Ja ku jam është përgjigjja e Marisë engjellit Gabrielit por është edhe përgjigjja e secilit prej nesh përballë thirrjes së Hyjit. Të gjithë jemi thirrur. Të gjithë ne, që jemi këtu dhe në mënyrë të veçantë të pagëzuarit, i kemi thënë “po”-në tonë Hyjit.
Dëshirojmë të reflektojmë shkurtimisht pikërisht mbi këtë “po”-në tonë. Çfarë do të thotë? Çfarë do të thotë për jetën tonë të përditshme? Kujt i themi “po”?
Para së gjithash duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk ishim ne, të parët, që thamë “po”, por ishte Zoti që tha i pari “po”-në e tij neve. Gjithë krijimi, mbarë bota, dhurata e jetës është “po”-ja e Hyjit. Përmes “po”-së së tij, Hyji u lidh me ne duke nisur një marrëdhënie shumë të afërt, pikërisht një marrëdhënie dashurie.
“Po” -ja e Hyjit është një akt dashurie i një të dashuruari kundrejt të dashurës së vet, një ‘po’ që ripërtërihet vazhdimisht.
“Po”-ja e Zotit është një ftesë për të qenë pjesë e një historie dashurie: historia e dashurisë së Zotit që ndërthuret me historinë tonë. Kjo dashuri gjen plotësimin e tij në personin të Jezu Krishtit: “Hyj aq shumë e deshe botën qe dergoi birin e tij në botë” (Gj 3,16)
Hyji, në personin e Jezu Krishtit, thotë “Po”-në e tij mua, personit tim, jetës sime. Jezu Krishti është “po”-ja e Zotit: është deklarimi i tij i dashurisë.
Përballë kësaj të vërtete, kaq të madhe, edhe ne, si Maria, mund të kapemi nga befasia dhe mrekullimi e të pyesim: si është e mundur?
E dimë mirë se druajtja e Marisë nuk ishte frikë. Ajo menjëherë u ndie “e vogël” përballë madhështisë që iu dëftua asaj.
Në këtë konsiston përuvujturia e Marisë: vetënjohja e vogël përballë madhështisë së Hyjit, iu besua atij dhe lejoi që historia e saj, ekzistenza e saj e varfër të ndërthurej me historinë e dashurisë së Zotit.
Ne shumë shpesh nuk lejojmë gjithë këtë dhe mbyllemi ndaj dashurisë së Hyjit që dëshiron të hyjë brenda nesh. Shpesh here mendojmë: Po, është e vërtetë që Hyji na do, por kjo nuk vlen për mua; po, Jezusi na do, por do njerëzit e mirë, ata që sillen mirë, ata që ndjekin urdhërimet, ata që ndihmojnë të tjerët, që frekuentojnë kishën dhe bëjnë vullnetarizëm.
Unë? Une jo. Nëse hedh vështrimin kah jeta ime mundem vetëm të tregoj dështimet dhe dobësitë e mia: me siguri gjithë kjo nuk është e mundur për mua, nuk është e mundur sepse mendoj që Zoti me jep dicka vetem se unë i jap atji dicka.
“Po”-ja e Hyjit, akti i dashurisë së Jezusit është falas dhe pa interesa. Hyji nuk na do vetëm pasi ne i kemi thënë ‘Po’. Hyji nuk pret ‘po’-në tonë për të na dashur. Jezusi nuk na dhurohet vetëm pasi i jemi dhuruar Atij. Ai vetdhurohet e kaq. ‘Po’-ja e Hyjit na paraprin. Ai na do e kaq mjafton.
Dashuria e Hyjit vjen e para.
Është një dashuri që nuk shikon situatat në të cilën gjendet njeriu, por dashuron vetë personin. Dashuria e Hyjit nuk shikon mëkatin, por mëkatarin, nuk eshte interesuar per gabimet, per mungesat, por për personin.
Në Ungjill vërejmë se Jezusi përqafon lebrozin, të verbërin, të sëmurin. Përqafoi personat që, sipas mentalitetit së kohës, ishin më të përçmuarit, ato persona që vet Ligji i Moisiut, vet feja, i konsideronte të mallkuar prej Hyjit.
Jezusi përqafoi fariseun dhe mëkatarin, përqafoi hajdutin mbi kryq. – Përqafoi ata që po e çonin në kryq.
Por, përse Jezusi e bëri këtë? Përse u soll kështu?
Sepse vetëm kush dashurohet mund të shpëtohet. Vetëm kush përqafohet mund të shndërrohet.
Dashuria e Zotit është më e madhe se gjithë kontradiktat tona, se gjithë brishtësitë dhe mjerimet tona.
Është pikërisht përmes dobësive tona që ai dëshiron të shkruajë këtë histori dashurie me ne.
Të mos e harrojmë asnjëherë: Zoti na përqafon gjithmonë pas rënieve tona, na ndihmon përherë të ngrihemi e të qëndrojmë në këmbë. Rënia e vërtetë është të qëndruarit për tokë dhe të mos lejojmë të ndihmohemi (Papë Françesku)
“Përkatësia jonë birërore ndaj Hyjit nuk është asnjëherë një akt individual por përherë kishtare: nga bashkimi me Hyjin, At’, Bir e Shpirt i Shenjtë, lind një jetë e re së bashku me shumë vëllezër e motra të tjera”. Me pagëzimin lind lidhja jonë, përkatësia jonë në bashkësi, që rritet përmes jetës sakramentale (krezmimi, eukaristia dhe pendesa).
Por ne shumë shpesh veçojmë dy gjëra:
Një gjë është jeta ime e besimit, marrëdhënia ime me Hyjin e tjetër gjë është përkatësia në Kishë, pjesëmarrja në sakramente dhe shpesh arrijmë të themi: Zotit PO e Kishës JO.
Shën Cipriani na kujton se “nuk mund të ketë Hyjin si At’ kush nuk ka Kishën si Nënë”
Të dashur të rinj,
Duajeni Kishën sepse kisha jemi ne, duajeni bashkësinë tuaj, sepse ajo është nëna juaj, jeni bij të asaj bashkësie. Ndihuni pjesë aktive e asaj bashkësie edhe pse e vogël, e dobët, e largët e pothuaj e harruar. Pikërisht në atë bashkësi keni lindur në besim, je bir i asaj bashkësie dhe në atë bashkësi mund të gjesh ngrohtësinë e një shtëpie dhe në rrënjët e saj mund të kapesh në momentet e vështira.
Patjetër që Kisha ka si themel Krishtin, por jemi ne “gurët e gjallë” të zgjedhur prej Hyjit për të ndërtuar veprën e tij. Kisha është po, një institucion antik, por është e thirrur për t’u ripërtërirë vazhdimisht e të kthehet te thelbi i dashurisë së saj të parë.
Ju të rinj e keni për detyrë që ta bëni të re Kishën. Dhe Kisha nuk është e re kur ndjek modën e kohës. Shpesh dëgjojmë të thuhet që Kisha duhet të rinovohet, sepse duhet të eci me hapin e kohës, duhet të ndjekë modën, pra mentalitetin e kohës.
Jo, Kisha është me të vërtetë e re: kur është vetvetja: “mos u pajtoni me mentalitetin e kësaj bote, por shndërrojeni”, kur beson në forcën përherë të re të Fjalës së Hyjit, të eukaristisë, të pranisë së Krishtit dhe forcës së Shpirtit të tij çdo ditë. Kur është e aftë të rikthehet vazhdimisht kah burimi.
Thamë se Jezu Krishti është deklarimi i dashurisë së Hyjit për ne, për mua. ‘Ja ku jam’-i ynë, “po”-ja jonë është një përgjigje ndaj kësaj dashurie, të qëndrojmë në dashurinë e tij: “qëndroni në mua e unë në ju”.
Hyji të fton të qëndrosh me Të, për më tepër “në” Të. Kërkon hapësirë në jetën tënde, në jetën time për të qëndruar me mua, në një marrëdhënie dashurie. Koha e rinisë është koha e privilegjuar e dashurisë. Në këto vite të rinisë po zbuloni bukurinë e miqësisë, të marrëdhënieve, të dëshirave dhe pasioneve. Po zbuloni se qenia njerëzore është bërë për marrëdhëniet. Është krijuar për të dashur dhe për të qenë e dashur.
Por nuk është kaq e lehtë sa duket: në këtë zbulim të dashurisë shpesh përjetojmë zhgënjime, mosbesimi, dushmi, vuajtje dhe edhe lot, sepse nuk vlerësojmë plotësisht këtë thesar.
Papa na kujton se “të jesh i ri nuk do të thotë veç të kërkosh kënaqësi kalimtare dhe suksese sipërfaqësore. Deri sa rinia të kuptojë qëllimin e vet në rrugëtimin e jetës, duhet të jetë një kohë e dhurimit bujar, e ofrimit të sinqertë, e sakrificave që kushtojnë, por që na bëjnë të frytshëm” (108).
Një marrëdhënie e mbyllur nuk është e frytshme, një dashuri që ngushtohet veç te ndjenja nuk sjell fryte, një marrëdhënie që kërkon veç interesin vetjak, veç kënaqësinë, nuk është dashuri!
“Duajeni njëri-tjetrin, ashtu siç unë ju desha”.
Nuk do të thotë veç se duhet të duam ashtu si Jezusi na deshi neve, por që duhet të duam me të njëjtën dashuri me të cilën Ai na do: me të njëjtën dashuri. Nëse nuk dashuroj me të njëjtën dashuri nuk do të di të jetoj dhe të shijoj bukurinë e vërtetë të dashurisë. Është një dashuri hyjnore që mishërohet në një dashuri njerëzore, e cila bëhet hyjnore.
Një dashuri, pra që nuk mbyllet në vetvete por që hapet ndaj të tjerëve, një dashuri që bëhet shërbim dhe që përkujdeset për të tjerët, që nuk jetohet në mënyrë individuale, por që qëndron e hapur ndaj bashkësisë
– “Të dashuruar me Krishtin, të rinjtë janë të thirrur për të dëshmuar Ungjillin kudo me jetën e tyre”. Kur flasim për mision dhe për misionarë, nuk duhet të mendojmë vetëm për disa njerëz që janë përgjegjës për këtë shërbim, pasi që misioni, dëshmia është i lidhur me pagëzimin tonë, me kishën tonë.
Në mesazhin e Papes për ditën e ardhshme botërore misionare që ka si titull: “të pagëzuar dhe të dërguar: Kisha e Krishtit në mision në botë” thotë se misioni “është një mandat që na prek nga afër: Unë jam gjithmonë një mision; ti je një mision; çdo person i pagëzuar është një mision. Ai që do lëviz vihet në levizje, është i shtyrë nga vetja, tërhiqet dhe tërheq, i jep veten tjetrit dhe lidh marrëdhënie që krijojnë jetë. Secili prej nesh është një mision në botë, sepse është fryt i dashurisë së Hyjit“.
Është e nevojshme të rizbulojmë këtë dimension misionar të jetës së krishterë, pasi kjo do të thotë të zbulojmë identitetin e vërtetë të të krishterit që është i dërguar për të shpallur të njëjtën dashuri që ne e kemi përjetuar.
Ne nuk kemi një produkt për të shitur, por një pasuri për të dhuruar, për të komunikuar, për të shpallur: ky është kuptimi i misionit. Falas e kemi marrë dhe falas e japim.
Duhet të jemi të bindur se misioni e rinovon kishën, përforcon besimin dhe identitetin e krishterë, i jep entuziazëm të ri. Feja forcohet duke e dhënë.
Të dashur të rinj, le të jetë jeta e juaj një “gjendje e përhershme misioni”. Çdo fjalë e juaj, çdo qëndrim i juaj, çdo veprim i juaj le të bëhet një kanal adekuat i ungjillëzimit. Mos kini frikë të flisni për Jezusin, t’u tregoni të tjerëve se Ai na jep fuqi për të jetuar, se na bën mirë të meditojmë fjalën e tij. Papa vazhdon dhe ju thënë: “Mos lejoni që bota t’iu tërheqë për të bashkendarë vetëm gjëra negative ose sipërfaqësore. Të keni guxim të shkoni kundër rrymës dhe të dini të shpallni Jezusin, të komunikoni besimin që Ai vet ua ka dhënë .
“Miq, mos prisni deri nesër të bashkëpunoni për ta transformuar botën. Jeta juaj nuk është do të shohim “ndërkohë”. Ju jeni e tashmja e Hyjit, dhe mënyra më e mirë për të përgatitur një të ardhme të mirë duhet të jetohet mirë e tashmja me përkushtim dhe bujari.
Sh. Tij Mons. Giovanni Peragine, CCRSP, ipeshkëv
Laç, 15-16 qershor 2019