtirë, për të mësuar për shenjtin. Por, kur dëgjon që shumë shpejt dom Boskoja do të shkonte në Borgo San Martino, zien nga dëshira për të shkuar dhe për ta parë.
“Një shenjt i gjallë! – mendon. – Dhe pastaj thonë se për shenjtërit lexon vetëm në libra.”
Jo pa vështirësi arrin të marrë lejen nga i ati, i cili nuk është prej atyre që japin kollaj leje.
Ja ku është në këmbë që në tre të mëngjesit në një ditë të bukur maji për të arritur në Borgo San Martino në orën shtatë së bashku me shoqet. Kolegji zien nga pritja.
“Këndej do të kalojë dom Boskoja. Dhe ju do të mund t’i puthni dorën, – thotë saleziani, – vëllai i bashkëmoshatares së saj.”
Kur u duk shenjti te porta, shpërtheu një gëzim i pabesueshëm.
“Unë e shikoja me zemrën në sy, – dëshmon Enriketa, – ndërsa po afrohej dom Boskoja (ngadalë, sepse i gjithë ai popull e shtypte, i merrte duart për t’ia puthur e ai t’i bekonte), unë ndihesha e mallëngjyer, e shqetësuar nga një gëzim i ri dhe isha krejt akull. Më në fund erdhi te dera dhe ja, në korridor ku jemi edhe ne. Ia putha dorën pa mundur t’i them një fjalë, por duke e parë drejt e në sy; doja të shikoja si është një shenjt i gjallë. Dom Boskoja më shikoi një moment dhe: “Ju shkoni në Morneze!” më tha duke ma bërë me gishtin tregues.
“Morneze? Cfërë eshtë?”
“Një vend i bukur, do të shihni. – Dhe, duke ulur zërin, vazhdoi: – Tani shkojmë për drekë, pastaj do të shihemi.”
Gjatë bashkëbisedimit me “shenjtin e gjallë”, vajza tetëmbëdhjetëvjeçare plot me jetë i tha qartë se kishte pas vetes katër motra dhe dy vëllezër dhe i zbuloi dëshirën e nënës së tyre, e cila ia kishte ofruar Zotit jetën e saj, që të gjitha bijat t’i kushtoheshin Atij.
Dom Boskoja e përfundoi dialogun duke i vënë në dorë Enriketës një letër të vogël, mbi të cilën kishte shkruar shpejt e shpejt disa rreshta.
“Ja, tani jepjani këtë letër famullitarit tuaj, por shkoni shpejt në Morneze; para se të hyni në atë shtëpi, lëreni vullnetin tuaj jashtë derës.”
Vajza, me bishtalecat në erë dhe mollëzat prush, e mori letrën me kujdes dhe doli. Por jo, te pragu i derës edhe një herë e shikon këtë “shenjt të gjallë” dhe e përshëndet familjarisht: “Tjeta, dom Bosko!”.
Një buzëqeshje shkëlqen në fytyrën e shenjtit, i cili i jep asaj edhe një këshillë, që Enriketa nuk do ta harrojë kurrë: “Le ta lëmë këtë botë tradhtare”.
Enriketa pati vështirësitë e saj para se të arrinte në Morneze. Ndër të tjera ia kishin përshkruar jetën rregulltare me ngjyra të errëta.
“Nuk do të dalësh më as gjallë, as vdekur” i kishte thënë i ati.
Enriketa arrin në Morneze më 6 qershor të 1873-it. Tek porta e kolegjit po e priste motër Maria. Kalojnë ditët dhe Enriketën e bren një pyetje: “Po motrat e mia? A mos vallë bëra keq që i lashë? Është e vërtetë që motrat e shën Anës do të donin t’i merrnin me vete në kolegj, por do të jetë një ndarje edhe më e dhimbshme. Nga ana tjetër kjo shtëpi është tepër e varfër dhe nuk kam të drejtë as të ëndrroj që të vijnë këtu”.
Vajza vendoset të flasë me motër Marinë me zemër të hapur dhe thjeshtësi.
“Kam menduar se propozimi i motrave të shën Anës është i mirë… Le të shkojnë atje. Boll rëndoj unë në këtë shtëpi”.
Sytë ngjyrë kafe të motër Marisë shndrisnin, të përshkuar nga një mallëngjim i papritur.
“Jo, Riketa, – e thërret familjarisht, – falënderoji motrat e shën Anës, por motrat e tua janë tonat. Shtëpia jote duhet të jetë edhe shtëpia e tyre.”
Kështu, Enriketa Sorbone solli në Morneze të gjithë folenë e saj. Dhe mirësia e motër Marisë po përkonte në mënyrë misterioze me ofertën që nëna e tyre i kishte bërë Zotit. Madje kjo mirësi u bë atmosfera e përshtatshme, në të cilën oferta gjeti edhe përgjigjen e vetëdijshme të zgjedhjes së Bijave.
Që të katërta, përveç Enriketës, u bënë Bija të Marisë Ndihmëtare.
Në numrin e nxëneseve ishin gati çdo vit grupe motrash si Zhande, Bosko, Sorbone, Bornja. Në mënyrë që vepra të sigurohej nga një minimum nga ana ekonomike, familjet e nxënëseve duhej të jepnin një shumë mujore prej 20 lirash. Për familjet e varfra bëheshin pakte me shuma më të ulëta deri në pranimin falas.
Shënime të çmuara
Atë që jetohej në Morneze, dom Boskoja e konstaton edhe personalisht, jo mbi bazën e relacioneve qe i bënin. Është domethënëse ajo që ai shkruan gjatë vizitës së tij të shkurtër në kolegj. Letra mban datën 3 korrik 1873 dhe i drejtohet dom Ruas: “Këtu ka shumë freski, edhe pse flaka e dashurisë së Hyjit është e ndezur”.
Në këtë periudhë shenjti gjen mundësinë për të biseduar me Maria Maxarelon, motrat e reja, noviciet e postulantet për t’i shndritur mbi thelbin e jetës rregulltare. Në lidhje me këtë janë interesante shënimet e dom Pestarinos: “Kemi nevojë për persona që binden e nuk urdhërojnë, për persona që, pasi t’u tërhiqet vërejtje për një të metë, të dinë të kenë prapë një fytyrë të qeshur dhe t’i japin shumë rëndësi vërejtjes. Nuk na duhen eprorë që shkojnë pas tekave tona, por që kërkojnë të mirën tonë të vërtetë, për të mbajtur në ne gjallë Shpirtin e Jezu Krishtit. Eprorët, në mënyrën e tyre të të vepruarit, mund edhe të mos na pëlqejnë. Kjo nuk nuk na autorizon t’i trajtojmë pa respekt dhe të mos u bindemi. Duke dashur ta përshtasim Rregullën sipas dellit tonë, dëshirës sonë, rrezikojmë t’u japim peshë gjërave të kota dhe të heqim vëmendjen nga gjërat që vlejnë”. Dokumenti i dorëshkruar është publikuar në Gjurmë jete, shenja të së ardhmes dhe na sjell pikat kresore të bashkëbisedimeve familjare me dom Boskon gjatë atyre ditëve.
5 gushti i vitit 1873 shënon datën e kushteve të motrave të reja; për herë të dytë në institutin e ri disa vajza ia dorëzojnë jetën Hyjit. Janë motër Maria Groso, motër Rozina Maxarelo, të cilën motër Maria e kishte parë të rritej para syve të saj në laborator, dhe motër Korina Arrigoti, e cila, pasi kishte mbijetuar nga “furtuna” në familje, pikërisht në momentin e fundit kishte arritur t’ia merret të atit një copë letër: “Pranoj gjithçka që do vajza ime”.
Emilia Moska dhe Enriketa Sorbone, me karakter dhe gjendje shoqërore kaq të ndryshme, veshën veshjen rregulltare dhe u bënë novicie.
Gjithçka është gati për ceremoninë dhe dom Boskoja është duke u nisur. E, megjithatë, motër Maria nuk është e qetë. Terezina Maxarelo, pesëmbëdhjetë vjeç dhe me fizik të dobët, do me çdo kusht të jetë pjesë e grupit.
Dom Pestarinoja nuk është dakord që ajo të marrë kushtet. Edhe motër Maria është në mëdyshje, por vë gjithçka në duart e themeluesit. Dom Boskoja e pyet vajzën dhe informohet nga motër Maria deri në hollësi. Pastaj thotë: “Lejojeni të marrë kushtet. Edhe nëse do të vdiste shpejt, do të shkonte menjëherë në parajsë”.
Terezinës, i bjënë me vrap një veshje si të tjerave dhe, kështu, fillon një festë shikimesh dhe buzëqeshjesh, që është shenja e haresë në zemrën e të gjithëve.
Mëdyshje
Imzot Andrea Skoton, një nga predikuesit e ushtrimeve shpirtërore, nuk është shumë i bindur për këtë familje rregulltare ende pak të formuar, brenda një banese të papërfunduar dhe pak të përshtatshme si strukturë rregulltare.
“Dëgjo, – i thotë dom Boskos, – motër Maxareloja ka një virtyt të jashtëzakonshëm dhe të tjerat janë shumë të mira, por janë shumë… injorante. Shtëpia është pa portineri, me muratorë që shkojnë dhe vijnë. Do të shohësh që nuk do të ecë përpara. Do të bënit më mirë të mos përziheshit.”
“Do të shohim, – është përgjigja e shenjtit, – do të shohim atë që dëshiron të bëjë Zoja. Shtëpitë e mia lindin në çrregullim, për t’u vënë pastaj në rregull.”
Vetëm një muaj më vonë pas kësaj bisede, motrat e shën Anës largohen nga bashkësia e re. Në Torino i bëjnë një relacion dom Boskos, ku varfërinë dhe jetën e ashpër nuk e konsiderojnë si një pengesë, por saktësojnë: “Maxareloja mund të bëjë gjithçka vetë. Besoni, dom Bosko, në përvujtërinë e saj ajo është një shenjte”.
Ndërsa ajo që beson se nuk është e aftë të mbajë timonin në Morneze, është pikërisht ajo: motër Maria.
“Motrat kanë nevojë për një që i drejton, – këmbëngul, – kam nevojë edhe unë.”
Dom Boskoja vendos të dërgojë në Morneze vejushën e avokatit Blenxhini, një zonjë e udhëhequr nga dom Jozef Kafaso. Nuk ka për qëllim ta bëjë eprore në Morneze, por shpreson që përshpirtëria e rafinuar e saj t’i shërbejë bashkësisë rregulltare të sapolindur. Ndërsa motër Maria mendon menjëherë se ajo është eprorja.
Kur arrin në Morneze, zonja Blenxhini, së bashku me shërbëtoren e saj, pritet me festë dhe gati sa nuk i jepet shtëpia në dorë. Motër Maria tregon çdo kujdes ndaj saj, këshillohet për gjithçka që i përket anës së jashtme të bashkësisë, i fton motrat dhe postulantet t’i afrohen me besim, duke dhënë ajo e para shembullin.
Kështu, zonja fillon menjëherë të sundojë. E bën me stilin e personave të edukuar. Ndoshta ajo vetë nuk është e vetëdijshme. Është e vetëdijshme vetëm për aftësinë e vet dhe shpreh mosaprovim për stilin e lutjes, për vaktet që asaj i duken të pamjaftueshme.
Është e vërtetë: edhe motër Marisë i qan zemra që nuk mund të ushqejë si duhet motrat e reja. Por Kronihistoria shënon: “Nëse Provania lejon kaq varfëri, ndoshta do që të kuptojmë se nëpërmjet saj mund të shenjtërohemi”. Prandaj nuk shqetësohet, edhe pse zonja shqetësohet pa masë.
Idetë e Blenxhinit përvijohen gjithnjë e më shumë në favor të disa reformave. I shkruan dom Boskos pa marrë përgjigje. Në ato ditë në Morneze mbizotëronte akulli. Natyrisht, pa pasur mundësi ngrohjeje, zonja vendos të transferohet për pak kohë në Torino. Kështu mund të flasë më me rehati me themeluesin, t’i shpehë atij kritikat, t’i bëjë propozime të sakta.
Por dom Boskoja, pasi i vuri në dispozicion gjithë kohën që i nevojitej për një shpjegim të hollësishëm, nuk pranon të ndërrojë stilin e bijave të tij. Ajo që ai nënvizon, është kërkimi i një thjeshtësie sa më të madhe.
Ka dëshirë që motrat të jenë lirshme, të thjeshta në ushtrimin e virtytit rregulltar, pa nxjerrë në pah mundin dhe pa e zbehur zellin e brendshëm për Zotin, madje, nëse është e mundur, duke e rritur edhe më tepër atë.
Makonoja pohon: “Duket se Blenxhini nuk donte të pranonte idetë e dom Boskos, prandaj ky i fundit thirri dom Kaljeron, i tha se motër Maxareloja mund të ishte eprore e për këtë ta falënderonte zonjën Blenxhini për atë që kishte bërë”.
Zonja u habit së tepërmi dhe duket se këmbënguli akoma më shumë me dom Kaljeron, që të mund të gjendej një eprore e shkolluar dhe në lartësinë e duhur për atë detyrë të rëndë. Kaljeroja e qetësoi në mënyrën më të mirë dhe me mijëra falënderime dhe u përshëndet me të.
Pak më vonë dom Boskoja i shkroi dom Ruas: “Nëse madama Blenxhini nuk ka shkuar ende në Morneze, i thoni të rrijë e qetë se pak nga pak gjërat do të rregullohen. U kam shkruar edhe atyre në lidhje me këtë”.
Vdekja vjen papritmas
1874. Viti hapet me një zi në kolegj. Është motër Maria Poxho, kuzhinierja e re, e heshtur, me buzë në gaz, ajo që kositet nga sëmundja e shekullit: tuberkulozi.
Dhimbja për të është e madhe. Për motër Marinë në veçanti vuajtja ther si thikë në zemrën e saj dhe ngre kokën një dyshim. Pra, kishte të drejtë zonja Blenxhini? Është një jetë tepër e rreptë në kolegj? Ushqimi është tepër i pakët?
Motër Maria e pyet dom Pestarinon: “A nuk do të ishte më mirë në këtë moment t’u japim motrave qumësht e kafe çdo mëngjes? Është e rëndësishme që të rejat të mos dobësohen”.
Dom Pestarinoja pranon. Por më e bukura vjen kur motër Maria para gjithë bashkësisë i nxit të marrin qumësht dhe kafe në mëngjes dhe motrat kërkojnë që të mund të vazhdojnë si më përpara.
Shënimet e dom Pestarinos, të publikuara në Gjurmë jete, thonë tekstualisht: “Filluan mësueset dhe pastaj të gjitha të më luteshin të prisja edhe pak; që ndiheshin mirë me shëndet dhe madje kishin tepër oreks; që në mëngjes nuk tepronte asnjë grimcë bukë. Kaçamaku dhe gështenjat e pjekura mund ta zëvendësonin shumë mirë qumështin dhe kafen”.
Dom Pestarinoja u dorëzua dhe e bindi motër Marinë të priste. Por zemra e kësaj gruaje të fortë dhe të butë në të njëjtën kohë ishte prapë në dyshim.
Episodi i treguar nga motër Enriketa Sorbone e konfirmon këtë: “Duke dalë nga kishëza, pas meshe, ajo erë e mirë e kaçamakut ose e bukës së pjekur ose e gështenjave të ziera ishin një tundim i vërtetë. […] Kur shkonin në mensë, mbi të gjitha nëse kishte gështenja, ndienin gati nevojën për të mos i ngrënë, për të flijuar grykësinë. Kur arrijmë të fitojmë mbi grykësinë, dalim nga mensa ashtu siç kemi hyrë. Por Motër Maria ka dy sy… që s’u shpëton gjë”.
Një mëngjes, në fakt, ajo ndaloi pikërisht motër Enriketën.
“Riketa, – i foli familjarisht, – a ishin të mira gështenjat?”
“Të mira dhe të bukura.”
“Ti a i ke ngrënë?”
“Janë një çmim shumë i mirë për çapkënet tona!”
“Por ti, them, ti, a i ke provuar?”
“Jo”.
“Mirë: duke qenë se këtu brenda më çapkënia je ti, tani kthehu mbrapsht në mensë dhe… të bëfshin mirë!”
Kështu ishte motër Maria: një karakter hijerëndë dhe i fortë me vetveten, por edhe një nënë delikate me bijat e saj. Dhe pikërisht këto karakteristika krijonin rreth saj një klimë jete ungjillore të jetuar me vërtetësi. Shënimet e dom Pestarinos thonë: “Ajo që vërehet me më shumë kënaqësi, është bashkimi i vërtetë i shpirtrave, i dashurisë, i harmonisë së plotë në harenë e shenjtë gjatë pushimeve. Më japin shembull edhe mua me lutjen e tyre të thellë, me heshtjen. […] Mund të shohësh në të gjitha një shmangie të vërtetë nga bota, nga të afërmit dhe nga vetvetja në të gjitha dobësitë njerëzore. […] Duhet të them përsëri se jam i kënaqur e i gëzuar dhe për mua është një ngushëllim t’i shoh me shpirt kaq të hareshëm. […] Gjëja e vetme që nuk shkon mirë, është financa. Janë pak nxënëse dhe prandaj janë në defiçit dhe për këtë jetojnë me të vërtetë në thjeshtësi”.
Është interesante të konstatojmë se si këto kujtime kanë të gjitha një shije të njëjtë edhe në situata të ndryshme: shijen e haresë, të cilën Maria Maxarelo në letrat e saj e quan “hareja e shenjtë”.
Dom Gjon Kaljeroja në Morneze
Motër Maria duhej të ishte e lumtur nga koka të këmbët, meqë hareja e gëzimi shtoheshin rreth saj; ky është “sekreti i madh i të krishterit”, për t’u shprehur si Çestertoni. Por kjo nuk do të thotë që nuk i mbartte në shpirt shumë pyetje që e mundonin.
Me siguri e kishte bërë të lumtur fakti që dom Boskoja kishte folur me papën për institutin e sapolindur. Por këshillat e papës që ajo vetë u kishte thënë motrave t’i shkruanin kudo në vende të ndryshme të shtëpisë, i ngjallnin në zemër të tjera dyshime. Papa i rekomandonte uniformitetin në gjithçka, të mos bënin përjashtime, të zbatonin rregullën kudo. Si ta pajtonte këtë këshillë të papës me nevojat e të rejave, apo të atyre më të dobëtave? Ishte ky një dallim i drejtë apo një shkëputje nga rregulla?
Motër Maria ishte e prirur më shumë ndaj besimit se po gabonte.
Kështu, ajo vazhdonte ti binte “gozhdës” së saj më fort: le të dërgonin më në fund një eprore për shtëpinë
Përkundrazi, arrin, një ndër bijtë më të mirë të dom Boskos: dom Gjon Kaljeroja, kardinali i ardhshëm. Dom Boskoja e dërgon në Morneze për t’u ardhur ndesh më mirë dhe më shpejt nevojave të institutit të sapolindur. Ja, e mbledhur së bashku, familja e Bijave të Marisë Ndihmëtare. Janë motrat me kushte, noviciet dhe të rejat e tjera në formim. Pasi u bënë prezantimet, ndihet në ajër pak ndrojtje dhe në sytë e të rejave shihen shumë pyetje. Po secila është e ftuar që tani t’i thotë me liri të plotë. Ai i shikon në sy me një buzëqeshje lehtësisht argëtuese.
Tani ka ardhur koha që edhe vajzat të jenë të ftuara të zhyten në gjërat e Hyjit: zhytje totale dhe e jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për ushtrimet shpirtërore të predikuara nga dom Kaljeroja. Ajo që pas kësaj del krejtësisht e ripërtërirë, është Rozalia Pestarino: mbesa çapkëne e drejtorit, së cilës dom Boskoja që në vitin 1870 i kishte thënë: “Bëhuni motër”.
Tashmë nuk heziton më, bën kërkesë dhe pranohet për të filluar formimin fillestar.
Një kërkesë këmbëngulëse
Dom Gjon Kaljeroja ka sjellë në Morneze një ajër salezianiteti. Ka dhënë këshilla për jetën rregulltare dhe për një përgatitje më të mirë të motrave për të dhënë mësim. Tani është koha të largohet. Kur të shkojë në Torino do t’i thotë gjithçka dom Boskos.
Motër Maria priste pikërisht këtë moment për të shprehur kërkesën e saj, po të njëjtë.
“I thoni dom Boskos se këtu duhet një eprore. Tani ju keni parë se unë nuk do të mundem kurrë të jem në krye të një instituti, në të cilin ka shkolla.”
“Dëgjoni pak, – iu përgjigj dom Kaljeroja, – ju i dini vërtet misteret themelorë të fesë sonë?”
“Deri aty arrij, i kam mësuar që fëmijë.”
“Mirë, pra, dom Boskos për tani kjo i mjafton. I intereson mbi të gjitha që të jeni e dëgjueshme.”
Motër Maria ul kokën e mundur.
“A mund ta thërrasim ‘nëna zëvendëse’?” pyesin me dashuri motrat.
“Po, po, quajeni nëna zëvendëse. Dhe… nëse ju shpëton goja, thirreni edhe vetëm ‘nënë’.”
Pas pak ditësh dom Boskoja shkruan nga Roma. Thotë se 24 marsi i 1874-ës do të jetë shumë i rëndësishëm për Shoqërinë Saleziane, e cila, e aprovuar nga Selia e Shenjtë që nga 1 marsi i 1869-ës, tani kërkon aprovimin përfundimtar të Kushtetutës.
Dom Boskoja uron që “të gjithë Salezianët me Bijat e Marisë Ndihmëtare dhe nxënëset […] të formojnë një zemër të vetme dhe një shpirt të vetëm për të kërkuar dritë nga Shpirti i Shenjtë mbi kardinalët me një treditësh lutjesh dhe me bamirësi të krishterë”.
Si iu përgjigj familja mornezine kësaj letre dëshmon Kronihistoria: “Motër Maria Maxarelo e dha shembullin: gjatë ditës nuk mund të ndalej shumë në kishëzë, por shpesh gjendej në adhurim përpara Jezusit në të Shenjtërueshmin Sakrament. Dhe jashtë kishës gëzimi duket në shprehjet që i dalin nga zemra e saj e thjeshtë: “Sa mirë është të kalosh një moment krejt vetëm me Jezusin”.
E megjithatë nuk është një intimizëm. Lutja për të do të thotë t’i hapesh Zotit me gjithë shpirt, zemër dhe forcë. Lutja është të ofrohesh duke përqafuar, me të gjithë qenien, këtë porcion të sapolindur të kishës, që është Instituti i Bijave të Marisë Ndihmëtare, dhe pastaj vajzat, botën, me të vërtetë, botën mbarë.
“Kërkesa që dom Boskoja i bëri Hyjit, u pranua: Kushtetuta u aprovua.
Përsa i përket Institutit të Bijave të Marisë Ndihmëtare, u përfshinë në kongregatën tashmë të aprovuar të shën Françeskut të Salesit: pati shumë pengesa, kundërshtime dhe luftëra të tmerrshme, por Zoti e ndihmoi veprën e vet.”
Ky citim është pjesë e një letre të dom Pestarinos, shkruar nipit të tij, dom Jozefit. Ia dërgoi nga Torinoja më 17 prill të 1874-ës, menjëherë pasi bisedoi gjatë me dom Boskon e sapokthyer nga Roma.
Dom Boskoja premtoi se do të kthehej përsëri në Morneze për të sistemuar udhëheqjen e rregullt të shtëpisë.
Nuk duhej gjë tjetër në këtë moment për të rindezur në motër Marinë shqetësimin e saj të të qenit eprore. Është e kotë pëshpëritja e motër Rozalia Pestarinos: “Do të shihni, motër Maria do të zgjidhet me siguri eprore dhe nënë zëvendësuese motër Petronila”.
E interesuara merr letër e bojë dhe i shkruan dom Kaljeros një letër që, sipas saj, do të fashiste çdo qëllim për ta bërë eprore pas konstatimit të injorancës së saj.
“Kjo letër do t’ju tregojë se unë nuk jam e aftë për detyrën e eprores, si dëshiron ati ynë shumë i nderuar, dom Bosko. Ju do të gjykoni vetë nga kjo letër, të cilën kam vërtet turp t’jua dërgoj, sa e pashkollë jam, nga kaligrafia ime, e cila është si shkrim pule, nga gabimet gramatikore dhe drejtshkrimore. Jam me të vërtetë një fshatare injorante. Vetë mendimet nuk di t’i rendis njëri pas tjetrit si i ka hije t’u dërgohen eprorëve. I thoni dom Boskos që nuk jam e aftë as të drejtoj vetveten dhe aq më pak të tjerët.”
E, megjithatë, jeta hedh poshtë atë që ajo shkruan. Nuk është shkenca, por dija e zemrës ajo që ka rëndësi për institutin e sapolindur. Bëhet fjalë për një dije e urti të Shpirtit të Shenjtë, që mbështjell zemrën e ngrohtë dhe të thjeshtë në jetën normale të përdishme, pa strukura të komplikuara.
Kështu, në Morneze, më 25 prill, vjen një karvan i vogël të rejash. Motër Maria, jo vetëm që i mirëpret me përzemërsinë e zakonshme plot me gëzim dhe festë, por vepron për të gjetur zgjidhjet praktike për t’u bërë vend të rejave të sapoardhura.
Janë motrat Rosi, që kishin nxitur Enriketa Sorbonen të shihnin dom Boskon, “shenjtin e gjallë”. Tani vijnë në Morneze të vendosura të ndërmarrin jetën rregulltare dhe rastësisht sjellin me vete motrën e tyre Cecilia, që hyn si nxënëse në kolegj si dhe dy motrat e Enriketës, Marietën dhe Anxhelikën.
Në kolegj bëhet një festë e madhe për këtë ardhje. Motër Enriketa shpërthen nga gëzimi. Por mbizotëron në të vullneti i fortë për të mos zgjuar xhelozinë e nxënëseve të tjera.
“Të kujdesem vetë për motrat e mia? Jo, jo. Unë as që e mendoj vërtet!” i thotë motër Marisë, e cila e kupton fluturimthi.
Zëvendësja e kupton menjëherë se Anxhelika është kaq e vogël, sa ka nevojë për një krevat me parmak. Si të bëjnë? Motër Marisë nuk i mungon zelli i dashurisë. Menjëherë fillon e mendon që ka parë një si mbështetëse në shtëpinë Pestarino. Vrapon për ta marrë, i mbulon anët e brendshme me një veshje të improvizuar dhe e përgatit dyshekun. Kështu, në mbrëmje Anxhelika mund të flejë në një gjumë të ëmbël në një nga shtretërit më origjinalë.
Nga martirizimi në festën e pasosur
Motër Korina Arrigoti, e cila pas kushteve ishte detyruar nga i ati të kthehej në shtëpi, vazhdonte të ishte në lutjen dhe zemrën e motër Marisë.
I kishte shkruar: “Ne këtu e lusim shumë Jezusin, përpara të cilit është gjithmonë njëra prej nesh, që lutet për ty”.
Kronihistoria dëshmon se kujtimi i kësaj motre të re në vorbullën e ngjarjeve është i gjallë në familjen e Mornezes.
Lutja, pra, thyen edhe atë rezistencë të tepruar të të atit dhe motër Korina më në fund mund të kthehet në Morneze, duke gëzuar pa masë motër Marinë dhe motrat e tjera. Por tashmë Korina është shkatërruar nga dhuna e uraganit, i cili e ka dëmtuar përgjithmonë.
“Të gjitha ashpërsitë e një babai kryeneç janë vënë në veprim, të gjitha i ka përdorur kundër Korinës, – shënon Kronihistoria, – shuplakën, përbuzjen, fjalët e ulëta, ndalimet për të mos shkuar në kishë për t’u lutur, për të dërguar letra në Morneze.”
Tani që ndodhet në Morneze, motër Korina shpreson ta marrë veten. Motër Maria dhe bashkësia i qëndrojnë afër me dashuri. Lusin Marinë Ndihmëtare që ta shërojë.
Ndërsa Korina duket gjithnjë e më e gatshme për qiellin. Ka hyrë në një agoni të gjatë. Motër Maria i qëndron afër derisa vjen motra vdekje.
Lamtumirë dom Pestarinos
Edhe dom Pestarinoja pak më parë se Korina, më 15 maj të 1874-ës, shkoi në qiell.
Motër Maria ishte rritur nën hijen e tij. Meshtarin, të cilin që e vogël ajo e kishte parë si shenjë të prekshme të dashurisë së Hyjit, e kapi një sëmundje në praninë e klerikut salezian Jozef Kampi, i cili shkoi me vrap te motrat për të kërkuar ndihmë.
Dom Pestarinoja e vuri re dhe murmuriti: “Mos thoni se kush është, ndryshe tremben”.
Motër Maria vrapoi me besniken motër Petronilën. Dom Pestarinoja hapi sytë dhe me një fije zëri pyeti: “Ku janë “bijëzat?”.
“Në kishë, luten për ju.”
“Po, lutuni dhe besoni në Zotin.”
Janë fjalët e tij të fundit. Në fillim të nëntëshes së Marisë Ndihmëtare ky atë i mirë shkoi në qiell. Ishte 57 vjeç.
Cila ishte jehona e kësaj vdekjeje në zemrën e motër Marisë? Nuk flasin për këtë as Kronihistoria dhe as biografi i saj. Me siguri do të kishte qenë një jehonë e thellë dhe e gjallë, nëse mendohet se Maxareloja ishte “bijë” në kuptimin shpirtëror të fjalës e këtij njeriu të Hyjit.
Disa dhimbje, pikërisht sepse janë intime, nuk gjejnë shprehje ndër kronikat. Por është interesante të shihet se si edhe në këtë moment motër Maria është e stimuluar të harrojë ankthin e saj dhe të nxjerrë nga kjo vdekje shenja jete.
Një nga motrat Sorbone, Marieta e vogël, që kur kishte ardhur në kolegj, i kishte sytë të skuqur dhe të fryrë, aq sa nuk duhet ta shihte aspak dielli, i duhej të rrinte në errësirë të plotë, shpesh krejt vetëm. Motër Maria shkoi tek ajo, e mori për dore dhe i tha: “Të shkojmë te dom Pestarinoja, do të të shërojë”.
Kur iu afrua kufomës, derdhi lutje dhe lot mbi trupin e atij që pat qenë për të si një atë i mirë. Pastaj e kapi dorën e tij të ngrirë dhe me ngadalë, e kujdesshme e vuri mbi sytë e sëmurë të vocërrakes. Qe një gjest plot me fe të gjallë, pa hezitime, pa rezerva.
Kronihistoria dokumenton: “Në çast fryrja ulet dhe më pas zhduket”.
“Do të shohësh, – i përsëriti Marietës, – dom Pestarinoja do të të shërojë me të vërtetë.”
Dhe kështu ndodhi.
Dom Boskoja dërgoi menjëherë në Morneze dom Gjon Kaljeron, i cili e siguroi bashkësinë se do të kthehej në kolegj çdo herë që do të kenë nevojë, dhe shpalli lajmin se dom Boskoja do të dërgonte një meshtar të përshtatshëm për bashkësinë.
Provania, nëpërmjet zemrës së urtë të dom Boskos, nuk e braktiste motër Marinë dhe institutin e sapo lindur. Nga faqet e para të Kronihistorisë dhe nga burimet e tjera të analizuara shihet qartë se salezianët e dërguar në Morneze, me të vërtetë janë njerëz të Hyjit. Dhe motër Maria në ecjen e saj të vazhdueshme për t’u pjekur si njeri, si e krishterë dhe rregulltare është e para që përfiton nga ky hir. Që të gjallëronte insitutin e ri, kishte nevojë për shembuj shenjtërish dhe salezianë të vërtetë sipas zemrës së dom Boskos.
Nëse dom Boskoja zgjodhi si drejtor të përgjithshëm për Bijat e Marisë Ndihmëtare kardinalin e ardhshëm dom Gjon Kaljeron, nuk ishte pa kuptim që, si zëvendës të dom Pestarinos, të zgjidhte kushëririn e tij, dom Jozef Kaljeron. Dom Boskoja shkruan kështu në muajin qershor në një letër drejtuar zonjës Pastore, bamirëses së tij: “Drejtori aktual është një nga priftërinjtë e mi me cilësi të shkëlqyera, me emrin dom Jozef Kaljero. Tash dy vjet ishte drejtori i kolegjit në Varace dhe të gjithë atje ishin më se të kënaqur me të”.
Një vizitë e pritur
Vetë dom Boskoja shkoi në Morneze për të kujtuar dom Pestarinon. Mbi derë një mbishkrim tregonte atmosferën që po e priste: “Hyr, o atë, mes këtyre mureve. Bijat e tua të presin”.
Dom Boskoja qëndroi gjatë me të gjitha, si një atë i mirë. Ai lajmëroi se pas pak do të bëheshin kushtet e reja rregulltare. Jo vetëm kaq, po do të bëheshin edhe zgjedhjet për eproren e përgjithshme dhe për atë që do ta ndihmonte në udhëheqjen e institutit. Kështu, ai u kërkon të gjitha motrave që të luten për këtë.
Motrat tashmë e dinë në zemrën e tyre kush do të jetë e zgjedhura. Por motër Maria këmbëngul në shpresën e saj: “Këtë herë më në fund do të jemi në rregull dhe do të kemi kë të na udhëheqë!”.
Ndërkohë i keqi, si e ka zakon, mbjell farën e mosmarrëveshjes. Rasti i jepet nga postulantja Tereza Laurantoni, gjallëria e së cilës kishte prekur një zonjë që zakonisht frekuentonte kolegjin.
“Ti motër? – vazhdon t’i përsërisë. – Shiko mirë çfarë po bën.”
Ndërkohë i bënte lajka duke i dhënë një orë dore dhe objekte të tjera të çmuara. Arriti deri aty sa i tha: “Nuk e kupton që dom Boskoja dëshiron të bëjë për vete njerëz për t’i shtrydhur në punë, për t’i munduar dhe fituar para? Vetëm kjo është e vërteta, – shton, – por mbaje të fshehtë. Mendo për vete, nëse nuk do të pendohesh keqas më vonë”.
Pas këtyre fjalëve Tereza takon motër Marinë: “Pra, – e pyet me buzëqeshje zëvendësja, – pas sa ditësh do të jesh novicie?”. Tereza nuk përgjigjet, ul kokën dhe si një qen i rrahur bën të largohet. Atëherë vjen e paparashikueshmja. Motër Maria i del përpara dhe i thotë: “A e di se unë di gjithçka…? Nuk je më ti, sepse të tjerët po mbjellin farën e keqe në zemrën tënde”.
Dhe, pa gabuar asnjë presje, i përsërit Terezës atë që vajza pak më parë kishte dëgjuar prej gojës së zonjës. Më pas e bind Terezën t’i afrohet drejtorit të përgjithshëm dom Gjon Kaljeros.
Tereza Laurentoni pranon. Dhe pas një dialogu sqarues zemra e saj mbushet me paqe. Kur Tereza del nga kisha me fytyrën plot dritë, zonja ngatërrestare rikthehet në sulm. “Ke treguar çfarë të thashë për të mirën tënde, apo jo? Dhe ja që të kanë kapur, moj e gjorë!”
“Jo, – pohon novicia, – motër Maria dinte gjithçka.”
“Si dinte gjithçka? Do të ketë përgjuar diku!” Kështu, zonja fillon menjëherë nga hetimet më të holla. Por pastaj dorëzohet ndaj fakteve të qarta, duke i thënë motër Terezës: “Motër Maria e ka Hyjin nga ana e vet. Nuk shpjegohet ndryshe ajo që ndodhi”.
“Thirreni nënë”
Më 15 qershor dom Boskoja mbledh motrat dhe i fton të zgjedhin atë që i duket e aftë t’i udhëheqë si eprore dhe ato që mund ta ndihmojnë në udhëheqjen e institutit.
Kronihistoria është besnike në ndërtimin e skenës: “Recitohet Veni Creator, pastaj një nga një motrat afrohen te dom Boskoja dhe i thonë me zë të ulët një emër, sepse jo të gjitha dinin të shkruanin, dhe ai shënon.
Rezulton e zgjedhur motër Maria Domenika Maxarelo që i ka të gjitha votat përveç të sajën. Motrat rrezëllijnë nga gëzimi. Nëse prania e dom Boskos nuk do t’i bënte pak të ndrojtura, do ta kishin shprehur gëzimin e tyre me hare e zhurmë. Dhe kur u thuhet atyre: “Tani po që mund ta quani nënë”, u duket të gjithave se nuk mund të dëshironin tjetër.
Dhe motër Maria si reagon? Ëshë gjithnjë Kronihistoria ajo që tregon: “E sapozgjedhura duket e dorëzuar. Shikon dom Boskon si për të kërkuar mëshirë. Shikon motrat dhe u thotë me zë të fikur: ‘Epo, nëse e dëshironi ju… e dini mirë sa vlej’”.
Zgjidhen edhe eproret e tjera: motër Petronila zëvendëse; motër Xhovana Ferretino ekonome; motër Feliçina Maxarelo, motra e nënës, asistente; motër Maria Groso mësuese e novicieve.
Dom Boskoja buzëqesh duke i mbështjellë të gjitha me shikimin e tij atëror.
“Ju përgëzoj, – u thotë, – sepse keni zgjedhur njëzëri eproren tuaj. Shihet se është me të vërtetë Zoti që do kështu dhe unë nuk kam si të jem më i gëzuar se kaq”.
Pasdite dom Boskoja flet me nënën dhe me eproret e tjera të zgjedhura. Fjala e tij është fjalë inkurajimi. Jo, nuk duhet të trembemi para sëmundjeve dhe vdekjeve që e vënë në provë institutin e sapolindur. Hyji është me ta. Prova prodhon durimin dhe durimi është fara e ardhshme e mirë për këtë vepër.
Ajo që vlen është ecja në rrugët e shenjtërisë. Ja, kjo është pasuria e vërtetë. Pastaj themeluesi jep këshilla të hollësishme.
“Ju këshilloj të ndiqni sa më shumë të jetë e mundur prirjen e novicieve dhe të motrave, – thotë ndër të tjera. – Ndonjëherë mendohet se është virtyt vetëmohimi i vullnetit, duke u dhënë atyre këtë apo atë detyrë të kundërt me prirjet e personit. Përkundrazi, pasojat janë dëmi i motrës dhe i kongregatës. Ja angazhimi juaj: mësojuni atyre të shenjtërojnë këto prirje, duke pasur në gjithçka si qëllim vetëm Hyjin.”
Për ta kuptuar më saktësisht figurën e Maria Maxarelos, është e rëndësishme kjo këshillë. Mos vallë kjo u tha nga dom Boskoja pikërisht për të zbutur në motër Marinë një lloj prirjeje të saj të fortë për flijim?
Nëna do të vazhdojë të jetë kërkuese ndaj vetes në vetëflijim, dëshmitare e Krishtit të kryqëzuar për motrat dhe vajzat. Por me motrat, pa qënë kurrë neglizhente, di të jetë edhe e vëmendshme për të nxitur në çdonjërën hiret personale.
Ajo që do t’i interesojë mbi të gjitha, është të nxisë sinqeritetin e jetës, që çdo gjë ta bënin me qëllim të pastër.
Motër Anxhela Valezes, pionieres në misionet e Amerikës dhe eprores së patrembur të grupit të parë misionar, do t’i shkruajë më 29 dhjetor 1878: “Nxitini motrat të jenë të përvuajtura, të dëgjueshme, ta duan punën, të veprojnë me qëllim të pastër, të jenë të qarta dhe të sinqerta gjithmonë me të gjithë”.
Gjithnjë motër Anxhela Valezes do t’i shkruajë më 22 korrik 1879: “Nuk duhet t’i vëmë re shumë mangësitë e vogla. Disa herë, duke vëzhguar së tepërmi gjërat e vogla, lihen të kalojnë gjëra më të mëdha. Duke thënë këtë nuk do të doja të kuptonit se nuk duhet t’i korrigjoni gabimet e vogla. Nuk është kjo që dua të them. Korrigjojini gjithmonë, por në zemrën tuaj kini mëshirë e bëjeni me dashuri, me të gjitha. Shikoni, duhet të studioni prirjet e natyrshme e të dini t’i merrni motrat nga ana e duhur për t’ia dalë mbanë; duhet të frymëzoni besim në ju”.
“Duhet të bëjmë gjithçka me qëllim të pastër” do t’i shkruajë motër Orsola Kamisasës dhe motrave të bashkësisë në Katania më 24 korrik 1880.
Kasianoja, një nga murgjit më të lashtë të Etërve të Kishës, nënvizoi pastërtinë e zemrës ose dashurinë si pika e mbërritjes e të gjitha praktikave asketike. Agjërimi, lutjet e gjata, jeta e vetmuar dhe deri meditimi i Shkrimeve kanë kuptim vetëm nëse qëndrojnë nën këtë transparencë të brendshem të qëllimit. “Mjerë, – thotë ai, – kush e zvogëlon këtë për t’i dhënë vendin e parë asaj që është dytësore (Kasiano, Konferencat Shpirtërore 1,7).
Dhe është shumë domethënëse që një grua e pashkollë pas kaq shekujsh, në të njëjtën dritë të Shpirtit të Shenjtë, të shohë kaq qartë këtë përparësi absolute të jetës së vërtetë shpirtërore.
Një vajzë kryeneçe
Zgjedhja e eprores përkon me një periudhë dhimbjesh dhe gëzimesh, shqetësimesh dhe frytesh apostolike.
Vazhdojnë sëmundjet dhe vdekjet e motrave të reja. Deri edhe drejtori i ri, dom Jozef Kaljeroja, sulmohet nga ethe të forta. Nga ana e autoriteteve civile dhe shëndetësore të provincës si dhe nga ana e kryetarit të komunës së Mornezes ka filluar një gjyq përsa i përket kolegjit, veprave dhe lejes së dhënë nga dom Boskoja.
Bëhet fjalë për një flluskë sapuni, po për nënën është si grumbullimi i reve gati për rrebesh. Ndërkohë Ushtrimet Shpirtërore të ofruara edhe për zonjat sjellin në Morneze zell të ri. Pjesmarrëse të ndryshme sforcohen në jetën e krishterë, duke e dashur menjëherë dhe duke e mbrojtur institutin.
Rezultatet janë kaq të mira, sa dom Boskoja do të thoshte: “Nëse nuk do të ishte themeluar Instituti i Bijave të Marisë Ndihmëtare për qëllime të tjera, do ta kisha themeluar për ushtrimet shpirtërore të zonjave”.
Rritet ndërkohë familja rregulltare për vajzat e reja që dëshirojnë t’i kushtohen Hyjit dhe të mirës së të rinjve.
Ndër të rejat e kolegjit nëna ka mirëpritur Katerina Dageron nga Kumiana. Edhe ndaj kësaj vajze të turpshme dhe fjalëpakë, që duket e humbur dhe shpreh vazhdisht dëshirën për t’u kthyer në shtëpi, nëna tregon një aftësi të pazakntë për të njohur planin e Hyjit.
Katerina e di mirë punën e vet. Ka thënë që ta lënë në portineri arkën me pajën e saj.
Dhe nuk ka hezituar të thotë arsyet e saj: “Unë këtu nuk kam ndërmend të qëndroj”.
Motër Maria, e cila, së bashku me vajzat e tjera, nuk bënte rezistencë, madje e lehtësonte nisjen nga Mornezeja, me këtë vajzë nga Kumiana mban qëndrim.
“Dëgjo, Katerina, ti a nuk ke ardhur për t’u bërë rregulltare?”
“Po, por jo në këtë shtëpi.”
“A dëshiron të të them diçka?”
“Më thoni.”
“Mirë, pra, pikërisht këtu të do Zoti. Nëse ti ikën, e humb thirrjen dhe një ditë do t’i japësh llogari Hyjit.”
“Por këtu nuk rri me qejf. Janë shumë arsye.”
“Epo, këtyre shumë arsyeve për tani mos ua vër veshin. Bëj si të ishe këtu për një muaj me pushime.”
“Një muaj? Por a e di se është kohë e gjatë?”
“E gjatë? Atëherë mendo se do të qëndrosh çdo ditë deri në mbrëmje. Një ditë kalon shpejt. Dhe një ditë pas tjetrës kalon shpejt muaji.”
Katerina nuk u largua, por nuk e kishte mendjen të mbushur. Pas disa ditësh i shkruan babait të saj që të vijë e ta marrë: “Pas pesëmbëdhjetë ditësh të pres”.
Motor Maria e lexon me Katerinën letrën dhe pastaj, duke buzëqeshur, tregon shprehjen dhe thotë: “Duhet të korrigjohet këtu. Jo pas pesëmbëdhjetë ditësh, po pas tre mujash”.
Katerina e korrigjon, por vazhdon e paepur të këmbëngulë se arka e pajës së saj do të qëndrojë te pragu i derës, në portineri.
Edhe drejtori i përgjithshëm, dom Gjon Kaljeroja është në mëdsyshje.
“Do të shohim, nënë, – thotë duke u nisur për Torino, – koha dhe lutja do të vendosin.”
Kalojnë muajt dhe motër Petronila me mësuesen e novicieve paraqesin çështjen e vajzës kryeneçe. Përgjigja e nënës çuditërisht është e prerë: “E kam thënë shumë herë. Kjo vajzë duhet të qëndrojë këtu, sepse është e thirrur të bëjë një të mirë të madhe”.
Shqyrtimi i shpirtrave apo një largpamësi e Shpirtit të Shenjtë përreth të ardhmes së të resë? Përvujtëria e nënë Maria Maxarelos nuk na lejon të bëjmë pohime të sakta për çështjen në fjalë. Fakti është që për festën e të Papërlyerës të 1874-ës Katerina Dagero vesh veshjen rregulltare dhe më vonë, pas vdekjes së shenjtes, do të zgjidhet eprore e përgjithshme e institutit.
Një drejtor i gjithi zjarr
Në shtator, vdekja e dom Jozef Kaljeros sjell në Morneze drejtorin e përgjithshëm, kushëririn e tij, dom Gjon Kaljeron.
Është kjo një periudhë dhimbjeje dhe në të njëjtën kohë ngushëllimi. Kronihistoria shënon: “Duke qëndruar me motrat ato ditë, gjen mënyrën për t’u siguruar gjithnjë e më shumë se Maxareloja ka shpirt lutjeje, intuitë edukuese natyrore dhe përpiqet të imitojë në gjithçka dom Boskon. Tani sheh qartë atë që nëna kishte thënë një ditë në fillimet e institutit, kur e ardhmja ishte akoma e pasigurtë: ‘Edhe nëse do të ndoshte çudia që dom Pestarinoja ta linte dom Boskon, unë do të qëndroj me dom Boskon’”.
Muajt e fundit të 1874-ës shënojnë dy ngjarje të rëndësishme: ardhjen e drejtorit të ri, një tjetër salezian i zoti, dhe nisjen e një grupi motrash për hapjen e një bashkësie të re në Borgo San Martino.
Në vjeshtë vjen dom Xhakomo Kostamanja, ipeshkëv i ardhshëm i Mendezit, atëherë predikues i rregullt në Vale da Lanco. Edhe teologu Albert, zëvendësi i tij në Lanco, kishte për të një vlerësim të madh.
Një ditë në Lanco dom Boskoja, ndërsa po shëtisnin së bashku, i kishte thënë aty për aty:
“Dom Xhakomo, a do të shkoje në Morneze?”
“Çfarë të bëj? Të vdes?”
“Do të vdesësh kur të dojë Zoti. Tani për tani më duhet të të them se ke shumë beteja akoma për të luftuar. Por më thuaj: a ke qenë ndonjëherë në Morneze?”
“Para dhjetë vitesh, kur shkuam të gjithë për shëtitje, pastaj edhe dy herë të tjera.”
“E, nëse do të duhej të shkoje si drejtor?”
“Ndoshta këtu do të lindnin telashe.”
“Mos u shqetëso për Lancon. Mua tani më intereson shumë të dërgoj në Morneze një prift të sigurtë në çdo kuptim. Më duket se ti bën për këtë punë.”
“Nëse e mendoni ju, dom Bosko, e besoj edhe unë. Dhe nuk kam më vështirësi.”
Edhe nga ky bashkëbisedim i shkurtër diçka del në pah se nga çfarë brumi ishte i bërë drejtori i tretë i Mornezes. Prej ndërhyrjeve të tij nënë Maxareloja u formua edhe më shumë. Ishte një instrument i Hyjit për shenjtërimin e saj.
“I ri, i shkolluar, plot me jetë, me dëshirë të zjarrtë për shenjtëri dhe për apostullim, dom Xhakomo Kostamanja ka sy për gjithçka: për lutjen, studimin, punën, formimin rregulltar.” Kështu dëshmon Kronihistoria. Dhe është interesante që ky njeri i Hyjit nuk ka asnjë qëllim tjetër veç dashurisë së Krishtit.
“Nëse Zoja është eprorja e shtëpisë, – thotë, – Jezusi është Drejtori. Të lejojmë të formohemi me thjeshtësinë e fëmijëve, sepse e tyre është Mbretëria e Qiellit. Po për këtë Jezusi ka nevojë të jetë pronari absolut i zemrave. Ta duam, pra, Jezusin. Ta duam me një dashuri të veçantë. Ta duam deri në atë pikë, saqë çdo dashuri e kotë të shuhet në zemrën tonë.”
Për herë të parë në Morneze
Ndërkohë u nisën motrat e para për në Borgo San Martino: një shtëpi saleziane, në të cilën Bijat e Marisë Ndihmëtare janë të thirrura të kujdesen për kuzhinën dhe për lavanderinë, duke hapur edhe një laborator për vajzat, oratorin festiv dhe duke nisur katekizmin.
Nëna i përgatit motrat që po niseshin. Janë pikërisht ato që i ka zgjedhur me kujdes ndër të tjerat. Ishin motra e saj, motër Feliçina Maxarelo, që emërohet drejtoreshë, motër Feliçina Areko, motër Axholina Deambroxho, motër Karlota Pestarino.
Të nisesh është dhimbshme, sidomos të largohesh nga Mornezeja, ku motrat e donin aq shumë njëra-tjetrën. Por edhe në këtë situatë nëna i mëson se ç’do të thotë dëgjesë e bindur, e fortë dhe pa lëkundje. “Dom Boskoja e dëshiron këtë? Këtë dëshirojmë edhe ne.”
Motrat që nisen, përmbajë lotët në atë mëngjes vjeshtor të veshur me avuj, që ngrihet nga kodrat e sapopunuara. Nëna me hap të vendosur u prin motrave te dalja e derës së kolegjit.
Dëshiron t’i shoqërojë deri te rruga që të shpie tek shenjtërorja e Zojës së Rojës, në Gavi. Ky gjest donte të shprehte: “Ty po t’i dorëzoj, o Zoja Ndihmëtare”.
Është e mallëngjyer, por përsërit këshillat e saj të fundit duke thënë: “Ruajeni shpirtin e thjeshtësisë dhe të varfërisë në Borgo dhe kudo që të shkoni”.
Kapitulli 7
Një familje e hareshme
Një përshëndetje risi
1875 sjell në Morneze disa risi. E para është ajo e përshëndetjes “Rroftë Jezusi”, së cilës, kush e dëgjon, i përgjigjet: “Gjithmonë në zemrat tona” ose: “Rroftë Maria” ose edhe “Rroftë Maria, shpresa jonë”. Një frat lypës që kaloi andej nga Voltaxhoja u foli për këtë zakon të kuvendit të tij.
Zemrës plot zell të dom Kostamanjës i pëlqeu kaq shumë saqë mendoi t’ua propozonte menjëherë motrave, aq më tepër ngaqë kjo përshëndetje ngjasonte me një lutje shigjetore të shën Françeskut të Salesit, modelit dhe frymëzuesit të dom Boskos.
Më dy janar, festa e Emrit të Jezusit, i jepet fillim këtij zakoni. Nëna është shumë entuziaste. Për të, që çdo ditë shkon nga një vend në tjetrin për të përshëndetur bijat e saj, me zemrën plot me dashur për Hyjin, kjo mënyrë për të filluar takimin është më e përshtatshmja.
Në kuzhinë, në laborator, në mensë, në kopsht, mes motrave, novicieve, postulanteve dhe vajzave bën jehonë kudo: “Rroftë Jezusi”. Këtu si një tingëllimë që e bën zemrën të gëzojë, tjetërkund si një pëshpërimë bashkëbisedimi intim dhe shpirtëror, për dikë tjetër me zemër të shqetësuar bëhet nxitje për një konfidencë që lehtëson shpirtin dhe sjell kthjelltësinë.
Kronihistoria shënon: “Edhe për të fituar zemrat e të rejave në hapat e parë të jetës rregulltare, “Rroftë Jezusi” shërben për mrekulli. Sapo merret përgjigjja “Gjithmonë në zemrat tona”, pa hezitime, mendimi që i pushton, shndritet nga kujtimi i Jezusit, sidomos nëse janë pak të mefshta ose akoma të lidhura pas kujtimeve familjare.
Mbetet e famshme pastaj ajo mënyrë e papritur që përdorte nëna për të pyetur ndonjërën: “Sa është ora?”. Ndërsa vajza ose motra përgjigjej se nuk e kishte orën, ajo shtonte: “M’u përgjigj se është ora për të dashur Zotin”. Në fytyra lind një buzëqeshje dhe më pas vjen pohimi i pritur. Dhe nëna vazhdon: “Le ta duam me gjithë zemër”.
Zemra në dialog
Kur nëna i ka vizituar të gjitha në vendin e tyre të punës, i vihet punës së saj, qepjes.
“E shkathët, e saktë, e përmbajtur” janë tri epitete që gjejmë në Kronihistori kur përshkruhet se si punonte së bashku me të tjerat, në laborator, sepse akoma nuk ka një dhomë për vete. Kërkon vetëm që të jetë pak mënjanë, në mënyrë që, kush dëshiron, të mund t’i afrohet dhe të mund të flasë me lirshmëri.
Nëna e njeh sekretin për të hyrë në zemra, me pyetje dashamirëse, por që e përfshijnë të renë.
“Si ke ardhur në Morneze? Më thuaj pak, cila është puna që të pëlqen më shumë?”
Të rejat e sapoardhura, që i bren shumë malli për gjithçka kanë lënë, i përgjigjen me thjeshtësi atij zëri dashamirës në një dialog të hapur dhe të qetë. Kështu, nëna i njeh shpejt, ndaj mund t’i ndihmojë. Dyshimet largohen, tundimet nuk gjejnë vend ku të kapen.
Dëshmojnë motër Maria Gastaldo dhe motër Karlota Pestarino: “Ishte e vështirë të mësoheshe me jetën rregulltare në fillim. Madje ishim të tunduara të ktheheshim në familje. Por, kur flisnim me eproren, zemra jonë gjente paqe. Kur ia besonim shqetësimet nënës, ne sikur liroheshim”.
Motër Maria nuk kërkon që vajzat të jenë të shkolluara dhe përgjithësisht të mira, por ka si qëllim t’i bëjë të krishtera të angazhuara dhe të bindura në jetën e përditshsme dhe konkrete. Për shembull, i shkruan nxënëses Maria Bosko: “Të jesh gjithnjë e mirë, Maria, të jesh e mirë me të gjithë: me prindërit, me motrat dhe vëllezërit; jepu shembull të mirë të gjithë atyre që të shohin dhe lutu me zemër. Po kungimin e shenjtë e merr? Merre me dashuri Jezusin, që të do aq shumë”.
Letra tregon në mënyrë familjare dhe të menjëherëshme llojin e dialogut edukues që ka me nxënëset: ndërsa nga njëra anë propozon e nxit, nga ana e tjetër mban një stil konkretësie dhe përshtatjeje, duke i bërë thirrje lirisë së personit dhe duke e shtyrë drejt përgjegjësive të veta.
Gëzimi i vërtetë
Varfëria nuk sprapset, vazhdon të jetë padrone në Morneze. Por mënyrat për ta përballuar janë gjithmonë dy: puna, një punë rrobaqepësie që shpesh nuk mjafton dhe që nuk mund të sigurojë shuarjen e urisë për gojët e shumta, dhe një klimë e vërtetë gëzimi.
Vërtetësia e gëzimit në zemrën e nënës ka rrënjë të forta dhe të thella në Hyjin, ndaj është ngjitëse. Nëse nëna arrin t’ia dalë më një buzëqeshje dhe, kur luajnë në pushim rreth saj, shpërthen hareja, kjo ndodh vetëm se në zemër feja bëhet një frymëmarrje shprese e vazhdueshme, e ushqyer nga dashuria.
“Motra, – është e detyruar të thotë shpesh, – në shtëpi nuk ka më as bukë as punë. Ta lusim Hyjin e mirë që të na dërgojë edhe njërën edhe tjetrën.”
Gati gjithmonë në të njëjtën ditë ose të nesërmen u thoshte motrave: “Gëzohuni, motra, Provania ka ardhur, ta falënderojmë Zotin”.
Por gëzimi, për të qene i qëndrueshëm, kërkon fenë e vërtetë, shpresën dhe dashurinë që vepron, sidomos kur vdekja korr motrat e reja dhe uria vazhdon të sundojë e paepur. Duhet të mbajmë të gjallë gëzimin në situatat e përdishme kështu siç janë, duhet të mbështjellim në të çdo realitet, edhe më të zakonshmin, më të varfrin dhe më të sakrifikuarin.
Kështu, në Roverno, larja e rrobave vazhdon të jetë një festë, në të cilën ndërhyn gjithnjë e më me krijimtari nëna, prania e saj, e sakrifikuar dhe e hareshme, plot me vëmendje për të gjitha.
Është gjithmonë ajo që fillon punën e para dhe e fundit që e mbaron. Por ndonjëherë vendos të përgatisë drekën për motrat dhe vajzat. “Atëherë, – thotë Kronihistoria, – është një festë për të gjitha. Ndonjë motër ndalet te stani më i afërt i mullirit:
‘Ju lutem, a na e jepni hua një tenxhere? Na e jepni edhe dërrasën për të bërë brumin’.”
Nëna ka përfunduar së lari dhe ka pranë saj vajzat.
“Më ndihmoni shpejt! Duhet të bëjmë një drekë për të lënë thonjtë këtu në ajër të pastër.”
Ka nga ato që ndezin zjarrin mes dy gurëve, nga ato që qërojnë patatet, nga ato që bëjnë brumin. Atmosfera mbushet me këngë të hareshme dhe me thirrje. Kur uria bëhet më therëse, nëna përplas duart dhe mbledh grupin; makaronat zhduken menjëherë!
Pastaj fërkojnë duart me sapun, shpëlajnë dhe hapin rrobat deri në perëndim. Dhe deri sa ta lejojë lodhja, vazhdon kënga. “Oratorianet, – shënon Kronihistoria, – kanë zbritur në Roverno për të ndihmuar dhe vrapojnë të gëzuara për të parë prapë nënën dhe motrat e për t’i shoqëruar deri te kolegji, për të luajtur pak në oborr, jashtë dhe brenda orarit.”
Një herë, në Roverno, ndoshta edhe për nënën ishte e vështirë të ishte e gëzuar për ndonjërën… Jo më kot, duke e parë raftin bosh, i tha ndonjërës prej të rejave të Mornezes: “Ndaloni në shtëpitë tuaja për një përshëndetje të shkurtër, ndërsa ne po ju paraprijmë për në Roverno. Ndërkohë kërkoni pak miell për kaçamakun”.
Të rejat fluturuan. Ja, të shkathta dhe të hareshme kërkojnë miellin në shtëpitë e tyre. Edhe pse kohët janë të vështira për të gjithë, miell u japin, madje aq shumë, sa gati u shqyhet torba e vogël. Ndalen rrugës për ta rregulluar pas një vrapi për të arritur të tjerat. Por një lëvizje e pakujdesshme e gris torbën. Dhe rrëkeza e verdhë rrëshqet në tokë.
“Rruga ishte plot me gurë të vegjël dhe pluhur, – tregojnë protagonistet e këtij episodi, – dhe po na mbetej zemra në dorë. E mblodhëm si mundëm, sa më shpejt që mundëm. Dhe vrap për tek lumi, për t’i treguar nënës, dhimbjen tonë.”
Ajo vëzhgon me atë mënyrën e saj serioze dhe të mirë dhe thotë: “Pa shih, pa shih. Po pse, për këtë qani? Mielli ja tek është, Deo gratias. Nuk kishim me çfarë ta shoqëronim dhe ja, Provania na e gjeti rrugës. Ma jepni pak këtu. Uji i vluar rregullon çdo gjë”.
Pastaj, kur kaçamaku të ishte gati, gjithësecila do të kishte në pjesën e saj miell e guriçka, të cilat e denoncojnë praninë e tyre duke kërcitur nëpër dhëmbë. Dhe nëna shakaxheshë: “Tani, kujdes, dëgjoni edhe muzikën”.
Për të gënjyer urinë
Shëtitjet janë thjesht një mënyrë “e hareshme” për të gënjyer urinë.
Motër Enriketa Sorbone tregon se një herë motër Maria ishte shumë e shqetësuar, sepse nuk dinte çfarë të nxirrte për darkë.
Në shtëpi ushqimet kishin mbaruar dhe furrtari nga Gavi nuk kishte dërguar asgjë.
“Riketa, si i bëhet?” i kishte kërkuar kësaj bije të aftë për të kuptuar zemrën.
“Nënë, përse të mos shkojmë të mbledhim gështenja? Mbledhim gështenja me shumicë dhe mund të sistemojë pasditen dhe darkën.”
“Ide shumë e mirë! Le të shkojmë, po vij edhe unë me ju! Zoti na e priftë mbarë!”
Ajo vihet në krye të rreshtit, e shkathët dhe e shpejtë, dhe shkon për të gjetur ndonjë vend në pyll ku mund të mblidheshin gështenjat më të mira mes të tjerash tashmë me vrima. Bënë një zjarr të madh, vunë në tenxhere gjithë gështenjat dhe shoqëronin me këngë pritjen, ndërsa ato ziheshin.
Zemra-darkë u bë mes lojërash dhe garash deri në të errur. Kur u dukën yjet e para, familja e kolegjit u kthye duke u lutur, tashmë e gatshme për të pushuar. Por vetëm pas vdekjes së nënës, motër Enriketa e tregoi sekretin e asaj shëtitjeje për gështenja me qëllimin e qartë dhe në vetvete të trishtuar që të gënjenin urinë, ta bënin të heshtte, të paktën për atë mbrëmje.
“Guxim, guxim dhe gjithmonë gëzim të madh! – do t’i shkruajë nëna motër Rita Barilatit në vitin 1881, – kjo është shenja e një zemre që e do shumë Zotin.”
Në perëndim tashmë të një jete intensive dhe të konsumuar për dashuri, motër Maria gjen kuptimin profetik të gëzimit: diçka që u shpall të gjithëve bashkimin dhe paqen e zemrës në dashuri me Zotin, diçka që dashuria u tregon dhe u shpall sidomos të rinjve, të cilët janë të krijuar enkas për të qenë të lumtur ashtu si zogu për të fluturuar.
Për nënën, ashtu si për dom Boskon, gëzimi është shenja kryesore e të qëndruarit përpara Hyjit dhe për ta dëshmuar përpara vëllezërve. Duket se shprehja e shën Palit “Të jeni të gëzuar në shpresë” (Rm 12,12) lidhet tek Maria Domenika Maxarelo me këshillën tjetër të apostullit: “Jini gjithmonë të gëzuar, lutuni pa ndërprerë” (1Sel 5,16-17).
Ndonjëherë puna që u kërkohet, është urgjente. Ndonjë motër shqetësohet dhe shpejton duart me nxitim dhe me fytyrën e rrudhur i kërkon leje nënës: “Nënë, a mund të mos marr pjesë në lojërat e përbashkëta sonte? Kam kaq shumë punë dhe kam frikë se nuk mbaroj”.
“Jo, eja të marrësh dhe të japësh gëzimin tënd.”
Në letrat e saj këshilla e gëzimit është ndër më të përsëriturat, me të vërtetë një lajt-motiv që e karakterizon.
I shkruan më 21 tetor të vitit 1880 një motre misionare në Karmen të Patagonisë: “Motër Katerina, a jeni e gëzuar? Oh, shpresoj që po, sepse të mjerët ne, nëse lejojmë të na pushtojë trishtimi. Trishtimi është një sëmundje, sepse lind nga egoizmi dhe e bën njeriun të vakët në shërbimin ndaj Hyjit”.
Dhe në një letër tjetër drejtuar motrave të San Siros, gjithnjë në tetorin e vitit 1880, thotë: “Shumë të fala bijave që tashmë janë postulante dhe vajzave, të cilat i dua shumë, po dua që të jenë të mira dhe të hareshme: të kërcejnë, të qeshin, të këndojnë”.
Një shënjestër për dom Kostamanjën
Nëna nuk shqetësohet, nuk mbyllet në vetvete, prandaj mund të pretendojë nga të tjerët një hare të vazhdueshme, sepse ajo e para nuk vrenjtet, as nuk trishtohet as në situata në dukje të rënda.
E dimë nga Kronihistoria që dom Kostamanja ishte aktiv, mbante brenda një jetë shpërthyese dhe kishte nevojë ta shprehte. Ka ardhur direkt nga kolegji mashkullor për drejtimin e motrave, me vullnet të mirë, por nuk ka përvojë për shumë gjëra e është i pranishëm në gjithçka: në lutje, në shkollë, në higjienë, në mësim të mirësjelljes. Dhe nëna është shënjestra e tij. E ka kuptuar përvujtërinë e saj dhe nuk i vjen keq ta vërë në provë.
Gjithnjë Kronihistoria shënon: “Kot së koti i tërheq vërejtje përpara motrave dhe me një ton zëri që do të bezdiste këdo”.
Motër Maria e di që përvujtërimi gërmon në thellësi të zemrës më shumë vend për Hyjin, prandaj jo vetëm që është e kënaqur, por edhe falenderon për atë zell që është ndonjë herë i tepruar ndaj saj. Dhe nuk e humbet kthjelltësinë, nuk e fik buzëqeshjen.
Gëzimi i saj, në të cilin banon thellësia e dijes së kryqit, e bën jetën përreth saj të këndshme, po ashtu edhe sakrificat e jetës edhe lutjen. “Vajzat mund të jenë të gjitha postulante, aq mirë e jetojnë jetën e familjes dhe marrin pjesë në gjithçka.”
Kur vijnë karnavalet, takim gjithmonë i mirëpritur në Morneze, në kolegj është një festë e vërtetë, me adhurim të të Shenjtërueshmit Sakrament dhe me lojëra, gara, vrapime me thes e këngë.
Vajzat e Mornezes bashkohen me nxënëset dhe motrat. Janë aty edhe shoqet e vjetra të motër Marisë: ndonjëra jo më e re, me flokë të thinjura dhe me ndonjë rrudhë në fytyrë.
Dhe ndërkohë gjithçka ka shijen e familjes. Dhe karnavalet, kështu, të thjeshta, e humbin kuptimin e tyre pagan, bëhen një rast për të krijuar marrëdhënie vëllazërore në gëzimin më të sinqertë.
Maria rebelja
Në mars vijnë edhe pesë të reja të tjera dhe më 3 prill, ndërsa eproret janë të mbledhura në këshill, Maria Beleti, një nxënëse e njohur si rebele dhe e pasjellshme, hyn paptritmas. Para se nëna dhe këshilltaret e saj të kenë kohë për ta kuptuar, vajza hidhet te këmbët e nënës: “Ju lutem, – thotë duke qarë, – unë nuk jam e denjë, por pranoni që të jeni nënë edhe për mua. Do të shikoni, do ta rifitoj të kaluarën dhe do të përpiqem t’i jap lavdi Zotit për të zëvendësuar fyerjet që i kam bërë”.
Historia e saj është bindëse. Jetime si nga nëna, ashtu edhe nga babai, është e lirë të drejtojë vetveten dhe zotëron mjaft pasuri. Në moshën, në të cilën adoleshenca hapet drejt një pafundësie ëndrrash, gjen atë që i jep përgjigje etjes së saj për përkëdhelje. Me dëshirën e saj të apasionuar për të jetuar, për të dashur dhe për të qenë e dashur përfshihet plotësisht.
Atëherë të afërmit kanë frikë se do të ndodhë më e keqja dhe e largojnë nga Mornezeja. Maria reagon si një luan i vogël i lidhur me litar. Nuk duron dot asgjë. Veçanërisht disiplinën. Vjen një moment kur mendojnë seriozisht ta kthejnë te tutori i saj. Kanë frikë se kjo vajzë me cilësi të mëdha, me qëndirmin e saj të pabindur dhe anarkik do të ndikonte negativisht mbi shoqet.
Është nëna ajo që kupton diçka të ndryshme. Jo, Maria Beleti nuk është “molla e kalbur” që prish edhe të tjerat; përkundrazi, duhet të këmbëngulim në zemrën e saj të mirë. Dom Kostamanja, i informuar mbi çështjen, komenton: “Shën Françesku i Salesit thotë që, kur është zjarri në shtëpi hidhet çdo gjë nga dritarja. Të kërkojmë të ndezim në atë zemër zjarrin e dashurisë së Hyjit. Dhe do të fitojmë”.
Përreth Marisë ishte një strategji e vërtetë.
Përsa i përket motër Enriketa Sorbones, asistente e nxënëseve, kjo nuk kursehet në asgjë, as në delikatesa, as në shtysa të llojeve të ndryshme dhe shpesh hesht, nuk e korrigjon për të mos provokuar zemërim dhe rebelim.
Por Beleti vazhdon te jetë e padurueshme. Ajo vazhdon të mos angazhohet. Por një natë ndodh e papritura: Maria i zgjon të gjitha nga të qarat me dënesë për shkak të jetës së saj të shkuar dëm. Vetëm në mëngjes, kur nëna i afrohet duke i folur asaj me butësi, Maria arrin të qetësohet.
Që nga ai moment lind një mirëkuptim i thellë mes motër Marisë dhe vajzës rebele. Beleti nuk u bë menjëherë vajza model. Nëna, duke ia njohur karakterin, mat sipas mundësive të saj kërkesën për ndryshim “duke i lejuar asaj shumë gjëra – kështu thotë Kronihistoria – deri ku i ishte e mundur, pa dëmtuar të tjerat”.
Tregohet këtu forca e Hyjit në atë zemër të re, por del dukshëm edhe takti pedagogjik i motër Marisë dhe ai shqyrtim, ai sens mase kaq i afërt me përshpirtërinë e shën Françeskut të Salesit. “Dëshmia e tij është e vërtetë, – thotë Psalmi, – u jep urti të thjeshtëve (Ps 11).”
Motër? Kurrën e kurrës
Kështu, e udhëhequr ditë pas dite nga dora e fortë dhe e ëmbël e nënës, Maria Beleti “thjesht sepse bindet lirisht, braktis luksin, kreyelartësinë, fantazitë e çmendura, duke iu kushtuar së mirës me energji” – Kronihistoria dëshmon.
Në jetën e saj të re i është fiksuar diçka në kokë, që i duket shumë e rëndësishme.
“A e di? – i beson ndonjërës prej shoqeve të saj. – Kam vëndosur t’u rri larg motrave. Mund të më ngjisin thirrjen. Dhe unë motër nuk dua të bëhem. E mirë po, por motër jo, absolutisht jo. As sot dhe as kurrë.”
Zemrës së vemendshme të nënës nuk i shpëton se edhe kjo frikë, që mund të jetë një paralajmërim thirrjeje.
Maria në shpirt është si mbi gjemba. Nuk ndihet e qetë, ndien nevojën për të pasur idetë të qarta. Kush e di, ndoshta, edhe pse e kundërshton, është pikërisht Zoti ai që po e thërret.
Hapet me rrëfyesin, i cili i përgjigjet me gatishmëri:
“Ti rregulltare? As të mos e mendosh. Je tepër ambicioze dhe nuk do të të pranonin.”
“Aq më mirë, – mendoi me vete rebelja e vjetër. – Në fund të fundit është pikërisht kjo që doja.”
Por duket që Hyji nuk është i të njëjtit mendim. E përndjek atë që po thërret, me këmbëngulje dashurie. Kështu vepron Ai gjithmonë. Maria është e detyruar t’ia përsërisë kërkesën e saj rrëfyesit për së dyti dhe për së treti.
Më në fund nuk reziston më dhe hyn me vrull aty ku nëna ka mbledhur bashkëpunëtoret esaj. Sapo shpreh kërkesën e saj të zjarrtë për t’u pranuar si rregulltare, klima mbushet me emocione. Nëna e afron duke e puthur në ballë.
“A dëshiron të më jesh bijë?” i thotë. “Po, edhe unë dua të të jem me të vërtetë nënë”.
Maria Beleti, Madalena e vogël në vorbullën e Zotit, jetoi në Morneze një rini të shkëlqyer. Kaloi nga mospranimi i çdo disipline në një jetë të dëgjueshme, të varfër. Vdiq më 11 nëntor të vitit 1876. Sapo ka prekur të 18-at.
Animatore e bashkësisë.
Drejt fundit të prillit të atij viti 1875, në fillim të muajit të Marisë Ndihmëtare, ndodh një e re e madhe në kolegj. Dom Kostamanja ka përgatitur bashkësinë për ardhjen e një statuje të Marisë Ndihmëtare, e cila do të jetë si ajo e Marisë Ndihmëtare në Torino.
Kur arrin kutia e ambalazhuar mirë, motrat dhe vajzat shtyhen e bëjnë garë për ta parë dhe për të bërë festë. E vendosin në oborr.
Motër Maria i nxit të përgatisin një kremtim për mikpritjen.
“A e keni gati çelësin e zemrës suaj? – pyet motrat dhe vajzat. – Mirë, unë do t’ia paraqes Zojës çelësat e shtëpisë, që të jetë Maria Ndihmëtare pronarja absolute, por të gjitha në atë moment t’i ofrojmë asaj çelësat e zemrës, që ajo të mund t’i marrë dhe t’ia japë Zotit.”
“Ja, eprorja jonë, – thotë me gëzim, – eprorja e bashkësisë tonë.”
Motrave që e pyesin çfarë t’i lidhin Zojës për muajin e saj, u përgjigjet: “Mendoj se nuk ka asgjë që i pëlqen më shumë Zojës se angazhimi për t’u ripërtërirë në shpirt si lulet në pranverë. Mos të shtojmë asgjë të veçantë, por që nga shenja e parë e kryqit të mëngjesit deri tek e fundit e mbrëmjes gjithçka ta bëjmë me vëmendje dhe me zell të ri”.
Pastaj, kur është kohë e mirë në mbrëmje, bashkësia mblidhet afër shtatores së Ndihmëtares, për të kënduar lavde e këngë.
Më 24 maj, festa e Marisë Ndihmëtare, 12 anëtare të reja hyjnë në bashkësinë e Mornezes.
Noviciet, të ndryshme për nga karakteri dhe nga mosha, rrezëllijnë nga gëzimi. Afër Maria Beletit, rebeles së famshme, është Maria Bakialoni, gjashtëdhjetëedyvjeçare, që i është lutur dom Boskos ta lejojë të provojë të angazhohet në jetën rregulltare. Është edhe Marieta Rosi, me dy sy fëmije në një fytyrë të lumtur pesëmbëdhjetëvjeçareje.
Pati ardhur një ditë për të takuar dy motrat më të mëdha, rregulltare në Morneze.
Motër Maria i propozon të qëndrojë me to për pak kohë. Ajo pranon e lumtur. I pëlqen ta dëgjojë nënën, të jetojë pranë të motrave. Mornezeja është një familje. Ajo ndihet vërtet mirë aty. Një ditë nëna e thërret dhe pa ceremoni, atje në oborr, i thotë: “A je e lumtur këtu?”.
“Shumë, nënë.”
“Do të të pëlqente të qëndroje përgjithmonë?”
“Sikur… Por do të më duhej të bëhesha motër.”
“Dëgjo, Marieta. Po nëse unë do të të dërgoja në një shtëpi larg nga këtu dhe nga motrat e tua, ti për dashuri ndaj Jezusit do të shkoje?”
Pasoi një heshtje. Marieta u skuq. Pastaj, më shume me shkëlqimin e syve se me zë, vajza u përgjigj: ”Do të shkoja”.
Motër Maria e shoqëron në zbulimin e projektit të Hyjit mbi të dhe Marieta përgjigjet me bujari.
Familja e Mornezes është një shpërthim rinor si pranvera që lulëzon dhe zbukuron me gjethe të vogla hardhitë. Nëna në mes tyre është një prani plot me urti ungjillore. E di që shermendi i mirë duhet të krasitet për të dhënë fryt më të mirë. Dhe si Emilia, ashtu edhe Enriketa Sorbone, pikërisht më të afërtat e zemrës së saj, e kanë përjetuar këtë.
“Jo, nuk ke ditur ta kuptosh mirë mendimin tim.”
Pa komplimente, disa herë radhazi, nëna e bën Emilien, pikërisht atë që ishte më e shkolluara e bashkësisë, të rishkruajë një letër. Përsa i përket motër Enriketës, nuk i kursen as qortimet. Nëse është rasti edhe në prani të nxënëseve.
Por pastaj, kur takon ndonjë motër më të ndjeshme dhe që i var hundët shpejt, nuk heziton t’i thotë: “A e shikon si pranohen qortimet? Mëso prej saj”.
“Bëni ç’mos që ta shtypni egoizmin; skuqeni në tigan mirë e mirë; bëni të mundur që të ushtroheni në përvujtëri dhe në duresë.” Kështu u shkruan nëna në prill të 1879-ës motrave të Las Piedras me atë stilin e saj të gjallë, që shpreh konkretësinë e jetës.
Po atyre u sugjeron sekretin e asketizimit: “Ruani, për sa të jetë e mundur, shpirtin e bashkimit me Hyjin. Qëndroni në praninë e tij vazhdimisht”.
Mjedisi në Morneze tërheq si një magnet. I tërheq me të vërtetë të gjithë, siç e dëshmon kjo ngjarje qesharake.
Babai Sorbone ka ardhur në kolegj për të takuar të bijat. Ka sjellë me vete Çezaren, pesë vjeç, shumë i gjallë e simpatik. Por në momentin që duhej të ktheheshin, ai nuk gjendet askund. Motër Enriketa, motra më e madhe, e thërret derisa zëri i saj kumbon nga kodra në kodër. Motër Maria i dërgon motrat Sorbone në çdo qoshe të shtëpisë, të oborrit dhe hardhive.
Asgjë. Dukej se kishte humbur çdo gjurmë e Çezares. Më në fund, kur po zgjateshin hijet e para, ngrihet në një qoshe të oborrit një e qarë e zgjatur. Motër Enriketa vrapon dhe e sheh duke dalë nga kolibja i qenit.
“Cfarë bën, Çezare? Dil prej andej.”
“Po, po dal. Por ti a më mban në kolegj, sepse edhe unë dua të bëhem motër.”
Më vonë vetë nëna ndërhyn. Me hijen e saj delikate dhe amnore, Çezare bindet dhe me baba Kostantinin kthehet në shtëpi.
Vizita të rëndësishme
Më 24 maj të vitit 1875 në mbrëmje qielli i Mornezes është plot tullumbace shumëngjyrëshe, që i dërgojnë Marisë Ndihmëtare mesazhin e motrave dhe të vajzave. Nga i gjithë vendi vijnë njerëzit, këndojnë, bëjnë festë.
Me të vërtetë kolegji po bëhet gjithnjë e më shumë qendra e nismave apostolike, simpatike dhe përfshirëse. Shpirti dhe zemra e tij është motër Maria, e cila, në përvujtërinë e saj, nuk dëshiron të bjerë në sy.
Në qershor vjen në kolegj dom Mikele Rua. Në rolin e prefektit të përgjithshëm të Kongregatës Saleziane, interesohet edhe për mirëvajtjen e institutit të ri.
“Vëzhgon faqe për faqe të gjithë regjistrat ku janë të shënuara të mirat e patundshme, hyrjet për bërjen e pajave, për punën, për aktivitete të ndryshme fitimprurëse; daljet për ushqimin, për ndërtimin, etj. Harton deri edhe programin për pranimin e postulanteve dhe të nxënëseve. Sipas rastit, drejton dhe korrigjon. U ofron motrave edhe shërbimet e tij shpirtërore: rrëfen, u flet motrave, ndonjëherë bën edhe ndonjë predikim në vend të meditimit dhe në mbrëmje kthehet në kishëzë për të dhënë ndonjë mendim të mirë, pas lutjes.”
Kronihistoria na lejon të shohim atë që nuk është thënë: vëmendjen e motër Marisë për të mësuar çdo mësim, për të asimiluar mbi të gjitha një mënyrë jete, një stil.
Në këtë periudhë arrin në Morneze dom Paolo Albera, i cili do të jetë pasardhësi i dytë i dom Boskos. Është me të edhe një meshtar tjetër karizmatik i asaj kohe, dom Luixhi Guanela. Edhe ata qëndrojnë disa ditë, duke bashkëndarë me motrat dhe vajzat bukën e Fjalës së Hyjit dhe ndalen në mënyrë të thjeshtë dhe frytdhënëse me të gjitha, por në mënyrë të veçantë me nënën.
Largimet e para
Megjithatë kjo nënë e dashur nga të gjitha vazhdon të mos ndihet e përshtatshme për të animuar bashkësinë. Novicia më shumë se 60-vjeçare, Bakialoni, ka sjellë në Morneze një ndjenjë të dukshme superioriteti. Meqë ka jetuar mes njerëzve me kulturë dhe duke e ditur si ecën bota, i duket vetja një pus me dije. Pak nga pak përreth saj krijohet një atmosferë admirimi. Ndër të parat që mendon se duhet ta ndjekë, është pikërisht motër Maria, në të cilën lind mendimi: “Kush e di, ndoshta dom Boskoja e ka dërguar për ta bërë eprore”.
Ndërkohë fluturojnë fjalë pakënaqësie mbi bashkësinë nga ana e dy motrave Areko, njëra e kushtuar dhe tjetra novicie. Asgjë e jashtëzakonshme, por magjepsja e një dashurie të sinqertë dhe të hareshme turbullohet.
Nëna vëndos që bashkësia t’i shtojë lutjes së mbrëmjes një të Falemi Mari për paqen në shtëpi. Pikërisht atë që kishte futur dom Boskoja në Torino ndër bijtë e tij.
Ndërkohë Bakialoni nuk dorëzohet. Përkundrazi, duket se disa motra të bashkësisë bëhen ndjekëset e saj. Ajo, në njëfarë momenti, mendon t’i shprehë kritika dhe projekte deri edhe themeluesit. Ajo që ndan dhe krijon pakënaqësi nuk mund të vijë nga Hyji. Nëna tani e percepton dhe, e shtyrë nga dom Kostamanja, shkon te dom Boskoja për të biseduar personalisht rreth çështjes.
Përgjigja e shenjtit është e prerë: “Ato që unë dërgoj në Morneze, i dërgoj për t’u bindur dhe jo për të urdhëruar”. Bakialoni, pasi e dorëzoi veshjen si novicie, u nis për në Torino. Dom Kostamanja, duke u këshilluar me dom Kaljeron, do të shkruajë për të: “Me të këtu kaluam disa ditë të këqija… kishte një krenari gjarpëri, që nuk mund ta shpreh”.
Edhe motrat Areko, më parë njëra dhe pastaj tjetra, e braktisën kongregatën. Fakti që janë nga Mornezeja, krijon keqardhje dhe vuajtje, mbi të gjitha në zemrën e motër Marisë.
Edhe një ndarje tjetër në këto muajt e fundit të 1875-ës: dom Kaljeroja, drejtori i përgjithshëm, të cilit nëna i drejtohej me besim të plotë, niset për në Amerikë.
Ai, duke e ditur se dom Boskoja mendonte ta zëvendësonte përgjegjësin e grupit të parë misionar, që në momentet e fundit ishte tërhequr, me bujarinë që e karakterizonte, ishte ofruar që të nisej ai vetë dhe dom Boskoja e kishte pranuar. Gjithçka kishte ndodhur si një rrufe. Kur e mori vesh nëna, dom Kaljeroja po udhëtonte tashmë në mes të Oqeanit.
Fund viti
Ndërsa dhjetori sjell në Morneze aromën e Betlehemit dhe tingujt e flautit, muratorët largohen përfundimisht nga kolegji. Për motër Marinë dhe për të gjitha të tjerat kjo ishte një ngjarje e rëndësishme, duke menduar se ndërtimi kishte nisur që në vitin 1864.
Viti mbyllet dhe familja shtohet. Hyjnë motra të tjera për institutin dhe nxënëse të reja, ndërsa oratori lulëzon gjithnjë e më tepër.
Nëna i shkruan dom Kaljeros me mirësjellje dhe thjeshtësi: “Na duket një shekull që nuk ju kemi parë dhe nuk kemi marrë letër nga ju. Çdo ditë ju ndjekim në udhëtimet tuaja në hartën e botës dhe ju imagjinojmë herë këtu, herë atje në një mjet të paqëndrueshëm si vapori. Por tani besojmë se me ndihmën e Hyjit keni arritur në port dhe presim me ankth një letër tuajën të gjatë, shumë të gjatë, në të cilën të na jepni lajme për udhëtimin tuaj, si gjendeni atje, etj etj. dhe kur do të vijnë në mision Bijat e Marisë Ndihmëtare”.
Në letrën e gjatë nëna flet për të rejat e Mornezes me ton familjar. Thotë se “Duke dëgjuar të flasë për mirësinë e madhe të papës, bashkësia i ka shkruar një letër për t’i uruar Krishtlindjen”. I flet drejtorit të largët për dy motra të reja, të cilave u është dhënë vajimi i shenjtë, për motër Tereza Laurentonin dhe motër Kasinin. “Vdesin të gëzuara, – shkruan, – dhe kanë të drejtë të jenë. Pasi janë të përgatitura dhe si pasojë të sigurta për parajsën, në kushtet e tyre kush do t’i trembej vdekjes?”
Për veten shkruan: “Ka pak ditë që më ka ndodhur një mrekulli. Isha bërë kaq e shurdhër, saqë afrohesha tek altari dhe nuk kuptoja asgjë nga predikimet mbi Jezusin Fëmijë. Më vinte shumë keq që nuk e kisha këtë kënaqësi dhe e luta zotin drejtor të më jepte një bekim. Sapo e mora bekimin, u lirova dhe munda t’i dëgjoj të gjitha predikimet. Falënderojeni edhe ju Jezusin Fëmijë nga ana ime”. Letra u shkrua nga motër Rozalia Pestarino nën diktimin e nënës. Natyrisht, duke mos i marrë kohë ditës, duhej ta shkruanin duke i marrë gjumin natës.
Motër Rozalia kujton: “Bënte shumë ftohtë. Në fund të dhjetorit në Morneze nuk bëhet shaka. Për më tepër, unë kisha gjumë. I thashë nënës, por ajo m’u përgjigj: “Hiqi këpucët, ulu mbi jastëkun tim dhe futi këmbët brenda në krevat”. Kështu, pa një pa dy, letra u shkrua”.
Para se të niste letrën, nëna ia kaloi dom Kostamanjës, që ndër të tjera shtoi: “Ejani shpejt! Këtu në shtëpi gjithçka ecën vetë dhe rrëshqet si vaji, aq e madhe është flaka e dashurisë së Zotit që festat e Krishlindjes ndezën në shtëpi”.
Po në fund të 1875-ës dom Boskoja dërgon dom Ruan si drejtor të ri të përgjithshëm të Institutit të Bijave të Marisë Ndihmëtare.
Bordigera dukej në fund të botës
14 janari i 1876-ës shënon kërkesën, nga ana e dom Boskos, për aprovimin dioqezan të Kushtetutës së praktikuar nga instituti. Maria Domenika Maxarelo ishte eprorja e përgjithshme.
Gati menjëherë, më 23 janar, lëshohet dokumenti i aprovimit kishtar nga ana e imzot Shandrës, ipeshkëv i Akuit, i cili bëhet garant për t’ua bërë të njohur institutin e ipeshkvinjve të tjerë. Rritet vlerësimi për institutin e ri, por mbi të gjitha në zemrën e nënës rritet ndjenja e përgjegjësisë.
Në shkurt dom Boskoja bën të ditur që salezianët janë thirrur në Bordigera, një qytezë në kufi me Francën. Ai kërkon që të përgatitet edhe ndonjë bijë e Marisë Ndihmëtare për të shkuar atje. Bëhet fjalë për të shpallur Jezusin me katekizëm, shkollë dhe orator ndër të diela.
Nëna nuk di se kë të zgjedhë, aq e re është foleja. Por ja, një dritë i vjen ndërsa është në lutje përpara Eukaristisë.
Në mes te dimrit, në një vend që në ato kohë dukej se ishte në fund të botës, do të niseshin motër Rozalia Pestarino, motër Anxhela Kalkanjo dhe motër Orsola Kamisasa. Nëna i shoqëron bijat një copë të mirë rruge, duke humbur në dëborë së bashku me to.
Kronihistoria shënon edhe këshillat praktike gjatë atij rrugëtimi të vështirë. Bëhet fjalë për këshilla si kujdesi për shëndetin e deri te dërgimi i menjëhershëm i lajmeve nëpërmjet dom Boskos, si t’i trajtojnë vajzat, në mënyrë që të ofrojnë një katekizëm plot me dritën e Shpirtit të Shenjtë.
Por, kur nga larg duket Shenjtërorja e Zojës së Gavit, motër Maria ndalet dhe thotë: “Nëse duhet të ndahemi, – thotë, – le ta bëjmë nën shikimin e eprores së vërtetë dhe Nënës. Ajo, jam e sigurtë, do të vijë me ne”.
Së bashku lusin një të Falemi Mari. Zemrat e ndiejnë ndarjen. As motër Marisë nuk i vjen turp të qajë. Gjithçka është njerëzore në mënyrë të vërtetë dhe njëkohësisht e mbinatyrshme: tashmë jetojnë të zhytura në misterin e Pashkës, që është mister vdekjeje dhe ringjalljeje.
Portretet
Në kolegj mund të ndodhë gjithçka: nga shpërthimi i haresë më elektrizuese, te lutja gati në ekstazë apo vdekja e pritur me gëzim. Gjithçka në një thjeshtësi mahnitëse. Aq sa protagonistet nuk janë të vetëdijshme se po jetojnë gjëra të jashtëzakonshme.
Është rasti i motër Asunta Gainos, motra e kopshtit, një zemër fëmije për Mbretërinë e Hyjit plot me mirësi për të gjithë, e cila sakrifikonte gjithmonë veten.
Për sa u përket atyre që vdesin, duhet të themi se këto motra të reja kanë vetëm një grusht vite, por një ngarkesë jo të zakonshme me vepra të mira. Mbi të gjitha një zemër transparente dhe të kthjellët.
Kronihistoria thotë për motër Antonia Kasinin, 17 vjeçare dhe me etje të madhe për Hyjin: “Ka vdekur ashtu si ka jetuar, në hov të veçantë dashurie”.
Nëna i ka ndenjur çdo ditë te koka, por nuk u gjend aty ta shohë duke dhënë shpirt. Mëson për vdekjen e saj kur kthehet, pasi ka përcjellë tri motrat që u nisën për në Bordigera. Derdh shumë lot. Pastaj duke i shkruar dom Kaljeros në Amerikë, do t’i thotë: “Vdekja e saj ishte si e njerëzve që fluturojnë për në parajsë”.
Pak kohë më pas radha i takon mësueses së novicieve, motër Maria Grosos. Edhe kjo vdekje godet zemrën e ndjeshme të motër Marisë. Bëhet fjalë për një nga nxënëset e saj në kohët e laboratorit të parë. E donte nënën si një bijë. Që vajzë, kur i thoshin: “çfarë do të bësh kur të rritesh?”, përgjigjej: “dua të jem krejt e Hyjit së bashku me Mainin”.
Mësuesja e parë e novicieve vdiq më 13 prill të 1876-ës. Ishte e Enjtja e Madhe. Do të kishte mbushur pas pak ditësh 21 vjeç.
E, pra, ajo që e bëri të vuante më shumë motër Marinë, nuk ishin këto vdekje. Këtu ishte dora e Zotit dhe këto vdekje të shenjta tregonin se të gjitha kishin mbërritur në Shtëpinë që na pret, por e bënin të vuanin largimet, ato po, ia shponin zemrën. “Tani po ju jap lajmin më të trishtuar, – i shkruan dom Kaljeros në datën 5 prill 1876. – Ditën e 30 marsit të gjitha motrat kërkonin këtej e andej – gjejeni se kë? – motrën Anxhelina Zhande. Dhe ajo kishte ikur, ndërsa ne ishim në kishë duke marrë kungimin e shenjtë. […] Arsyen e vërtetë nuk di t’jua them; kapriçot e zakonshme të krenarisë së mallkuar”.
Afër dom Boskos
Në mars, ndërsa hardhitë zbukuroheshin me lastarë, arrin në Morneze një lajm i rëndësishëm: Dom Boskoja i pret Bijat e Marisë Ndihmëtare pikërisht në Torino.
7 motra nisen më 29 mars të 1876-ës. Këtë herë Kronihistoria shënon: “Nuk ka hije trishtimi. Torinoja duket si të ishte dy hapa larg, sepse e kishin zemrën atje. Gati-gati i kanë zili ato që shkojnë të punojnë aq afër dom Boskos”.
Letra e parë me lajmet e mbërritjes ndër të tjera thotë: “Ne do të nisim menjëherë oratorin, shkollën, laboratorin dhe katekizmin”.
Është momenti që në këtë pikë të vërejmë se si në përkthimin e veprës së dom Boskos në mënyrë femërore, motër Maria është një person i dërguar nga Provania pikërisht në këtë moment historik, kur fillojnë të dalin fort në pah probleme në lidhje me emancipimin e gruas.
Në fillim të zhvillimit industrial shoqëria nuk e sheh ende gruan si protagoniste të historisë, por ia ndien nevojën urgjente.
Që në shek XVII, kur Fenelon kishte botuar në Francë librin Edukimi i vajzave, e deri në vitet 1844-1850, kur po përpunohet “Konventa” rreth barazisë dhe të drejtave të barabarta për të dy sekset, çështja femërore, edhe pse me ngadalë, ka bërë rrugë. Në Lajpcig dhe në Berlin, më 1865-ën, shoqatat femërore kërkojnë hyrjen e gruas në fushën e profesioneve, përmirësimin e kushteve ekonomike të tyre, të drejtën e punës dhe të lirisë.
Në Itali e drejta e votës dhe barazia e gruas me burrin u njoh në vitet 1945-1946. Duhet të vijmë në vitin 1948 që Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) të dënojë çdo diskriminim të bazuar mbi dallimin e sekseve.
Duke qenë afër dom Boskos, nisur nga intuita gjeniale lidhur me të rinjtë e popullit, që shoqëria industriale synonte vetëm t’i shfrytëzonte, motër Maria u jep guxim motrave të bëhen një prani nxitëse për rritjen tërësore të vajzave të varfra dhe të braktisura.
Kronihistoria na sjell një këshillë domethënëse: “Sa e nevojshme është të dimë të bëjmë pak nga të gjitha! Le të provojmë, motra të dashura, të bëjmë këtë dhe atë. Kështu, kur Zoti të denjojë të na thërrasë që të punojmë ndër vajzat, sidomos tek ato të popullit dhe më nevojtaret, do të jemi të gatshme të jemi mësuese jo vetëm në virtyte, por edhe në punë: në shtëpi dhe jashtë. Do të dimë t’u sigurojmë kështu vajzave parajsën, bukën dhe harenë e zemrës”.
Në Torino, kaq afër dom Boskos, motrat marrin drejtpërdrejt nga ai mësime të vogla dhe të çmueshme.
Nëna që nga data 18 deri më 20 prill gjendet në Torino. Atje mund të konstatojë vetë nevojat e të rejave të një qyteti të madh dhe përgjigjen edukuese të motrave, që, ndër të tjera, kanë fatin të jenë kaq afër themeluesit. Nga ana tjetër këto vajza të varfra të periferisë së Torinos, gati instinktivisht ndiejnë në praninë e gëzueshme të nënës, zemrën e saj gjithmonë të gatshme për to.
Ka pak ditë që ka ardhur në atë shtëpi Feliçina Gastini, 6 vjeçe, e cila ka një etje të madhe për përkëdhelje. Nëna i ka vdekur gjatë Javës së Madhe dhe motrat tani janë për të familja e vetme. Kur motër Maria hyn në oborr, motrat dhe vajzat dalin nga të gjitha anët dhe shpërthen gëzimi. Feliçina, duke i zgurdulluar sytë në faqet rrumbullake, vrapon sa tek një motër, te tjetra.
“Çfarë keni?” pyeste me këmbëngulje sa njërën tjetrën.
Motrat iu përgjigjën: “Ka ardhur Nëna! Ka ardhur Nëna!”.
Ajo dëshiron ta njohë, dëshiron të dijë si është kjo nënë që elektrizon botën e saj të vogël. Dhe, duke shkuar sa te njëra, te tjetra, hidhet e pasigurtë, por kureshtare, për të parë.
Ja, më në fund. Dikush i thotë: “Shikoje, ajo është Nëna!”.
Dhe ajo instinktivisht vrapon drejt saj duke thirrur: “Rroftë Nëna!”.
“Motër Tereza, ngrihu”
Në Morneze motër Maria kthehet e pasuruar nga takimet me dom Boskon dhe me sigurinë se pranë tij bijat e saj e kanë ndihmën e përshtatshme për të realizuar veten në Hyjin dhe veprat edukuese, për të cilat Ai i ka thirrur.
Më 21 maj, gjatë treditëshes së Marisë Ndihmëtare, motër Tereza Laurentonin, të sëmurë rëndë prej kohësh, e dërgojnë në kapelë. Duket se ka kaluar aq shumë kohë që kur motra e re ishte vetë gjallëria. Në karrocë jeton përvojën e paralizimit të plotë të pjesëve të trupit. Pranon dhe vuan, por shakaja dhe buzëqeshja duket se janë ndrydhur përgjithmonë.
Nëna ka dëshiruar t’i qëndrojë pranë në fund të kishës së bashku me motër Anjeze Riçin, e cila kujdeset për portinerinë dhe të sëmurat.
Gjatë adhurimit të të Shenjtërueshmit Sakrament bie timoni i karrocës dhe motër Anjeze shpejton për ta ngritur. Por ai bie për herë të dytë dhe të tretë me një zhurmë shurdhuese. Ndërsa motër Maria kthehet të shikojë se çfarë po ndodh, e sëmura shqetësohet, përpëlitet dhe lutet: “Nënë!”.
Përgjigja duket absurde: “Shpejt, – i urdhëron, –çohu, ngjiti shkallët dhe eja për t’u veshur”.
Motër Tereza Laurentoni nuk kundërshton dhe nuk pret ndihmë. Ngrihet vetëm, ngjitet në katin e sipërm dhe rizbret plotësisht e shëruar. Kur bashkësia del nga kisha, e gjen motër Terezën të shëruar plotësisht, të gjallë dhe të hareshme si dikur.
Agostina
Motër Maria, që në mënyrë të prerë i ka urdhëruar një të paralizuare të ecë, nuk është aspak e prirur ndaj gjithçkaje që duket e jashtëzakonshme.
Drejt fundit të 1880- ës motër Xhusepina Pakoto, një ndër motrat që e duan më shumë nënën, do ta pyesë me thjeshtësi: “Nënë, me të vërtetë nuk e keni parë Jezusin?”.
Dhe ajo i përgjigjet pa hezitim: “Jo, nuk e kam parë kurrë. Kush jam unë që Jezusi të më shfaqet pikërisht mua?”.
Ajo e di se kufiri që ndan mistikën nga misticizmi, nuk është i thjeshtë të kuptohet.
Kështu, në realizmin e saj të shëndetshëm shpirtëror, dëshiron t’i përmbahet një mistike të vërtetë: dashuria e Hyjit që bëhet i përvuajtur dhe i zhveshur nga interesat personale në shërbim të të afërmit.
Për nga natyra, nëna nuk u beson shumë vizioneve dhe, mbi të gjitha, për të njohur gjërat e Zotit i besohet dhuratës së Shpirtit të Shenjtë, që është këshilla.
Vendimet e saj lidhur me Agostina Sambenin e përforcojnë këtë qëndrim. Agostinën ia kishte rekomanduar dom Boskos një person i njohur, por ai vetë nuk e kishte njohur kurrë personalisht. Kjo e re ka ardhur në Morneze e mbështjellë me hijen e mistershme të fjalëve çuditshme ‘thonë se…’.
Thonë se është vajza e një të internuari në Siberi.
Thonë se vjen nga Roma, pasi ka qëndruar për pak kohë në Torino.
Thonë se ka qenë postulante në ndonjë institut, por që ka dalë për shkak të ngjarjeve të jashtëzakonshme të lidhura me personin e saj.
Thonë se njeh shumë priftërinj dhe se ka pirë kafe në filxhanin e papës.
Thonë se i shtohet bukuria e flokëve biondë, e zërit të butë, e dy syve depërtues dhe e një sjelljeje të hijshme. Gjithçka në personin e saj është shqetësuese dhe tërheqëse në të njëjtën kohë. Duket se është bërë për të sunduar të tjerët. Në kishë të bën përshtypje më tepër qëndrimi i saj gati në ekstazë.
Në Kolegj jo të gjithë janë në një mendje në lidhje me të. Ka nga ata që ndiejnë për të një admirim të pakufi si e thjeshta motër Tereza Pampuro, e cila gjatë mungesës së drejtorit thotë me entuziazëm: “Sa mirë që Zoti na ngushëllon me një shenjtore në shtëpi”.
Ndërkohë motër Maria vëzhgon dhe vigjëlon. Zemra e saj kujdeset të mbrojë vajzat më të vogla instinktivisht kundërshtare të Simbenit, nga e cila kanë frikë.
Anxhelina Sorbone nuk përmbahet dhe përpara të gjithëve thotë: “Nuk më pëlqen Agostina. I ka sytë të këqij”.
Ka nga ato që, gati të skandalizuara, kërkojnë ta bëjë ta tërheqë këtë pohim, por ajo e përsërit pa frikë me zërin e saj tingëllues.
Ditë pas dite në dom Kostamanjën rritet admirimi, në motër Marinë mospëlqimi.
Çudirat e Agostinës shkojnë e bëhen ekzaltime mistike, që turbullojnë paqen e bashkësisë dhe infektojnë pjesëtaret më të brishta.
Sikleti vazhdon
Një natë para 15 qershorit, festës së Korpit të Krishtit, një e bërtitur prish gjumin e motrave.
“Zbrisni të gjithë në kapelë, – thotë Agostina, – Hyji na do.”
Në gjysmëhijen e kapelës Agostina i nxit të pranishmit të luten.
Kisha është bërë si një liqen i vogël i shqetësuar nga era e fortë. Pëshpëritet, kërkohet të shihet më e mira, motrat përshkohen nga një dridhje sensacionale. Dom Kostamanja është i bindur për mirësinë e vajzës. Motër Maria përkundrazi. Por dihet se ata të dy kishin edhe gjëra të tjera që i shihnin ndryshe.
Ndërkohë situata përkeqësohet. Ato që e ndiejnë klimën e tensionit dhe të frikës, që është e kundërta e atmosferës mornezine, janë veçanërisht postulantet, domethënë të rejat që kërkojnë të bëhen rregulltare.
Nëna, më shumë se të gjithë, e ka kuptuar rrezikun e fshehur që po kërcënon bashkësinë, veçanërisht të rejat. Është një moment i vështirë dhe i rëndë.
Kronihistoria nuk heziton të shënojë: “Edhe pse interesohej me dashuri për to, nuk mungonin vajzat, që, të fiksuara, do të donin të largoheshin. Thonë se në kolegj, përveç se ka pak ushqim dhe shumë punë, ka edhe shumë frikë. Me të vërtetë, mjafton të shohësh Agostinën kur shkon në kishë, për t’u trembur. Bie përtokë, sillet si ta kishin kapur konvulsione.
Vetë drejtori fillon ta kuptojë se disa sjellje të Agostinës nuk vijnë nga Hyji.
Por nuk është e lehtë të lirohesh prej saj. Nëna kërkon një rast të volitshëm dhe i lutet Zojës Ndihmëtare. Ja, një ditë Agostina kërkon të takojë themeluesin. Shpejt motër Maria bëhet gati ta shoqërojë.
Kur gjenden përpara studios së dom Boskos, vizionarja vrapon përpara duke hyrë në dhomën e shenjtit e duke i mbyllur derën në fytyrë nënës.
Por dom Boskoja nuk ka nevojë ta pyesë gjatë. Motër Marisë, që dëshiron prej tij fjalën përfundimtare, dom Boskoja i thotë: “Lirohuni nga ajo sa më shpejt. Do t’i shkruaj vetë dom Alberës që t’ju ndihmojë në këtë punë”.
Për këtë periudhë të trazuar dhe për protagonisten e kësaj historie motër Maria do t’i shkruajë në korrik dom Kaljeros një raport mjaft të detajuar dhe, pasi përshkruan ekstazat, vizionet dhe rrëmbimet, përfundon: “Pastaj skena ndryshoi dhe e vumë re se ajo ishte e pushtuar nga djalli. Duke mos gjetur asnjë shërim, sipas urdhërit të dom Boskos, e kemi dërguar për ndonjë mrekulli në Romë”.
Dhe kjo ishte mënyra për ta mbyllur me një shprehje humoristike këtë periudhë, ndoshta periudhën më të errët dhe tragjike të jetës në Morneze, gjë që tregon edhe një herë atë realizëm të shëndoshë, atë qëndrueshmëri njerëzore dhe shpirtërore që arrin të zhdramatizojë menjëherë ngjarjet e t’i ridimensionojë, duke i parë në vizionin më të gjërë të Provanisë.
Dom Françezia në biografinë e parë të motër Marisë shkruan se “djalli e shqetësonte në shumë mënyra shtëpinë e Mornezes dhe dukej se bënte gjithçka për të thyer atë paqe dhe harmoni të shpirtrave”.
Bijat e para të Marisë Ndihmëtare dëshmonin se Simbeni ishte e dërguar nga masoneria për të shkatërruar institutin.
Mornezeja shfaqet me fytyrën e varfër, por të qetë të një realiteti që rritet, por që mbart edhe shenjat e brishtësisë. Kufizimet bashkëjetojnë me vullnetin e mirë për të kaluar çdo vështirësi, lodhje dhe parehati. Nëna Maxarelo përballë mungesave nuk ankohet dhe në të njëjtën kohë nuk qëndron pasive ndaj ngjarjeve, por bën zgjedhje të qarta dhe të peshuara, duke u angazhuar në realizmin konkret dhe duke vënë në veprim një strategji edukuese. Ajo zotëron artin aq të vështirë të pranimit të realitetit pa ankth e depresion, qëndrime këto që paralizojnë energjitë dhe bëjnë të humbasë entuziazmi. Humori i mirë e gjallëron dhe e mban bashkësinë e parë, duke e inkurajuar në shpresë, në paqe dhe në guxim.
Kthimi i gëzimit
Pasi u nis Agostina, u nis edhe ankthi që dukej se po paralizonte kolegjin. U kthye gëzimi dhe atmosfera e festës. Rasti më i mirë për ta shprehur këtë gëzim është dita e emrit të nënës, 6 korriku, festa e shën Domenikës. Kështu, motrave, të cilat për herë të parë që kur motër Maria është “nëna” e tyre, po përgatiten për ta festuar, nuk u durohet sa të thurin këngë, poezi dhe shprehje të tjera për t’i uruar festën.
Por në momentin e caktuar nëna duket se nuk gjendet. Kërkojnë sa majtas, djathtas e më në fund e gjejnë në tavan. Ishte fshehur atje me shpresën që të mos bëhej objekt i shumë vëmendjeve dhe lavdërimeve, që nuk i shkojnë aspak për shtat natyrës së saj të përvuajtur. Natyrisht, kjo nuk i pëlqen dom Kostamanjës, i cili nuk vetëpërmbahet pa i tërhequr vëmendje para të gjithave. Përsa u përket këtyre qortimeve publike, Kronihistoria kujton disa që na bëjnë të kuptojmë qoftë dashurinë, qoftë përvujtërinë e motër Marisë.
Në gusht, në vend që të organizohet një, organizohen dy turne ushtrimesh shpirtërore: një për motrat dhe një tjetër për zonjat. Kultivimi i shpirtit të grave, të cilat do të jenë animatore të besimit në familje, në shkollë dhe në shoqëri, do të bëhet një karakteristikë e Bijave të Marisë Ndihmëtare.
Janë interesante shënimet që përshkruajnë bashkësinë e origjinës në librin Nga Jeruzalemi në Morneze dhe në të gjithë botën. Motrat e para janë gra të thjeshta dhe bujare që mishërojnë në jetën e tyre një model të ri gruaje solidare me nevojat e njerëzve dhe të gatshme për të promovuar shtresat më pak të avantazhuara. Në Morneze më së pari dhe pastaj në Nisë “një zemër e madhe do të thotë edhe ndjeshmëri e lartë edukuese, intuitë, sipërmarrje dhe guxim për t’iu përgjigjur sfidave të promovimit të gruas. Kjo kishte si pasojë, në një kohë kur diskriminimi ishte i madh, përgjigjen ndaj kërkesës për kulturë, liri, zhvillim të vajzave, mbi të gjitha ato të shtresave më të varfra. T’u përgjigjeshin këtyrë kërkesave edukuese, për motrat e para do të thoshte të ndërmerrnin një rrugë të përvuajtur dhe këmbëngulëse drejt kërkimit të mjeteve, të strukturave, të kompetencave. Ndaj bashkësia e parë bën të vetën logjikën ungjillore të përvujtërisë, por edhe të punës për t’u kualifikuar në nivel pedagogjik e didaktik dhe tregohet elastike dhe e guximshme për të përqafuar të renë”.
Në këtë kohë një motër tjetër niset për në parajsë dhe “pasaporta” në momentet e fundit është në rregull si e gjithë jeta e saj. Është motër Luixhina Xhordano, e cila vdes me sëmundjen e tifos.
Po në të njëjtin vit bëhen edhe dy themelime të tjera. Njëra është për një shërbim të seminarit të Biellës, ku ipeshkvi, Imzot Bazilio Leto, do të bëhet admirues i madh i nënës, derisa nuk do të hezitojë ta konsiderojë shenjtore.
Themelimi tjetër është për Alasion, ku motrat punojnë tek salezianët, drejtori i të cilëve është dom Françesko Cerruti. Nëna angazhohet për të zgjedhur personelin më të përshtatshëm, si për njërën shtëpi, ashtu edhe për tjetrën.
Kur bëhet fjalë për t’i thënë fort motër Xhuzepinës se do të jetë ajo drejtoresha e Alasios, prandaj duhej të bëhej gati për të lënë Mornezen, nëna i thotë: “Dëgjo, sot në pushim, kur të luajmë, dua që ti të vish afër meje”.
“Shumë mirë, nënë! Më mirë nuk do të shkonte!”
Gjatë lojës, kur motër Xhuzepinës as nuk i shkon mendja për ndonjë surprizë, nëna i thotë: “Motër Xhuzepina, a më bën një nder?”.
“Po, nënë. Edhe njëqind.”
“Është pak e vështirë, por Hyji do të të ndihmojë. Kam menduar të të dërgoj drejtoreshë në Alasio.”
Motrës i mbet fjala në fyt dhe e shikon me sy të zgurdulluar. Por motër Maria, duke e njohur mirë, e di se mund t’ia humbë vëmendjen me një shprehje: “Kujdes lojën!”.
Momenti i pushimit e i lojës mbetet për nënën një moment i privilegjuar për strategjinë e saj edukuese, në shpirtin e “haresë së shenjtë”, që, sikurse kemi parë, ishte atmosfera tipike saleziane dhe mornezine.
Humanizëm i thellë
Prania e motër Marisë në mes të vajzave dhe motrave vazhdon, pra, të ketë cilësi thellësisht njerëzore. Ajo që e bën të dashur për të gjithë, është pikërisht pjesëmarrja me mish dhe me shpirt si çdo njeri tjetër, duke shfaqur edhe brishtësinë njerëzore.
Kjo shtresë njerëzore, e rrënjosur në dashurinë e Hyjit, e bën të kuptojë fluturimthi disa situata dhe të qetësojë ndërgjegjen e bijave.
Tregon një motër: “Në ditët e agjërimit nuk shkonim në mensë në mëngjes dhe pikërisht atëherë e ndieja më shumë urinë.
Nëna më kishte dhënë si detyrë të merrja bukën dhe ta vija në arkë, duke hequr grimcat e ditës së mëparshme, që ishin të caktuara për pulat. Një mëngjes mendova: “Po përse t’ua japim pulave gjithë këtë bollëk që na e fali Zoti? A nuk vlej unë më shumë se një pulë?”. Dhe i kullufita e uritur të gjitha grimcat.
Por pastaj u ndjeva keq dhe shkova te nëna për t’i treguar se çfarë më kishte ndodhur. Prisja një qortim, po përkundrazi, e pashë që u zbut në fytyrë dhe më tha: “Oh, bijë e shkretë! Bëj çdo ditë ashtu si ke bërë dhe, nëse nuk të mjaftojnë grimcat e arkës, merr edhe ato të thasëve”.
Për ta kuptuar delikatesën amnore të këtyre fjalëve, duhet të konsiderojmë situatën ekonomike të atij viti 1876 në kolegj. Pohon Kronihistoria: “Tashmë as furrëtari nuk na jep kredi dhe borxhet me oratorin e Valdokos përbënin një shqetësim të vazhdueshëm”.
Ndërsa motrat jetojnë në varfërinë më thellë, në mensën e nxënëseve nuk mungon asgjë që është e nevojshme për shëndetin e tyre, si dokumentojnë rregulloret e edukantatit të Mornezes dhe pastaj të Nisës të publikuara në: Gjurmë jete, shenja të së ardhmes.
Vërtetësia e jetës
Ndërkohë nëna i pret me mirësi të rejat e shumta që duan të bëhen rregulltare dhe i ndihmon të ambientohen në bashkësi. Nuk heziton t’i korrigjojë, duke pasur si qëllim vërtetësinë e jetës.
Ja disa nga këshillat e saj më të shpeshta: “Mos i kini zili ata që në kishë lëshojnë psherëtima dhe derdhin lot e pastaj nuk dinë të bëjnë një sakrificë të vogël, as të përshtaten për një punë të përvuajtur. Përkundrazi, a e dini se kë duhet të keni zili? Ata që, me përvujtëri të vërtetë, përshtaten për gjithçka dhe janë të kënaqura të jenë fshesa e shtëpisë”. Në vjeshtën e 1876-ës nëna i shkruan dom Kaljeros: “Besoj se është mirë t’ju them se deri tani ka pasur gjithnjë paqe, hare dhe vullnet të mirë që të gjitha të bëhen të shenjta dhe falënderoj Zotin për këtë. Të them të vërtetën, mbetem e mrekulluar dhe njëkohësisht e hutuar tek shoh këto bija gjithnjë të hareshme e të qeta. Shihet me të vërtetë, ndonëse unë nuk jam e denjë, nëna jonë e dashur, Zoja Ndihmëtare, na jep hire të mëdha. Kini mirësinë të luteni gjithmonë që të mbahet ky shpirt e të rritet gjithnjë e më shumë dhe që virtytet që shihen se po lulëzojnë, të jenë më shumë të brendshme se të jashtme”.
Vërtetësia e jetës është kjo: më mirë të jesh, se të dukesh. Të qenit ka përparësi ndaj aktivitetit të jashtëm dhe, gjithashtu, lipset mbrojtje ndaj të vepruarit të rrëmbyeshëm dhe cfilitës.
Nese frytet tregojnë mirësinë e pemës, është rrënja ajo që e ushqen pemën gjithmonë. Dhe rrënja e pemës së Mornezes është kjo brendësi e motër Marisë, kjo mënyrë që shkon drejt e tek e vërteta, mu në zemër.
Është ajo që këshillon që gjithçka të bëhet me “zemër”: lutja të bëhet ashtu si puna, sakrifica ashtu si momentet e çlodhjes.
Virtyti për nënën, pra, duhet të ketë rrënjë në zemër, do të thotë të “themelohet në qendrën më të thellë të shpirtit”, si thotë edhe Ester Pozada, studiuese e mprehtë e përshpirtërisë. Çelësi është zemra, sepse virtytet i kanë rrënjët në thellësi, ato e thjeshtësojnë ekzistencën dhe lejojnë të perceptohet gëzimi i Zotit.
Motër Xhuzepina Pakotos nëna do t’i shkruajë në maj të 1879-ës: “Për të qenë e hareshme, duhet të shkosh përpara me thjeshtësi. Mos kërko kënaqësi as te njerëzit, as në gjërat e kësaj bote. Mendo vetëm të përmbushësh mirë detyrën tënde për dashuri të Krishtit dhe mos mendo gjë tjetër.
Nëse do të jesh e përvuajtur dhe do të kesh besim në Atë, Ai do të bëjë pjesën që mbetet. Pra, mos shko më të lagësh me lot stufën në zyrë dhe mendo se nuk është më koha që të bësh çupërlinën. Duhet të kesh urti dhe të japësh shembull të mirë.
Përsa i përket nënës zëvendësuese, të jesh e sigurtë se di të të kuptojë. Të kesh shumë besim, t’i thuash gjithçka dhe, nëse ndonjëherë duket se nuk të beson, nuk ka rëndësi. Pranoje si përulje; do t’i bëjë mirë shpirtit. Pra, ji e gëzuar dhe bëhu e guximshme”.
Kjo pjesë e letrës hapet dhe mbyllet me temën e gëzimit!
Por bërthama është ecja me thjeshtësi, duke punuar vetëm për dashuri të Jezusit.
Dëshira e Amerikës
Mbyllja e vitit 1876 shënohet edhe nga një tjetër letër dërguar nga nëna dom Kaljeros në Amerikë.
I tregon për vigjiljen e Krishtlindjes, në të cilën janë mirëpritur 11 pjesëtare të reja në institut dhe se pikërisht në meshën e mesnatës pesë nxënëse morën kungimin e parë.
“Dita, – thotë tekstualisht, – kaloi në hare të shenjtë, në shoqërinë e Jezusit Fëmijë.” Me familjaritet të madh ankohet se ai i shkruan pak dhe shton: “Dom Boskoja nuk na shkruan kurrë një fjalë. Na shkruani ju dhe mos lini të na marrë malli për letrat tuaja”.
I jep lajme për themelimet e reja në Lu Monferrato. Për tetë shtëpitë që përfaqësojnë familjen e saj të vogël, shkruan: “Dashuria mbretëron kudo; dashtë Hyji të na japë hirin që të vazhdojë gjithmonë kështu, madje të mund të fitojmë shumë virtyte e mbi të gjitha Dashurinë e tij të Shenjtë”.
Letra është e gjatë dhe spontane si një bisedë miqësore.
“Do të ishte momenti që të vinit pak; ka kohë që jeni larguar! Sikur ta dinit sa motra dhe postulante ju nuk njihni tashmë! Do të duhej me të vërtetë që të vinit e ti shihnit. Të paktën, nëse nuk mund të vini prapë, kini mirësinë të na thërrisni në Amerikë sa më shpejt. Mes nesh ka nga ata që dëshirojnë të shkojnë në Amerikë, por kryesisht shtatë janë të përgatitura dhe këto janë: motër Madalena Martini, motër Emilia Bornja, motër Adele David, motër Celestina Riva, motër Karamela nga Ovada, motër Turko Klotilde, motër Maria Maxarelo, domethënë unë.”
Nuk lë pa thënë edhe lajme që të bëjnë të buzëqeshin ata që janë larg: “Kemi shumë postulante, – thotë, – dhe recitojnë në skenë komedi të famshme. Njëra, që është mësuese, bën marionetën në skenë dhe na bën të qeshim të gjithave”.
Komunikon edhe lajme të dhimbshme: “Më 11 nëntor vdiq motër Maria Beleti, pasi na dha shembull me duresën e saj. Dhe, sikur t’i fliste vetes, vazhdon: “Tani nuk kemi më asnjë të sëmurë. Kush e di cila do të jetë e para që do të shkojë në parajsë? Do të jem unë? Do të isha me fat po të ishte kështu! Nuk dua të humbas rrugës, por dua të hyj menjëherë në atë Shtëpi të ëmbël. Lutuni pak për mua, që të bëhem e denjë dhe të vdesë në mua dashuria që kam për veten. Kjo dashuri më ngatërron kaq shumë në ecjen time, sa më merren këmbët e bie përtokë si një i dehur”.
Imazhi i rënies përtokë si një i dehur jep idenë e brishtësisë së saj, si gjithë të tjerët, por edhe të realizmit që e bën të dijë të përafrojë realitetet e botës së jashtme me realitetet e botës së brendshme.
Kapitulli 8
Përtej kufijve
Vizitat e para nëpër bashkësi
Viti 1877 eshte viti, në të cilin kolegji u bë një familje e madhe. Motrat, noviciet dhe postulantet tashmë janë rreth gjashtëdhjetë. Ndërkohë ka edhe një numër të madh nxënësesh.
Motër Emilia Moska është përgjegjëse për shkollën, motër Maria ka sy për gjithçka. Angazhimi i saj kryesor është që ky vend vogël, Mornezeja, të jetë plot me dashurinë e Hyjit.
Me të ardhur karnavalet, organizatorët e ballove publike, ekspertë tashmë nga dështimet e kaluara, shpikin formulën e re të vallëzimit për qëllime bamirësie. Në këtë mënyrë mendojnë se edhe vajzat e shumta që frekuentojnë kolegjin, do të bien pre. Por u shkon huq.
Sapo lajmi bie në vesh të motrave, lind ideja e një teatri që të përfshijë si aktore shumë vajza dhe si spektatorë të afërmit e tyre. Bëhet fjalë për një iniciativë që elektrizon të gjithë botën rinore të Mornezes.
“Sa fytyra të reja në teatrin e kolegjit, – shkruan Kronihistoria, – dhe sa duartrokitje të paparashikuara. Mund të thuhet se qëllimi ishte arritur: asnjë vajzë nuk shkon në vallëzimin e bamirësisë.”
Shpërthen gëzimi. Ndërkohë mossuksesi i vallëzimit rindez vreret e vjetra, që lëndojnë zemrën e nënës, por nuk tundin fenë e madhe dhe gatishmërinë për vullnesën e Hyjit.
Ditët rrjedhin të qeta dhe motër Maria fillon të vizitojë shtëpitë e Biellës dhe të Borgo san Martinos.
Motrat e bashkësisë së Biellës janë të lumtura për praninë e saj.
Por, kur nëna niset, zemra i rëndohet. Sipas saj janë tepër rehat në këtë shtëpi. Edhe në Borgo san Martino po e njëjta përshtypje.
Mornezeja është një vend që vështirë se mund të krahasohet. Varfëria dhe asketizmi më i rreptë mbretërojnë pa rivalë.
Çdo themelim i ri, në krahasim me Mornezen, duket tepër i rehatshëm. Dhe nëna e ndien. Nuk mundet dhe nuk dëshiron t’ua fshehë motrave.
E propozon, pra, pa stërhollime shpirtin e varfërisë dhe të sakrificës që karakterizon Mornezen.
Kronihistoria kësaj vërejtjeje i shton edhe këshilla të tjera të nënës rreth punës së bërë me pasion në mes të vajzave, por “gjithmonë dhe vetëm për dashurinë e Hyjit, duke e dashur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”.
Kur nëna kthehet në Morneze, mbërrin pikërisht në kohë për të dëgjuar nga goja e motër Ana Suketit, në shtratin e vdekjes, këtë konfirmim që sapo e ka mësuar.
Me fytyrën e qetë drejt kufirit të amshueshëm, motër Ana i dorëzon nënës dhe të gjitha motrave një mesazh: vdekja është verifikimi i stilit të jetës autentike; stili i Mornezes është i fortë dhe i qëndrueshëm.
Në thjeshtësinë e jetës
Në maj motër Maria organizon një nga ato shëtitjet e hareshme për bashkësinë. Këtë herë objektivi është Shenjtërorja e Hireve në Lerma. Siç ndodh gjatë këtyre shëtitjeve, motrat ulen në një radhinë të gjelbër përreth nënës dhe i këndojnë Zojës në ajrin më aromë lulesh.
Po kush është ajo vajzë e vogël, e cila, e tërhequr nga zërat rinorë, duket e zhduket pas kaçubeve?
Ajo që menjëherë i bën përshtypje nënës, është pamja e jashtme: rroba të grisura dhe të palara, që tregojnë se jeton në mjerim të madh.
Me butësi nëna e thërret vajzën pranë vetes, e pyet dhe i jep pak bukë. Pastaj, me t’i ardhur një ide, sytë i shkëlqejnë. Fton një prej motrave ta shoqërojë vajzën deri te përroi për ta pastruar dhe ndërkohë pyet motrat: “Kush nga ju ka një përparëse në kushte të mira?”.
Motrat e shikojnë të hutuara dhe ajo vazhdon: “Bëhet fjalë të bëjmë sa më mirë dhe menjëherë një veshje për këtë vajzë”.
Menjëherë gjenden në duart e saj pe, gjilpërë, gërshërë dhe përparësja ku ajo pret dhe qep me shkathtësinë që e karakterizon. Por njëkohësisht dialogon me vajzën, e cila ia ngul sytë nga mrekullia dhe hapet para saj një gëzim dhe një shpresë.
Kur veshja është bërë gati, ia provon dhe, pasi ia palos në një letër, i jep edhe pjesët e mbetura nga copa.
“Merri, – i thotë, – këto do të të shërbejnë kur ta arnosh.”
Pasi e fton që të rritet e mirë, t’i drejtohet me besim Hyjit, Atit të mëshirës, dhe të thotë shpesh Të Falemi Marinë që sapo e ka mësuar, nëna e përshëndet vajzën.
Në qershor nëna gjendet në Alasio. Edhe kësaj here dom Boskoja e ka nxitur ta bëjë këtë vizitë sidomos për një qëllim: për të ngushëlluar bashkësinë, e cila është provuar nga vdekja e papritur e motër Katerina Maxarelos.
Për praninë e saj në Alasio Kronihistoria dëshmon: “Nëna flet me çdo motër, u jep kurajë, që të kenë kujdes për shëndetin dhe të mos e humbin zellin, të punojnë, por me qetësi dhe pa ngut.”
Me t’u kthyer në Morneze, menjëherë bën një shaka për gëzimin e një takimi të ri. Thotë plot hare: “Ja një dhuratë: bonbonet e Alasios”.
Por ndonjëra që i provon, menjëherë jep alarmin: “Kujdes! Janë guralecë nga plazhi”. Kështu, shakaja i shërben për mrekulli që të veshë me gaz brumin, tharmi i të cilit është dashuria, por mielli është sakrifica dhe varfëria.
Më në fund nisja për Amerikë
Ndërkohë nga Mornezeja vazhdojnë nisjet. Këtë herë bëhet fjalë për në Nisë, një qytezë detare franceze. Është dom Boskoja ai që i thërret motrat të kalojnë tashmë kufijtë. Dëshira e madhe misionare që i kishte bërë zemrat të dridheshin, tani po gjen përgjigje.
Në fakt, dom Kaljeroja kthehet nga Amerika dhe gjendet në Morneze pikërisht për mbylljen e ushtrimeve shpirtërore, më 3 korrik.
Festa për praninë e tij aq të pritur është e madhe dhe Kronihistoria shënon: “Sapo mbaroi kremtimi, kush i mbante motrat? Flitej kudo, të bindura se më në fund do të niseshin për në Amerikë”.
Ndërkohë nëna vazhdon të formojë motrat e reja. Janë ditë, në të cilat disa këshilla të lindura nga përvoja e saj shpirtërore gjejnë vend në zemrat e atyre që po përgatiten të nisen.
“Duke parë motra më të virtytshme se ne, të angazhohemi të praktikojmë virtytet e atyre që na japin shembull. Nëse e shohim se kemi rënë në ndonjë defekt, të ripërtërijmë menjëherë angazhimin që të mos biem më. Kur, pastaj, të shkojmë të rrëfehemi, të rrëmojmë mirë ndërgjegjen tonë […], por pa u hutuar në fantazira dhe frikëra të pathemelta. Duhet të jemi gjithmonë të sinqerta dhe të thjeshta.”
Esencialiteti, realizmi shpirtëror karakterizojnë qenien përpara të vepruarit dhe të predikuarit. Jo rastësisht kthehet, si sfond muzikor i gjithçkaje, lajt-motivi i gëzimit.
Në fakt pikërisht në këto kohë është këshilla më e përsëritur e Nënës atyre që rrinë në Morneze dhe atyre që bëhen gati të nisen: “Të mbajmë mend, motra, se Hyji e do atë që jep me gëzim: një motër që dëshiron të jetë një Bijë e Marisë Ndihmëtare e vërtetë duhet të jetë e kënaqur në atë shtëpi dhe në ato punë në të cilën Hyji e do. Çdo shtëpi e dom Boskos duhet të jetë shtëpia e haresë së shenjtë”.
Shtatori pjek vilet e rrushit nëpër vreshta, ku mbërrin një lajm shumë i pritur: më në fund Bijat e Marisë Ndihmëtare do të nisen për në mision në Amerikë. Do të kenë si pikëmbërritje Uruguajin. Do të niset me to dom Kostamanja, i cili jep lajmin duke shkruar me shaka: “Zoti teolog, dom Kaljeroja, pasi mori leje për të nisur grupin e parë të motrave misionare, le të nxjerrë lejen edhe për të transferuar këtë trumcak që t’i shoqërojë ato në Montevideo”.
Të gjitha motrat do të donin të niseshin dhe shumë prej tyre, me liri të plotë, bëjnë kërkesë me shkrim.
Më 27 shtator ja një lajmërim zyrtar me emrin e të zgjedhurave: motër Anxhela Valeze, drejtoreshë e grupit fatlum, motër Xhovana Bornja, motër Anxhela Kasulo, motër Anxhela Denegri, motër Tereza Xheda, motër Terezina Maxarelo.
Lajmi u përhap menjëherë edhe në vendet më të afërta, ku një grup vajzash organizon një shëtitje me qëllimin e vetëm që të shohë dhe të përshëndesë misionaret e Mornezes.
Në Romë
Roma është një vend i e largët dhe gjithmonë i dashur. Por atje do të shkojnë vetëm dy misionare për shkak të ngushticës ekonomike. Bëhet fjalë për të marrë pjesë në takimin me papën së bashku me dom Kaljeron dhe me Salezianët, që po nisen për në Amerikë.
Motër Maria vuan shumë nga reumatizma që ia mundon kokën dhe veshët, dhe do të donte t’ia besonte motër Petronilës detyrën për të shoqëruar në Romë misionaret. Zëvendësja këmbëngul që të shkojë motër Emilia Moska. Por kjo e fundit, pasi e kuptoi nga shikimet e motrave që po niseshin për në Amerikë, dhimbjen e ndarjes nga nëna e tyre, hezitoi të shkonte.
Nuk duhej gjë tjetër që nëna të merrte një nga ato vendimet, në të cilën nuk dihet a ka më shumë peshë autoriteti i saj, apo braktisja e saj në Hyjin.
“Shkoj unë. Në fakt më takon mua. Zoti do të mendojë.”
Në Romë përvoja e takimit me papën e prek nënën në thellësi. Papa tregon gjithë gëzimin dhe dashamirësinë e tij, si dhe habinë për atë grup të madh që kërkon bekimin para nisjes për në mision në Amerikë, dhe e pyet dom Kaljeron: “Ku i merr gjithë këta njerëz dom Boskoja?”.
“Shenjtëria juaj, ia dërgon Provania hyjnore.”
“Oh, Provania hyjnore!” thirri Piu IX.
Reagimi i motër Marisë në këtë moment është i menjëhershëm dhe spontan.
“O Zot, bekojeni zëvendësin tuaj.”
Dom Kaljeroja e prezanton motër Marinë si eprore të përgjithshme të institutit dhe prezanton, gjithashtu, edhe motrat misionare.
“Qofshi si gurra uji te gjallë, – na porosit Piu IX, – gurrat që marrin ujë mirësie nga dija e Hyjit, për ta derdhur atë mbi të rejat që do t’ju besojë Hyji.”
Pasi e morën bekimin, takimi u mbyll dhe një e pëshpëritur lehtë dhe e mallëngjyer shpërthen në të gjithë. Koha e mbetur për të qëndruar në Romë është e shënuar nga një ngjarje në Katakombe.
Era është shumë e ftohtë dhe lagështira e madhe deri në ato galeri të nëntokës. Nëna, e cila është plot me reumatizëm, e ka mbështjellë kokën me një shall të zi. Po që kur dhimbja e saj e bën të harrojë dhimbjen e të tjerëve? Ja, tani ajo vëren Karlo Panen, një klerik salezian, i cili po dridhet nga të ftohtit dhe e heq shallin e ia jep atij. Për sa i përket asaj, e gjen menjëherë zgjidhjen: nxjerr nga xhepi një shami të zezë me vija vjollcë dhe mbulon kokën.
Pastaj në shtëpinë e pritjes së shtegtarëve bën shaka se mund të jemi krenare e të pasura me një jastëk të tillë nën kokë. Kur dhimbja e kokës dhe e veshëve ishin shumë të forta, ajo kënaqej me një stol druri për të mbajtur kokën lart.
“Ne jemi të shkreta” u thoshte atyre që do të kishin dashur t’i jepnin një mbështetëse më të butë.
Ditët e fundit të qëndrimit në Romë e magjepsin këtë nënë të vogël me historinë e madhe të apostujve dhe të martirëve. Gjithçka gjen jehonë në zemrën e saj të hapur ndaj mrekullimit. Dhe rilulëzon i njëjti entuziazëm i viteve të rinisë: “O, sa e bukur do të jetë parajsa!”.
Përshëndetja
Në Sampierdarena atyre që po kthehen nga Roma u bashkohet edhe grupi i plotë i atyre që nisen. Është e mërkurë, më 14 nëntor 1877. Dom Boskoja në mesin e tyre thotë: “Kujtohuni se po shkoni në Amerikë për të luftuar mëkatin”.
Në momentin e imbarkimit grupi hipën në bord, ndërsa shiu rreh bashin e anijes me një erë që fishkëllen furishëm. Kronihistoria shkruan për motër Marinë: “Shkon kabinë më kabinë, për t’u siguruar se nuk u mungon asgjë, që t’ua lehtësojë sado pak motrave mundimet e udhëtimit. Pastaj, sikur zemra ta ndiente nevojën për t’iu dhuruar akoma bijave, të cilat mendon se nuk do t’i shohë më, qëndron me çdonjërën në veçanti, u flet të gjithave së bashku dhe pastaj i shoqëron aty ku ndodhet dom Boskoja, i cili menjëherë u përsërit atyre ndonjë nga ato fjalët e tij të frymëzuara, që zënë vend”.
Vjen i pashmangshëm momenti i lamtumirës. Një zë monoton lajmëron vizitorët të braktisin anijen. Mbi meshtarët dhe motrat që do të nisen, ngrihet dora bekuese e dom Boskos, i cili menjëherë vrapon drejt shkallës së anijes me sy të mbushur me lot.
Edhe nënë Maxareloja gati duket sikur do të ikë pa u vënë re. Zemra vuan, edhe pse feja shtrin paqen e thellë të Hyjit. E ndiejnë ata që nisen, dhe e dinë dom Boskoja e motër Maria, ndërsa mbi barkën që përkundej nga dallgët, largohen nga anija së bashku me disa të tjerë.
Për një çast dëgjohet një këngë: Unë dëshiroj të dua Marinë. Janë misionarët dhe misionaret. Zemra e nënës e kishte kompozuar së bashku me dom Kostamanjën këtë këngë, duke e provuar me qindra herë muzikën në organo, në sakrestinë e Mornezes.
Ai njeri që kaq shpesh e kishte korrigjuar dhe përulur, e donte thellësisht Zotin, si dhe krejt kolegji i Mornezes. Jo rastësisht kishte shkruar në fletoren e kronikës së shtëpisë: “Sot është një ditë ndarjeje. Zoti më dhashtë forcën për të bërë vullnetin e tij në gjithçka; dhe unë, pasi të kem kënduar me gëzim: “Sicut Domini placuit ita factum est. Sit nomen Domini benedictum” (Si t’i pëlqejë Zotit, ashtu u bëftë. U bekoftë Emri i Zotit.), po e bëj hapin e parë dhe po i jap lamtumirën e trishtuar kësaj shtëpie të shenjtë, ku për tre vite dhe më shumë mëshira e Hyjit deshi të vërë përpara syve të mi kaq shembuj të mirë, nga të cilët kam përfituar. Lamtumirë, pra”.
Saleziani i ri, megjithë vetëpërmbajtjen e tij asketike, kishte mbetur me të vërtetë thellësisht i habitur nga shenjtëria që i lulëzonte përpara syve në shtëpinë e Mornezes.
Motër Maria do të marrë më vonë nga dom Kostamanja letra plot me ndjenjë e mirënjohje. Letrën e parë ia shkruan nga Gjibraltari. Ajo mbart datën 19 nëntor 1877. Letra hapet me një shprehje familjare: “Nëna ime e mirë” për të vazhduar më pas me këshilla praktike për motrat, vajzat dhe për të: “Lamtumirë, nëna ime e dashur, bëhuni e shenjtë dhe lutuni shumë, shumë. Nëse një eprore nuk lutet, nuk do të mundet, nuk them të bëjë mrekulli, por as të ketë hiret më të zakonshme për bijat e saj dhe ne kemi nevojë për mrekulli” .
Përshëndetja e misionarëve dhe e misionareve mbyllet me një dialog të shkurtër mes dom Boskos dhe motër Marisë. Nëna, pas një heshtjeje të gjatë, e pyet dom Boskon: “Atë, a do të shkoj edhe unë në Amerikë?”.
“Ju, – iu përgjigj duke e shikuar thellë, – ju do të shkoni kur të shkoj edhe unë”.
Një marrëdhënie e vështirë
Në mbrëmësoren e parë të festës së Zojës së Papërlyer arrijnë në Morneze dy motra, Ema dhe Oliva Ferrero. I ka dërguar dom Boskoja. Atij ia ka rekomanduar një baba, një njeri i shkretë, i cili ka falimentuar ekonomikisht.
Ema është tetëmbëdhjetëvjeçare, krenare, e trishtuar dhe tërheqëse. Ka frekuentuar kolegjet më aristokratike dhe ka hyrë lirisht në festat mondane te aristokracisë së pasur. E di se është një vajzë e bukur dhe e hijshme, e di se është e pëlqyer nga shumë njerëz dhe ndihet mbretëreshë e ballove dhe e salloneve. Ka pranuar të vijë në Morneze vetëm për t’u larguar nga turpi dhe mjerimi.
Por këtu nuk bëhet fjalë që t’i flasin për një stil dhe një mënyre jetese, i cili i duket i pakuptueshëm. Mos të guxojë kush ta ftojë në lutje. Jo, Ema nuk mund të pranojë shprehjen e një besimi të përgjumur dhe konfuz që gjendej në të prej vitesh. Në mendjen e saj krenare ajo përafron besimin me superticionin dhe fanatizmin.
Përçmuese dhe ironike përballë atyre që do të donin ta ftonin të kremtojë festën e së Papërlyerës së bashku me të tjerat, ajo fillon të mbyllet në vetvete. Është një qëndrim që zgjat shumë. Edhe motër Maria, e ndihmuar nga motër Emilia Moska dhe motër Enriketa Sorbone, kërkon të heqë atë rezistencë plot mllef, që ushtron njëfarë magjepsjeje mbi shoqet më të reja dhe më të parrahura me jetën.
Kronihistoria shënon: “Ha pak, fle shumë pak; nuk punon, nuk lutet. Është vazhdimisht nervoze, gjithnjë e shpërqendruar, me shikim të vëngër, nuk shqetësohet për tjetër përveçse për baulen e saj”.
Motër Maria nuk shkandullohet, përkundrazi u jep guxim bashkëpunëtoreve të saj dhe vendosin një strategji lutjeje për Emën me një ushtrim të vazhdueshëm durimi dhe dashamirësie. Ka për qëllim kurorëzimin e suksesshëm në kohën e Krishlindjes dhe të klimës që zakonisht krijohet në këtë periudhë liturgjike.
Por Ema është kryefortë, edhe kur entuziazmi i të tjerave e mbush kishën me këngë dhe kolegjin me festë familjare. “Ajo mbetet spektatore e paprekshme, – thotë Kronihistoria, – shkund shpatullat në shenjë shpërfilljeje dhe sillet si një tirane e vogël në shtëpinë e të tjerëve.”
Shënjestra e Emës për të gjitha “jo-të” e saj kokëforta bëhen gjithnjë e më shumë edukatorja, e cila më shumë u rrinte afër vajzave, motër Enriketa Sorbone. Nëna, e vëmendshme ndaj disa mekanizmave psikologjikë, gjen një zgjidhje, fryt i ndjeshmërisë së saj pedagogjike.
“Eja me mua, Riketa, – i thotë motër Sorbones, – ta lëmë Emën me motër Emilian. Kush e di nëse ky ndryshim e ndihmon, duke bërë që të dëshirojë të kthehet.”
Me valixhe në dorë dhe zemër të hapur, nëna viziton bijat e saj në Nicamare, Bordigera dhe Alasio. Motër Enriketa e shoqëron.
Gjatë vitit 1878 numëron një nga një ditët e ftohta të janarit në qëndrimin familjar dhe të thjeshtë nëpër shtëpi. Kështu ndien klimën dhe mbi të gjitha dëshminë e një jete të thjeshtë gjithnjë e më shumë të udhëhequr nga i vetmi urdhërim i dashurisë.
Ema ndryshon
Kur motër Maria kthehet në Morneze, situata e Emës duket se dalëngadalë po ndryshon, sjellja e saj gradualisht po përmirësohet. Nuk i largohet plot me përçmim kujdesit të motër Enriketës. Megjithëse vazhdon të endet akoma në botën e saj të mbyllur, duket se po u kushton vëmendje atyre që i kërkojnë ndonjë nder.
Ajo që më shumë e karakterizon, është akoma kulti i kujtesës lidhur me baulen e saj, së cilës i kushton orë të tëra. Hareja e shoqeve të saj në karnavale nuk i intereson, edhe pse nuk e acaron ashtu si kohë më parë. Ndonjëherë ia lejon vetes edhe ndonjë buzëqeshje.
Ditët në kolegj kalojnë në një aktivitet të qetë dhe në mirëkuptim, në një klimë të ngrohtë, vëllazërore dhe, dalëngadalë, edhe Ema del fitimtare.
Zgjohet në të vetëdija e mëkatit, që e bën të pajtohet me Hyjin. Ndihet një krijesë, në të cilën risia e Krishtit paraqet çdo ditë surpriza të mbushura me kuptim.
Në qershor nëna niset për në Torino bashkë me disa motra që do të shkojnë në Kieri për një themelim të ri me orator dhe laborator, në dobi sidomos të vajzave punëtore. Çdo ndalim i nënës në Valdoko shënon gjithmonë një vetëdije më të madhe, një zhytje të hareshme në atë klimë familjeje, thjeshtësie dhe gëzimi, që thithet përreth dom Boskos.
Pjesëmarrja në festimet për festën e ditës së emrit të themeluesit e prek në veçanti. “Vazhdon të përsërisë se ka mësuar shumë, – shënon Kronihistoria, – mbi të gjitha thjeshtësinë e shpirtit, pastërtinë e ndjenjave dhe sidomos ka kuptuar se çdo rrethanë mund të shërbejë për t’i bërë mirë dikujt.
Nëna memorizon gjithçka që motrat i thonë për dom Boskon. Në disa gjëra gjen një sintoni perfekte me mënyrën e saj të të qenit dhe të të vepruarit, në gjëra të tjera gjen një arsye për të zbuluar rrugën e mënyrat për t’u dhënë një stil, një fizionomi Bijave të Marisë Ndihmëtare.
Para se të kthehet në Morneze, nëna ndalon në Kieri më 21 qershor 1878. Është festa e Zemrës së Krishtit, dita e inaugurimit zyrtar të veprës së re. Dyqind e pesëdhjetë punëtore të reja e shikojnë, e dëgjojnë dhe i buzëqeshin. Kronihistoria nuk na e tregon, por nëna duhet ta ketë pasur zemrën plot me gëzim si Zoja në këngën Magnificat, duke konstatuar sa shumë Hyji vepron përreth saj.
Në kolegj lajmi se nëna është kthyer në Morneze hapet nga goja në gojë. Të gjitha gëzohen, po më e çuditshmja është sjellja e Emës. I është lutur dikujt ta ndihmojë të nxjerrë në oborr baulen e saj të famshme. Tani është aty përpara thesarit të saj. Në mes të pushimit të madh me duar në baule nxjerr letra, fotografi, xhingla të çdo lloji. Pastaj, me një buzëqeshje të qëndrueshme dhe me dorë të vendosur, pa u shqetësuar për poteren përreth, u vë flakën.
Nëna më shumë se të gjitha kupton se një zjarr tjetër e ka kapur në brendësi Emën. Vajza tashmë shkëlqen dhe digjet aq shumë nga ky zjarr i brendshëm, saqë kërkon ta pranojnë ndër postulantet. Shoqet, pas kësaj ngjarjeje, mbetën të mrekulluara.
Piera Kavalja, duke përshkruar artin edukues të Maria Maxarelos në librin Aktuale, sepse e vërtetë, pohon: “Për motër Maria Maxarelon të edukosh nuk do të thotë të ndalosh vetëm të keqen, por të ndërtosh duke fuqizuar të mirën e pranishme në çdo njeri. Për të arritur këtë, nuk mjafton të mësosh e as të kushtëzosh sjelljen nga ana e jashtme me ndërhyrje disiplinare. Edukumi është një rritje nga brenda, një zhvillim gradual, shpesh i lodhshëm, është të fitosh mbi vetveten dhe të vdesësh ndaj tendencave negative, për të qenë me të vërtetë të lirë për të dashur dhe për të shërbyer”.
Duke djegur baulen e saj, Ema kishte ndërmarrë vëndosmërisht rrugën e shenjtërisë, e mbështetur nga shikimi dashamirës i motër Marisë.
Një grua që di të dëgjojë
Në mesin e verës, në ditën e emrit të nënës, festës me lutje dhe këngës që tashmë është bërë tradicionale, i bashkohet shëtitja në malin Tobio.
Gjithçka në atë ditë është e bukur dhe gjithçka, si zakonisht, shumë spontane.
Megjithatë një tis trishtimi shtrihet mbi të gjithë, në mbrëmje, gjatë përshëndetjes së nënës. “Sot kemi takuar një vajzë të varfër. Ishte e pisët tej mase. Megjithatë asnjëra prej nesh nuk e mori mundimin ta vinte re dhe vajza ka mbetur e vetme në rrugën e saj. Më lejoni t’ju them se ndiej dhimbje. Nëse këto vajza të varfra dhe me rrecka të shqyera na janë besuar neve, përkujdesjeve tona, si mund t’i takojmë pa u drejtuar atyre as edhe një fjalë të mirë?”
Përsa i përket motër Marisë, në të po piqet gjithnjë e më shumë një përshpirtëri e depërtuar nga përvujtëria dhe dashuria.
Kronihistoria e fikson imazhin e nënës të ulur mbi shkallë ose në një stol të laboratorit, duke dëgjuar vajzat dhe bijat e saj: të gjithave u dhuron një këshillë, që t’i ndihmojë të rriten. U jep guxim më të ndrojturave, duke u thënë: “Ke frikë nga ky defekt që nuk arrin kurrë ta mundësh? Oh, sa mirë e di e të kuptoj, sepse edhe unë e kam këtë të metë dhe më mundon. Por guxim! Ajo çka vlen, është ta luftojmë edhe pse nuk ia dalim ta mundim. Zoti është kaq i mirë, sa do ta na hapë gjithësesi parajsën”.
Me disa motra të tjera me karakter më të sipërfaqshëm, që u kalojnë gjërave sipër pa u mërzitur shumë, përdor një tjetër ton zëri: “Shumë herë po më tregon të njëjtën gjë. Kape veten në dorë e fillo e lutu mirë. Do të shohësh se nuk do të biesh kaq shpesh. Shiko, po të jap këtë lajthi që ti ta mbash në xhep dhe të kujtohesh se të shfajësohesh gjithmonë është një ves i keq”.
Me disa të tjera thekson fenë dhe jetën e thellë të shpirtit: “Duhet të kesh më shumë besim në mirësinë e Zotit. Ti mendon se Ai nuk do të ketë mëshirë për ne?”.
Në konferencat javore, edhe më shumë se në të kaluarën, e hap dialogun me motrat në mënyrë që gjithësecila të shprehë lirisht atë që në bashkësi duhet korrigjuar dhe përmirësuar.
Më 13 gusht 1878 hapen ushtrimet shpirtërore. Dom Boskoja nuk është predikuesi, por qëndron pak me nënën. Edhe dom Kaljeroja ndalet në kolegj dhe i paraqet themeluesit skema dhe orientime për asamblenë, në të cilën, pas ushtrimeve shpirtërore, eproret dhe drejtoreshat duhet të jenë të pranishme.
Kronihistoria nënvizon se verbali i këtyre mbledhjeve shënon një moment të rëndësishëm të organizimit të përgjithshëm të jetës dhe të aktiviteteve të institutit.
Është koha për emigrim
Vjeshta e vitit 1878 është kohë “transplanti”. Tashmë instituti forcohet e rritet gjithnjë e më shumë. Rritet numri i pjesëtarëve dhe si pasojë edhe hapja e shtëpive të reja.
Kolegji i Mornezes, kaq i largët nga Torinoja dhe i vështirë për t’u arritur me rrugët e zakonshme të komunikimit, nuk është më i përshtatshëm për familjen në rritje. Aq më tepër që klima e ashpër ishte e dëmshme për shëndetin e shumë motrave të reja.
Mendohet për një vend të ri: Nica Monferrato. Dom Boskoja me sakrificë dhe borxhe ka blerë një ndërtesë të fortë, të ndërtuar në vitin 1476 nga françeskanë minorë. Kjo ndërtesë më pas u kaloi Fretërve Minorë të Reformuar. U shkatërrua e u rindërtua në shekullin XVIII dhe u braktis nga fretërit në kohën e Napoleonit.
Pas pak vitesh kuvendi, i bërë banesë e kapuçinëve, u braktis përsëri në vitin 1855, duke u kthyer në magazinën e një shoqërie prodhuese vere. Kisha, hajati me shtylla e gjithçka e atëhershme flet për përdhosje e mungesë respekti e kujdesi.
Më 16 shtator niset grupi i vogël me motra për të përgatitur banesën e re. Gati njëkohësisht, më 2 tetor, hapet në Francë, në Navarrë, një jetimore shumë e varfër.
Kronihistoria shënon: “Motrat flenë nën një çati, nga e cila bien shpesh copa suvaje mbi kokat e tyre, por edhe shi kur është mot i keq. Dëgjohet era që kercëllin nga të çarat e mureve, minjtë dhe lakuriqët e natës dalin natën mes të çarave e sillen si pronarë lart e poshtë nëpër ato pak dhoma dhe në shkallën që po shkatërrohet”.
Kështu, motrat, që në Nisë shkojnë në stane për të qëruar misër e për të përgatitur kashtën për të varfërit ose për të ndihmuar punëtorët për të riparuar shtëpinë, mund të thonë: “Motrat tona të Navarrës janë më keq se ne. Të punojmë, pra, duke kënduar, duke e vënë besimin në Provaninë e Hyjit”.
Fytyra e Provanisë është e përfaqësuar në Nisë nga njerëzit e çdo shtrese: që nga kontesha Balbo, te motrat Kairo dhe Tercano, te bamirëset e tjera që vrapojnë me dëshirë për të ndihmuar këto rregulltare të reja dhe buzagaz.
Më 27 tetor, kur kisha u kthye në dekorin e dikurshëm, erdhi edhe motër Maria për bekimin e saj. Gati treqind të reja mbushin oborrin, plot kureshtje për të njohur një eprore, për të cilën motrat u kanë folur me shumë dashuri.
“Rinia niceze, – thotë Kronihistoria, – është pushtuar nga thjeshtësia e nënës, nga esencialiteti i saj dhe nuk e lënë as edhe një çast vetëm.”
E megjithatë, kjo grua me fytyrë delikate dhe amnore nuk është e ëmbël. Mënyra e saj e të dashurit nuk është e thjeshtë, nuk konsiston në përqafime e buzëqeshje dashamirëse sa andej, këndej. Ajo ka një mënyrë të sajën për të shprehur dashurinë e vërtetë, të qartë pa lustra, por të vërtetë dhe kërkuesë, që i ndihmon vajzat të rriten.
Sërish nisje
Më 30 dhjetor nisen nga Mornezeja edhe dhjetë motra të tjera për në misionin në Amerikë. Nëna ka qëndruar me to deri në momentin e fundit me gatishmërinë e zemrës dhe me dijen e këshillës. Njëra nga ato, që pati mundësi të kishte ndonjë kujtim të shkruar, na mundëson sot të dimë çfarë motër Maria shkroi me dorën e saj: “Mendo shpesh: për çfarë jam bërë motër? Kam ardhur që të bëhem e shenjtë dhe për t’u bërë mirë shpirtrave. Me këtë mendim do të bësh një të mirë të madhe. Parajsa nuk është bërë për dembelët; duhet fituar me vullnet. Të kesh shumë besim me rrëfyesin dhe me drejtoreshën tënde. Rri gjithnjë e gëzuar”.
Ndërkohë, në letra u shkruan atyre që po nisen, për motrat e Vila Kolonit; dalin në pah këshillat më të thella.
Drejtoreshës, motrës Anxhela Valeze, i këshillon të nxisë motrat që të jenë të përvuajtura dhe të dëgjueshme, ta duan punën, të veprojnë me qëllim të drejtë, të jenë të sinqerta dhe të çiltra me të gjithë.
“Krijo gjithmonë hare rreth teje, korrigjoji gjithmonë me dashuri, por mos falni kurrë asnjë defekt. Një defekt i korrigjuar menjëherë mund të mos jetë asgjë, ndërsa, nëse lejohet të vërë rrënjë, duhet pastaj shumë lodhje për ta çrrënjosur. […] Qëndro e hareshme, mos ki shumë frikë për mangësitë e tua, nëse nuk mund t’i korrigjosh menjëherë, por pak nga pak, me vullnet të mirë për t’i luftuar, luftoji, duke mos bërë paqe kurrë me to. […] Guxim, pra, shumë besim në Hyjin, përçmim për veten dhe do të shohësh se do të shkojë gjithçka mirë.”
Dhe motrës Laura Rodriges, motrës së parë amerikane, i shkruan: “Të këshilloj të jesh e përvuajtur […] dhe të mos humbësh kurrë harenë që do Zoti. Studio mënyrën që Jezusi të të dojë. Lutu për mua, edhe pse nuk të njoh, unë të dua shumë, shumë”.
Morneze – Nisë
1878-a mbyllet dhe 1879-a hapet me të reja të rëndësishme.
Botohet kopja e parë e Kushtetutës. Arsyeja e menjëhershme e botimit është zgjerimi i shpejtë i institutit. Tashmë ka shtëpitë e tij në Francë dhe në Uruguaj. Vëllimi i vogël përmban letrën e prezantimit të dom Boskos për Bijat e Marisë Ndihmëtare, pastaj pason teksti i Kushtetutës në 16 kapituj dhe në fund rituali për kushtet rregulltare.
Nëna transferohet përfundimisht në Nisë, ku një pjesë e bashkësisë dhe e vajzave i ka paraprirë. Dhe ja, më 4 shkurt ajo është në udhëtim.
Është e vështirë të themi se sa vuan për këtë largim nga Mornezeja. Për nga temperamenti është e turpshme, preferon më tepër ta zbusë vuajtjen e atyre motrave që duhet të qëndrojnë në Morneze, sesa të shfaqë vuajtjen e saj, për të mos i munduar edhe më tepër. Në Nisë pritet me festë të madhe. Kush e njeh, e do shumë, kush nuk e njeh, e vlerëson nëpërmjet asaj çka kanë thënë për të motrat dhe vajzat që kanë ardhur në Morneze.
Por në Morneze nëna duhet të kthehet shumë herë gjatë vitit 1879. I dhimbsen shumë motrat që i lë vetëm, por mbi të gjitha të sëmurat, të cilat nuk ka mundësi t’i transportojë në Nisë. Dhe çdo kthim e ripërtërin në zemrën e saj dhimbjen e nisjes.
Pak kohë më pas do t’u shkruajë motrave në Vila Kolon: “Tashmë do ta keni marrë vesh se nuk jam më në Morneze, por në Nisë. Duhet të bëjmë gjithmonë sakrifica, derisa jemi në këtë botë. Le t’i bëjmë me gjithë qejf dhe me hare. Zoti do t’i shikojë të gjitha dhe në kohën e duhur do të na japë çmimin”.
Në Nisë nëna ka për qëllim të krijojë atë mjedis të hareshëm dhe të angazhuar, ashtu si ishte në Morneze. Kthehet në takimet e bashkësisë këshilla e nevojës për sinqeritet në rrëfim dhe me të gjithë, e thjeshtësisë dhe e qëllimit të drejtë në veprim.
Këtu ku nuk ka shumë luftë me urinë, nëna nënvizon rëndësinë e shpirtit të varfërisë dhe të sakrificës.
E pranishme personalisht dhe nëpërmjet shkrimeve
Themelimet e reja kanë nevojë të konsolidohen, është e nevojshme të vizitohen vazhdimisht, të ngrohen me mbështetjen vëllazërore dhe me dashurinë e Hyjit. Nëna e di. Shpesh në këto udhëtime merr si shoqëruese atë që ka më shumë nevojë për vëmendje. Kështu, duke shkuar në Biela, merr me vete motër Tereza Maritanon. Në Lanco shkon e shoqëruar nga motër Maria Kaljero, e cila nuk është shumë mirë.
Këtu tregohet urtia e saj njerëzore dhe përpjekja e saj e sinqertë për të mbështetur personat që i janë besuar udhëheqjes së saj. Motër Maria di të dojë dhe dashuria e saj i kthehet me të njëjtat ndjenja. E tregojnë në mënyrë të qartë këta rreshta të marrë nga një letër e gjatë e motër Virxhinia Magones, misionarja e parë e vdekur në Amerikë: “Kur do të vini të na shihni? A kujtoheni të praktikoni atë pikë të Rregullës që thotë: ‘Eprorja duhet, të paktën një herë në vit, t’u bëjë vizitë të gjitha Bijave në çdo shtëpi’? O nënë, unë nuk besoja se ju doja kaq shumë! Vetëm tani po e ndiej, tani që nuk kam se si t’jua tregoj. Ju me dilni përpara në çdo moment dhe më duket sikur më thoni: ‘Motër Virxhinia, të jini e mirë, e bindur, e përvuajtur, e sinqertë’”.
Korrespondenca me motrat e themelimeve të reja dhe mbi të gjitha me ato të Amerikës tregon një pëlhurë të endur me ndjenja reciproke, mbi të cilën nëna mund të qëndisë me liri të plotë këshillat plot me urtësi të krishterë: “Ju të Las Piedras jeni vetëm, apo jo? Si jeni? A jeni të hareshme? A keni shumë vajza? A e doni shumë Zotin, por me të vërtetë? A punoni vetëm për Të? Shpresoj se të gjitha do të më përgjigjeni me një ‘po’ të bindur. Pra, vazhdoni gjithmonë të jeni të hareshme dhe ta doni Zotin. Bëni të mundur që ta shkelni egoizmin, skuqeni mirë e mirë, ushtrohuni në përvujtëri dhe në duresë.
Të keni dashuri të madhe, duajeni njëra-tjetrën. Të keni besim të madh në Zojën. Ajo do t’ju ndihmojë në të gjitha gjërat tuaja. Të jeni të bindura ndaj Rregullës së Shenjtë edhe në gjërat më të vogla, të cilat janë rruga që na dërgon në Qiell. Ruani sa të mundni shpirtin e bashkimit me Hyjin dhe qëndroni në praninë e Tij vazhdimisht”.
Mund të citojmë akoma nga këto letra, që kanë shijen e jetës, të marrëdhënieve më të vërteta e më të thella dhe të një përvoje asketike e mistike tashmë të konsoliduar. Por po mjaftohemi të marrim një pjesë nga letra e marsit të vitit 1879, shkruar nga motër Xhusepina Vergniaud, misionare në Buenos Aires, për të kuptuar sintoninë e thellë shpirtërore që është krijuar mes nënës dhe bijës: “…Sa për larjen e rrobave, do të ishte më mirë lumi i Mornezes në vënd të ujit të pakët dhe jo të kthjellët të vaskave.
Në disa momente na merr malli për shpirtrat dhe atëherë: “Ej, eja këtu, ti çarçaf i tmerrshëm! Lejoje veten të lahesh mirë e mirë, sepse vetëm ti, kaq i rëndë dhe i keq si je, mund ta na dhurosh një mëkatar të regjur! Ejani këtu, ju çorape të panumërta, këmisha e zhguna të reckosur, ju shami pa ngjyrë dhe pa masë; ejani, ejani që t’ju lajmë mirë, se nëpërmjet jush sonte duhet t’i sjellim shumë shpirtra Zotit”.
Aneta
Mund të duket se këto fillime të jetës në Nisë dhe zgjerimi gjithnjë e më i madh i institutit janë për nënën relativisht të qeta. Po pikërisht në maj, gjatë muajit të përgatitjes së festës së Zojës Ndihmëtare, ja ku paraqitet Aneta Bedarida, shoqe e dy thirrjeve të para të Nisës, që ishin Maria Tercano dhe Feliçina Ravaca. Bëhet fjalë për një vajzë 22-vjeçare, që i përkiste njërës prej familjeve më të pasura niseze të besimit hebre.
Edhe ajo, si shumë vajza të Nisës, simpatizon ambientin e “Zojës”, si quhet kuvendi i lashtë, në të cilën banojnë motrat. Përkundrazi, tashmë i duket se po kupton se ai gëzim që rrezaton nga motrat, ka një burim sekret: Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur.
“Edhe unë, – i thotë nënës, – dua të bëhem e krishterë. Të mitë kundërshtojnë, por kam vendosur të mos kthehem më në mesin e tyre.”
Maria Domenika Maxarelo është një grua tepër realiste; e di mirë se një vendim i tillë do të zgjojë fole grenzash dhe bisedon për këtë me bashkëpunëtoret e saj. Megjithatë, nuk heq dorë nga mendimi se duhet ta ndihmojë vajzën.
Të nesërmen ajo vetë e shoqëron Anetën në Torino në mënyrë që në një atmosferë të qetë të mund të thellojë më shumë realitetin e krishterimit dhe të përgatitet për pagëzim.
Ndërkohë në Nisë foleja e grenzave është në veprim. Vrapojnë te “Zoja” vëllai dhe një kushëri i Anetës, ulërasin e kërcënojnë. Të nesërmen radha u takon agjentëve të Sigurisë Publike për një vizitë shtëpiake.
Ndërkohë në qytet përhapen thashetheme kundër motrave. Reputacioni i mirë dhe vlerësimi që kishin pasur deri tani që nga kontakti i parë me nisezët, është shndërruar në njëfarë dënimi. Kronihistoria thotë: “Gazetat e ndryshme shpallin rrëmbimin e Bedaridës nga ana e motrave të dom Boskos dhe ka kërcënime me zë të lartë se do t’i vënë zjarrin kuvendit, nëse vajza nuk kthehet te familja e saj”.
Provania ka rrugët e veta për ata që i besohen tërësisht Zotit.
Stina e pamëshirshme e vjeshtës provokon daljen nga shtrati të lumit Belbo. Njerëzit duhet të braktisin me të shpejtë shtëpitë dhe nuk dinë se ku të drejtohen. Papritmas një zë vrapon nëpër atë turmë të vrenjtur dhe të trembur.
“Te ‘Zoja’ të shkojmë te ‘Zoja’! Kolegji është jashtë shënjestrës së përmbytjeve dhe motrat do të na mikpresin.”
Nëna është krejt sy dhe zemër. Jo vetëm që hap dyert, por nuk i shpëtojnë as nevojat më urgjente të të gjithëve, sidomos të grave dhe fëmijëve. Atë pak që gjendet në magazinë, e gatuan. Dhe çdonjëri gjen një sistemim në fjetore ose në ambientet e tjera, në mënyrë që gjatë natës ende të ftohtë dhe të lagësht të gjithë të jenë të strehuar.
Kështu, ata njerëz që pak ditë më parë kishin bërtitur poshtë dritareve të kolegjit: “Me vdekje motrat”, mësojnë nga “ungjilli i pestë”, që është jeta e atij që beson, se si reagojnë motrat e dom Boskos ndaj përfoljeve.
Kalon situata e përmbytjes së lumit dhe kthehet sulmi i thashethemeve antikishtare.
Ndërkohë Aneta në Torino jeton dramën e saj; i duhet të përballet me sulmet më të forta: jo më të kërcënimeve por të tundimeve të zemrës.
Motrat dëshirojnë që Aneta të takohet me nënën, personi tek i cili ka më shumë besim. Dhe dom Kaljeroja i lutet motër Marisë të vijë në Torino.
Edhe në këtë ndodhi nuk është pa peshë ajo që Kronihistoria thotë: “Nëna dëgjon, nxit, por, para se të bëjë një hap përfundimtar, e gjykon me vend që të presë lejen e babait të Anetës, që është shumë i gatshëm ta pranojë dëshirën e saj për pagëzim. Edhe dom Kaljeroja e mendon gati të nevojshme zgjatjen e provës së pritjes, për ta përgatitur nga ana fetare. Dom Boskoja miraton”.
Virtytet e vogla
Kjo është për nënën stina e fryteve më të pjekura. Piqet me të dhe përreth saj butësia. Piqet në zemrën e saj dija me vlerësime të qarta, të matura.
Motër Virxhinia Magone shkruan në maj të këtij viti 1879: “Oh, ç’kënaqësi të madhe ndjeva kur drejtoresha më tha se nëna na kishte shkruar! Unë kërceva dhe u shkriva në lot nga ngushëllimi. Çfarë mirësie kjo e nënës. Nuk i harron Bijat e veta, edhe ato më të këqijat”.
Misionarja e re në këtë letër kërkon ndjesë për të gjitha pakënaqësitë që i ka dhënë nënës. Dhe nëna, pasi kishte lexuar një pjesë të letrës, – ashtu si na e sjell Kronihistoria, – thotë se ishin gjëra të vogla, të vëna menjëherë në vend nga pendimi. Por është interesante ajo që shton: “Kuptohet, sa më shumë ecet në virtyt, aq më shumë dritë bëhet në shpirt. Ku ka më shumë dritë, më shumë njohim shtrembërimet e natyrës sonë të mjerë. Prandaj shenjtërit e konsideronin veten si mëkatarë të mëdhenj. Ju lutem, motra, të jemi të kujdesshme ndaj mangësive të vogla. Dhe të jemi edhe të kujdesshme ndaj virtyteve të vogla. Do të na bëjnë shpejt shenjte me të vërtetë”.
Është edhe stina e një takimi më të fortë shpirtëror me dom Boskon. Më shumë se një dialog me fjalë, është një harmoni e thjeshtë dhe e thellë mbi dëgjimin e Zërit të Hyjit dhe mbi zgjedhjet apostolike. Korrespondenca me dom Boskon është reduktuar në minimum. Takimet janë mjaft të shpeshta, por të shkurtra. E megjithatë vlerësimi dhe besimi i ndërsjelltë, mbi të gjitha në këto vite, tregojnë tashmë një mirëkuptim të përsosur.
Postulantja e re, Karmelina Dianda, dëshmon: “Unë kam dëgjuar të flitet për nënën nga dy zonja nga Luka në shumë lidhje me dom Boskon. Ai u kishte thënë atyre se eprorja e Bijave të Marisë Ndihmëtare ishte një shenjte”.
Programohen edhe këtë vit ushtrimet shpirtërore për zonjat, por dom Kaljeroja i thotë dom Boskos se shtëpia nuk është akoma e mirëpajisur për të mikpritur kaq persona. Shenjti e shikon për t’u siguruar dhe i thotë: “Rri i qetë. Do të shohësh se nëna do të dijë ta rregullojë këtë punë”.
Parashikimi nuk dështon. Motrat ndërrohen me njëra-tjetrën për të fjetur mbi kashtë me radhë. Dhe nëna thotë dhe dëshmon se “të heqësh dorë ndonjëherë edhe nga gjërat e nevojshme, të bën punëtor dhe jep fryte të mira”.
Mbi mundimet e kryqit
Në Nisë, ashtu si në Morneze, gjithmonë përjetojnë që gëzimi mbin në mundimet e kryqit.
Kryq vazhdon të jetë rasti i Bedaridës. Në gusht Anetën e viziton në Torino vëllai i saj, i cili me të gjitha strategjitë e rastit arrin të ketë nga e motra një shkresë, në të cilën ai i dikton të shkruajë se kërkon të largohet nga ajo shtëpi, ku i cenohet liria. Menjëherë më pas, Bedarida pendohet për atë që ka bërë, por ndërkohë zërat përhapen dhe shkaktojnë shumë dhimbje.
Kryq është edhe marrëdhënia e vështirë mes dom Boskos dhe Kuries Romake, pikërisht për sa u përket motrave. Në fakt, në mars të këtij viti 1879, dom Boskoja, duke i paraqitur Selisë së Shenjtë relacionin trevjetor mbi gjendjen morale dhe materiale të Kongregatës Saleziane, përfshin edhe atë të Bijave të Marisë Ndihmëtare si pjesë integrale e së njëjtës vepër të themeluar për të mirën e të rinjve. Por në Romë, nga ana e kardinalit prefekt të Kongregatës së Ipeshkvinjve lindin vështirësi pikërisht rreth kësaj përfshirjeje të motrave në Kongregatën e themeluar nga dom Boskoja. Selisë së Shenjtë i kishin ardhur interpretime të gabuara mbi problemin e mprehtë në lidhje me dom Bonetin, drejtor në oratorin femëror të Kierit, me arqipeshkvin e Torinos. Mjafton të themi se dom Boneti ishte pezulluar nga administrimi i sakramentit të rrëfimit jo vetëm në Kieri, po në të gjithë arqidioqezën e Torinos.
Dyshime dhe akuza bien mbi vetë dom Boskon. Kështu, marrëdhënia tashmë e vështirë e themeluesit me arqipeshkvin e Torinos, monsinjor Lorenco Gastaldin, rrezikon të acarohet gjithnjë e më shumë.
Nëna është në dijeni për këtë. Vuan dhe hesht. Forca e saj është dashuria.
Kjo grua me ndjenja të thella amnore u shkruan motrave të Uruguajit në shtator të këtij viti 1879: “Motrat e mia të dashura, duajeni njëra-tjetrën! Oh, sa ngushëllohem kur marr lajme nga shtëpitë dhe dëgjoj se keni dashuri për njëra-tjetrën, që motrat binden me gjithë qejf dhe janë të lidhura pas Rregullores së Shenjtë. Atëherë zemra ime qan nga ngushëllimi dhe vazhdimisht lutet për ju të gjitha, që të mund të visheni me të vërtetë me shpirtin e Jezusit tonë të mirë”.
Kapitulli 9
Brenda jetës së saj
Rrjedha e ditëve
Më 22 shtator të vitit 1879 nëna thirret papritur në Morneze. Jozef Maxarelo, babai dhe edukuesi i saj i parë në fe, ai që dinte t’u përgjigjej pyetjeve të saj të paparashikueshme, po përballon momentin e vështirë të vdekjes. Maria i qëndron afër me gjithë fenë dhe dashurinë që e dallon marrëdhënien e tyre. E jeton këtë çast dhimbjeje me dinjitet, në heshtje. Gjithçka vuan në thellësinë e dashurisë.
Është mënyra tipike, mund të thuhet, e një civilizimi fshatarak dhe Piemontez. Ashtu si përballohej vdekja e të afërmëve, përballohej edhe vdekja personale: në heshtje të gjata, të mbarsura me fe.
Duke lexuar disa ngjarje në kontekstin e gjithë jetës së motër Marisë, gjendet një motiv më shumë për ta njohur nga brenda mënyrën e saj njerëzore të të dashurit dhe të të vuajturit. I gjithë filli lidhës është besimi në Hyjin. Marrëdhënia e saj me Të është dimensioni më i thellë i reagimit të saj ndaj gjithçkaje që, edhe me dhimbje të papritur, hyn në jetën e saj.
Misionareve, me thjeshtësi, u shkruan: “Ju kërkoj një nder: të luteni pak për pushimin në paqe të babait tim të dashur që kaloi nga kjo jetë në tjetrën më 23 shtator, në orën shtatë e tridhjetë të mëngjesit. Kam pasur fatin t’i qëndroj afër. Unë shpresoj se tashmë do të jetë në parajsë, megjithatë lutuni pak për të. Ëh?”.
Ditët e fundit të 1879-ës shënohen nga ngjarje të ndryshme. Lind në Nisë Shoqëria e Bijave të Marisë. Njëzet e dy vajza i besojnë Nënës së Zotit rininë e pasur me entuziazëm dhe dëshirën për një përvojë të krishterë të vërtetë. Katër motra ripërtërijnë ofertën e jetës me kushtet e përjetshme, tetë me kushtet e përkohshme. Pesëmbëdhjetë të reja bëhen novicie. Ndër të kushtuarat e reja, Ema Ferrero kremton me këtë hap mrekullitë që Zoti ka bërë, pasi e ka tërhequr drejt vetes. Ndër noviciet, kontesha Amalia nga Meana dëshmon se jeta rregulltare e jetuar në plotësi ka mundur të zgjojë interes edhe mbi atë që vinte nga një mjedis i rafinuar.
Kronihistoria jo rastësisht vëren: “Me nënë Maxarelon Amalia nga Meana u kuptua menjëherë; të dyja ishin shpirtra të fortë, të angazhuara për të shkuar drejt e tek Hyji. Nëna nuk i ka kursyer vërejtjet private dhe korrigjimet në publik. E reja, që është mësuar të jetë e para dhe të urdhërojë, i është besuar vendosmërisht asaj që e brumoste sipas vullnetit të Hyjit”.
Ndërkohë historia e Anetës hebree duket si një sfond i dhimbshëm në këtë 1879 që po shkon drejt fundit. Të afërmit nuk heqin dorë nga rrethimi i vajzës, e cila ecën mes lëkundjesh të dhimbshme. Nëna vuan, derisa ndihet fajtore kur Aneta, pasi e kishin lutur gjatë, u dorëzohet atyre që, me pretekstin e një udhëtimi, e marrin në shtëpi.
Pas festës së Zojës së Papërlyer, Aneta troket përsëri në derën e institutit në Nisë dhe dhimbja duket se po e mbyt. Motër Maria në mirësinë e saj është e ndjeshme dhe bashkëpjesëtare e kësaj dhimbjeje. E, pra, kjo nuk ishte e vetmja dhimbje që jetonte.
Nga Roma pikëpyetje të mëdha
Kryqi shënon edhe fillimin e 1880-ës. Motrat nuk e dinë, por nëna është në dijeni për vështirësitë e dom Boskos.
Selia e Shenjtë vazhdon te ketë dyshime serioze përsa i përket marrëdhënieve mes Kongregatës së Salezianëve dhe Institutit të Bijave të Marisë Ndihmëtare.
Në dokumentin që ka ardhur nga Roma, lexohet: “Kjo Kongregatë nuk ka aprovuar kurrë, as kohët e fundit, institute femërore të varura nga institute mashkullore. Dhe, nëse ka ekzistuar ndonjë rast varësie, menjëherë është urdhëruar pezullimi i menjëhershëm. Ju kërkoni një gjë që ligji i kësaj Kongregate nuk mund ta aprovojë”.
Dom Boskoja harton me durim letra sqaruese, në të cilat, ndër të tjera, kështu shprehet rreth instituteve femërore: “Përsa u përket Motrave të Marisë Ndihmëtare, salezianët në shtëpitë e tyre nuk kanë tjetër tagër përveçse në anën shpirtërore, në kufijtë dhe në mënyrat e lejueshme sipas përshkrimit të ipeshkvinjve vendorë, në dioqezat e të cilëve ka shtëpi të këtyre motrave”.
Me këmbënguljen e atij që nuk e humb guximin, dom Boskoja pohon: “Të shkëlqyeshmit kardinalë bënë disa pyetje mbi natyrën dhe qëllimin e këtyre institucioneve dhe, pasi mbeten të kënaqur nga verbalet e mia, përfunduan se kjo gjë do të trajtohej më me vëmendje kur të paraqiteshin Kushtetutat e tyre për aprovimin e mundshëm nga Selia e Shenjtë. […]
Shkëlqesia juaj kërkon të dijë nëse motrat e sapopërmendura kanë një eprore të përgjithshme. Përgjigjem pozitivisht se ato e kanë një eprore të përgjithshme dhe se pikërisht në kapitullin e përgjithshëm të eprorëve të lartë u vendos sipas kapitullit të tretë të Kushtetutës së tyre”.
Kjo çështje delikate është e mbështjellë me heshtje në zemrën e Nënës me atë ndjenjë të thjeshtë dhe të thellë të kryqit, që e bën të thotë duke treguar me gisht drejt kryqit që çdo motër mbart në qafë: “Ai këtu e ne – duke e kthyer me të shpejtë në anën tjetër – nga kjo anë”. Nëna këtë vit, me fenë e saj, i heq vdekjes nga duart vajzën e re, Tereza Façeli.
“Kjo bijë nuk vdes, rrini të qetë” i thotë infermieres që parashikonte vdekjen e saj të shpejtë. Pastaj i shkruan dom Boskos, duke i kërkuar një bekim të veçantë dhe i lutet me gjithë zemër Marisë Ndihmëtare. Faktikisht, ajo që do të kishte mundur të ishte një ndër vdekjet e para, nuk ndodh.
Ka nga ata që pyesin se si është e mundur që kanë qenë shumë viktima në qytet dhe asnjë në kolegj. Dikush ka guximin të pëshpërisë se, kush e di, ndoshta motrat i kanë varrosur të vdekurat në shtëpi që të mos merret vesh. Por këta njerëz nuk e njohin fuqinë e fesë që Maria Maxarelo jeton, duke ua ngulitur në zemër të gjithave.
Një vrimë në zemër
Më 12 prill të 1880-ës nëna bëhet gati të mbyllë përfundimisht shtëpinë në Morneze.
“Kështu dëshiron dom Boskoja dhe kështu u bëftë.” Është kjo shprehja që u tregon motrave qëndrimin e saj të përvuajtur dhe të bindur. Për atë ditë, motër Rozalia Pestarino, që e shoqëron nënën, na lë një jehonë të qartë dhe shumë njerëzore: “Gjithçka e braktisur, gjithçka e zymtë si mjerimi! E shkreta Morneze, e shkreta zemra jonë që lë një vend kaq të dashur dhe të përshtatshëm, që me vetminë e saj u jep paqe mendimeve, përbuzjen botës dhe ngritjen drejt Hyjit. Por në të njëjtën ditë të shën Jozefit, të cilit i ishim besuar të gjitha, shenjti na dha një provë për ndërhyrjen e tij te Zoti, duke na dhënë hirin, njerëzisht të pamundur, për të transportuar në Nisë një motër të sëmurë prej vitesh”.
Jo rastësisht Kronihistoria shënon që motër Maria, pasi e mbylli shtëpinë e Mornezes, arriti në Nisë me fytyrë të “shndërruar”. Për gjithë rrugën e bërë me karrocë, përgjatë rrugëve të pjerrëta e të parehatshme, kishte dashur ta mbante të shkretën motër Ortensia Negrini herë të mbështetur mbi gjunjë e herë në krahë.
Për mbylljen e shtëpisë së Mornezes, nëna shkruan në një letër drejtuar motrave të Patagoneve: “Shtëpia e Mornezes tani është mbyllur krejtësisht. Nuk ka njeri tjetër përveç dom Jozefit, që do të shohë nëse arrin ta shesë. E shkreta shtëpi! Nuk mund ta mendojmë pa ndier një vrimë në zemër”. Po pastaj, nuk ndalet mbi dhimbjen e saj, por kalon menjëherë në temë tjetër dhe flet për Nisën dhe për shtëpitë e reja: “Këtu në Evropë po rriten gjithnjë e më shumë. Pak muaj më parë tri motra u nisën për në Siçili dhe katër të tjera shkuan të hapin një shtëpi të re në Francë dhe një në Ivre…”. Dhe shton: “Guxim të gjithave, motra të dashura, të bëjmë më të mirën derisa jemi ende në kohë! Mos e humbni guximin kurrë për asnjë vështirësi që mund të takoni. Thoni gjithmontë: ‘Jezusi duhet të jetë e gjithë forca jonë’ dhe me Jezusin peshat bëhen të lehta, lodhjet të buta dhe ferrat kthehen në ëmbëlsira.
Por kujdes, ëh…, ta mundni vetveten; përndryshe gjithçka bëhet e rëndë dhe e padurueshme dhe e keqja do të ngjallet si flluska qelbi në zemrën tonë”.
Kuptohet, kështu, pasioni i kësaj këshille dhe cila është arsyeja e thellë e qetësisë së saj të përhershme, edhe kur gjithçka është kundër saj dhe i shkakton dhimbje.
Zgjedhje të reja
Edhe në Nisë nëna jeton në thellësi praninë e Hyjit dhe atë të Marisë Ndihmëtare, ndaj së cilës e mban veten vetëm zëvendëse. Kështu, sapo fillojnë ushtrimet shpirtërore, më 25 gusht, nuk heziton të bindë motrat që të mos e rizgjedhin.
Kronihistoria shkruan: “Me lot në sy na përgjërohet që të luten shumë, sepse, si ka thënë e rithënë, nuk ndihet më e denjë të jetë eprore e përgjithshme”.
Arsyet? Kronihistoria na rreshton tri dhe të gjitha flasin për gjendjen shpirtërore të nënës: “Mbi të gjitha, ndihet e paaftë të mbajë shpirtin rregulltar si në vitet e fillimit; akoma më tepër ngase ka motra që janë më të shkolluara, më të virtytshme, më të afta se ajo për udhëheqjen e institutit; në fund shëndeti tashmë nuk ia lejon më të punojë sa është e nevojshme për të mbajtur kongregatën”.
Motër Xhuzepina Pakotos, pastaj, i thotë: “E di, ju mendoni të më rizgjidhni eprore të përgjithshme. Shiko, është punë e kotë. Vitin e ardhshëm do t’ju duhet të zgjidhni një tjetër”.
Dhe kështu derdh në atë zemër bije e motre një konfidencë: “Jam ofruar viktimë për Bedaridën, sepse, në fund të fundit, është faji im, nëse nuk arriti ta marrë pagëzimin. Jam ofruar për Bedaridën dhe për një tjetër gjë”.
Motër Pakotoja vrapon te dom Boskoja: “Atë, – i thotë plot me zjarr, – a mund të ndërrohet një viktimë? Jam e gatshme të ofrohem”.
“Jo, – iu përgjigj themeluesi, – është tepër vonë; viktima është pranuar nga Zoti”.
Ishte ajo koha, në të cilën Aneta, kundër gjithë familjes së saj, kishte pjekur vendimin për të marrë pagëzimin, por dëshironte ta bënte publikisht. Motër Maria i kishte këshilluar ta bënte në mënyrë private në kishëzën e tyre në Valdoko, në Torino. Aneta nuk deshi t’ia dinte. Kur të sajët filluan ta kundërshtonin më me forcë, ajo hoqi dorë nga pagëzimi. Dhe nënës iu shporua zemra, duke ia lënë fajin vendimit të saj për pagëzimin që ajo nuk e mori.
Por le të kthehemi te 29 gushti, dita e zgjedhjeve. Në praninë e dom Boskos motër Maria u rizgjodh njëzëri. Thirren si ndihmëse të sajat në udhëheqje motër Katerina Dagero si zëvendëse, motër Xhovana Ferretino si ekonome, motër Emilia Moska dhe motër Enriketa Sorbone si ndihmësja e parë dhe e dytë.
Asnjë konformizëm nuk i shtyn këto motra të reja të rizgjedhin motër Marinë, megjithë propagandën e kundërt të saj. Në fakt, të vetëdijshme për nevojat e institutit në rritje, nuk u duket e përshtatshme motër Petronila dhe me liri të plotë nuk e rizgjedhin në Këshillin e Përgjithshëm.
Për këtë shoqe të nënës, që bashkëndau me të orët e para të lodhjes dhe forcimin e rritjen e institutit, Kronihistoria shënon: “Petronila dukej gëzimi i bërë njeri, si për zgjedhjen e nënës, ashtu edhe për zgjedhjen e motër Katerina Dageros si zëvendëse. Asaj i mjafton vendi më i thjeshtë në shtëpinë e Zotit. Vajza dhe motra e rrethojnë me dashuri dhe simpati”.
Afërsi dhe intuitë
Nëna, ndërkohë, vazhdon të vizitojë bashkësitë, ndonëse shëndeti po i dobësohet. Në Nisë dhe në vende të tjera prania e saj është prani amnore, por edhe vëllazërore e miqësore, në të përditshmen.
Për këtë na dëshmojnë vajzat, nxënëset dhe oratorianet: “Çfarë na bën aq të kënaqura? Është e vështirë të thuhet, por fakti është se, pas Hyjit dhe Zojës, është nëna ajo që e mbush shtëpinë. Bën të lindë dielli edhe në ditët e shirave, aq shumë na do dhe na e shfaq këtë mirësi”.
Një motër tregon se vetë nëna thoshte: “Nuk do të resht kurrë së përsërituri se vajzat më të varfra të oratorit dhe nxënëset me pagesë të ulët ose të mbajtura falas janë ato që duhen dashur më shumë, sidomos nëse janë jetime. Të tjerat kanë prindër që i rrethojnë me dashuri, ndërsa këto nuk kanë fjalë tjetër përveç asaj të trishtimit dhe të përbuzjes. Duhet ta kujtojmë gjithmonë që dom Boskoja na ka themeluar sidomos për vajzat e varfra”.
Edhe përsa u përket të rejave që dëshirojnë të ndërmarrin jetën rregulltare, motër Maria tregon afërsinë e saj dhe, mbi të gjitha, aftësinë për të kuptuar nevojat dhe gjendjen shpirtërore.
Vinçenca Besone është një vajzë shumë e gjallë. Nëna e vëzhgon në laborator dhe i pëshpërit: “Po vuan, vërtet? Ke kaq kohë që rri vetëm ulur!”.
“Oh, nënë, po!”
“Atëherë bëj një vrap nëpër vresht, pastaj shko në kopsht dhe ujit sallatën. Do të shohësh se më pas do të shkojë më mirë”.
Vinçeca shumë vite më vonë shkruan: “Pa dashurinë dhe qëndrueshmërinë e nënës nuk do të kisha sot gëzimin e qëndrueshmërisë në thirrje”.
Motër Maria, me kalimin e ditëve, vazhdon të jetë një prani dashamirëse mes bijave, duke bashkëndarë gëzime dhe vuajtje, madje duke e marrë ajo peshën e vuajtjeve siç bën një nënë që dhurohet pa kursim. Është interesante ajo që i shkruan në tetor dom Boskos, përsa i përket motër Tereza Maritanos, që është e sëmurë.
“Mjeku vjen çdo ditë dhe i jep diçka, por tashmë, duke e parë se është gjithnjë në të njëjtën pikë, pas rreth 20 ditësh, nuk di më se çfarë të thotë. Fizikisht nuk është keq, jam e bindur; po kam frikë se vuajtja e saj do të jetë pasojë e së keqes morale që ka kaluar, ose një transformim i së keqes morale në sëmundje të vertetë.
Do te duhej ndoshta, – vazhdon në shkesën e saj dërguar dom Boskos, – dhe shumë tashmë ma kanë thënë, që të thirret një mjek tjetër për të dëgjuar edhe mendimin e tij. Po sikur të mos jetë me të vërtetë një sëmundje dhe t’i jepnin ndonjë ilaç që do t’ia shkatërronte me të vërtetë shëndetin? Pasi për këto gjëra nuk mund të flitet, unë po ju drejtohem juve, që tashmë e njihni të kaluarën e saj, që të më thoni a duhet apo nuk duhet të konsultohem me një doktor tjetër, pasi vetëm atëherë do të jem më e qetë.
Ju lutem […] të më dërgoni një bekim tuajin të veçantë, gjë në të cilën unë besoj shumë.”
Letra nxjerr në pah tri karakteristika të motër Marisë: të qenit nënë e vërtetë, një intuitë psikologjike dhe besim në Hyjin, ashtu si del në pah edhe nga studimi i kësaj letre nga ana e psikologes Gertrud Stikler.
Është e rëndësishme, ndërkohë, të nënvizojmë se në një epokë, në të cilën nuk flitej akoma për sëmundje psikosomatike, një fshatare e pashkollë kishte një intuitë kaq befasuese, gjë që tregon një inteligjencë jo të zakontë dhe ngre lart faktin që Shpirti i Shenjtë mund t’u dhurojë një aftësi shoshitjeje dhe kuptimi të situatave, në çdo fushë, personave që i thërret për një mision të veçantë, ashtu si ka bërë me Gjon Boskon, duke pasur parasysh hiret e jashtëzakonshme të kujtesës, forcën fizike dhe intuitën shpirtërore.
Vëmendje e përkujdesje
Në një konferencë të 24 tetorit të vitit 1880, motër Maria hyn në thellësi të marrëdhënies me Hyjin, pikërisht në çdo person njerëzor, te bota e qëllimeve.
Duket se shikimi i saj i percepton dallimet që ekzistojnë edhe ndër personat që nga ana e jashtme duket se po jetojnë sipas Rregullës: “Është shpirti i fesë, – thotë që na bën pak a shumë të mëdhenj në sytë e Hyjit”.
Vë në pah arsyen e masave të ndryshme, të mënyrave të ndryshme: “Jo të gjitha punojmë me të njëjtin angazhim për t’u përsosur dhe jo të gjitha punojmë vetëm për Hyjin dhe për të mirën e të rejave”.
Motër Maria nuk qorton kurrë një situatë pa sugjeruar mënyrën se si mund të përmirësohet: “Të jemi të kujdesshme, – thotë, – ndaj asaj që bëjmë dhe si e bëjmë dhe të pyesim shpesh për kë e bëjmë”.
Aty ku mbizotëron rregulla e ngurtë që vret, konformizmi kërkon të sheshoje gjithçka dhe të krijojë vuajtje në personat, bashkësitë dhe veprat apostolike. Personat, në vend që të ndihen të pasuruar, ndihen të shqetësuar nga “e ndryshmja”. Këshu lindin xhelozitë, pakënaqësitë, mendjemadhësitë. Rrëshqitet larg nga dokrina e mrekullueshme e “karizmave të ndryshme”, të gjitha në shërbim të një Trupi Mistik të vetëm, për të cilin na flet Pali në “Letrën e parë drejtuar korintasve”.
Nëna e kap këtë rrezik dhe paralajmëron: “Nuk duhet të krahasohemi me të tjerat, duke e pyetur veten nëse punojnë më pak a më shumë se ne, nëse bëjnë më shumë punë apo punë më të mira se tonat.
Çdonjëra ka talentet e saj dhe duhet të japë llogari për të gjitha ato që ka marrë, jo për atë që nuk ka marrë. Njëra mund të japë dhjetë pikë, ndërsa tjetra jep vetëm pesë, vetëm një. Nuk ka rëndësi.
Por ai që mund të japë dhjetë dhe jep nëntë do të japë llogari për atë një që nuk ka dhënë për neglizhencë. Dhe ajo që mund të japë vetëm një dhe rri aty e qan në vetvete se tjetra ka më shumë se ajo, do të japë llogari për trishtimin e saj të lindur vetëm nga egoizmi”.
Ky vizion feje që vlerëson nga brenda “të ndryshmen” dhe kërkon ta nxisë sipas këndvështrimit të Hyjit, kërkon qendrën e vet në pastëritinë e qëllimeve.
“Të jemi të vëmendshme ndaj qëllimeve kur përmbushim detyrën tonë: qoftë si të krishtera, qoftë si rregulltare. Çdonjëra të vihet në praninë e Hyjit, të jetojë në praninë e Hyjit dhe të bëjë gjithçka dhe vetëm për vullnetin e Hyjit dhe për t’i pëlqyer Atij.”
Të duash dhe të mbetesh e varfër
Gjithnjë në vjeshtën e vitit 1880 mësimi i nënës kthehet tek urdhërimi i dashurisë: “Më ngushëlloni shpejt, bijat e mia, – i shkruan bashkësisë së San Siros, – duke e dashur njëra-tjetrën me dashuri të vërtetë. […] Mendoni se, ku mbretëron dashuria, aty është parajsa”.
Edhe në të shkruar vihet re ai stili i saj i fortë, pa shumë stërhollime, që e dallon në jetën e përditshme. Shkruan: “Në fund të fundit, janë të gjitha fantazi ato që kemi në kokë. Një bijë që e do me të vërtetë Jezusin, shkon mirë me të gjitha”.
Pastaj, e bindur nga përvoja personale se sa e përvuajtur është dashuria, nëse nuk dëshiron të jetë një karikaturë, shkruan: “Me pak përvujtëri rregullohet gjithçka”.
Në një rast tjetër shton: “Fjalët nuk të çojnë në parajsë, por faktet”. Në letër vazhdon më pas me këshilla të shkurtra, por konkrete: “Nëse shikoni ndonjërën të ngarkuar me ndonjë peshë, afrohuni menjëherë e ndihmojeni dhe ajo t’ju lejojë menjëherë, ashtu si Jezusi ia dha kryqin e vet Cireneut. Mos jini kurrë si ata që mendojnë vetëm për veten dhe lënë që të tjerët t’ia dalin mbanë vetë”.
Duke qenë se dashuria është e gjerë, e lartë dhe e thellë e përqafon gjithçka, sidomos në botën e shpirtit, nënvizon: “Mos u çuditni nëse ndonjëra bie në ndonjë gabim, edhe nëse për fat të keq jeton në mëkat! Sepse, nëse Zoti nuk do ta na mbante një dorë mbi kokë, do të ishim të afta të bënim edhe më keq”.
I detyrohemi motër Petronila Bruzaskos që na ka mbetur ideja kryesore e një konference, ku tregohet rritja e nje frike në zemrën e nënës që në këtë periudhë ia bren shpirtin.
Motër Bruzaskoja shkruan: “I lexohet në shikim ankthi i një nëne që do dhe ka frikë. Flet për një mendim të trishtuar që e ka shqetësuar gjatë natës, një mendim, të cilin nuk mund të rrijë pa ua treguar bijave, për të mirën e tyre”.
Dhe ja tekstualisht bërthama e kësaj konference: “Deri këtu kemi qenë të varfra, – thotë nëna, – dhe shumë herë kemi ndier pasojat e varfërisë. Vetë buka nuk na ka mjaftuar. Në të gjitha ne është gjithmonë i gjallë dhe bujar shpirti i varfërisë së Jezusit. Por tani vepra po zgjerohet, madje do të përhapet gjithnjë e më shumë […]. Gjithë kjo do të sjellë, pak nga pak, në jetën e Bijave të Marisë Ndihmëtare ndryshime të mëdha. Unë atëherë nuk do të jem më; por ju do të shihni pak nga pak se do të futen përmirësime”.
Pastaj përmend gjithçka që do ta zbusë varfërinë e fillimit të kongregatës. Duket se gjendet përpara një ekrani të madh, ku nxjerr përshtypje jo të këndshme dhe përfundon me një shprehje të zjarrtë: “Ju lutem, bijat e mia! Mos dashtë Hyji që e gjithë kjo të na bëjë ta humbim shpirtin e mirë, shpirtin e dom Boskos, Shpirtin e Jezusit tonë.
Per hir të Zotit, edhe në mesin e rehative, vazhdoni ta doni realisht dhe në të vërtetë varfërinë, për të cilën ju qe mësues Jezu Krishti, Shpirti i të cilit është shprehur kaq mirë në atin tonë të mirë, dom Boskon.
Unë kam frikë se jeta e rehatshme do të dobësojë zellin dhe dëshira e një jete gjithnjë e më të rehatshme do të hyjë edhe në shtëpinë e Nisës. Kam frikë se çdonjëra do të formojë një botë në zemrën e saj, më të rrezikshme se ajo që ka lënë. Ja frika ime e madhe. Për hir të Zotit, motra, per hir të Zotit”.
Dhe vëzhgon se, edhe pse jeta rregulltare është në vetvete një sakrificë, dashuria mund të shtyjë më shumë, mund të përqafojë horizonte më të gjëra.
Dhe ja ku e shpjegon më konkretisht: “Është flijimi i mendjes, i vullnetit, i zemrës, i shqisave, është dëgjesa, është përvujtëria dhe të gjitha këto dinë të na kërkojnë shumë, edhe pse ndoshta asnjë sy nuk e vëren”.
Në fund të kësaj konference motër Xhuzepina Pakoto e ndjek nënën dhe gjen mënyrën që t’i thotë edhe diçka në mënyrë personale: “Ti thua se shpesh më sheh duke u lutur me zell. Eh, më duhet të të them se nuk e ndjej shijen e lutjes. Por, kur në shtëpi ndihet se mungon kjo apo ajo gjë dhe se ka ndonjë dhimbje të fortë, unë jam më e dhënë në lutje dhe më e shkëputur nga gjërat tokësore. Pikërisht atëherë më pëlqen të rri më shumë në kishë. Më duket se jam më afër Jezusit, më shumë e më krejtësisht e tija”.
Në udhëtim, edhe pse e sëmurë
1881. Dhimbje të forta dobësojnë gjithnjë e më shumë fizikun e nënës.
Megjithatë stili i jetës së saj nuk ndryshon: asnjë dyshek në shtrat, asnjë jastëk. Një grumbull sane dhe një arkë prej druri për të mbështetur kokën që i dhemb, ky është i gjithë ngushëllimi i saj.
Bora në Nisë nuk kursehet, bie me shumicë. Nëna është e gatshme ta largojë me lopatë, e para, aty ku motrat do të kalojnë për të larë rrobat. Nuk bën aspak kujdes për veten. Dimri është i acartë dhe ndonjë motër i ofron tangarin. “Jepja asaj që është më pak e mësuar se unë” i thotë, duke u drejtuar nga ato që janë më delikate.
Duhet të qëndrojë ndonjë ditë në shtrat, por, sapo ngrihet në këmbë, ja ku gjendet mes motrave dhe vajzave. Mbi të gjitha, misionaret e reja kënaqen me vëmendjet e saj, që janë edhe nxitje për një jetë shpirtërore më të fortë.
Fort të dashurës motër Pakotos i ka kërkuar të niset për në Amerikë dhe ajo ka pranuar. Asaj, ngaqë nuk kishte bërë një kërkesë me shkrim për t’u nisur si misionare, i duket më e vështirë ndarja, prandaj nëna i thotë në dy rrethana të ndryshme se, edhe nëse do të rrinte në Itali, do t’u duhej të ndaheshin, sepse atë vit ajo do të vdiste. Pastaj, edhe pse e sëmurë fizikisht, bëhet gati të shoqërojë ato që po niseshin, si mësuese dashurie deri në fund. Motër Pakotoja, me zemrën të shtrënguar nga dara e dashurisë, ka frikë se do të mallëngjehet shumë dhe vendos për një nisje pa rënë në sy, pa përshëndetur askënd.
Sapo nëna arrin ta takojë, i thotë: “Mos mendo se ke bërë mirë. Ta flijojmë vetveten gjithmonë, por kurrë të tjerët”.
Torino, me Valdokon dhe Bazilikën e Marisë Ndihmëtare, është një vend ndalimi i detyruar për misionarët që nisen. Eliza Marokino është aty, ka ardhur pak më parë. Pret rastin e mirë për të shkuar në Nisë, që të bëhet Bijë e Marisë Ndihmëtare. Ndërkohë shikon përreth me sy të habitur si ajo që ka një botë për të zbuluar.
“Dëgjova se do të vinte nëna, – shkruan, – dhe pashë mes motrave me hare, sikur të ishte vigjilia e një feste të madhe.”
Por, nëse ishte festë për të gjitha ato që e kishin shijuar praninë aq amnore të motër Marisë, nuk ishte festë për nënën në kushtet e saj shëndetësore.
E, megjithatë, e gjeti mënyrën për të shoqëruar në Kieri motër Françeska Roxheron, që ta ngushëllonte për ndarjen, dhe u ndal pak me motrat në një konferencë, në të cilën bërthama ishte ftesa për t’u bashkuar me Hyjin, për të jetuar heshtjen si përqendim në lutje, por duke qenë njëkohësisht një prani e vazhdueshme e plot dashuri ndaj vajzave.
Sapo kthehet në Torino, misionaret e reja e rrethojnë. Ka nga ato që duan t’i besojnë ende diçka, nga ato që i luten t’u lërë një kujtim të fundit. Disa e gjejnë mënyrën për të pasur një shkim, një kujtim të vogël. Dhë nëna pranon, harton porosi të shkurtra, si aforizma, të mbushura me dije. Dashuria e përvuajtur, e flijuar, plot me fe, është sfondi i përbashkët i këtyre shkrimeve.
I ftohti në Nisë bëhet gjithnjë e më i egër dhe nëna sillet nëpër shtëpi me një tullë të nxehtë, duke e mbajtur nën sqetull aty ku ndien të therura gjithnjë e më të forta, që ia vështirësojnë frymëmarrjen.
Motër Enriketa Gamba, atëherë novicie, tregon se nëna i ishte gjendur pranë shtratit kur, në një nga ato ditë, e kishte kapur një ethe e fortë.
“A të nevojitet ndonjë gjë?” e kishte pyetur, duke u përkulur mbi të në mënyrë amnore.
“Nënë, kam ftohtë.”
“Ja, merre këtë tullë. Do të të nxehë menjëherë, do të shohësh.”
“Pastaj kam etje.”
Novicia e shikon nënën që ikën dhe shfaqet përsëri. Po merr frymë me vështirësi, por nëpër duar ka, si një trofe, një portokall të mirë.
“Merre, është e vetmja që ndodhet në shtëpi. Merre dhe do të ndihesh më mirë.”
Me çdo kusht me misionaret
Më një shkurt nëna niset me motër Emilia Moskën. Nuk i intereson shëndeti i rënduar, dëshiron të jetë afër misionareve, që i arrin në Aleksandri, deri në momentin e fundit, duke vazhduar pastaj deri në Sampierdarena.
Këtu fillon, ose më mirë, vazhdon në mënyrë më të dukshme udha e saj e kryqit.
Nuk ka mundësi të marrë pjesë në festën e dom Boskos dhe të misionarëve. E kapur nga ethe të forta, duhet të shtrihet në shtrat dhe motër Emilia do të donte ta shoqëronte patjetër në Nisë. Pastaj mjeku u thotë se ka mundësi përmirësimi, nëse do të gjente një klimë më të butë. Në pritje të imbarkimit nuk i besohet që mund të qëndrojë edhe pak me këto bija që do të shkojnë larg.
“Do të vini në Amerikë për të na takuar?” e pyesin.
“Po, do të vij! Kur të më doni afër, merreni librin e Rregullave dhe lexojeni, praktikojeni. Me mendim, me dashuri dhe me lutje do t’ju ndjek gjithmonë.”
“Mos u lodhni tani, nënë! Ju lodheni shumë për ne.”
“Ndiej që po më mungojnë forcat dhe nuk mund t’jua fsheh, por kam akoma shumë gjëra për t’ju thënë dhe ju po shkoni kaq larg… të shkretat bija!”
Gjatë natës prapë ethe.
Më dy shkurt dom Boskoja ndahet nga grupi. Do të shkojë në Nicamare në tren, duke u drejtuar më pas për në Marsejë, ku për herë të fundit do të qëndrojë me to.
Më në fund nisen të gjithë. Dom Kaljeroja është me to, i shoqëron deri në Angli, pasi i duhej të themelonte në Spanjë, në Utrera, një shtëpi të re. Por ajo që ka më shumë rëndësi, është se nëna nuk e braktis anijen. Nuk kishte njeri t’ia mbushte mendjen. Ka vendosur dhe do ta bëjë. I shoqëron nëpër det bijat e saj deri në Marsejë, ku të gjitha do të takohen me dom Boskon, dhe do të vizitojë edhe bijat e saj në San Siro, në një nga shtëpitë më të varfra të institutit.
Motër Emilia kthehet në Nisë, ku nxënëset e kalojnë pushimin duke folur dhe duke ëndërruar për tokat e largëta që do t’i mirëpresin misionaret.
Drejt Marsejës
As udhëtimi nëpër Marsejë nuk është pa lodhje dhe deti e trazonte edhe motër Marinë, e cila arrin të gjejë disa momente pushimi për t’iu kushtuar plotësisht misionareve.
Këtu anija “Umberto Primo” është në riparim.
“Mirë! – thotë nëna, – kështu mund të rrimë ende pak bashkë.”
Afër famullisë së shën Jozefit motrat gjejnë një dhomë të errët dhe të zbrazur, ku sistemojnë aq mirë sa munden, mbi dyshemenë e lagësht, tetë thasë me kashtë. Ky është pushimi i tyre për atë natë.
Por motër Maria është e detyruar të rrijë e shtrirë gjithë ditën. Ethet e djegin dhe nuk e lejojnë të rrijë në këmbë. Dom Kaljeros, që, teksa i bën një vizitë, vëren atë kashtë që nuk mund të përshtatej me gjendjen e saj, nëna, duke bërë shaka, i thotë: “A nuk ju duket bukur që këtu është pak si në Betlehem?”.
Më pas orët shënohen akoma nga dialogë konfidence me ato që po niseshin. I këshillon të mos kenë frikë nga rreziqet e udhëtimeve. Ato duhet të jenë të sigurta në bekimin e Marisë Ndihmëtare dhe të dom Boskos. Por një premtim duhet ta kenë të gdhendur mirë brenda: idenë që të luftojnë gjithmonë egoizmin. Duhet kultivuar shpirti i përvujtërisë dhe i lutjes; duhet të ruajnë këshillat e dom Boskos; vetëm kështu misionaret do të mund të bëjnë një të mirë të madhe.
Kjo nënë me shikim të vëmendshëm e di se vetëm dashuria mund t’i bëjë misionaret të afta t’u përgjigjen nevojave të një ungjillëzimi dhe edukimi njerëzor në mënyrë frytdhënëse.
Në fakt, për punën e tyre në Argjentinë, Kronihistoria specifikon: “Shkolla falas, vizita bamirësie nëpër shtëpi dhe përreth. Të gjitha motrat janë të kënaqura. Akoma më të kënaqura do të jenë, nëse do të vijnë motra të tjera për t’i ndihmuar në këtë fushë të madhe për të bërë të mirën”.
Kur anija “Umberto Primo” niset, motër Eliza Ronkalo e shoqëron motër Marinë në San Siro, për t’i ofruar një shtrat, pasi ethet janë shumë të forta. Mjeku, i thirrur me urgjencë, tund kokën. Bëhet fjalë për një pleurit të rëndë. Lajmi arrin Nisën si era e ashpër e veriut. Edhe shtëpitë e tjera e marrin lajmin. Nga të gjitha anët ofrojnë vuajtjet, lutjet dhe… shpresojnë.
San Siro dhe Navarra
Në San Siro nëna u sëmur. Dhe qe një bekim.
Në një relacion të gjatë të motër Alesandrina Hugues, që e gjejmë edhe në Kronihistori, lexohet: “Nuk mjafton një fletore për të shkruar të gjitha veprat e virtytshme, për të cilat qemë dëshmitarë gjatë këtyre 40 ditëve të fundit, të cilat nuk di nëse është mirë t’i quaj të dhimbshme apo fatlume. Por disa po, dua t’i hedh në letër”.
Tregimi na përshkruan klimën e familjes dhe thjeshtësinë e madhe që u krijua përreth të sëmurës: “Vajzat më të rritura, – shkruan, – ndërroheshin me ne motrat për çdo shërbim ditën apo natën. Ajo kishte një fjalë të mirë për të gjitha dhe të gjitha bënin garë për të pasur një shikim të sajin, një buzëqeshje, duke provuar çdonjëra gëzimin që mund të shijojë një bijë, teksa kujdeset për një nënë të butë e të dashur”.
Motër Maria Sampietro shton një dëshmi tjetër në ato ditë, duke na përcjellë një imazh të nënës së vuajtur për shkak të flluskave që i ishin formuar mbi shpinë e që rridhnin vazhdimisht: “Gjithmonë e durueshme dhe pa asnjë ankesë”. Sapo bëhet pak më mirë, nëna viziton Navarrën.
Se çfarë ia ka kërkuar asaj këtë qëndrim, pas pak ditësh mund të imagjinohet nga sa lexohet përreth asaj shtëpie të varfër: “Nga çatia vazhdon të bjerë suvaja. Nga vrimat e murit hyn erë dhe shi me fuqi. Dyshemetë nuk dihet se me çfarë janë të mbuluara. Insektet, që ditën janë të fshehur në të çarat e mureve, natën bëhen gjithkund pronare. Furrtari nuk dëshiron të na japë bukë dhe, kur e kemi, jo gjithmonë na mjafton për të gjitha”.
Edhe këtu nëna është e gjitha sy dhe zemër për vajzat dhe për bijat. Duke lënë Navarrën, ka në zemër një dhimbje të fortë për atë varfëri që i afrohet mjerimit. Por u jep guxim bijave të saj të dashura që t’u përngjasojnë Jezusit, Marisë dhe Jozefit për të vlerësuar dhe për të dashur atë gjendje, në të cilën ndodhen”.
Motër Maria e di se kjo është historia e të gjitha themelimeve: një copë historie e shenjtë, që është shëlbim dhe shenjtëri.
Biseda me dom Boskon
Dom Boskoja kishte vizituar nënën në San Siro dhe tani në Nicamare ka mundësi ta takojë edhe një herë tjetër.
Motër Maria shkruan një relacion për atë që ka parë e vëzhguar, e pastaj edhe për gjendjen e saj shëndetësore. Me thjeshtësinë që e karakterizon, pyet: “Atë, a do të shërohem krejtësisht?”.
Dhe ja, dom Boskoja nisi të tregonte: “Një ditë vdekja u paraqit në një kuvend dhe i tha portieres: “Shpejt, më ndiq”. Por ajo, krejt e zënë, u përgjigj: “E kush do të më zëvendësonte? Nuk mundem, ti e sheh mirë”.
Atëherë vdekja hyri lirisht në kuvend dhe i priti motrat te dera: “Eja me mua” i tha një mësueseje.
“Nuk mundem, – iu përgjigjej ajo, – duhet të jap mësim.”
“Ejani me mua” u thoshte studenteve.
“Nuk mundemi, – i përgjigjeshin, – kemi për të mësuar akoma shumë gjëra.”
Vdekja hyri deri edhe në kuzhinë. Por edhe kuzhinierja dha një përgjigje mohuese: “Kam shumë punë për të bërë, ik tani menjëherë”.
Atëherë vdekja trokiti tek eprorja. Edhe këtu pati shumë shfajësime. Por këmbënguli shumë dhe tha: “Eprorja duhet t’i paraprijë të gjitha me shembullin e mirë edhe në udhëtimin më të rëndësishëm, në atë të përjetësisë. Le të shkojmë, pra!”. Eprorja duke përkulur kokën e ndoqi”.
Motër Marisë nuk iu deshën fjalë të tjera. U ul në gjunjë për t’i kërkuar një bekim dom Boskos.
Në shikimin e thellë që parandiente vdekjen, tashmë ka konkretësi: një siguri e dhembshur në braktisjen plotë me dashuri.
Gjatë kthimit për në Nisë u ndal edhe në Alasio. Megjithë lodhjen e skajshme, foli privatisht me çdo motër dhe nuk hoqi dorë nga mbyllja e vizitës me një konferencë të shkurtër për të gjithë bashkësinë.
“Pasi isha ndër motrat në Navarra, – shton, – këtu më dukeni mbretëresha. Për hir të Zotit, mos lejoni asnjë abuzim kur të keni tepër. Dhe kush t’ju takojë ose ju gjen në punë, duhet të thotë: “Pa shih si rrinë në praninë e Hyjit!”
Me t’u rinisur, dhimbja shkrihet në lotë. Në motrat, por edhe në nënën që është e lodhur, por e qetë, ajo ndarje e fundit është si drita e një dielli në perëndim, e shfaqur përmes currilave të shiut mbi degë: trishtim dhe shkëlqim njëkohësisht.
Kthimi në Nisë
Më 28 mars motër Maria kthehet në Nisë. Antonieta Brati, një vajzë e re e ardhur në Nisë gjatë mungesës së nënës, dëshmon atë klimë kaq të shumëpritur: “E gjithë shtëpia ishte në festë. Të gjitha ishin aty dhe flisnin për nënën, të zëna me punë për përgatitjen e një pritjeje të jashtëzakonshme. Unë nuk arrija ta shpjegoj kaq dashuri, ndërsa zemra ime mbetej indiferente dhe e ftohtë. Mendoja për nënën time, që e kisha lënë për t’u bërë rregulltare. Mendoja vështirësitë që do të kaloja dhe nuk prisja tjetër veç momentit që të kthehesha te familja ime. Gati më vinte keq që zëvendësja, Katerina Dagero, më kishte mbajtur për të pritur nënën.
Nuk di se çfarë provova kur motër Petronila më prezantoi nënën, ende gjatë rrugës së kthimit, duke i thënë thjesht: “Kjo vajzë dëshiron të shkojë në shtëpi”. Oh, çfarë shikimi! Po fjalët e saj: “Guxim, pastaj do të shihemi”.
Shpresonin që lodhja e nënës të ishte një konvaleshencë, ndërsa në të vërtetë është vetëm afrimi i fundit.
Për ta ashpërsuar të keqen kontribuojnë edhe lajmet e fundit të misionareve. Ishte ndër to një motër, motër Katerina Luka, e cila e kishte nxjerrë me zor, mund të themi, lejen nga eprorët për t’u nisur.
Nëna, deri në momentin e fundit, ishte treguar pak konfuze dhe nuk ishte dakord për nisjen e saj. Madje, motër Pakotos, përgjegjëse për misionaret, i kishte thënë në momentin para imbarkimit: “Guxim, motër Xhuzepina! Do të vijë momenti kur kryqi do të të bëhet më i rëndë, shumë i rëndë, por do të jetë atëherë momenti për ta shtrënguar në zemër dhe për t’i premtuar besnikëri Hyjit”. Dhe kryq ishte pesha e kësaj motre, që nuk respekton premtimet dhe angazhimet e kushteve të saj.
Në Buenos Aires motër Pakotoja kujton fjalët e përshëndetjes: “Kujtohu se gjembat e duruara për dashurinë ndaj Hyjit do të shndërrohen në trëndafila! Tregoja gjithmonë Zojës vuajtjet dhe ngushëllimet dhe do të gjesh një Nënë pafundësisht më të dashur se ajo që le në Itali”.
Në Nisë, pasi erdhi lajmi i heqjes dorë nga kushtet rregulltare të Katerina Lukës, nëna, në thjeshtësinë e saj, u tha motrave se “është e kënaqur të japë jetën për institutin dhe për ndonjë motër që nuk ecën nëpër rrugën e drejtë”. Sapo është në gjendje, i uron “natën e mirë” bashkësisë. Pa asnjë hezitim, tregon bisedën me dom Boskon mbi vdekjen që merr me vete eproren, dhe e mbyll përshëndetjen me një këshillë të urtë: “Nuk duhet të gëzohemi tepër, as të trishtohemi tepër për asnjë gjë në botë”.
Si tharmi në brumë
Në perëndimin e saj shkëlqen dashuria e vëmendshme dhe e dhuruar. Deri në fund qëndron në mes të të tjerave si tharmi në brumë. Nëna ulet në një bankë në laborator dhe shfrytëzon çdo rast për të dialoguar me më të rejat. Vajza e re, motër Luixhina Bardina, novicie 17-vjeçare, kujton atë ditë kur e kishte afër, ndërsa po qepte një jelek për një jetime.
“A e di, – ndjeu të flitej papritmas, – po vë pullën e fundit dhe nuk ndihem më në gjendje të dëgjoj motrat e tjera. Ti çfarë do të më këshilloje?”
“O Nënë, – i tha e reja duke e ndier papritmas e rëndësishme, – shkoni në kopsht dhe merrni pak ajër të pastër.”
Nëna e palosi menjëherë stofin dhe u bind. Por edhe në ajrin e pastër ndonjë motër po e priste për të marrë këshilla dhe ngushëllim.
Duke folur me motrat që kanë përgjegjësi drejtuese, nëna u jep këshilla për të shqyrtuar vërtetësinë e personave: “Po jua përsëris, – thoshte, – mos u besoni atyre që ju bëjnë lajka dhe ju tregojnë shumë dashuri me komplimente, histori etj… Këto në përgjithësi janë më egoistet dhe më pak të sinqertat, sepse nuk kërkojnë tjetër gjë veç kënaqësisë për zemrën e tyre. Pastaj duan të fitojnë zemrën e eproreve për të fituar atë që kanë në mendje. A e dini se kë duhet të doni? Ato më të dëgjueshmet, më të bindurat, që vënë në jetë më shumë Rregullën e Shenjtë”.
Tashmë nuk arrin të shkruajë më, por më 10 prill u dikton një letër misionareve të Patagonisë, ku mesazhi i fundit përkon përsosmërisht me dëshminë ekstreme të jetës së saj: “Ju këshilloj shumë përvujtëri dhe dashuri. Nëse praktikoni këto virtyte, Zoti do t’ju bekojë ju dhe veprat tuaja, kështu që do të bëni një të mirë të madhe”.
Edhe një herë i mbledh në konferencë motrat dhe, duke përfituar nga rasti, nënvizon atë që brenda saj është këngë mirënjohjeje ndaj Zotit për të gjitha zgjedhjet e bëra nga dom Boskoja në favor të institutit dhe i fton të jetojnë Kushtetutën si falënderim konkret ndaj Hyjit.
Dhe ja, brenda kësaj konference një këshillë thelbësore: “Thjeshtësia që Zoti do nga ne, është pikërisht thjeshtësia e fesë, por e një feje si prej fëmije, jo si ata që mendojnë se ia dalin vetë.
Shikoni, një fëmijë akoma i pasigurtë i beson mënjëherë asaj që i ati i thotë. Dhe, nëse ka karkater të mirë dhe zemër të mirë, nuk pret urdhërin për të bërë këtë apo atë, por, pasi i njeh dëshirat e babait, bën menjëherë ashtu si ai i kërkon. Kështu dëshiron dom Boskoja dhe kështu na do Zoja që të jemi, duke qenë ashtu si na do Zoti”.
Sëmundja përkeqësohet
Ditët e Javës së Madhe janë për nënën ditë lodhjeje të vazhdueshme dhe ditë lufte për të ndarë me bijat e saj punët e përditshme dhe momente më të forta lutjeje.
Ndërkohë ethet e kapin në mënyrë alarmante. Mjeku kërkon të këshillohet. Vjen te shtrati i saj prof. Grilo nga Akui, i cili, pasi e viziton, thotë: “Pa një mrekulli tashmë çështja është e humbur”.
Motrat nuk pushojnë së luturi, duke i kërkurar Zotit që t’ia zgjasë sadopak jetën kësaj ekzistence kaq të frytshme. Aq më shumë sepse kanë dëgjuar nënën të thotë: “Dom Boskoja në Romë, dom Kaljeroja në Spanjë. E kam të pamundur të shpreh disa frikëra dhe shqetësime për të mirën e ndonjë motre dhe për gjithë institutin! Por u bëftë ashtu si do Hyji”.
Ndërkohë ajo vetë kërkon sakramentet e fundit, që ia bëjnë të dukshme edhe në fytyrë paqen e Hyjit. Arrin deri në atë pikë humorizmi, të cilin e kishte për natyrë: “Tani i kam të gjitha letrat në rregull dhe mund të shkoj në çdo moment, apo jo?”.
Por qielli i saj është i shqetësuar nga re të dendura. Gruaja që kishte themeluar në Hyjin ekzistencën e saj si në shkëmb, përshkohet nga një ndjenjë frike: “Kam frikë se do të humb guximin”.
“Nuk keni arsye, nënë.”
“Flisni bukur ju, por ajo dashuri e bekuar për unin hyn me të vërtetë kudo.”
Një pushim dhe pastaj akoma: “Por dua që të kem besim të plotë në Jezusin”.
Natën e 27 prillit shfaqen simptomat e tmerrshme të agonisë së fundit. E, megjithatë, nga ato grahma vdekjeje që e shtrëngojnë nga çdo anë, arrin akoma të dalë një refren: “Unë dëshiroj ta dua Marinë, dua t’ia dhuroj zemrën, dua të vdes nga dashuria”.
Pastaj kërkon dom Lemuenin, kapelanin e shtëpisë, që t’i qëndrojë pranë, t’i japë bekimin edhe kur mund ta kërkojë vetëm me sy. Ia kërkon si një nënë birit të vet të dashur, të cilit ia njeh ndjeshmërinë delikate.
Pastaj, gjatë kalimit të ngadaltë të orëve të natës, dëgjohet tek lutet, duke dihatur: “Jezus, Jezus, Jezus, Emër i ëmbël, Ti më mjafton për gjithçka. Zojë, kujtohu se jam bija jote”.
Rreth orës dy të natës merr Eukaristinë si ushqim të fundit.
Këshillat e fundit
Kalojnë ditë të tjera mes agonisë e pushimeve të shkrutra, por edhe lutjes së vazhdueshme dhe plot besim.
“Nënë, a keni ndonjë këshillë të veçantë për të na dhënë?” e pyet motër Emilia Moska në një moment, në të cilën duket më e lehtësuar.
“Bijat e mia të dashura, – i përgjigjet nëna, – duajeni gjithmonë njëra-tjetrën. Mos u gëzoni dhe mos u trishtoni tepër për atë që mund t’ju ndodhë. Të kapemi vetëm pas Hyjit gjithmonë.
Për ju kam tri këshilla dhe lutem që të mos i harroj. E para: kam frikë se, kur unë të kem shkuar, do të lindin mes jush xhelozi, zili, trishtim dhe mjerime për arsye të eprores, sepse shikoni një më të re të vënë përpara jush… a ku ta di unë. Prandaj kam frikë se do të pakësohet shpirti i dashurisë dhe i bashkimit të shenjtë. Derisa ishte kjo “leckë e shkretë”, rreziku nuk ekzistonte, por tani mund të lindë. E di se kongregata jonë është e Zojës dhe se Zoja do t’ju ndihmojë gjithmonë. Por ju bëni pjesën tuaj. Bindiuni gjithmonë dhe me dëshirë asaj që eprorët do t’ju thonë. Uleni atë dëshirë për të komanduar!
E dyta: mundohuni të ndihmoni njëra-tjetrën në të gjitha praktikat e virtytit, por lëriani drejtimin e shpirtit atij që e ka për detyrë. Jo shumë konfidenca të veçanta! Dhe katekizmi të jetë katekizëm. Mësoni mirë në këtë, përndryshe do të vijnë ndarje në shpirt me dëm të krejt institutit.”
Në lodhjen e saj ekstreme, në këtë moment, nëna ankohet se nuk arrin të shprehë gjënë e tretë, që e ka në për zemër. Ka frikë se tashmë nuk është më e aftë.
Vetëm pas një pushimi të gjatë, duke mbledhur në një sforcim ekstrem forcat që i mbeten, dhe e inkurajuar nga dom Lemueni, arrin të thotë: “Të kujtohen bijat e mia, se duke braktisur botën për të ardhur këtu brenda, nuk duhet pastaj të ndërtojnë një tjetër botë të ngjashme me atë që keni lënë. Nuk bëhet fjalë për gjëra të mëdha: disa xhelozi të vogla dhe mosbindje… disa vepra mendjemadhësie dhe mosaftësie për të hequr dorë. Duke mos menduar për qëllimin, për të cilin kanë ardhur në kongregatë. Ja e gjitha”.
I ka mbetur veç një fije zë.
Fjalët i dalin me vështirësi, të ndërprera nga rënkime. Por e sëmura, duke kërkuar të Kryqëzuarin me shikim, arrin akoma të thotë: “O, Dhëndri im i dashur, sikur të të njihnin, siç të njoh unë tani!”.
Saleziani dom Françesko Çerruti arrin në Torino për të ndërruar dom Lemuenin që rri në kokë të shtratit të nënës. Dhoma e saj është tashmë si një tempull i vogël. Dhe shtrati është një altar, ku ajo po konsumon me Jezusin meshën e saj.
Të nesërmen, ditën e premte, pikërisht ndërsa dom Lemueni po këndon lutjen e orës së fundit, ndodh e papritura.
Një përmirësim i papritur i bën të pranishmit të gëzojnë. Mjeku e konstaton, edhe pse e sheh të pashpjegueshme. Rindizen shpresat nga çdo anë. Edhe Te Deum këndohet në falënderim. Por nëna pas disa ditësh, thotë: “Do të shihni se për mua ka marrë fund. Por ndoshta më janë dhuruar disa ditë të tjera për të vuajtuar edhe pak… Mos të gënjehemi”.
Më 9 maj, dita e lindjes së saj, bashkësia mblidhet në kopsht, aty ku me pak vullnet të mirë mund të shihet dhoma e të sëmurës, madje edhe figura e saj e dobësuar, e shtrirë mbi shtrat. Dhe thërrasin “Urra!”. Dhe ajo përgjigjet duke ngritur dorën në një gjest të ngadaltë.
Ndërkohë arrin nga Spanja dom Kaljeroja. Vizita e tij solli një dallgë ngushëllimi për nënën. Drejtori i përgjithshëm i institutit qëndron mjaft gjatë me të personalisht.
Nga ai bashkëbisedim kardinali i ardhshëm tregoi fjalët e fundit të nënës: “Oh, çfarë hiri më ka dhuruar Hyji që po vdes Nuse e Jezusit, bijë e Marisë dhe e dom Boskos! Unë e kërkoj këtë hir për të gjitha motrat e mia, të cilat i kam dashur gjithmonë dhe shpresoj t’i dua edhe më shumë nga qielli”.
Nata e fundit zbret e mbështjellë nga heshtja. Sapo ndihen në derë hapat e dikujt që dëshiron të vijë për herë të fundit për një shikim drejt nënës që po jep shpirt.
Kalojnë orët e dhimbshme dhe në fund qepallat mbyllen mbi sytë e lodhur. Dhe paqja e vdekjes së saj i depërton të gjithë dhe gjithçka. Është ora 3 e 45 e ditës 14 maj të vitit 1881. Një e shtunë, vigjilja e nëntëditëshes së Marisë Ndihmëtare.
Epilog
Më 24 qershor 1951 Maria Domenika Maxarelo deklarohet e shenjtë.
Kush e njeh figurën e saj, preket nga mënyra se si e jashtëzakonshmja lind nga e zakonshmja e jetës së saj. Ajo vetë është dëshmia se si Hyji bën “gjëra të mëdha” me atë që e do.
Sociologia Xhulia Paola di Nikola ka shkruar: “Nga një analfabete (e lindur më 1837-ën në një vend që ka shkolla fillore për djem) ka lindur një institut i angazhuar në kulturën dhe formimin e vajzave; nga një grua që nuk di se çfarë është shkolla, ka lindur Fakulteti Papnor Auxilium; nga një motër e mësuar gjithmonë vetëm të bindet, një eprore e aftë të udhëheqë drejt shenjtërisë radhët e grave që i ishin besuar; nga një grua pa mundësi për të ndikuar shoqërinë nga ana sociale dhe politike (edhe pa të drejtë vote) një mësuese e grave, të trasformuara edhe ato në udhëheqëse dhe mësuese; nga një vajzë që ka për horizont vetëm Mornezen, vend i veçuar dhe pa komunikime, një institut që, me vdekjen e saj, njeh tashmë 166 motra, me 26 shtëpi dhe është i përhapur në Francë, Uruguaj dhe Argjentinë (sot në 90 Shtete); nga një grua e dëgjueshme dhe pa projekte, një shenjte themeluese me dom Boskon e një kongregate femërore ndër më dinamiket e kohës sonë”.
Është e sigurtë që edhe sot, përballë mrekullisë së zhvillimit të institutit, Maria Domenika Maxarelo do të thoshte: “Të them të drejtën, edhe unë vetë mbetem e habitur dhe në të njëjtën kohë e pështjelluar, tek i shoh të gjitha këto bija gjithmonë të hareshme dhe të qeta. Shihet me të vërtetë që edhe pse jam e padenjë, nëna jonë e dashur, Maria e Shenjtë Ndihmëtare, na jep me të vërtetë hire të mëdha” (Letra 7,2).