Dëshmi nga DBR Krakov (të rinjtë e Shkodrës dhe Bërdicës)

Gruver 2016 Shkodër
03/08/2016
Nje shikim, nje enderr, nje pafundesi…
04/08/2016

Krakov 2016

‘Unë po ju pyes: gjërat mund të ndryshojnë?   Dhembshuria e ka fytyrën gjithnjë të re!’

                        -Papa Françesko

 

Një emër, një qytet, një udhëtim, një përvojë, një fillim…

Një kapitull i ri me një titull të pashkruar ende..

Një fillim? Po.

Një fillim në notat e një melodie të një himni plot shpresë që troket në dyert e një qyteti.

Një qytet, një emër në dukje i thjeshtë, por që mbart në vete peshën e një historie të tërë.

Një histori rrënqethëse aq sa e guximshme, e paimagjinueshme aq sa sfiduese.

Troket, dhe ai i vetëm të rrëmben pa pyetje të tipit kush je dhe nga vjen, pa paragjykime, pa mohime.

Të pranon ashtu siç je, i thjeshte ose me shenjat e viteve të lena pas në trup, në fytyrë, në shpirt.

Të tregon rrugët e tij plot dritë dhe gjallëri, ndërkohë që ti endesh mes tyre i pasigurtë, me frikërat dhe dyshimet e tua.

E lejon që ai të kapë për dore dhe të udhëheqë drejt diçkaje ende pa emër. Por këtë herë ndaj të panjohurës ke besim. Nuk e kupton as vetë kohën që lë pas. Por ëmbëlsia e thjeshtësia e tij të mposht e ti i dorëzohesh pa këmbëngulje.

Të tregon me përulesi drejtimin nga të shkosh, hapat që duhet të hedhësh, dhe shikimin në sytë e tu.

Për të është pak, ndaj nuk mjaftohet me kaq. Eshte si një dhuratë që nuk shteron kurrë.

Ashtu si një mik i mirë, më i miri, që nuk lodhet e as nuk pushon kurrë së treguari deri në pjesën më të imët të zemrës së tij.

Eshtë me ty në çdo rrahje të atij qyteti. Të fton ta ndjekesh, por ama me ritmin tënd më të mirë. Nuk ka rëndësi nëse mund të hasesh diku  në një pengese e rrëzohesh. Kupton që duhet të ringrihesh për të mos humbur asnjë moment të atij udhëtimi.

E dielë,Campus Misericordie

Campus i tejmbushur nga gëzimi që merr me vete çdo të ri të pranishëm. Me duart e zgjatura, shikimin që shfaq çdo shenjë shprese, dhe zemrën plot rrahje.

Të mbledhur në ritmin e mesazhit që ndryshon jetën.

Mesazh këmbëngulës që të fton të zgjohesh nga rehatia, të dalësh nga zona jote e sigurisë, të thyesh pengesat që ndodhen në ty.

Të rrezikosh, në mënyrë që të ndjesh shkëlqimin e jetës gjatë gjithë lojës prej titullari, tha Papa.

Të kthehesh, por me bindjen se nuk mbaron me kaq.

Të rinj me forcën për të bërë ndryshimin, vullnetin për të bërë përpara, guximin e gëzimit të rrënjosur thellë, dhe dhembshurinë për të përqafuar botën në çdo sfidë.

Antonela Prela

 

                  Të ndërmarrësh rolin e një shtegtari nuk është dhe aq e thjeshtë, kjo për faktin se të duhen shume përbërës që kjo përvojë kaq pasuruese të marrë jetë. Një shtegtar i mirë dallohet tek gjërat që ai vendos të marrë me vete në çantën e shpinës dhe në bagazhin e zemrës së tij. E për të mos u harruar si një element tepër i nevojshëm është shpirti i mbushur me devotshmëri, shpresë, lumturi që pasqyrohen deri në sipërfaqe me një buzeqeshje plot dritë.Të bindur se të gjitha këto gjëra i kishim me vete u nisëm të gjithë së bashku për në Krakovë. Distanca gjeografike në km mes Shqipërise dhe Polonisë ishte e madhe, gjë e cila të bënte të mendoje se udhëtimi do të ishte i lodhshëm. Ky ishte një fakt i vërtetë, por orët që kalonin njëra pas tjetrës e bashkë me to dhe km që rrëshqisnin poshtë rrotave të autobuzit tonë, filluan të na afronin me njëri-tjetrin. Fakti që ishim një grup heterogjen prej 34 personave, që vinim nga oratore të ndryshme si: “Oratori Don Bosko Shkoder” , “FMA Shkoder” ,”Qendra Laura Vikunja Tale”, “FMA Tiranë” dhe “Oratori Don Bosko Tiranë” bënte që të mos njiheshim shumë me njeri-tjetrin, e ato orë të gjata udhëtimi shërbyen si një shtysë e mirë që grupi jonë të bëhej më kompakt e të arrinte të vendoste një harmoni mes nesh.Të zënë nga bisedat, lojërat, të qeshurat, e nga gjumi që ishte i vetmi që arrinte të vendoste qetësi në autobuzin tonë, pa kuptuar e gjetëm veten në Auschvitz të Polonise. Tashmë kishim mbërritur. Gëzim, kureshtje, lodhje, ishin emocionet që ndjenim në ato momente, por që do t’u bashkoheshin dhe shumë të tjera kur të vizitonim kampin në Auschvitz. Të prekje e të shihje në realitet ato pamje që i kishim shikuar vetëm nëpër filma, ishte rrënqethëse. Më pas udhëtimi ynë vazhdoi për në Krakovia, aty ku ishte mbledhur rinia e mbarë botës. Disa familje polake na mikppritën nëpër shtëpitë e tyre duke na bërë të mundur të njiheshim me bujarinë, mikpritjen e popullit polak. Tani ishim gati të nismin atë që për secilin prej nesh do të kthehej në një përvojë të paharrueshme. Një ditë normale fillonte në orën 09.00 ku bëhej takimi i gjithë grupit, më pas të gjithë sëbashku niseshim për në qendër të qytetit aty ku gjithmonë kishte programe pa fund ku ne mund të merrnim pjesë. Një pjesë tjetër e rëndësishme e intinerarit tonë ishte dhe Blonia aty ku do të mblidheshim të gjithë sëbashku me të rinj nga çdo vend i botës për të kremuar Meshën e hapjes së Ditës Botërore të Rinisë 2016. Të shihje në ajër flamuj me ngjyra të ndryshme nga çdo cep i globit, të falte shpresë dhe lumturi se nuk jemi të vetëm, se Jezusi ka gjetur vend në zemrën e çdo të riu aty pjesëmarrës. Kur hidhje shikimin rreth e rrotull e shihje fytyra të gëzuara, sy që shkëlqenin duke buzëqeshur, të lindte në shpirt shpresa se bota mund të bëhet më e mirë dhe kjo sepse ne të rinjtë me pozitivitetin tonë mund ta arrijmë këtë gjë. Të shihje duar që shtrëngoheshin, njerëz me ngjyra të ndryshme që përqafoheshin thjesht, bënte që shpirti të mbushej me lumturi duke shpërndarë mijëra stërkala gëzimi nëpër ajër.Gjithësesi gjatë këtij qëndrimi një javor në Krakov nuk mund të përjashtohen dhe ato momente apo gjërat më pak të këndshme (kjo pjesë e një shtegtimi të vërtetë) si: orvatjet e gjata në këmbë nëpër qytet, ushqimi ndoshta jo i pëlqyeshëm nga të gjithë, lodhja e një dite të mbushur me aktivitete, por gjithësesi dhe këto vështirësi harroheshin kur nëpër rrugë takoje njerëz që dhuronin përqafime falas e bashkë me to vinin paketa dhe buzeqeshje pa fund. Të gjithë e kishim humbur sensin e kohës e ditët kalonin pa u ndjerë, derisa kuptuam që asaj përvoje dalëngadalë po i vinte fundi. Ishte momenti i Vigjiljes, ku prania e vetë Atit të shenjtë, Papa Franceskos, e bënte dhe me sublim atë moment. Mesazhet e tij të vyera ku çdo i ri gjente veten jam e sigurt që kanë bërë që brenda secilit prej nesh të lëvizin gurët e mirësisë, dashurisë dhe mëshirës për të na bërë të rinj më të mirë, qytetarë më të ndershëm e të krishterë më të devotshëm. Duke marrë me vete pasurinë e atyre ditëve u nisëm të gjithë nëpër vendet tona të origjinës për të përçuar tek çdo person që njohim përvojat e shkëmbyera, mendimet pozitive dhe gëzimin e shpresës se të gjithë sëbashku mund të bëjmë që paqja e lumturia në botë të mos jenë vetëm iluzione, por që mund të bëhen realitet i prekshëm për të gjithë ne.

Jeta Lumaj

 Nën shenjën e lirisë…

              Horizonti i ekzistencës sonë… Jezusi. E mahnitshme… se si nga një grup i vogël që ishim u njohëm me një botë të tërë, të gjallë. U dëshmua konkretisht se jemi bij të të njëjtit Atë. U bashkuam në emër të vëllazërisë, aty kuptuam se në njerëz të ndryshëm rreh një zemër e përbashkët. Jeta nuk njeh limite, është e lirë dhe kërkon njerëz të lirë dhe guximtarë. I lirë është qielli nën pushtetin e pafundësisë, i lirë është njeriu i parajsës nën pushtetin e Hyjit dashuridhënës, i lirë lindi edhe njeriu i jetës… Edhe ëndrra është e lirë e sheh nën pushtetin e së pavetëdijshmes. Edhe zemra rreh pa e komanduar… është e lirë. Marrim frymë të lirë, jetojmë të lirë, gëzojmë të lirë sepse bota ka nevoje për mahnitje. Shikojme sy që shndrisin… të lirë. Shikojmë buzëqeshje që i shtojnë jetës jetë… të lirë. Shikojmë foshnjat në kraharoret e nënave… të lirë në pafajësinë e tyre. Edhe brenda një ngjyre që neve na duket si e vetme, gjenden nuanca të shumëllojshme… pikërisht të lira. Por mbi të gjitha në këtë shtegtim dashuria ishte e lirë dhe e dhënë falas. Me të vërtetë ishte Krakovia për këtë vit vendtakimi i të rinjve të botës, por takimin e vërtetë e përjetuam në fjalët e Papa Franceskut, pikërisht kjo e zhvilluar në dy sheshe “Blonja” dhe “Campus misericordiae.” U njohëm me idenë e “Paraliza e divanit”, si një drogë sociale që e prish lirinë tonë, që shkatërron vëllazërinë tonë, por që na mësoi të ndërrojmë divanin me këpucët për të ecur nëpër rrugët e Zotit. E ç’të themi pastaj për vendet mëshirës një takim shpirtëror me papa Gjon Palin II dhe shën Faustinën ishte një nga elementet që e plotësoi përvojën tonë. Me pak fjalë… jeta është një eksperiment dhe Zoti pret dicka prej nesh… të ndërtojmë urat.

Xhulia Gjergji

Comments are closed.