Fort të dashur bijtë e mi në Jezu Krishtin!
Afër o larg unë mendoj gjithmonë për ju. Vetëm një është dëshira ime, t’ju shoh të lumtur tani e në amshim. Ky mendim, kjo dëshirë më bëri t’ju shkruaj këtë letër. E ndiej o të dashurit e mi peshën e largimit tim prej jush dhe fakti që s’ju shoh dhe s’ju dëgjoj më bëjnë të vuaj kaq shumë sa s’mund ta imagjinoni. Ndaj pata dëshiruar t’i shkruaj këto rreshta që para një jave, por angazhimet e vazhdueshme nuk më lejuan megjithatë edhe pse pas pak ditësh do të kthehem atje, dëshiroj ta përshpejtoj ardhjen time tek ju meqë s’mundem personalisht të paktën nëpërmjet letrës. Janë fjalët e atij që ju do aq shumë në Jezu Krishtin dhe ka për detyrë t’ ju thotë disa gjëra me lirinë e një babai. Ju do të ma lejoni, vërtetë? Do të ma vini veshin dhe do të zbatoni ato që po ju them.
Oratori para 1870
Ju pohova se ju jeni mendimi i vetëm dhe i vazhdueshëm i mendjes sime. Dëgjoni pra, në një nga netët e shkuara, isha në dhomë, dhe ndërsa po përgatitesha për të pushuar; kisha filluar të them uratë, që më pat mësuar nëna ime e mirë.
Në ato momente, nuk e di a pse isha i lodhur nga gjumi apo se diçka tjetër më mori mendjen, por mu duk sikur mu shfaqën dy nga djemtë oratorit të dikurshëm. Njëri nga këta mu afrua dhe duke më përshëndetur me shumë dashuri, më tha:
– O Dom Bosko! A më njeh?
– Sigurisht që të njoh, përgjigja.
– Më mban mend akoma? Shtoji ai njeri.
– Ty dhe për të gjithë të tjerët. Ti je Valfrè dhe ishe në orator para 1870.
– Më thuaj, a do t’i shohësh të rinjtë që ishin ne orator në kohët e mia?
– Po, m’i trego, iu përgjigja, kjo gjë do më japë shumë kënaqësi.
Atëherë Valfrè, më tregoi të rinjtë, të gjithë me të njëjtën pamje dhe moshë e shtat që kishin në atë kohë.
Më dukej sikur isha në oratorin e vjetër, në orën e pushimit.
Ishte një skenë me plot jetë, me plot lëvizje dhe gëzim. Kush vraponte, kush kërcente, kush bënte të kërcejnë të tjerët. Këtu luhej lojë “bretkosash”, atje me gjyle ose top etj. Në një vend ishin mbledhur një grup me të rinj e po dëgjonin me ëndje një histori që një prift po tregonte. Në një vend tjetër, një seminarist që në mes të rinjve, luante lojën “fluturon gomari”. Këndonin, qeshnin gjithandej dhe në çdo vend ishin seminaristët dhe priftërinjtë dhe përreth tyre të rinjtë që hidheshin me shumë gëzim. Shihej se në mes të rinjve dhe eprorëve, mbretëronte një përzemërsi dhe mirëbesim i madh.
Unë isha i mahnitur nga ky spektakël, dhe Valfrè më tha:
– E shikon?! familjariteti sjell dashuri dhe dashuria sjell mirëbesim. Kjo është ajo që i hap zemrat e të rinjve, dhe të rinjtë u tregojnë gjithçka pa frikë, mësuesve asistentëve dhe eprorëve. Bëhen të çiltër në rrëfim dhe jashtë rrëfimi, janë të gatshëm t’i binden në gjithçka atij, për të cilin janë të sigurt se i do.
Oratori në vitin 1884
Në ato çaste më afrohet një nxënës tjetër i imi, që kishte mjekrën tashmë krejt të bardhë dhe më thotë:
– Dom Bosko, a do tani të njohësh dhe të shohësh të rinjtë që aktualisht janë në orator? Ky ishte Buceti Xhuzepe.
– Po, iu përgjigja unë; sepse ka tashmë një muaj që nuk i shoh.
Dhe m’i tregoi: Pashë Oratorin dhe të gjithë ju që po bënit pushimin. Nuk dëgjoja më “britmat’’ e gëzimit dhe të këngëve, nuk po shikoja më atë harmoni dhe gjallëri si në skenën e parë. Në veprimet dhe në fytyrat e tyre lexohej një mërzi, një boshllëk, një pakënaqësi dhe mosbesim, që më shkaktonte aq shumë dhimbje në zemër. Në të vërtetë, pashë shumë që vraponin, luanin, kërcenin të shkujdesur; por të tjerë, jo të pakët, qëndronin të vetmuar të mbështetur tek shtyllat pre e mendimeve të zymta; të tjerë nëpër shkallë dhe nëpër korridore ose tek parmakët e kopshtit që kërkonin t’i shmangeshin pushimit me të tjerët; të tjerë shëtisnin në oborr duke folur me zë të ulët ndërmjet tyre duke shikuar përreth me dyshim e me keqdashje; nganjëherë buzëqeshnin, porse me një buzëqeshje të shoqëruar me shikime që të bënin të dyshosh, madje të besosh, se Shën Luigji do të ishte turpëruar po të gjendej në shoqërinë e tyre; Madje edhe ndër ata që luanin kishte prej atyre kaq të plogësht e shihej qartë se argëtimin, lojën nuk i shijonin aspak.
I sheh të rinjtë e tu? Më tha ai nxënësi i vjetër.
– I shikoj, u përgjigja duke psherëtirë.
– Sa të ndryshëm që janë nga sa ishim ne dikur. Tha nxënësi i vjetër.
– Për fat të keq! Sa, plogështi në këtë pushim.
– Dhe prej saj, në shumicën prej tyre, vjen ftohja në frekuentimin e Sakramenteve, lënia mënjanë e praktikave të fesë në Kishë dhe kudo; ndenja pa dëshirë në një vend ku Provania e Shenjtë i mbush me hire, si për trupin, ashtu për shpirtin dhe për intelektin. Prej kësaj vjen edhe refuzimi për t’iu përgjigjur thirrjes, mosmirënjohja ndaj eprorëve; të fshehtat, thashethemet me të gjitha pasojat e trishta që sjellin.
Dashuri e shfaqur dhe e mençur.
– E kuptoj, u përgjigja. Por si mund të rigjallërohen këta të rinjtë e mi të dashur, në mënyrë që të rimarrin gjallërinë e dikurshme, gëzimin dhe harenë?
– Me dashuri!
– Me dashuri? Pse të rinjtë e mi nuk janë të dashur sa duhet ? Ti e di që unë i dua. Ti e di sa kam vuajtur për ta dhe sa kam toleruar për plot dyzet vjet dhe sa toleroj dhe vuaj akoma sot. Sa lodhje, sa përulje, sa kundërshtime, sa persekutime për t’u dhënë atyre, bukë, shtëpi, mësues dhe veçanërisht për t’u kujdesur për shëndetin e shpirtrave të tyre. Kam bërë sa dija dhe mundja për ata, që janë zemra e gjithë jetës sime.
– Nuk flas për ju!
– Për kë pra? Për ata që janë zëvendësit e mi? Për drejtorët, asistentët, mësuesit? A nuk shikon si janë martirë të studimit e të punës? Si i konsumojnë vitet e tyre të rinisë për ata, që Provania e Shenjtë ua besoi?
– Shikoj, e di; por kjo nuk mjafton: na mungon më e mira.
– çfarë mungon pra?
– Që të rinjtë jo vetëm t’i duam, por që ata vetë ta dinë se janë të dashur.
-Po a nuk i kanë sytë në ballë? Nuk kanë aq inteligjencë? Nuk shohin gjithçka bëhet për ta është për dashuri ndaj tyre?
– Jo, po ta përsëris, kjo nuk mjafton.
– Çfarë duhet pra?
– Që duke dashur ato gjëra që u pëlqejnë atyre më shumë, duke marrë pjesë në dëshirat e tyre fëmijërore, të mësojnë shohin dashurinë në ato gjëra që natyrisht u pëlqejnë më pak; të cilat janë: disiplina, studimi,vetëmohimi; dhe këto gjëra të mësojnë t’i bëjnë me dashuri.
Asistenca e lënë pas dore gjatë pushimit.
– Shpjegohu më mirë!
– Vështroi të rinjtë gjatë pushimit.
– Vështrova dhe thashë: – çfarë ka të veçantë për të parë?
– Prej vitesh edukon të rinjtë, dhe nuk po kupton? Shiko më mirë! Ku janë salezianët tanë?
Vështrova dhe krejt pak Salezianë dhe seminaristë përziheshin me të rinjtë dhe akoma më pak merrnin pjesë në lojërat e tyre. Eprorët nuk ishin më shpirti i lojës gjatë pushimit. Shumica shëtiste duke folur mes tyre, pa vënë re se, çfarë bënin nxënësit; të tjerë shikonin pushimin pa u shqetësuar aspak për të rinjtë; të tjerë vëzhgonin të distancuar pa vënë re nëse ndonjëri bënte ndonjë gabim, ndokush edhe ndërhynte por duke kërcënuar, dhe kjo ndodhte rrallë.
Kishte ndonjë Salezian që do të kishte dashur të qëndronte me ndonjë grup të rinjsh, por pashë që edhe këta të rinj kërkonin mënyrën se si të largoheshin nga mësuesit dhe eprorët e tyre.
Familjariteti me të rinjtë veçanërisht gjatë pushimit.
Atëherë ai miku im vazhdoi: – në kohët e hershme të oratorit, a nuk qëndronit ju gjithmonë mes të rinjve veçanërisht gjatë pushimit? I kujtoni ato vite të bukura? Ishte një gëzim Parajse, një kohë që e kujtojmë përherë me shumë dashuri, sepse dashuria ishte rregulla e vetme, dhe ndaj jush ne s’mbanim sekrete.
– Sigurisht! Atëherë gjithçka ishte gëzim për mua, dhe të rinjtë kishin një dëshirë për të mu afruar, për të më folur, të padurueshëm për të dëgjuar këshillat e mia dhe për t’i vënë në praktikë. Porse tani shih takimet e vazhdueshme, punët e shumta, shëndeti im, ma pengojnë këtë gjë.
– E po mirë: nëse ju nuk mundeni pse Salezianët nuk bëhen imituesit e tu? Pse nuk insiston? Pse nuk u kërkon atyre që t’i trajtojnë të rinjtë siç i trajtonit ju?
– Unë flas, me gjithë shpirtin, por fatkeqësisht shumë prej tyre nuk kanë guxim të lodhen si dikur.
– Dhe duke lënë mënjanë gjërat më të vogla, u shkon kot mundi. Të duan çfarë u pëlqen të rinjve dhe të rinjtë do të duan çfarë u pëlqen eprorëve. Në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë lodhja e tyre. Shkaku i ndryshimit të oratorit është se, një pjesë e të rinjve nuk kanë më konfidencë tek eprorët. Në kohët e hershme, zemrat e të rinjve ishin të hapura ndaj eprorëve, u bindeshin atyre menjë herë dhe i donin ata. Porse tani eprorët konsiderohen si eprorë dhe jo si etër, vëllezër dhe miq; pra u ruhen atyre dhe nuk i duan. Ndaj nëse do të bëhemi një zemër të vetme dhe një shpirt i vetëm, për dashuri të Krishtit, duhet ta thyejmë atë murin e mosbesimit që është krijuar, dhe të zëvendësohet me besim të përzemërt. Pra bindja, ta drejtojë nxënësin sikurse nëna drejton fëmijën e saj; atëherë do të mbretërojë në Orator Paqja dhe gëzimi i dikurshëm.
– Si të bëjmë për të thyer këtë barrierë?
– Familjariteti me të rinjtë veçanërisht gjatë pushimit. Pa familjaritet nuk dëshmohet dashuria, dhe pa këtë dëshmi nuk mund të krijohet besimi. Kush do që tjerët ta duan duhet të tregojë që do. Jezu Krishti u bë i vogël me të vegjlit, dhe mori mbi vete të këqijat tona. Ja mësuesi i familjaritetit! Mësuesi që shihet vetëm në katedër, është mësues dhe asgjë më shumë, por nëse shkon në pushim me të rinjtë bëhet si vëlla.
Nëse shihet një që predikon në altar, do të thuhet që bën veç detyrën e tij, as më shumë as më pak, por nëse thotë një fjalë në pushim është fjala e dikujt që ta do të mirën.
Sa kthime të menjëhershme shkaktuan disa fjalë të tua të thëna papritmas në vesh ndonjë të riu ndërkohë që po luante.
Të duash me të vërtetë të rinjtë.
Kush e di që është i dashur, do. Kush duhet prej të tjerëve arrin gjithçka, veçanërisht prej të rinjve. Ky besim krijon një rrymë elektrike mes të rinjve dhe eprorëve. Zemrat hapen bëjnë të njohura të gjitha nevojat e tyre dhe tregojnë haptas defektet e tyre. Kjo dashuri bën që eprorët të durojnë vështirësitë, mërzitë, mosmirënjohjet, shqetësimet, mangësitë, neglizhencat e të rinjve. Jezu Krishti nuk e theu kallamin e përkulur as nuk e fiku pishtarin që nxirrte tym. Ja modeli juaj.
Atëherë nuk do të shihet më askush të punojë për krenari të vetën; apo të dënojë vetëm për t’u hakmarrë për arsye personale; apo të tërhiqet nga vendi i asistencës vetëm për xhelozi, se ka frikë se tjetri i zë vendin; apo të flasë keq për të tjerët, duke dashur që të rinjtë ta vlerësojnë më tepër se të tjerët, duke përjashtuar të gjithë superiorët e tjerë, duke mos fituar asgjë më shumë se, zhvlerësim dhe lajka të rreme; ose të lejojë t’ia rrëmbejë zemrën një krijesë dhe për ta mbajtur mirë me të lërë të gjithë të rinjtë e tjerë mënjanë; ose kush për hir te rehatisë të vet, nuk është korrekt në detyrë; ose për një respekt të kotë njerëzor të mos qortojë atë që duhet të qortojë.
Po të mbizotëronte kjo dashuri e vërtetë nuk do të kërkohej tjetër përveç lavdisë së Zotit dhe shpëtimit të shpirtrave. Kur pakësohet kjo dashuri atëherë gjërat nuk shkojnë për së mbari. Pse duam ta zëvendësojmë dashurinë me disa rregulla të ftohta? Pse eprorët largohen nga respektimi i rregullave që u ka dhënë vetë Dom Bosko? Përse sistemi preventiv që me vigjilencë e dashamirësi kërkon të parandalojë çrregullimet , zëvendësohet pak nga pak me një sistem pak më i lehtë e i volitshëm për atë që drejton, që të bëjë ligje, të cilat nëse mbahen në këmbë nga ndëshkimet , ndezin urrejtje e sjellin pakënaqësi, nëse nuk kërkohet zbatimi i tyre, sjellin nënvlerësim për eprorët dhe bëhen shkaku i çrregullimeve tepër të rënda.
Eprori të jetë gjithçka për të gjithë- vetëm në raste imoraliteti superiorët të jenë të rreptë – mbajtja e rregullave- Fytyrë të gëzueshme
Një gjë e tillë ndodh me siguri nëse mungon familjariteti. Nëse duam që oratori të kthehet në gëzimin e mëparshme, të vihet në veprim sistemi i vjetër: Superiori të jetë gjithçka për të gjithë, i gatshëm të dëgjojë gjithmonë çdo dyshim ose ankesë të të rinjve, i gjithi i vëmendshëm për të vëzhguar me dashuri atërore sjelljet e tyre, të jepet krejt me gjithë zemër për të kërkuar të mirën shpirtërore dhe kohore për të gjithë ata që Provania Hyjnore ia ka besuar.
Atëherë zemrat nuk do të jenë më të mbyllura dhe nuk do të mbretërojnë më disa të fshehta që vrasin. Vetëm në raste imorale superiorët të jenë të rreptë. Është më mirë të rrezikojmë të largojmë nga shtëpia një të pafajshëm, se sa të mbajmë një që jep shkandull. Kujdestarët ta ndjejnë për detyrë të rëndë të ndërgjegjes, t’ u thonë eprorëve të gjitha gjërat që njohin dhe që mund të fyejnë Zotin në çfarëdolloj mënyre .
Atëherë unë e pyeta:
E cili është mjeti më i përshtatshëm që të triumfojë një familjaritet i tillë dhe një dashuri dhe konfidencë e tillë?
– Zbatimi i përpiktë i rregullave të shtëpisë.
– Asgjë tjetër?
– Pjata më e mirë në një drekë është ajo e fytyrës së gëzueshme.
Fundi i ëndrrës së parë –ëndërr tjetër – këshilla të rinjve.
Jeta në hirin e Zotit
Ndërsa nxënësi im i vjetër po mbaronte së foluri, dhe unë vazhdoja të vëzhgoja me keqardhje te thellë atë pushim, pak nga pak më kaploi një lodhje e madhe që sa vinte e rritej. Kjo rraskapitje arriti deri aty sa duke mos mundur më të rezistoj u shkunda dhe u përmenda. U gjenda në këmbë afër shtratit. Këmbët më ishin ënjtur kaq shumë e më dhembnin kaq fort, sa nuk mund të rrija më drejt. Ishte shumë vonë, ndaj shkova në shtrat i vendosur t’u shkruaj bijve të mi këto rreshta. Unë dëshiroj të mos bëj më kësi ëndrrash sepse më lodhin pamasë. Të nesërmen ndihesha kaq i rraskapitur saqë mezi prisja të vinte mbrëmja që të pushoj. Por ja, sapo rashë në krevat, rifillon ëndrra. Kisha para syve oborrin dhe të rinjtë që tani janë në Orator, dhe po të njëjtin nxënës të vjetër. Unë fillova ta pyes:
– Atë që më the, unë do t’ua them Salezianëve, por çfarë do t’u thuash të rinjve?
– Mu përgjigj: – që ata të njohin sesa superiorët, mësuesit, kujdestarët lodhen e punojnë për hatër të tyre, sepse po të mos ishte për të mirën e tyre nuk do t’i bënin aq sakrifica; që të kujtohen se përvujtëria është burimi i çdo qetësie; që të dinë të durojnë defektet e të tjerëve, pasi në botë nuk gjendet përsosmëria, por vetëm në Parajsë; që të pushojnë thashethemet, pasi këto e ftohin zemrën; e mbi të gjitha që të kujdesen për të jetuar në hirin e Zotit. Kush nuk ka Paqe me Zotin, nuk ka Paqe me vetveten dhe nuk ka Paqe me të tjerët.
– Dhe ti po më thua që ka mes djemve të mi ka prej atyre që nuk janë në Paqe me Zotin?
– Ky është shkaku i parë i pakënaqësisë, përveç të tjerave që ju i dini, të cilave duhet t’i gjeni një zgjidhje, dhe është mirë që t’ua thuash tani. Në fakt, dyshon vetëm ai që ka sekrete për të ruajtur, ai që ka frikë se do merren vesh, sepse e di që do të turpërohet dhe do t’ia shohë sherrin. Në të njëjtën kohë, nëse zemra nuk ka Paqe me Hyjin mbetet në ankth, e shqetësuar, refuzon bindjen, zemërohet së koti, i duket se çdo gjë shkon keq, pse ai vetë nuk ka dashuri, dhe mendon se eprorët nuk e duan.
Rrëfimet dhe vendosmëria në mbajtjen e premtimeve – Të lutemi, dhe të marrim vendime të prera.
-E pra, i dashuri im, a nuk shikon sa shumë Rrëfehen dhe Kungohen në Orator?
-Është e vërtetë, që i madh është frekuentimi i Rrëfimit dhe Kungimit në Orator, por ajo që mungon rrënjësisht në shumë të rinj që rrëfehen është vendosmëria në vendimet që marrin. Rrëfehen, por gjithmonë të njëjtat mangësi, të njëjtat raste, të njëjtat zakone të këqija, të njëjtat mosbindje, të njëjtat lëshime në kryerjen e detyrave. Kështu vazhdojnë për muaj e muaj, edhe vite dhe disa vazhdojnë kështu deri në vitin e pestë të gjimnazit.
Janë rrëfime që vlejnë pak ose aspak; pra nuk sjellin paqe, dhe nëse një i ri të thirrej në atë gjendje në gjyqin e Zotit do të ishte një gjë tepër serioze.
– Dhe kësosh a ka shumë në orator?
– Janë pak, në krahasim me numrin e të rinjve që gjenden në shtëpi. Vështro! Dhe ai mi tregoi. Unë shikoja dhe një nga një i pashë ata të rinj. Në këto pak gjëra që munda të shikoj, pashë gjëra që më hidhëruan në thellësi të zemrës. Nuk dua t’i shkruaj, por kur të kthehem, do t’ia them gjithsecilit personalisht. Këtu po them se është koha që të luten dhe të marrin vendime të prera; Të premtojnë jo me fjalë, por me fakte dhe të na tregoni se Komolat, Saviot Domeniko, Bezukot, dhe Sakardët jetojnë akoma mes nesh.
Të kujtohemi që jemi bijtë e të Shejtërueshmes Marisë Ndihmëtare
Dhe në fund e pyeta mikun tim: – A ke gjë tjetër për të më thënë?
– Predikoju të gjithëve, të mëdhenjve dhe të vegjëlve, që të kujtohen që janë bijtë e Marisë Ndihmëtare. Që ajo i ka mbledhur këtu për t’i larguar nga rreziqet e botës, që të duhen si vëllezër dhe që t’i japim Lavdi Zotit dhe Asaj me sjelljen tonë të mirë, është Zoja që gjen për ta bukën, mjetet për t’u shkolluar me hire të panumërta.
Të kujtohen se është vigjilja e festës së Nënës së Shenjtë, dhe se me ndihmën e saj duhet të bjerë ai muri i mosbesimit që vetë djalli e ka ngritur mes të rinjve dhe eprorëve, dhe të cilin e përdor për të shkatërruar disa shpirtra.
– A do të mund ta heqim këtë mur?
– Po, patjetër me kusht që të vegjël e të mëdhenj të jemi të gatshëm të vuajmë ndonjë pendesë të vogël për hatër të Zojës dhe të vënë në praktikë çfarë u kam thënë. Ndërkohë vazhdoja të shikoja të rinjtë e mi dhe spektaklin e shëmtuar të atyre që ishin nisur për ka dënimi i amshuar dhe ndjeva në shtrëngim në zemër që më zgjoi. Shumë gjëra të tjera të rëndësishme që pashë do të doja t’u tregoja por nuk mu dukën të përshtatshme për tani dhe nuk kam kohë.
Mbyllja
Përfundoj: e dini çfarë dëshiron nga ju ky plak i shkretë, që për të rinjtë e tij të dashur ka konsumuar krejt jetën? Asgjë më tepër, përveçse, sipas kohës, të kthehen ditët e lumtura të oratorit të dikurshëm. Ditët e dashurisë e mirëbesimit të krishterë mes të rinjve dhe eprorëve, ditët e shpirtit të mirëkuptimit dhe duresës, për hir të dashurisë së Krishtit, ndaj njëri –tjetrit, ditët e zemrave të hapura me thjeshtësi e pastërti, ditët e dashurisë së vërtetë dhe të gëzimit për të gjithë. Kam nevojë që të më ngushëlloni duke më dhënë shpresat dhe premtimin që do të bëni gjithçka që dëshiroj unë, për të mirën e shpirtrave tuaj.
Ju nuk e dini çfarë fati keni që jeni në orator. Përpara Zotit ju them: mjafton që një i ri të hyjë në një shtëpi saleziane, që Virgjëra Mari ta marrë menjëherë nën mbrojtjen e saj të veçantë. Le të vihemi pra të gjithë dakord. Dashuria e atyre që drejtojnë, dashuria e atyre që duhet të binden, bëftë që të mbretërojë në ne dashuria e Sh. Françeskut të Sales-it. O bij të mi të dashur, po afrohet koha në të cilën më duhet të largohem nga ju dhe të nisem për në Amshim (shënime të sekretarit:( në këtë pikë dom Bosko pushon së shkruari, sytë e tij mbushen me lot, jo pse i vjen keq por sepse mallëngjehet, shihet qartë në sytë e tij, në zërin e tij: pas disa çasteve vazhdoi) pra unë dëshiroj t’ ju lë ju o priftërinj, o klerikë, o të rinj të dashur në atë rrugë të Zotit, në të cilën Ai vetë ju dëshiron.
Për këtë qëllim Ati i shenjtë që e takova të premten me 9 maj ju dërgon me gjithë zemër bekimin e vet.
Ditën e festës së Zojës Ndihmëtare do të jem së bashku me ju në Shejtroren e Nënës sonë të dashur. Dua që kjo festë të festohet me një solemnitet të madh, dhe dom Laxeri e dom Markizi të mendojnë që të jetë gjithçka në rregull edhe në mensë. Festa e Zojës Ndihmëtare duhet të jetë paraardhësja e festës së amshimit, që do të kremtojmë të gjithë së bashku në Parajsë.
Romë 10 maj 1884
Me dashuri në Jezu Krishtin, i juaji,
Mesh. Gjon Bosko.