Çfarë është jeta për ne? Si e konceptojmë ne atë? Jeta është jetë, është lëvizje, është dinamike dhe është thelb i çdo gjëje të gjallë. Jeta është gjithçka që na është dhuruar, dhe ne e konceptojmë jetën në mënyra të ndryshme. Kjo dhuratë për ne është shumë e çmueshme dhe me shumë vlerë, sepse na është dhuruar që të jemi të lumtur dhe ta përballojmë atë me të mirat dhe të këqijat që na dhuron. Po të mos kishim jetën bota nuk do të ekzistonte dhe as ne nuk do të ishim. Pa jetë gjithçka do ishte pa vlerë pavarësisht atyre që jeta na sjell, jeta është funksionimi i gjithçkaje.
Por a është jeta një mekanizëm, apo është më tepër? Mendoj se jeta është shumë më tepër se sa funksionimi i nje mekanizmi, sepse një mekanizëm është një term shumë i “vogël” dhe funksional, për një realitet kaq fisnik. Një mekanizëm punon pa ndonje arsye në vete. Mekanizëm mund të quajmë diçka krejt të thjeshtë e njëherësh të përbërë, si p.sh. ora është një mekanizëm shumë i thjeshtë e cila përdoret pothuajse nga të gjithë. Jeta është thelbi i çdo gjëje, e po ashtu jeta është thelbi i botës. Mund të them se jeta është shumë më e madhe se sa funksionimi i një mekanizmi, por mendoj se jeta është vetë një mekanizëm shumë më i madh se mekanizmat e tjerë. Jeta është mekanizmi i botës, funksioni i saj, sepse pa të bota do ishte e pakuptimtë. Por nuk mjafton të themi se ç’është jeta. Jetën duhet të dimë si ta përdorim në mënyrë që ajo të funksionojë sa më mirë duke plotësuar çdo gjë e ndoshta edhe më shumë nga ajo që bën një mekanizëm. Nëse nuk jemi të aftë të dimë se çfarë është një mekanizëm apo çfarë është në përbërjen e tij, nuk do të dimë as të kuptojmë se çfarë është jeta apo si duhet ta jetojmë ne atë që të jemi të lumtur. Ne duhet të jemi të aftë të plotësojmë ato kritere që na duhen për jetën në mënyrë që ato të cilat jeta na sjell dita-ditës të mos na vijnë si të papritura. Nëse jeta është mekanizmi i botës atëherë ne çfarë jemi? Mendoj se jeta është një dinamizëm, pra dinamizmi i botës, dhe ne jemi pjesë e këtij dinamizmi që e bën atë të funksionojë, dhe mendoj se me ndihmën tonë jeta funksionon më së miri. Njeriu është thelbi i jetës dhe jeta është thelbi i gjithçkaje, pra i krejt botës, dhe pa njërën prej tyre nuk do të ishte gjithçka e përsosur, sepse njëra pa tjetrën e ka të pamundur të jetojë.
Por cili është qëllimi ynë? Ne jemi pjesë e funksionimit të këtij mekanizmi sepse jemi ata që e bëjmë atë të funksionojë. Siç e dimë, nëse nuk jemi të aftë, ky mekanizëm nuk do të funksionojë ashtu siç duam, sepse edhe vetë ne jemi pjesë e tij. Nëse ne nuk dimë udhëzuesin e përdorimit të vetes sonë, nuk do dimë as se si ta shtyjmë jetën të funksionojë ashtu siç duam. Jeta, dhe as ne, nuk jemi një mekanizëm çfarëdo, dhe kështu duhet të dimë udhëzuesin e tyre për të qenë të zotët e vetes dhe të jetës sonë. Por ku gjendet jeta në njeriun? Mendoj se jeta gjendet në çdo pjesë të njeriut dhe sidomos në thellësinë e tij të shpirtit. Jeta është e pranishme dhe është prani, në çdo të mirë dhe çdo të keqe që njeriu kalon; ajo i jep mundësi njeriut t’i kalojë vështirësitë që has. Jeta e bën njeriun të përballojë shumë sprova, por gjithashtu jeta është mundësia e njeriut për të arritur lumturinë…atë përtej çdo mekanizmi.
Nga Silvana Smajlaj