Jemi të thirrur ta njohim shpirtin dhe ta kuptojmë mesazhin e Nënë Terezës: Kështu shprehet Imzot George Frendo, sekretar i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, i cili në mikrofonin e Radio Vatikanit flet për programet përgatitore, që Kisha katolike në Shqipëri ka para dhe pas Shenjtërimit të Nënë Terezës. Në vijim, imzot Frendo shpjegon shkurt momentet e Meshës së kanonizimit të Ganxhe Bojaxhiut, që kryesohet nga Papa Françesku më 4 shtator në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Pastaj ndalet te domethënia e shenjtërimit e pohon se “shenjtërimi i Nënë Terezës është një ftesë e veçantë që ne ta kuptojmë shpirtin e saj, të bëhemi familjar me shpirtin e saj dhe ta imitojmë në jetën tonë të krishterë”. Nënë Tereza ndodhej në Indi si drejtoreshë e një shkolle të Kongregatës së Motrave të Loreto-s, kur në Kalkutë zbulon dramën e heshtur të të varfërve, të të moshuarve, të grave e të fëmijëve, që të braktisur nga kjo botë, që vdisnin në rrugët e indiferencës. Ajo dëgjon zërin e Jezu Krishtit që i thotë: “Lëre kuvendin e shko të ndihmosh të varfrit, jeto me ta, ndër ta e si ata”. Bindet: shkon të jetojë në mes të barakave e plehrave dhe fillon të mbledhë më të dëshpëruarit e të dëshpëruarve, sidomos lebrosët. Aty ku të tjerët shihnin veç dhimbje e dështim, ajo sheh fytyrën e Krishtit. Por si mund t’i përgjigjet thirrjes së Zotit, ku gjendet forca për të thënë “po”? Nënë Tereza tha: “Duke e lënë veten në dorë të Krishtit, por edhe nëpërmjet një dashurie të thellë e delikate për Jezusin, sidomos në Eukaristi, në Meshë e në Adhurim”. “Vëmendja ndaj të tjerëve – thotë misionarja – është fillimi i shenjtërisë”. Nënë Tereza kujdeset për njeriun veç e veç, jo për turmën. Kujdesët për gjendjen e tij, për dinjitetin e tij. Qëndron me të varfrit, por di t’u drejtohet edhe të pasurve, në të cilët shpesh sheh dëshpërimin. “Të varfrit e Kalkutës – pohon Ganxhe Bojaxhiu – nuk kanë asgjë, por besojnë akoma në diçka; ndërsa ata që kanë shumë, duket sikur nuk besojnë më në asgjë”. Flet kundër çdo lloj dhune e padrejtësie që dëmton njeriun: nga lufta tek aborti. Mesazhi i saj është i thjeshtë: dashuria e shpallur nga Jezusi në Ungjill, dashuria e jetuar në gjestet e jetës përditshme. Pra “Nënë Tereza tërhoqi vëmendjen e botës për gjendjen e mjerueshme të më të varfërve ndër varfër dhe për dinjitetin e njeriut, të çdo njeriu, pavarësisht nga raca, feja apo përkatësia shoqërore”, thotë imzot Frendo në mikrofonin e dom David Gjugjës.
http://sq.radiovaticana.va/