Çfarë nuk duhet të ndodhë në Shtator 2020?

Berdicë
Fytyra plot gëzim – Berdicë 2020
08/08/2020
moter teuta

Çfarë nuk duhet të ndodhë në Shtator 2020?

Ka më shumë se një muaj që më mundojnë pyetje si këto: A do të kthehen fëmijët në shkollë në shtator? A do të kthehen të gjithë fëmijët në shkollë? Cilat do të jenë udhëzimet e Ministrisë së Arsimit? Po sikur fëmijët të kthehen vetëm ndonjë ditë në javë në shkollë? Çfarë do të bëjnë ata në kohën e mbetur? po familjet e tyre?

Imagjinoj zhgënjimin e fëmijëve, trishtimin e tyre, mërzinë e të qëndruarit para një celulari e në rastin me të mirë para një kompjuteri për të marrë detyrat e radhës. Imagjinata kthehet në makth… I shoh të orientohen me vështirësi në të ardhmen, i shoh të vetmuar dhe të vështirë në marrëdhëniet me të tjerët, por është imagjinatë i them vetes… Në të, natyrisht, janë jashtë prindërit. Pasi nuk kam si të imagjinoj që ata do të rrinë duarkryq duke pësuar vendimet nga lart, pikërisht për një gjë në të cilën vetë ata janë përgjegjësit e parë: Edukimi i fëmijëve të tyre. Ndaj po pres të shoh reagimin e prindërve, paçka se janë pushimet verore. Ditët po kalojnë shpejt. Pres t’i shoh aktivë dhe këmbëngulës për t’i kërkuar shtetit që arsimimi dhe edukimi i çdo fëmije të jetë prioritet dhe që shëndeti i tyre të jetë sa më i tuteluar.

Pas këtij udhëtimi “virtual” mes imagjinares dhe shqetësimit ç’më mbetet të them… Duke mos ditur çfarë do të ndodhë në Shtator të paktën jam e sigurt për atë çfarë nuk duhet të ndodhë: Nuk duhet të ndodhë që fëmijët të mos shkojnë çdo ditë dhe të gjithë në shkollë; nuk duhet të ndodhë që të shkojnë në shkolla pa masa sigurie, Nuk duhet të ndodhë më të marrin detyrat nga Whatsappi dhe të dalin statistikat e larta të realizimit të mësimit online

Ne motrat saleziane bashkë me rrjetin e edukimit katolik që përfshin 8200 nxënës, gjatë këtyre dy muajve, kemi hartuar propozime konkrete edhe për Ministrinë. Jemi treguar të gatshëm si rrjet të ulemi bashkë me prindër e me aktorë të ndryshëm në edukim në tryeza pune që të bashkëndajmë propozimet tona, të rrahim mendime, të gjejmë rrugët për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe t’i konkretizojmë ato. Natyrisht çdo zgjidhje konkrete do shoqërohet me faturën e vet, por fatura më e lartë që duhet të evitojmë është braktisja, mos shkollimi dhe mos edukimi i fëmijëve tanë.

Përpara këtij rreziku shteti nuk duhet të ngurrojë të investojë me çdo përpjekje dhe me buxhet të shtuar, pa përjashtuar as institucionet private, tani, jo më vonë!

Ne si shoqëri: edukatorë, prindër, institucione, nuk mund të dorëzohemi pa bërë të pamundurën që çdo fëmijë të kthehet në shkollë, edhe në Kushtet e Pandemisë Covid-19. Edukimi është e drejta e tyre themelore që duhet t’u garantohet.

Koha na thërret t’i përgjigjemi kësaj sfide, ndaj sa më shumë të shtyhen vendimet aq më vështirë është të përmbushim detyrimet tona ndaj së ardhmes. Neve na takon përgjigja në këtë moment historik, ndaj vendimet duhen marrë që edhe masat të jenë të mundshme dhe të realizueshme, që çdo institucion arsimor por edhe familjet të orientohen. Në fakt jo vetëm institucioneve u duhet të riorganizohen edhe familjeve u nevojitet programim për të riorganizuar jetën në varësi të orareve të fëmijëve dhe nevojave të tyre.

Duke ditur çfarë nuk duam t’u ndodhë fëmijëve tanë në shtator, mund të gjejmë bashkë rrugët tani, jo më vonë!

Ah, pyetja e fundit: vërtet duam të gjithë që fëmijët të jenë të gjithë në shkollë në shtator?

Motër Teuta Buka FMA

 

Comments are closed.