Koment i shkurtër i Besojmës Apostolike

Maria e dije
31/05/2016
4 qirinjte
31/05/2016

Besojma e krishterë është përmbledhja e fesë së Apostujve, ashtu siç përshkruhet në Ungjill.

“Besojma”, quhet kështu nga fjala e parë “Unë besoj” dhe përmbledh dëshminë e fesë së të gjithë të krishterëve. Pikërisht për këtë, quhet edhe simbol i fesë. E, ashtu si fara e sinapit përmban në një kokërr të vogël shumë degë, ashtu edhe kjo përmbledhje e fesë ka brenda të gjithë dijen për dashurinë e vërtetë, që e gjejmë në Besëlidhjen e Vjetër e të Re”.

Besoj   Fillohet me një folje, e cila presupozon kryefjalën “unë”. Kjo tregon se “Besojma” nuk është thjesht tekst, por një gjest feje e jam “unë”, që e bëj, askush tjetër; jam unë, ai që merr përgjegjësinë për fjalët që vijnë pas. Gjatë meshës, jam “unë, ai që dëshmoj para të pranishmëve se “besoj”   mendoj, pranoj me gjithë zemër e me gjithë mendje. E di, jam i sigurt me besim e dashuri dhe e shpall me gojë.

në Hyjin:         Kujt i besojmë pra? Sa herë kemi thënë se besojmë, pa menduar se kujt i besojmë.

Të krishterët pohojnë si gjë të parë se besojnë në Hyjin. Ky besim i ka rrënjët në zbulesën hyjnore të Besëlidhjes së Vjetër që është e pandashme nga ajo e ekzistencës së Hyjit dhe është gjithashtu themelore. Hyji është një i vetëm, nuk ka përveç se një Hyj të vetëm. E vetmja Plotësi e Qenies dhe e Jetës. I amshuar, nuk ka fillim as mbarim. I padukshëm, i pakuptueshem, i pafund. Edhe popullit të Izraelit, popullit të tij të zgjedhur, Hyji i është zbuluar si i vetëm: “Dëgjo Izrael Zoti Hyji ynë është një Zot i vetëm….” (Lp 6,4-5). Edhe vetë Jezusi pohon se Hyji është “i vetmi Zot” që duhet dashur me gjithë shpirt, me gjithë zemër e me gjithë mendje e me të gjitha fuqitë.

ATIN Duke e quajtur Hyjin Atë, feja na vë në dukje dy aspekte: që Hyji është origjina e parë e çdo gjëje, autoriteti trashendent dhe njëkohësisht ëshë mirësi e dashuri për të gjithë bijtë e tij. Ky është një tregues edhe për eksperiencën njerëzore të prindërve, që në njëfarë mënyre, janë për njeriun përfaqësuesit e parë të Hyjit. Kjo eksperience, tregon se prindërit njerëzorë mund të gabojnë e mund të shëmtojnë figurën e atësisë dhe të amësisë. Për këtë arsye duhet të kujtojmë mirë që Hyji tejkalon dallimin njerëzor të gjinisë. Hyji nuk është as burrë, as grua, ai është Hyj. Prandaj tejkalon atësinë dhe amësinë njerëzore edhe pse është origjinë e model i tyre. Askush nuk është atë sa Hyji.

Hyj personal, plotësisht i Parë, plot me dashuri. I njohur e i dashur nga Jezusi me emrin Abbà-Atë, Prind i përkryer, në mënyrë shpirtërore e hyjnore i Birit të amshuar e të njëlindur.

E Gjithpushtetshëm “panto-crator”

Hyji drejton krejt gjithësinë dhe kujdeset për të me Provaninë e tij. Asgjë nuk është e pamundur për të. Hyji, është Ati i gjithpushtetshëm. Atësia e tij e fuqia e tij ndriçojnë njëra-tjetrën. Në fakt Ai e tregon gjithpushtetësinë e tij atërore në mënyrën se si kujdeset për nevojat tona. Ka çdo pushtet: krijon nga asgjëja, fal mëkatet, ngjall të vdekurit. Ai është shkaku i parë dhe i fundit i të gjitha krijesave

Krijuesin e qiellit e të tokës

Natyra është pasqyra e Zotit. Nëse ajo është kaq e bukur, po Krijuesi i saj si do të jetë? Hyji u jep qenien realiteteve të padukshme/shpirtërore (engjëjve) dhe atyre të dukshme/materiale; ndërsa njeriu (mashkull e femër), trup e shpirt, është sinteza e kulmi i gjithë kësaj. Gjithçka që ekziston vjen prej Hyjit dhe si të tilla, janë të mira. (E keqja është frut i lirisë dhe i limiteve të krijesave: pra e keqja nuk i përgjigjet dëshirës së Hyjit, e cila do të përmbushet plotësisht në Krijimin e Ri). Njeriu është krijuar në ‘Krishtin’, për të qenë një shembëllesë e ngjashme e Hyjit: bir i shenjtë dhe i lavdishëm; është një krijesë sublime, por që lind në një gjendje të papërsosur (brishtësia, frika, egoizmi).

 

NË JEZU KRISHTIN                     

Ne besojmë edhe në Vehtjen e dytë të Trinisë Shenjte, i cili edhe Ai është Zot i vetëm, ashtu siç e thirrën apostujt kur u ngjall, pasi Jezusi i Ngjallur ishte vërtet Zoti i gjithçkaje, ngadhnjeu mbi gjithçka, edhe mbi vdekjen. Emri “Jezus” iu sugjerua Shën Jozefit, drejtpërdrejt nga engjëjt (sendet që nuk shihen, siç thotë “Besojma”). Jezus në hebraisht (Joshuah: “Hyji shpëton”), është Emri personal i Shpëtimtarit. Emri i Jezusit është në qendër të lutjes së krishterë. Të gjitha lutjet përfundojnë me formulën “nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin…”.

Jezus, por Ai u quajt edhe “Krisht”. Krisht (Christos: I Shuguruar me Lyerje”): tregon misionin e tij si “Mesia” i dërguar nga Hyji. Në fakt në Izrael, shuguroheshin me vaj në emër të Hyjit ata që merrnin një mision të cilin Hyji ua besonte. Konkretisht në rastin e mbretërve, të priftërinjve e në disa raste të profetëve.

Kështu duhej të ishte Mesia që Hyji do të dërgonte për instaurimin përfundimtar të Mbretërisë së tij. Mesia i shuguruar me Shpirtin Shenjt: Është Mbret Profet, Meshtar: ai që i sjell botës Paqen, të Vërtetën e Shenjtërinë.

Birin e tij të vetëm

Jezusi është Biri i vetëm i Hyjit. Jezusi është i njëlinduri Biri i Atit, i lindur prej Atit të amshuar pa fillim e pa mbarim. Emri “Biri i Hyjit” tregon marrëdhënien e vetme dhe të amshuar të Jezu Krishtit me Hyjin Atin e tij: ai është Biri i njëlindur i Atit dhe Hyj edhe ai vetë. Për të qenë të krishterë duhet të besojmë se Jezu Krishti është Biri i Hyjit. Ai ka marrë prej Atit gjithçka: jetën, dashurinë, lavdinë, pushtetin. Biri është i vetmi ai që njeh me të vërtetë Hyjin-Atë dhe e do atë pafundësisht. Pra shugurimi mesianik i Jezusit zbulon misionin e tij hyjnor.

 

Zotin tonë

Jezusi lë qiellin, duke marrë me vete hyjninë e vet dhe zbret për ne mbi tokë. Nganjëherë pyesim si do të jetë ky qiell, por Jezusi na e ka thënë: është mbretëri, është Mbretëria Qiellore, në të cilën vepron ligji i Dashurisë.

Prandaj, Kisha e ndjen të nevojshme të na përsërisë se Jezusi nuk është krijesë si ne: është Zot, ashtu si Ati, është i barabartë me të. Në përkthimin grek të librave të Besëlidhjes së Vjetër, emri me të cilin Hyji i zbulohet Moisiut, YHWH, bëhet “Kyrios” Zot. Që atëherë Zot bëhet emri i zakonshëm me të cilin tregohej hyjnia e Hyjit të Izraelit. Besëlidhja e Re përdor  në këtë kuptim të fortë titullin “Zot” për Atin, por risia qëndron në faktin se edhe Jezusi njihet e pranohet si Hyj. Gjatë jetës së tij publike gjestet e tija të fuqishme mbi natyrën, mbi sëmundjet, mbi djajtë, mbi vdekjen e mbi mëkatin, shfaqin qartë sovranitetin e tij hyjnor. Të dëshmosh ose ta thërrasësh Jezusin si Zot, domëthënë të besosh në hyjninë e tij. “Askush nuk mund të thotë “Jezusi është Zot “ veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt”. Pra, Jezusi si njeri, me ngjalljen e tij është bërë, Zotëri (Kyrios), sovran mbi çdo gjë. Jezusi ka një pushtet hyjnor mbi ata që e pranojnë si Zot. Jezusi do të fitojë mbi çdo gjë e në fund, gjithçka do t’i nënshtrohet atij.

U ngjiz për virtyt të Shpirtit Shenjt e lindi prej Virgjrës Mari    

Me Besojmën Niceo-konstantinopolitane dëshmojmë se Fjala “për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti prej qiellit, dhe u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt në kraharorin e Virgjrës Mari dhe u bë njeri”. Fjala u bë njeri për të na shpëtuar duke na pajtuar me Hyjin. Ati ka dërguar Birin e tij si Shpëtimtar të botës. Duke rimarrë këtë shprehje të shën Gjonit (“Fjala u bë njeri” Gjn1,14), Kisha quan “Mishërim” faktin që Biri i Hyjit ka marrë një natyrë njerëzore për të realizuar në të shëlbimin tonë. Besimi në Mishërimin e Birit të Hyjit është shenjë dalluese e fesë së krishterë: “Me këtë mund ta njihni shpirtin që vjen prej Hyjit: çdo shpirt që dëshmon që Jezu Krishti ka ardhur në trup, është prej Hyjit” thotë shën Gjoni (1Gjn 4,2).

Si u ngjiz Jezusi, e thotë engjëlli Gabriel në Lajmërimin Zojës Mari:“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të Tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë – Biri i Hyjit”(Lk 1,35).

Jezusi, Biri i vërtetë i Hyjit, nuk është lindur me ndërhyrje njerëzore, por vetëm nga fuqia e Hyjit, Shpirti Shenjt. Jezusi, është njeri i vërtetë, i lindur nga Maria, nga e cila ka marrë trupin e natyrën njerëzore. Pra, Jezusi, ashtu si një fëmijë i zakonshëm në barkun e nënës, ngjizet në kraharorin e Marisë. Është diçka krejtësisht e veçantë! Asnjë fe tjetër, përveç asaj të krishterë nuk e thotë këtë, nuk e ka në mësimet e saj: asnjë fe nuk adhuron një Zot, që tejkalon çdo gjë, por që është kaq afër me njeriun.

Ngjarja e vetme e krejt e veçantë e Mishërimit të Birit të Hyjit nuk do të thotë se Jezu Krishti është pjesërisht Hyj e pjesërisht njeri, as nuk është rezultat i një përzierje konfuze e hyjnores me njerëzoren. Ai është bërë me të vërtetë njeri duke mbetur me të vërtetë Hyj. Jezu Krishti është Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë. Kisha në shekujt e parë është dashur të mbrojë e të sqarojë këtë të vërtetë të fesë kundër herezive që kërkonin ta fallsifikonin.

“I ngjizur për virtyt të Shpirtit Shenjt e i lindur nga Virgjra Mari”

Lajmërimi i engjëllit Gabriel Virgjrës Mari, inauguron plotësimin e kohës (Gal 4,4), domethënë, plotësimin e premtimeve e të përgatitjes. Misioni i Shpirtit Shenjt është gjithmonë i lidhur me atë të Birit. Shpirti Shenjt është dërguar që të shenjtërojë kraharorin e Marisë e të ngjizë në të Birin e amshuar të Atit në një natyrë njerëzore të trajtuar nga natyra e saj. Biri i njëlindur i Atit, duke qenë ngjizur si njeri në kraharorin e Virgjrës Mari, është “Krishti”, i shuguruar nga Shpirti Shenjt, që nga fillimi i ekzistencës së tij njerëzore edhe pse shfaqja e tij ndodh gradualisht: barinjve, dijetarëve, Gjon Pagëzuesit, nxënësve. Krejt jeta e Jezu Krishtit do të tregojë se si Hyji e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet (Vap10,38).

Lindur nga Virgjra Mari: Maria është virgjër, e paprekur në trup e në shpirt, e shenjtë dhe e papërlyer, model i fesë. Ajo çka feja katolike beson përsa i përket Marisë e dimë që “Hyji ka dërguar Birin e vet” (Gal 4,4), por për t’i përgatitur një trup ka kërkuar bashkëpunimin e lirë të një krijesë. Për këtë, Hyji që nga amshimi, ka zgjedhur, që Nëna e Birit të tij të ishte një bijë e Izraelit, një vajzë e re nga Nazareti. Për të qenë Nëna e Hyjit, Maria ka qenë pajisur me dhurata të veçanta për këtë mision. Engjëlli Gabriel, në momentin e Lajmërimit, e përshëndet si “Hirplote” (Lk 1,28). Gjatë shekujve, Kisha është vetëdijësuar që Maria, e mbushur me hire prej Hyjit, ka qenë e shenjtëruar që nga ngjizja e saj. Dhe sikur pohon dogma e të zënët të Papërlyer të Marisë, e shpallur nga papa Pio IX në 1854: “E lumja Virgjra Mari që nga momenti i ngjizjes së saj, nëpërmjet një hiri e privilegji të veçantë të Hyjit të gjithpushtetshëm, në parapamje të meritave të Jezu Krishtit, Shpëtimtari i gjinisë njerëzore, ka qenë ruajtur e paprekur nga çdo njollë e mëkatit origjinal”.

Gjithashtu edhe për Virgjërinë e Marisë, Kisha që nga fillimi ka shpallur që Jezu Krishti është ngjizur në kraharorin e Virgjrës Mari vetëm me fuqi të Shpirtit Shenjt. Ungjijtë na paraqesin ngjizjen virgjërore si vepër hyjnore që tejkalon çdo kuptim njerëzor.

Thellimi i besimit në amësinë virgjërore ka bërë që Kisha të shpallë virgjërinë reale e të përhershme të Marisë edhe në lindjen e Birit të Hyjit të bërë njeri. Në fakt lindja e Jezu Krishtit, nuk e ka zvogëluar plotësinë e virgjërisë së saj, por e ka shenjtëruar. Kështu liturgjia e Kishës e kremton Marinë si “gjithmonë Virgjër”.

Pësoi për ne nën Poncin Pilat

Në Ungjill, Jezusi vetë e quan këtë çast “Ora ime”. Besojma nuk e kujton historinë e plotë të Krishtit, nuk flet për mrekullitë e Tij, për shembëlltyrat që tregon, për mësimet e Tij, por përqendrohet në thelbin e fesë: “U kryqëzua për ne”. Janë fjalë prekëse: “për ne”. Kjo është arsyeja pse u bë njeri. Besojma na thotë edhe se u kryqëzua në kohën e Poncit Pilat, apo nën pushtetin e Poncit Pilat. Romakët ishin pushtuesit e Palestinës, pushteti i jetës e i vdekjes ishte në duart e tyre, por Ungjilli sqaron se Jezusi iu dorëzua autoriteteve romake, të kryesuara nga Ponci Pilat, nga të vetët. Siç thotë shën Gjoni Ungjilltar: “Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan”(1,11). Histori, që përsëritet edhe sot: sa të pagëzuar, nuk e kanë pranuar me të vërtetë Jezusin? Jezusi me të vërtetë ka vuajtur në një periudhë historike të njohur të erës sonë. Ka qenë Shërbëtori i vuajtur i cili të keqes i ka përgjigjur me të mirë e me falje. Ka bashkëndarë në gjithçka çdo vuajtje e dhimbje fizike e shpirtërore të ne njerëzve.

U kryqëzua

Misteri pashkvor i kryqit e i ngjalljes së Krishtit është në qendër të Lajmit të Mirë që Apostujt e Kisha pas tyre duhet t’ia shpallin botës. Plani shpëtimtar i Hyjit është përmbushur njëherë e përgjithmonë me vdekjen shëlbimprurëse të Birit të tij Jezu Krishtit.

Jezusi, i Pafajshmi, qe dënuar me vdekje në kryq, si kriminelat më të këqij, me vdekjen më të turpshme. Me dashurinë e tij ka shndërruar mallkimin e kryqit në bekim e në shenjë çlirimi. Ai ka përmbushur mbi kryq aktin më të lartë të dashurisë ndaj Hyjit e ndaj të afërmit.

Vdiq e u varros

Pas mundimeve të Udhës së Kryqit, pas vuajtjeve në Kryq, Jezusi vdes vërtet. Zoti u bë njeri dhe deshi të provojë deri në fund fatin e njeriut. Prandaj, di ta kuptojë njeriun. Fjala “u varros” e thekson edhe një herë faktin se Jezusi vdiq dhe u fut vërtet në varr si i vdekur, prandaj Ngjallja e tij nuk është ndonjë mashtrim, nuk është rizgjim nga të fikët, apo nga çdo lloj gjendje tjetër. Është Ngjallje nga të vdekurit.

Ungjilli na përshkruan edhe kohën e vdekjes. Jezusi me të vërtetë ka vdekur, në orën e nëntë (domethënë në ora tre të pasdites) në të Premtën e Madhe. I Pavdekshmi është bërë i vdekshëm e ka bashkëndarë kështu realitetin e përbashkët të çdo njeriu, vdekjen. Ai që vdiq e që qe varrosur është me të vërtetë Biri i Hyjit i bërë njeri.

Zbriti në ferr             

Shkrimi shenjt flet për shéol vendin e të vdekurve ku Jezusi i vdekur ka zbritur, sepse atyre që gjendeshin aty u mungonte pamja e prania e Hyjit. Pra me shprehjen “Jezusi zbriti në ferr” Besojma dëshmon që Jezusi ka vdekur realisht e që me anë të vdekjes së tij për ne, Ai ka fituar mbi vdekjen e djallin dhe ka pushtet mbi vdekjen. Hyji ka zbritur në thellësi të humnerës, të heshtjes e të vetmisë. Jezusi ka zbritur, në shpirt, tek shpirtrat e të vdekurve dhe u ka shpallur të gjithëve që vdekja e tij, vdekje dashurie është e destinuar drejt Ngjalljes. U ofron të vdekurve mundësinë të bashkohen me Të, i cili po shkon tek Ati.

Të tretën ditë u ngjall së vdekuri

Ngjallja e Jezusit është e vërteta kulminante e fesë së krishterë e besuar dhe e jetuar si e vërteta qendrore nga bashkësia e parë e krishterë, e transmetuar si themelore nga Tradita, e përcaktuar nga dokumentet e Besëlidhjes së Re, e predikuar si pjesë thelbësore e Misterit pashkvor së bashku me kryqin: Krishti është ngjallur nga të vdekurit. Me vdekjen e tij e ka mundur vdekjen. Të vdekurve u ka dhuruar jetën.

Pse “Besojma” thotë “të tretën ditë”? Sepse ishte vërtet dita e tretë nga e premtja, kur Jezusi vdiq në Kryq. Ishte pra dita e parë e javës, e diel, ku Jezusi u është shfaqur i gjallë disa grave dhe apostujve.

Sa dyshime mbi ngjalljen e Krishtit, nganjëherë edhe nga ata, që mbahen të krishterë. Megjithatë, misteri i Ngjalljes së Krishtit është një ngjarje reale dhe këtë gjë na e bëjnë të besueshme dy elemente, dy shenja të rëndësishme historikisht të konstatuara, sikurse na dëshmon Besëlidhja e Re. Këta dy elemente janë: Varri i zbrazët dhe të shfaqurit e tij i gjallë. Madje do të ishte interesante të diskutohej si dukej trupi i Jezu Krishtit pas ngjalljes, pasi të vetët nuk e njihnin menjëherë, por vetëm pasi Ai u tregonte kush ishte. Ai është ngjallur me një trup të lavdishëm, të fuqishëm e të pavdekshëm. Është fitues i përhershëm mbi vdekjen. Ringjallja është diçka që nuk njihej në lashtësi, por edhe sot, sa nga ne nuk mendojnë për ringjallje kur dëgjojnë për ndonjë të vdekur, kur marrin pjesë në ndonjë funeral? Jezu Krishti nuk na ka përgatitur një sërë jetësh, për t’i jetuar në mënyra të ndryshme, herë të lumtura e herë jo. Ka përgatitur për ne një fat të fundëm, një horizont nga i cili duhet t’i kthejmë sytë me shpresë: Parrizi, Ringjallja.

Pra, besimi në Ngjalljen e Krishtit, ka për objekt një ngjarje historikisht të vërtetuar nga nxënësit e tij që e kanë takuar realisht të gjallë. Varri i zbrazët dhe rizat e palosura tregojnë se Trupi i Krishtit me fuqi të Hyjit i ka shpëtuar vdekjes e prishjes. Jezu Krishti i Ngjallur është fillimi i Ringjalljes sonë, që tani për shfajësimin e shpirtit tonë e në fund për gjallërimin e trupit tonë.

U ngrit në qiell e rri në të djathtën e Hyjit, Atit të gjithpushtetshëm

Të ngjiturit e Jezu Krishtit në qiell shenjon hyrjen përfundimtare të trupit njerëzor të Jezusit në qiell, nga edhe do të kthehet përsëri. Në Qiell – jo në një vend diku lart mbi kokat tona, por në një qiell të konceptuar si banesë hyjnore – Jezusi është me Atin e me Shpirtin Shenjt. Kjo frazë e “Besojmës” na jep të kuptojmë rëndësinë e Jezu Krishtit në Trininë Shenjte: “rri në të djathtën e Atit”.

Për këtë ngjarje, të ngjiturit e Jezu Krishtit në Qiell, flitet në kapitullin e parë të Veprave të Apostujve. Jezusi, pas përfundimit të misionit të tij në tokë, kthehet tek Ati, me korp e shpirt. Por vepra e Tij nuk ndërpritet, pasi Krishti u garanton praninë e tij nxënësve. Shkruhet në Ungjillin sipas Mateut: “Shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës!”(28,19-20). E Kisha na mëson se Jezu Krishti është vërtet me ne.

Prej andej do të vijë për të gjykuar të gjallë e të vdekur

Jezusi erdhi ndër ne për herë të parë, duke lindur në Betlehem. Erdhi si “i butë e i përvujtë”, na mëson Ungjilli, por mbolli gjithandej Fjalën e Zotit për njerëzimin. Jezusi është caktuar prej Hyjit Atë si mbret e gjykatës i botës, prandaj do të vijë një herë të dytë, përfundimtare, për të “korrur” atë, që mbolli. Kështu na ka thënë Ai vetë e shpesh u shpjegonte dishepujve, me anë të shembëlltyrave, se njeriu duhet të japë fryte, duhet t’i vërë në punë talentet, që Zoti i ka dhuruar, duhet të kuptojë më shumë e të rritet si kokrra e sinapit e rënë në tokë. E kur të vijë, Jezusi do të na duket, ashtu siç është vërtet: Biri i të Tejetlartit, Ai, që qëndron në të djathtën e Atit Qiellor, prandaj Besojma thotë se “do të vijë në lavdi”.

Jezusi ndërmjetëson dhe i lutet Hyjit Atë për gjithë njerëzimin. Ai ka marrë prej tij pushtetin të na japë Shpirtin Shenjt. Në të vërtetë, Jezu Krishti është Zoti i botës. A duhet të kemi frikë nga ky gjykim? Jo, nëse kemi ndjekur mësimet e këshillat e tij, që vetë Jezusi na ka dhënë e që mund t’i gjejmë në Ungjill. Do të na gjykojë sipas fjalëve dhe veprave tona. Kriteri i gjykimit do të jetë dashuria.

E Kisha na thotë se do të gjykohen të gjallët e të vdekurit, në një çast që nuk e dimë kur do të vijë, për të cilin Jezusi në Ungjill thotë se nuk e di as Ai, por vetëm Ati Qiellor.

Jezusi është gjithmonë me ne, por do të vijë në mënyrë të plotë e përfundimtare në fund të botës. Jezusi do të vijë me engjëjt e me shenjtërit; fitorja e tij mbi të keqen do të jetë e plotë.

Mbretëria e Zotit, Mbretëria e dashurisë, e drejtësisë dhe e paqes, do të shtrihet përgjithmonë, në të gjithë botën. Janë të lumtur, ata që punojnë e jetojnë për këtë Mbretëri, por ç’kuptim ka jeta për ata, që s’presin asgjë pas vdekjes?

Besoj në SHPIRTIN SHENJT

Shpirti Shenjt, Fryma hyjnore, duket kaq i panjohur, por në të vërtetë, e përmendim çdo ditë, që kur  bëjmë shenjën e kryqit.Të besosh në Shpirtin Shenjt do të thotë të dëshmosh që Shpirti Shenjt është një ndër tri Vetjet hyjnore të Trinisë Shenjte, i një substance me Atin e me Birin, “me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet” (Besojma Niceo-Konstantinopolitane). Edhe Shpirti Shenjt pra, Shpirti i Hyjit është Zot, si Jezusi, si Ati qiellor. Janë tri Vetje të barabarta, që duke qenë një, dallohen nga njëri-tjetri. Besojma thotë se Shpirti Shenjt është edhe “jetëbërës”, pra jep jetën, e krijon atë së bashku me Atin dhe me Birin.

Në Letrën e parë të shën Palit drejtuar Korintasve, apostulli sqaron: “kush prej njerëzve di çka është në njeriun përveç shpirtit të njeriut që është në të?”(2,11), e më tej: “askush nuk mund të thotë as: “Jezusi është Zot!”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt” (12,3). Është vetë Zoti, Ai që ka zbrazur në zemra tona Shpirtin e Birit të vet, i cili thërret “Abba, Atë!”. Madje, vazhdon,

Që rrjedh prej Atit dhe prej Birit

Besojma na thotë “rrjedh”, ndërkohë që për Jezu Krishtin, përdor fjalën “i lindur” prej Atit. Janë të dyja, fjalë që na tregojnë se Ati, Biri e Shpirti Shenjt janë një Zoti i vetëm, Tri Vetje të barabarta e të dallueshme. Shpirti Shenjt rrjedh prej Atit të Birit si Shpirt i dashurisë dhe i bashkimit.

Trinia e Shenjtë është një dhe e pandashme. Kur flasim për veprimin e njërës prej Vetjeve, duhet të kemi parasysh se është në bashkim me dy Vetjet tjera. Ashtu si Ati e Biri, edhe Shpirti Shenjt adhurohet e lavdërohet në të njëjtën mënyrë. Kështu pra, Shpirti Shenjt është në veprim së bashku me Atin e me Birin që nga fillimi e deri në përmbushjen e planit të shëlbimit tonë. Megjithatë me Mishërimin e Birit, Ai zbulohet e dhurohet, bëhet i njohur dhe pranohet si Person.

Besojma” na thotë se Shpirti Shenjt është frymëzuesi i vërtetë i atyre, që shkruan Biblën. Çdo autor, që nga ungjilltarët, tek apostujt e tek profetët e Besëlidhjes së Vjetër, secili nga ata, që kanë marrë penën për të hedhur në letër Shkrimin e shenjtë, natyrisht, ka përdorur aftësitë, stilin, inteligjencën, njohuritë e veta historike, gjeografike e shkencore, por E VËRTETA e atyre Shkrimeve nuk vjen prej tij, vjen nga Shpirti Shenjt. Prandaj, Bibla është Fjala e vërtetë e Hyjit. Vërtet është shkruar me penën e njerëzve, por është frymëzuar nga Shpirti Shenjt, nga vetë Zoti. Për këtë arsye, para se të lexojmë Biblën, duhet të lutemi për të pasur Urtinë e Shpirtit të Trinisë Shenjte, duhet t’i kërkojmë Hyjit të na dhurojë aftësinë për të kuptuar ç’është shkruar me frymën e Tij. Shpirti Shenjt është Zot, me të vërtetë hyjnor dhe na dhuron jetën e bijve të Hyjit. Ai është forca e padukshme që na zbulon të vërtetën e ngjall fenë, shpresën e dashurinë.

Kishën shenjte katolike

Kisha, sikurse thonë etërit është vendi ku lulëzon Shpirti Shenjt. Të besosh që Kisha është e “Shenjtë” e “Katolike” e që është “Një” dhe “Apostolike” (Besojma Niceo-Konstantinipolitane); është e pandarë nga besimi në Hyjin Atë, Birin e Shpirtin Shenjt. Në Besojmën Apostolike dëshmojmë se besojmë shenjten Kishë Katolike e jo në Kishën, për të njohur e për t’i atribuar Hyjit të gjitha dhuratat që Ai i ka dhuruar Kishës së tij.

Kisha është bashkësia e të krishterëve, domethënë e atyre që Fjala e Hyjit i thërret për të formuar Popullin e Hyjit e të ushqyer me Korpin e Krishtit, formojnë ata vetë Korpin mistik të Krishtit.

A duhet besuar në Kishën? Nuk është një besim si ai për Trininë Shenjte, por Kishën e ka dashur vetë Jezusi, për t’ia bërë të njohur botës gjithçka ka sjellë në Tokë nga Trinia e Shenjtë. Prandaj, është e drejtë të besojmë në mësimet e Kishës për Zotin. Mund të themi: kam besim se mësimet e Kishës janë të vërteta.
Por për ç’Kishë është fjala? Kisha e Krishtit nuk është famullia, as prifti e madje, as Vatikani. Të gjitha këto bëjnë pjesë në Kishë, por Kisha vetë është më shumë se kaq. Nëse përdorim fjalët e Biblës, në Librin e Zbulesës e në Letrën drejtuar Efesianëve, Kisha është NUSJA e Krishtit. E duam këtë Kishë, sepse është Nëna jonë shpirtërore, na ka bërë të rilindim në fe; e duam, sepse pranon në gjirin e vet: të shenjtë e mëkatarë, të gjallë e të vdekur, miliarda njerëz.

Kisha është një e vetme: ajo ka një Zot të vetëm, dëshmon një fe të vetme, lind nga një Pagëzim i vetëm, formon një Trup të vetëm, merr jetë nga një Shpirt i vetëm, në pamje të një shprese të vetme, në përmbushje të së cilës do të tejkalohen të gjitha ndarjet.
Kjo Kishë është “një”, pasi pavarësisht se e ndarë në katolikë, ortodoksë, protestantë, është e VETMJA Nuse e Krishtit.

Kisha është e shenjtë sepse Hyji i Tejetlartë është Autori i saj, Krishti Dhëndri i saj ka dhënë jetën e vet për të, për ta shenjtëruar; Shpirti Shenjt e gjallëron.

Kisha është katolike: ajo shpall plotësinë e fesë; mbart në vetvete dhe administron plotësinë e mjeteve të shëlbimit; është e dërguar të gjithë popujve; u drejtohet të gjithë njerëzve; përqafon të gjitha kohrat; “për natyrë të vet është misionare”.

Kisha është apostolike: është e ndërtuar mbi themel të qëndrueshëm:”Dymbëdhjetë Apostujt e Qengjit” (Zb 21,14); e pashkatërrueshme; është e ruajtur pagabueshmërisht në të vërtetën; Krishti e udhëheq nëpërmjet Pjetrit e Apostujve të tjerë, të pranishëm në pasardhësit e tyre, Papa dhe kolegji i ipeshkvijve.

Kjo është Kisha e vetme e Krishtit, që shpallim në Besojmë.

Shoqërinë e shenjtërve

Ne besojmë në bashkimin e të gjithë besimtarëve në Krishtin, të atyre që janë shtegtarë mbi këtë tokë, të të ndjerëve që kryejnë pastrimin e tyre e të të lumturve në qiell; të gjithë së bashku formojnë një Kishë të vetme; ne besojmë se në këtë bashkim dashuria e mëshirshme e Hyjit dhe e shenjtërve të tij dëgjon vazhdimisht lutjet tona. Pra, ne mund të thërrasim, të kërkojmë lutjen e Marisë e të shenjtërve. Të krishterët bashkëndajnë gjërat e shenjta, domethënë sakramentet dhe janë në bashkim me njëri-tjetrin e me të gjithë shenjtërit e qiellit.

Faljen e mëkateve

Hyji është ai që na ka falur gjithçka falë Gjakut e Kryqit të Jezu Krishtit.

Kisha ka marrë nga Jezu Krishti Shpirtin Shenjt, domethënë pushtetin për të dhënë këtë falje.

Hyjmë në Kishën-Nuse-të-Krishtit përmes Pagëzimit, i cili është Sakramenti i parë dhe kryesor për faljen e mëkateve: na bashkon me Krishtin e vdekur e të ngjallur e na dhuron Shpirtin Shenjt. Kisha zotëron edhe pushtetin për të falur mëkatet të pagëzuarve e këtë pushtet e ushtron nëpërmjet ipeshkvijve e meshtarëve normalisht në sakramentin e Pendesës.

Pra, falja merret nëpërmjet Pagëzimit (për jo të krishterët) e nëpërmjet rrëfimit e pendesës për të pagëzuarit.

Ngjalljen e trupit

Besojma e krishterë kulmon me besimin në ngjalljen e të vdekurve në fund të kohrave e në jetën e pasosur. Jo vetëm shpirti është i thirrur për jetën e pasosur, por edhe trupi. Në ringjalljen përfundimtare do të marrim një trup të pavdekshëm e të lavdishëm, si ai i Jezusit. Në trupin e ringjallur, i liruar nga koha dhe hapësira, do të shkëlqejë dashuria e mbjellur në tokë.

Kështu, ne të krishterët besojmë në këtë TË VËRTETË tjetër tejet të rëndësishme: besojmë se jeta nuk mbaron me vdekjen. Edhe ne si Jezusi, jemi të destinuar drejt Ringjalljes jo vetëm të shpirtit, por edhe të trupit. E si ka mundësi, si do të jetë kjo ringjallje? Mishi është rrënja e shëlbimit. Ne besojmë në Hyjin që është krijuesi i mishit; besojmë në Fjalën e mishëruar, për të shpërblyer mishin; besojmë në ringjalljen e mishit, përmbushjen e krijimit e të shëlbimit të mishit.

Me vdekje shpirti ndahet nga trupi, por në ringjallje Hyji do t’i japë jetën e pashkatërrueshme trupit tonë të transformuar, duke e bashkuar me shpirtin tonë. Sikurse Krishti është ngjallë e jeton për amshim, kështu të gjithë ne do të ngjallemi në ditën e fundit.

Jetën e pasosur

Sipas Biblës, ne presim “Qiellin e ri e tokën e re”. Ja fjalët e Librit të Zbulesës, kapitulli i 21-të: “Pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më. Pashë edhe qytetin e shenjtë – Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet. Atëherë dëgjova një zë të fortë që vinte nga froni: »Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta [Hyji i tyre]«. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshamë, as dhimbje më s’do të ketë, [sepse] bota e mëparshme mori fund. Atëherë Ai që rri mbi fron tha: »Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!«”. Kjo është bota, që do të vijë. Aty ku mendojmë se gjithçka mbaron, GJITHÇKA FILLON.

Jeta e pasosur është njohje dashurie e Hyjit Atë dhe e Jezu Krishtit në Shpirtin Shenjt. Është bashkim i plotë me Hyjin e me të tjerët në Krijimin e Ri të çliruar nga çdo e keqe. Është pjesëmarrje në gëzimin e të tjerëve sikur të ishte yni; e kështu do të rritet në pafundësi.

Amen: ashtu është, është e vërtetë, është e sigurtë!

Comments are closed.