Pavarësisht situatës së shkaktuar nga covid-19, që kaluam dhe ende po vijon, ne vendosëm të realizonim edhe këtë vit aktivitetet verore për fëmijët dhe të rinjtë tanë. Reflektuam se pikërisht në këto rrethana që ndodhemi ishte më se e domosdoshme t’i angazhonim ata nëpër aktivitete kulturore, sportive etj… që t’u jepnim atyre pakëz lumturi.
Në Lojërat Verore, përveçse ofrojmë zbavitje, i kushtojmë shumë rëndësi edhe formimit të fëmijëve/të rinjëve. Ndarja në grupe dhe bashkëpunimi, ku secili shprehte mendimin e tij mbi një temë të caktuar, sillte edhe një të mirë ku secili mund të mësonte gjëra të reja, të lidhnin miqësi me njerëz të rinj etj. Para se të fillonim, ne si animatorë u takuam disa herë me Don Gjonin e Motër Violetën, ku menduam temën që do të kishim në këtë hark kohor dhe zgjodhëm “Princi i Vogël” i Antoine de Saint-Exupéry. Gjithashtu vendosëm objektivat që duam të arrijmë dhe si duam t’i realizojmë ato.
Gjithçka u zhvillua në Berdicë të Madhe, pasi kishte një larmishmëri mjedisesh të ndryshme dhe hapësira të mëdha, të cilat i kërkonte vetë situata aktuale. Datat që u zhvilluan lojërat ishin 13 – 25 korrik. Ishin gjithsej rreth 100 fëmijë e të rinj, që morën pjesë jo vetëm nga Berdica e Madhe, por edhe vendet përreth, si: Berdicë e Sipërme, Beltojë dhe Malihebe. Çdo ditë ishte vënë në dispozicion një autobus për ta bërë më të lehtë spostimin për fëmijët duke sfiduar kështu edhe distancën mes këtyre fshatrave për hir të lumturisë së fëmijëve. Morën pjesë fëmijë nga mosha 6-15, ndërsa animatorët ishin nga mosha 15-20. U munduam të gjenim një orar të përshtatshëm për ta, që të mos vuanin vapën e verës, ndaj takoheshim çdo ditë nga ora 16:30-20:00. Ditët që ne zhvillonim lojërat ishin nga e hëna në të shtunë. Çdo ditë kishim një program, ku kishim momente të alternuara ndërmjet formimit, shëtitjeve, aktiviteteve sportive dhe kulturore etj. Nuk mungonin kërcimet dhe pjesë të ndryshme lojërash në skenë apo edhe në oborr. Bënim 2 ose 3 lojëra çdo ditë ku përballeshin 2 skuadra ose të gjitha së bashku, duke bërë kështu që çdo fëmijë të aktivizohej gjithnjë e më shumë. Ajo që nuk mungoi gjatë këtij viti ishte edhe loja e thesarit, ku për një pasdite të tërë fëmijët ishin në kërkim të tij. “Thesari” konsistonte në gjetjen e një objekti (kryq, libër shenjti etj) që ishte fshehur në orator. Të gjitha skuadrat kërkonin kudo për të. Nata finale e lojërave verore ishte më datë 25 korrik, ku secila skuadër, duke u bazuar në temat e formimit të zhvilluara gjatë L.V, do të përfaqësohej me dramë, kërcim apo edhe pjesë humori. Në fund të mbrëmjes nuk munguan as ëmbëlsirat, që i kishin sjellë vetë fëmijët për t’i bashkëndarë me prindërit e të gjithë të pranishmit. Në fytyrën e çdo fëmije shihje gëzim dhe në të njëjtën kohë nostalgji, pasi përvojën e kaluar së bashku çdo fëmijë do donte ta zgjaste në kohë atë. Prindërit nuk reshtnin së falënderuari për çka ju është ofruar fëmijëve të tyre.
Së fundmi, dua ta përmbyll këtë artikull duke falënderuar në emër të të gjithë animatorëve, protagonistët që ndihmuan në realizimin e kësaj përvoje.
Duam të falënderojmë Zotin në radhë të parë për praninë e tij që e ka treguar në fytyrat e gëzuara të çdo fëmije, në angazhimin e secilit për të bërë të lumtur tjetrin, në çdo gjë të bukur që kemi jetuar, pasi vetëm nga ai rrjedh gëzimi, e bukura dhe harmonia. Këto tri gjëra nuk kanë munguar asnjëherë, pavarsisht çdo gjëje.
Falënderojmë të gjithë ata njerëz që ditën e bëjnë më të bukur me praninë e tyre e të tillë kanë qenë të shumtë.
Falënderojmë Don Boskon, që ne të rinjve, na mbështeti dhe na e hapi rrugën e lumturisë sonë nëpërmjet karizmës saleziane.
Falënderojmë Oratorin, që gjithmonë ka qenë, është, dhe jam e sigurt që do të vazhdojë të jetë vendi ku ne marrim shumë vlera.
Falënderojmë Motër Violetën dhe Don Gjonin, që gjithmonë kanë qenë me ne dhe na kanë mbështetur në çdo gjë e nuk ka munguar lutja e tyre ndaj nesh.
Falënderojmë animatorët për punën e palodhur të tyre, që gjithmonë kanë qenë të gatshëm në çdo moment për e me fëmijët.
Falënderojmë prindërit, që na i besuan fëmijët e tyre duke na mundësuar kështu të jemi pjesë e kësaj pëvoje të paharruar…
Faleminderit të gjithëve!
Shihemi sërish në vitin 2021!
Pushime të mbara për të gjithë ju!
Gabriela Pashuku (animatore)
Kopjoni linkun për të parë videon
https://drive.google.com/file/d/1we3A_MBOtB7T3D5xyFdncu2vtdm6yNVf/view?usp=sharing