Përshëndetje, sot dua të hedh mendimet e mia në letër dhe të lexohen përpara jush. Përpara njerëzve që kanë një qëllim me mua, përpara njerëzve që do e kuptojnë se po flet zemra e jo thjesht mendja. Përpara njerëzve që besojnë tek ajo që bëjnë me gjithë shpirt. Përpara atyre që bashkohen me mua një zëri. E çfarë i karakterizon këta njerëz?
HAREJA, të jesh i hareshëm d.m.th ta ngresh shpirtin në qiell dhe ta lësh veten e lirë, ti gëzosh jetës dhe të mos mërzitesh për gjëra të vogla, gjëra të pavlera që në fund të fundit janë thjesht momentale. I hareshëm është ai që dhuron buzëqeshje dhe duket se kur hyn në një dhomë me njerëz të vrenjtur është si rrezja e dritës, si rrezja e diellit që na cel në mëngjes dhe na lajmëron për një ditë të bukur plot shpresë.
DURIMI, i duruar është ai që edhe kur e prekin nuk reagon. E mban përbrenda dhimbjen duke i falur të tjerët dhe duke thënë se S’ka problem, do kalojë edhe kjo. Durimin e ka ai që dhe në situatat me komplekse tregon se është optimist. Optimizmi tregon se ai thotë Po përpara çdo aventure dhe sfide, nuk ka frikë nga gjërat e pazbuluara. Ka guxim dhe vullnet të vazhdojë para edhe kur rruga e tij është e errët, edhe kur rruga e tij është e mbushur me rreziqe të cilat duhet ti kalojë i vetëm.
EMOCIONI, është i entuziazmuar për çdo ditë dhe çdo aktivitet. Pranon dhe beson se n.q.s do të punojmë të gjithë së bashku mund të arrihen gjëra të mëdha, gjëra që do të mbahen mend gjatë. Pasi gjërat e mëdha lindin nga idetë e vogla. Janë personat që janë me këmbë në tokë dhe të vetëdijshëm për realitetin që ne po jetojmë sot. Jam personat që çdo angazhim që u caktohet e marrin me seriozitet dhe përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre të mundshme. Ata vlerësojnë dhe janë mirënjohës të personave që i kanë futur në këtë rrugë të gjatë, drejt rrugës për të qenë animator të denjë.
Këta persona dinë të thonë “Më fal” dinë të pranojnë faljen dhe dinë të jenë aty për botën.
Janë personat që mbi të gjitha nuk veprojnë sipas mendjes së tyre. Si ti si unë si të gjithë ne i kemi hapur zemrën Zotit të hyj në shpirtin tonë. I kemi hapur atij vend të na drejtoj në mënyrë që të përmbushin detyrën tonë dhe në raste kur lodhemi, demoralizohemi apo humbasim shpresën kujtohemi se përse e kemi nisur këtë rrugëtim të gjatë, sepse kjo nuk ka të bëj vetëm me ne, kjo ka të bëj me gjithë shoqërinë kështu le ta bëhemi animator të denjë dhe të lëmë gjurmën tonë. Bota sot po mbytet nga kaosi dhe zhurmat dhe kush është misioni ynë? Ne duhet të lartësojmë zërat e fëmijëve në qiell në mënyrë që të qeshurat e tyre të udhëheqin shoqërinë tonë. Po ky është misioni ynë.
Artemis Mehilli