VIGJILIA E RRËSHAJËVE
24/06/2018
NËNTËDITSHI I MARISË QË ZGJIDHË NYJET
12/02/2019

FORUMI KOMBËTAR PËR TË RINJTË

Në përgatitje të Sinodit të ipeshkvinjve në Rome për të rinjtë, Komisioni Kombëtar Rinor me presidentin e tij Imzot. Ottavio Vitale, Rcj, me datë 8 shtator, pranë ambienteve të Universitetit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë organizoi Forumin e parë kombëtar për të rinjtë. Ky forum është një rrugë përgatitjeje për Sinodin e Ipeshkvinjve që do të mbahet nga data 3 deri me datën 28 tetor që do të ketë si temë “Të rinjtë, feja dhe shoshitja thirrore”.

Kisha në Shqipëri dëshiron të dëgjojë zërin e të rinjve, prandaj përgjegjësit e baritores rinore të të gjitha dioqezave të Shqipërisë për të dëgjuar dhe përfshirë të rinjtë kanë përgatitur një Analizë mbi qëndrimet dhe perceptimet e të Rinjve ndaj Besimit. Qëllimet e kësaj Analize ishin që të zbulonte ndikimin e besimit fetar tek të rinjtë katolik, të vlerësonte rolin e Kishës në mbështetjen e zhvillimit të rinjve dhe rritjen e besimit si edhe të shqyrtonte marrëdhënien e të rinjve me familjen, shkollën, famullinë dhe botën dixhitale. Për të realizuar qëllimin e kësaj Analize janë pyetur 110 të rinj nga mosha 18 deri në moshën 30 vjeç. Ajo u prezantua nga Dr. Skerdi Zahaj, (Qendra Shqiptare për kërkime Ekonomike (ACER) dhe mbështetur nga Fondacioni Mary Ward Loreto).
Ky studim na ofron një vizion që do të na shërbejë për të plotësuar më gjerësisht përgjigjet e tjera nga të rinj të tjerë, gjithashtu na afron më pranë realitetit në të cilin punon Kisha Katolike në vendin tonë. Siç thekson Instrumentum Laboris e Sinodit: “Nuk ka të bëjë me grumbullimin e të dhënave dhe dëshmive sociologjike, por për të marrë sfidat dhe mundësitë që dalin nga kontekste të ndryshme në dritën e besimit, duke lejuar të na prekin thellësisht për të ofruar një bazë konkrete për të gjithë rrugën e së ardhmes” (nr. 4).

Atë Raffaele Lanzilli, SJ anëtar i Sekretariatit të përgjithshëm të sinodit të Ipeshkvinjve në Romë ndihmoi asamblenë e forumit për të hyrë më thellë në detaje mbi procedurat dhe punën që është zhvilluar deri tani në përgatitje të sinodit si dhe procesin në vazhdim. “Gjithë Kisha duhet të marrë pjesë në këtë ndryshim, tha ai, dhe se: shoshitja thirrore bëhet gjithmonë duke u shoqëruar nga dikush dhe vetë Kisha tani është në shoshitje. Ai theksoi se edhe vetë Papa ka shprehur dëshirën që Kisha katolike të jetë e hapur ta dëgjojë zërin e të rinjve, sepse janë të rinjtë që do të flasin të parët dhe duhet t’i dëgjojmë pa filtra”.

Gjatë forumit kemi dëgjuar më afër zërat e tre të rinjve që përfaqësojnë zërat e shumë të rinjve të tjerë duke dëshmuar se si ato e jetojnë besimin e tyre në Kishë, në politikë dhe në jetën sociale dhe se si ato përballohen çdo ditë me sfida të ndryshme. Të rinjtë e ftuar inkurajuan të rinjtë e tjerë që të kenë besim në vetvete dhe të ecin përpara me forcë, guxim dhe plot besim në Zotin. Shqipëria është e jona dhe ne duhet ta ndërtojmë atë, theksuan me guxim ata në dëshminë e tyre.

Në fund të forumit u prezantua libri “Në Twitter me Zotin” nga, vetë autori i librit Don Michel Remery. Ky libër është një instrument i vlefshëm për t’ua shpallur ungjillin të rinjve. Don Michel tha shprehimisht: Libri nuk është shkruar nga unë, por nga vetë të rinjtë me të cilët punoj. “Ky libër, vijoi ai, trajton me thelbin e fesë, Zotin, Krijimin, Biblën dhe mënyrat se si Zoti lidhet me ne. Gjithashtu trajton edhe Zanafillën dhe historinë e Kishës dhe se si Kisha është e pranishme në botë. Përveç kësaj, libri trajton dhe lutjen, vështirësitë e jetës, rolin e Kishës, të liturgjisë dhe të sakramenteve që veprojnë në çdo person. Një aspekt tjetër që trajton, tha ai, është edhe jeta e krishterë si dhe zgjedhjet e ndryshme me të cilat mund të përballet besimtari i krishterë”.
Forumi u mbyll me lutjen e kushtimin të të rinjve Virgjërës Mari që është përgatitur posaçërisht për këtë forum nga motrat e Karmelit.

Motër Malvina Doçi FMA
Bashkëpërgjegjëse e Komisionin Baritor Rinor Tr-Dr

Comments are closed.