Maria Domenika Mazzarello

Maria_Dominika_Mazzarello_jpg.Maria Mazzarello, një vajzë e thjeshtë, e zgjuar, e çiltër… Lindi në 9 maj të vitit 1837. Baba Jozefi e nëna Madalena gëzuan për lindjen e kësaj krijese të re që do ta kishte këmbën e mbarë e do të ndiqej nga shumë vëllezër e motra të tjera

Kur ishte pesë vjeçe, ndërsa po luante me të atin, papritmas e pyet: “Babush ç’bënte Hyji përpara se të krijonte botën?”. Jozefi mundohet të gjejë përgjigjen e saktë e i thotë: “Donte vetveten, sodiste vetveten e ishte i lumtur në vetvete”.

Shumë vite më pas Maria duke kujtuar këtë ngjarje thotë se atë përgjigje s’e kishte harruar kurrë, jo sepse e kishte kuptuar, porse ajo përgjigje e kishte shtyrë të interesohej për Zotin më tepër.

Në këtë ecje e ndihmoi shumë don Pestarino, një prift i mirë e shumë i mprehtë që shpejt kupton se Maria ishte një tokë e mirë, ku Zoti po rriste filizat e parë të një diçkaje shumë të bukur, që as vetë ai nuk e kuptonte deri në fund. Me ndihmën e tij Maria filloi pak nga pak të përparojë në virtytin e përvujtërisë, fillon të dominojë karakterin e saj të fortë e të vendosur, fillon të bëhet më e butë, më e dashur, më e thjeshtë.

Don Pestarino duke parë ecjen e saj të shpejtë mendon ta aktivizojë në një shoqatë të quajtur Bijat e Zojës së Papërlyer, bashkët me katër vajza të tjera. Kjo shoqatë, që sapo po fillonte jetën e saj në këto zona, kishte diçka të veçantë; faktikisht vajzat që bëheshin anëtare duhej të jetonin si motra (murgesha) shtëpie.

Dukej se tashmë ajo kishte gjetur rrugën e saj përgjithmonë, ndihej e lumtur, e gjallë, me dashurinë për Zotin në zemër, plot me gëzim e optimizëm përhapte pa bujë fjalën e Tij… Por Zoti kishte plane të tjera për të, nuk mjaftonte me kaq…

Në vitin 1860 disa kilometra larg Torinos, kishin ndodhur disa gjëra të rëndësishme për Kishën edhe për jetën e saj. Don Bosko kishte themeluar urdhrin e salezianëve që kujdeseshin me zell të madh për shpëtimin e të rinjve e sidomos të atyre më të varfërve. Gjëja tjetër e rëndësishme ishte që don Pestarino ishte bërë salezian pasi kishte njohur don Boskon… Në këtë periudhë tifoja kishte mbërthyer Piemonten… edhe Mornezja tashmë ishte nën kthetrat e saj. Don Pestarino vjen në shtëpinë e Marias dhe i kërkon të jatit që ajo të shkojë në shtëpinë e xhaxhait të saj dhe ti shërbejë sepse e gjithë familjen e kishte mbërthyer tifoja. Maria pasi dëgjoi bisedën, lëkundet, ka frikë, e ndjen se do të infektohet me atë virus, por pastaj ndjen diçka përbrenda, nuk përmbahet dot e vendos të shkojë. Ndërsa në shtëpinë e xhaxhait rikthehet jeta, Maria kishte marrë tifon dhe nuk kishte më forcë, prandaj kthehet në shtëpi. Ajo ishte rëndë, por papritmas sëmundja largohet duke lënë tek Maria shenja të thella lodhjeje dhe pa forca fizike. Nuk është më ajo Maria e dikurshme plot forcë, plot gjallëri; tashti është e dobët nuk mund atë bëjë më asnjë punë fizike, mezi arrin të dalë nga pragu i derës për të shkuar në Kishë.

Pak nga pak fillon të dalë, dhe ndërsa po shëtiste nëpër fshat… papritur sheh një vegim; një oborr të cilin nuk e kishte parë kurrë. Në të sheh shumë vajza që lodronin të gëzuara e dëgjon një zë që i thotë: “Ty po t’i besoj”. Ishte një ëndërr, një vegim, apo?…

Në mendjen e saj lëvrinin mijëra projekte, diçka e shqetësonte… Ajo nuk e pyet më Zotin: “Ç’kërkon prej meje o Zot, çfarë dëshiron nga unë?”. Por vetëm i kërkon Atij një gjë tjetër: “Zot, si t’u ndihmoj këtyre vajzave”. Ishte tashmë ky i vetmi mendim i saj, i vetmi shqetësim i saj. Maria kishte menduar gjithçka me hollësi. Fillon kështu një aventurë e re e jetuar me gëzimin e zemrave të pastra që për qëllim nuk kanë interesin e vet, por të mirën e të tjerëve.

Maria sëbashku me shoqen e saj iu futën punës për të mësuar një zanat. Por të mësosh një zanat, madje për pak kohë nuk është e lehtë, por vullneti i mirë përballon gjithçka sidomos kur e di se përse e bën…

Të dyja morën një dhomë me qera dhe hapën një laborator ku filluan të vinin vajza të cilat shtoheshin dita ditës. Don Pestarino ishte shumë i kënaqur për punën që të dy shoqet bënin.

Gëzimi, lutja, puna, sakramentet ishin mjetet që edhe don Bosko përdorte për të ndihmuar të rinjtë ta njihnin e ta donin Zotin, të bëheshin të krishterë të mirë e qytetarë të ndershëm, pra njësoj si Maria dhe Petronila. Maria, don Boskon nuk e kishte parë kurrë!? (Shpirti i Shenjtë përdor gjithë forcën e tij krijuese kur bëhet fjalë për të bërë të mirën, ndaj takimet nuk janë të domosdoshme, kur i njëjti Shpirt frymëzon, ngjall dëshira të mira, jep kurajo për t’i realizuar ato).

Veprimtaria e saj, si nënë dhe edukatore e bijave të Institutit dhe e shumë vajzave që do të frekuentonin kolegjin e parë e atë të Nicës, e ka burimin tek kjo dashuri.

Don Bosko, me ndihmën e saj, themelon institutin “Bijat e Marisë Ndihmëtare” në shërbim të të rejave, që ato të jetonin të lumtura, të jetonin të lira sepse në zemër do të kishin Zotin, të mirën e vërtetë…

Ajo, Maria, është e thirrur të jetë Nënë me plot kuptimin e fjalës… Nënë që di të sakrifikojë, që di të qortojë, të dojë, të ngushëllojë, të drejtojë, të ndihmojë e të ecë bashkë me bijat në rrugët e jetës me Zotin përkrah.

Në rrugët e një jete të plotë e të lumtur, sepse lumturia e vërtetë lind nga një paqe e brendshme e nga vetëdija se Zoti është me ne…

Këtë, nënë Mazzarello e kishte jetuar, ndaj diti të ishte Nënë që fal e qorton… Nënë me horizonte të gjëra… e si çdo Nënë kur qe momenti diti të japë edhe jetën për bijat e saja, që të ishin mes rinisë shenjë e dashurisë së Zotit, që ta dëshmonin këtë me jetën e tyre e të drejtonin mijëra e mijëra të rinj e të reja në rrugën e shenjtërisë… pra të lumturisë…