Shqyrtim personal 002
19/01/2017
Një takim që të nxit drejt Unit…
22/02/2017

Tema që u trajtua në këtë takim të Grupit Leader ishte “Të jesh lider”. Pjesëmarrja ishte prej 20 fëmijësh. Fëmijët patën mundësi të dëgjonin dhe të shikonin Ungjillin me pjesën e Davidit dhe Golisë nëpërmjet videos. Fëmijët u ndanë në katër grupe dhe u përfshinë në katër etapa të ndryshme. Etapat kishin si qëllim që fëmijët të kuptojnë kush është një lider, karakteristikat e të qënurit lider, shprehje të lidershipit që lidhen me jetën tonë, gjashtë llojet e liderave dhe ku e gjejmë veten tonë, lojërat që vënë në pah rëndësinë që ka lideri përballë të tjerëve dhe si është një lider i mirë. Gjatë këtyre etapave fëmijët kishin mundësi të shprehnin mendimet e tyre, të merrnin informacione që nuk i kanë pasur më parë, të argëtohen me lojërat por edhe të mësojnë përmes tyre. Gjithashtu ajo që ishte edhe qëllimi është se fëmijët nëpërmjet aktivitetit arritën të hynin në brendësi të tyre për të kuptuar më shumë nga vetja, se lideri që kanë brenda vetes a është aktiv apo e kanë lënë në “gjumë”.
Gjatë momentit të lojërave fëmijët u argëtuan shumë së bashku me lojëra të ndryshmeme muzikë, lojëra shpejtësie, lojëra grupi, etj. Gjatë lojërave fëmijët kishin mundësi që të njihen edhe më shumë me njëri-tjetrin, duke bashkëvepruar për lojëra.
Momenti i lutjes në darkë ishte një element tjetër i rëndësishëm, ku kapela ishte e rregulluar për të krijuar një klimë sa më të mirë lutjeje. Fëmijët ishin të vëmendshëm ndaj mesazhit që përcolli videoja dhe lutja e të gjithëve një zëri bëri që fëmijët të jetonin sa më shumë momentin e lutjes.
Të nesërmen fëmijët luajtën lojëra të lira por edhe të organizuara nga animatorët, kërcyen Juste Dance dhe u kënaqën shumë. Pastaj u mblodhëm në rreth dhe Motër Malvina na prezantoi se kush ishte Gjon Bosko si lider kur ishte fëmijë dhe më vonë si prift. Fëmijët dëgjuan më shumë vëmendje dhe u përfshinë në bisedë disa herë me komentet e tyre. Motra bëri edhe dy pyetje në lidhje me të qënurit lider ku ai fëmijë që merrte topin në dorë duhej të jepte mendimin e tij/saj personal (më pas fëmija ia gjuante një fëmije tjetër).
Angazhimi i rradhës ishte që fëmijët të punonin në grupe me animatorët e tyre për të paraqitur cilësitë e Don Boskos si lider. Secili grup kishte nga një histori dhe fëmijët bashkëpunuan duke nxjerrë nga historia cilësitë e liderit. Më pas menduan se si do t’i prezantonin.
Në momentin e bashkëndarjes të gjithë fëmijët ishin shumë entuziast dhe kishin punuar me shumë dëshirë për të nxjerrë një punë të bukur. Format e paraqitjes së cilësive ishin te ndryshme si nëpërmjet videos, dramës, këngëve, etj. Fëmijët e jetuan shumë mirë këtë moment i cili edhe na mësoi se kush ishte Don Bosko si lider dhe na argëtoi nëpërmjet mënyrave të paraqitura.
Liturgjia pendestare ishte moment ku fëmijët në qetësi bënë reflektimin e ndërgjegjes duke u përgatitur për sakramentin e rrëfimit. Finalja e këtij takimi si gjithmonë ishte mesha e shenjtë ku fëmijët e jetuan mirë dhe me devocion.

Nga Tonilda Çela
Animatore

Comments are closed.