Ditar i Asamblesë së 89-të Përgjithshme të CEEC (Komisioni Evropian i Edukimit Katolik)

DBR-së. Papa të rinjve: mund ta bëni botën më pak mizore e më shumë njerëzore
23/03/2017
Ashtu si Pjetri nën shikimin e Jezusit!
19/04/2017

Ditar i Asamblesë së 89-të Përgjithshme të CEEC
(Komisioni Evropian i Edukimit Katolik)
Tiranë, 24-25 mars 2017

Prej shumë vitesh Komisioni ynë i edukimit katolik i drejtuar nga Imzot Massafra, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë ka marrë pjesë në Asambletë e Komisionit Evropian të edukimit katolik si i ftuar. Duke qenë se nga 2 prill të vitit 2016 Shqipëria është anëtarësuar në këtë CEEC (Komisioni Evropian për Edukimin Katolik), me të drejta të plota, Asambleja tij e zakonshme e 89-të për herë të parë u zhvillua në Shqipëri. Pikërisht në datat me datat 24 dhe 25 Mars 2016 në Tiranë.
Ashtu si në shumë vende të tjera të Evropës ku dy herë në vit zhvillohet Asambleja e Përgjithshme, edhe Asambleja e Shqipërisë, ishte përveç të tjerash dhe një mundësi për të njohur realitetit e vendit në lidhje me edukimin, sistemin arsimor si dhe sfidat e tij.
24 mars 2017
Në paraditen e të premtes me 24 mars, iu dha shumë hapësirë paraqitjes së Edukimit Katolik në Shqipëri nga ana e Komisionit tonë; duke filluar me historinë, statistikat aktuale, dhe sfidat respektivisht Atë Ronny D’alessio, Mirela Dautaj, motër Teuta Buka. Interesi i Asamblesë ishte shumë i gjallë sidomos për kontekstin tonë multi-fetar dhe të gjithë antëtarët e komisionit tonë plotësuan kuadrin e edukimit katolik në Shqipëri. Pjesa e dytë e paradites u fokusua mbi lirinë e zgjedhjes së edukimit nga ana e familjes, mbi shkollën si vend i rritjes edhe në dialog ndër- fetar duke vijuar me dëshmi të ndryshme nga vende të tjera të Evropës, Portugalia, Norvegjia, Holanda, etj.
Pasditja e datës 24 ishte e menduar nga CEEC dhe Komisioni ynë si një bisedë njohjeje mes autoriteteve të ministrisë së arsimit dhe Komisionit Evropian. Nga Ministria e arsimit ishte i pranishëm Zoti Pëllumb Karameta, këshilltar i ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Ishte kënaqësi të kishim mes nesh përveç Imzot Massafrës edhe Arqipeshkvin e Dioqezës Tirane e Durrës Imozt Frendon si dhe te ngarkuarin me punë në Nunciaturën apostolike Imzot Romano Mbena si prove e vullnetit të Kishës për ta venë Edukimin e brezit të ri në qendër të zemrës dhe misionit të saj ungjillëzues.
Pas prezantimit të Zotit Guy Selderlagh, Sekretarit të Përgjithshëm të CEEC, mbi Edukimin Katolik në Evropë (që përqafon 8 milion nxënës), dhe pas ndërhyrjes së Zotit Karameta mbi sistemin Shkollor të Shqipërisë dhe sfidat e tij, vijoi një dialog me pjesëmarrësit. Përveç Komisionit tonë Kombëtar ishin edhe drejtuesit e shkollave dhe kopshteve tona, ekspertët në proceset që Komisioni ka ndërmarrë: si të konsulencës juridike, ekonomike, të rishikimit të programeve dhe teksteve shkollore.
Është afër mendsh që në kaq pak kohë bisede nuk nxirren konkluzione dhe as objektivi i sesionit të hapur nuk ishte ky, por mund të themi se në diskutimet që vijuan Ministria konfirmoi vullnetin e saj të vlerësojë burimet njerëzore dhe shpirtërore të rrjetit të shkollave tona, duke ia njohur vetes njëfarë padije në lidhje me pasurinë që rrjeti ynë përfaqëson dhe me pasionin me të cilin i dedikohet edukimit pa lënë mënjanë asnjë hallkë të tij. Natyrisht edhe propozimi i Komisionit Evropian CEEC, në lidhje me mbështetjen e ekonomike që shteti, ashtu se shumicën e vendeve të Evropës, mund të japë për pagesën e mësuese të shkollave katolike, duke ia njohur atyre shërbimin publik që bëjnë dhe njëkohësisht duke i garantuar qytetarëve të vet lirinë e zgjedhjes, mbetet akoma pa përgjigje, por edhe nuk mund të konsiderohet si një argument që nuk mund të shikohet e diskutohet në një të ardhme jo të largët.

Vizita në Shkodër që vijoi në ditën e dytë pas agjendës së mëngjesit pati disa etapa. Së pari ish hetuesia pastaj burgu dhe pastaj muzeu Dioqezan. Këto vizita u dhanë miqve tanë mundësinë për njohur periudhën e persekutimit komunist në mënyrë të veçantë egërsinë e persekutimi ndaj Kishës Katolike. Njohja me figurat e martirëve dhe historisë sonë, qenë për shumicën e anëtarëve të CEEC një mundësi unike për të prekur me dorë fenë e fortë të popullit tonë, dhe kontributin që ka dhënë e jep besimi i krishterë për mbijetesën e begatinë e Kishës dhe të kombit tonë. Në fund vizita tek ish Kolegja Saveriane, sot Gjimnazi Atë Pjetër Mëshkalla, na mbushi me shpresë për të ardhmen. Të shoqëruar nga ish nxënësit e kësaj shkolle miqtë e CEEC konstatuan se fara e mbjellë edhe pse duket se vdes, lulëzon, ndodh kështu me çdo realitet njerëzor që është i rrënjosur në Krishtin.
Nuk mund ta mbyll pa një falënderim;
Për Imzot Massafrën, për gjithë mbështetjen që na ka dhënë ne dhe shkollave tona përherë duke nxitur bashkëpunimin dhe ndihmën mes nesh. Për të gjithë drejtuesit, mësuesit e bashkëpunëtorët e shkollave tona. Për organizatën Renovabis, për mbështetjen e saj për edukimin katolik në Shqipëri dhe për organizimin e këtij eventi ne veçanti.
Një premtim

Formalizimi juridik i rrjetit tonë që ka qëllimin vetëm për të dhënë një kontribut sa më cilësor në misionin tonë të përbashkët që është edukimi në vlera të vërteta njerëzore të brezit të ardhshëm, do të jetë hapi i radhës që puna jonë të konsolidohet e të lulëzojë në të mirë të brezave të ardhshëm, të Kishës sonë dhe të Vendit tonë.

Motër Teuta Buka
Koordinatore e Komisionit Kombëtar të Edukimit Katolik Shqiptar

Comments are closed.