Moter Teuta Buka, deshmia e 25 vjetorit te jetes rregulltare ne mesin e te rinjve

Komisioni Baritor Rinor TR -DR
Formim për animator
29/10/2020
moter Teuta Buka

Pak memorie, shumë falenderim dhe një reflektim

Ne prag te 25 vjetorit te perkushtimit ne jetën rregulltare

Memorie nga e shkuara

25 vite me parë, 1996, shqiptova po-në time Zotit në Katedralen e Shkodrës. Më kujtohet si sot ai moment të cilin e kisha pritur me shumë gëzim e njëkohësisht edhe me drojë. Gëzim pasi isha e bindur se kush e vë shpresën në Zotin nuk është kurrë vetëm, drojë pasi një sipar i ri hapej për jetën time: jeta rregulltare.

Ndjeja gëzim edhe përgjegjësi. Ma përmendnin shpesh faktin se je e para motër saleziane pas komunizmit. Kjo gjë më mbushte me përgjegjësi dhe droje: Për mua ishte si të me thonin: duhet të jesh shembull, kujdes! Droja që ndjeja kishte të bënte edhe me mosmundësinë për ta parë të realizuar jetën rregulltare në Shqipëri, njihja vetëm motra misionare dhe njihja formën e organizimit të Institutit në vendin e origjinës, Itali. Po këtu, si do pritet? Si do jetë instituti ynë këtu, çfarë do Zoti prej meje dhe prej nesh këtu. Po unë sa do t’i jem besnike Zotit, cilat sfida më presin? Dalja nga noviciati më kishte “hedhur” në fushë të hapur, e shihja qartë se premtimi që i bëra Zotit po fillonte të konkretizohej e të shkruehej në jetën time. Po bëhej konkrete më në fund ajo që kisha imagjinuar shpesh duke studiuar kushtetutën tonë. Ishte koha për të jetuar thirrjen time, përgjigjen time dhënë Zotit.

Vitet e para të jetës sime të kushtuar ishin vite formimi dhe angazhimi konkret; Studimet universitare, oratori, katekeza, baritorja rinore dioqezane. Përvoja- si palestra të vërteta stërvitjeje për një mision që sa vinte e bëhej më i qartë dhe më kërkues. Shumë shpesh gjatë këtyre viteve të formimit tim, iu jam referuar dokumenteve burimore të fillesës së Insitutit tonë, përvojës së don Boskos dhe sidomos të Maria Mazzarellos, duke kërkuar në ato përvoja jete, përgjigjet për të sotmen time në tentativën për të kuptuar dhe jetuar mirë karizmën e madhe saleziane dhe pasionin edukativ të dy shenjtërve tanë.

Kështu në jetën rregulltare edhe unë doja të gjeja vendin tim, misionin tim, mandatin special që Ai më besonte. Ndoshta edhe kam humbur kohë në këto sinteza jetike, që çdo jetë, në fakt, është e thirrur të bëjë herët apo vonë. Nuk mjafton të kesh bërë kushtet, nuk mjafton të të therrasin motër, por të jesh e Krishtit, të dhurohesh çdo ditë dhe të bashkëndash më bashkësinë misionin që na është besuar. Kështu kaluan 6 vite të tjera nga po-ja e parë deri në kushtet e përjetshme, 2002.

Kur shqiptova Po-në definitive, gëzimi ishte më i madh dhe droja më e zbehtë. Perspektiva ime kishte ndryshuar. Kisha eksperimentuar se Zoti i qëndron besnik premtimeve të veta dhe se misioni që ai më besonte në bashkësinë ku ndodhesha ishte një angazhim i përditshëm, i bërë nga gjëra të vogla, punë dhe lutje e vazhdueshme që nga pak skalisnin në mua motrën saleziane. Mbi të gjitha kisha kuptuar se Ai më ka bërë mua këtë dhuratë të madhe dhe jo anasjelltas.

Pas këtyre 25 vitetve të para në jetën time rregulltare ka ardhur momenti për të bërë një sintezë, një lloj leximi të përvojës që kam jetuar. Fjala e parë që më vjen në mendje është: Faleminderit.

Tre falenderime

Së pari faleminderit Bashkësisë ku Zoti më ka thirrur të jetoj. Jeta në bashkësi më ka mësuar shumë gjëra, ka qenë dhe është për mua instrument i privilegjuar që Zoti përdor për të “edukuar” shpirtin tim. Bashkësia më ka mësuar të dal nga komoditeti im, të kalis vëmendjen për të tjerat, më ka mësuar të shprehem më qartë, më ka mësuar të pres, të kërkoj falje dhe të fal. Nganjëherë edhe më ka penguar të realizoj ëndrrat e mia dhe e falendëroj fort këtë “pengesë”. Them e falenderoj sepse ka qenë për mua ilaçi për të peshuar mirë çfarë është e rëndësishme në jetë: planet e mia apo ata të Zotit, vullneti i tij apo vullneti im. Kjo askezë e gjallë dhe e përditshme më ka çliruar shpesh nga vetja dhe humoret e mia, hatërmbetjet apo zemërngushtësitë që vogëlsia dhe dobësia ime njerëzore nganjëherë ushqente. Bashkësia i ka dhënë forcë edhe angazhimit tim, ajo ka fuqizuar kontributin e vogël timin duke e futur në një vazhdimësi edukative afatgjatë. E çfarë do kisha mundur unë të realizoj pa bashkësinë? Sa i qëndrueshëm do kishte qenë angazhim im? Jua siguroj, fare i vogël dhe i dobët.

Së dyti falënderimi im i shkon fëmijëve, të rinjve dhe të gjithë përsonave të cilëve Zoti më ka thirrur t’u shërbej. Kanë qenë të shumtë fëmijët, të rinjtë dhe personat që kam njohur në këto vite. Nuk e di sa jeta ime ka lënë gjurmë në jetët e tyre, por di që këta kanë qenë instrumenti i dytë i privilegjuar që Zoti ka përdorur (e do të përdorë prapë) për të më edukuar. Në veçanti të rinjtë më kanë mësuar të jem koherente, të mos u servir gjëra që vetë nuk i jetoj, më kanë mësuar si të jem më e thyeshme dhe e durueshme, më e gatshme dhe mikpritëse. Më kanë mësuar si të kërkoj për ta gjëra më të larta dhe si të jem kërkuese ndaj tyre për t’i drejtuar kah shenjtëria që të mos mjaftohen me një jetë dosido. M’i kanë mësuar të gjitha këto si dinë të bëjnë të rinjtë, pa leksione teorike, por me kërkesa konkrete për vëmendje dhe ndihmë, me fjalë të thëna e të pathëna, me qëndrime dhe këmbënguljen e tyre. Njëkohësisht kanë qenë dhe janë ata arsye gëzimi për mua sa herë kanë arritur diçka në jetë, sa herë kanë bërë zgjedhje koherente pa e tradhëtuar ndërgjegjen e tyre, sa herë tregojnë ndjeshmëri për të tjerët, sa herë angazhohen për ta bërë botën më të mirë, sa herë më mahnisin me zemërgjërësinë thjeshtësinë dhe dashurinë e tyre e pse jo me përshpirtërinë e tyre të thëllë.

Së treti Falënderoj Zotin, që duke më thirrur t’i përkas ka treguar kujdesin e tij dhe më ka shoqëruar në çdo hap. Ka endur jetën time duke i paraprirë hapave të mi me gjëra kaq konkrete sa të duket e pabesueshme. Sa herë jam mahnitur si është e mundur që ai momenti i vështirësisë, i kryqit apo i moskuptimit paska qenë i domosdoshëm për të jetuar e këparcyer një tjetër sot.. E kështu përherë, pa pushim. Eukaristia dhe Zoja, prani esenciale të karizmës sonë, janë forcë e vërtetë në të përditshmen time. Meqë janë vetëm 25 vitet e para jam e sigurtë se do të zbuloj akoma shumë ndërhyrje që Zoti ka bërë në jetën time për ta bërë atë përherë me tepër të lirë dhe dhuratë për të tjerët.

Një reflektim në perspektivë

Më kujtohet kur në Asamblenë e parë rregulltare të viti 1998 (kisha dy vite kushte), Atë Palmieri, më vonë Imzot Palmieri, më pat pyetur: Si mendon ti, si duhet të jetë jeta rregulltare në Shqipëri që t’i përgjigjet nevojave të këtij vendi? I pata thënë; Nuk e di Atë, kam shumë gjëra për të mësuar, duhet të jemi shumë rregulltarë shqiptarë që karizmat të marrin formë dhe të mishërohen në këtë realitet.

Po të mendohem mirë në fakt nuk e di akoma përgjigjen. Jeta rregulltare në Shqipëri është akoma në fazë përvijimi, tani sapo ka filluar të ketë nuancat e veta me shtimin e thirrjeve shqiptare, por jam përherë e mendimit se duhet të shkojmë tek Burimi, tek Eukaristia dhe tek përvoja jetike e themeluesve tanë, që të mos rrezikojmë t’i shtojmë karizmave tona shtesa të kota që i rëndojnë krahët për ka shënjtëria,  por të kemi guximin ta lëmë Zotin të veprojë në jetët tona e të na udhëheqë për t’iu bërë krah vëllezërve tanë aty ku jetojnë, ku sprovojnë gëzimet apo vështirësitë, mundin dhe nevojën për shpresë.

Motër Teuta Buka, fma

Comments are closed.