Përsa u përket fenomeneve befasuese duhet të pyesim përse. E atëherë përse një ‘festë’ që te ne nuk ka ekzistuar asnjëherë, siç është festa e Halloween-it, është përhapur me kaq shpejtësi, deri në atë pikë saqë edhe shkollat ta festojnë? Ka filluar si fenomen tregtar, i studiuar për të shitur mallra të ndryshme në kohën kur Halloween jepte përshtypjen të ishte vetëm një zbavitje për fëmijët. Por brenda 10 vitesh u shndërrua në një lartësim të së tmerrshmes, një garë e vërtetë se kush ia dilte të jepte idenë më makabër.
Vënia në skenë e të tmerrshmes, gjakut dhe i monstrave, alkolit, lartësimit të grupit dhe në fund, i drogës janë bërë një kokteil vdekjeprurës. Nuk ka më të bëjë fare me festën e fëmijëve, si traditë në Shtetet e Bashkuara, kalonin nga shtëpia në shtëpi për të “kërcënuar” me formulën “ëmbëlsirë ose shaka”.
Vitrinat, ashtu si edhe zbukurimet e lokaleve dhe diskotekat, paraqesin gjak dhe monstra, fytyra të deformuara dhe koka të prera. Kjo është një sharje mbi gjërat që po ndodhin në botë. Jetojmë kohë tashmë të vështira dhe dramatike; e pyes veten: përse ekziston kjo garë për të paraqitur të keqen dhe gjërat e këqija? Përse ankohemi se çdo vit në natën e Halloween-it, ndodhin fakte dramatike në mbarë botën? Përse të bëjmë që fëmijët të takohen me botën e errësirave? E pyes veten akoma: nxënësit tanë, bijtë tanë, por edhe vetë ne, a kemi nevojë për këtë? Ne të rriturit, prindër dhe edukatorë, e dimë çka është më e mirë për fëmijët, për djemtë dhe vajzat?
Tradita e Halloween-it lind nga driudët, priftërinjtë kelt që kalonin nëpër shtëpitë duke kërcënuar me bekim apo mallkim. Më 31 tetor ishte dita kur princi i errësirave, Samain, fitonte mbi zotin Diell për gjashtë muaj, muajt e dimrit, fshatarët, e trembur, paguanin. Kjo është origjina e Halloween-it. Në fakt, jo rastësisht më 31 tetor është viti i ri i satanistëve, të cilët, në ditën e Halloween-it, çdo vit kryejnë ritet e tyre të blasfemimit.
Është e ditur që e gjithë kjo nuk u përket personave normalë, dhe aq më tepër fëmijëve. Por si mund të lejojmë që për një muaj, fëmijët, edhe të kopshtit, të nëpërkëmben dhe të futen në këtë lloj bote? Shumë prindër tregojnë që fëmijët e tyre të vegjël, gjatë natës së Halloween-it kanë makthe.
Të qartësohemi. Fjala Halloween do të thotë “Vigjilja e Shenjtërve”. Ne të krishterët, me një nëntor, kremtojmë festën e të gjithë Shenjtërve. Këta shenjtër janë persona që realisht kanë ekzistuar dhe jo fantazma; janë për ne, modele të mëdha të jetës heroike. Festa e Shenjtërve e një nëntorit është kujtimi i personave si shën Ndou, shën Vlashi, Shën Gjon Bosko, Shenjte Tereza e Kalkutës, etj.; këta persona janë të shtrenjtë për ne, duan vetëm të na mësojnë si të jetojmë mirë me veten tonë dhe me të tjerët; duan të na inkurajojnë të jetojmë praninë tonë, mbi tokë, me angazhim, me realizëm të shëndoshë dhe me jetë fetare të gëzueshme dhe të qetë.
Këta janë sigurisht, modelet tona të jetës.
Shkolla 9-vjeçare Don Bosko, në vend të kësaj feste organizon Festën e Miqësisë.
Pra: Qendra Don Bosko nuk është për të organizuar festa që largojnë nga realiteti dhe që trembin fëmijët; dhe jemi të sigurtë që edhe ju prindër dhe edukatorë nuk e doni këtë festë, pasi pëlqeni të organizoni festa që bëjnë që fëmijët tuaj të rriten të shëndoshë, të ditur dhe të shenjtë.
nga Don Matteo di Fiore