Ushtrimet shpirtërore të cilat u zhvilluan në Karmel (Nënshat) më 07-09/04/2017 për postuniversitarët ishte një propozim i bërë për herë të parë nga Lrs-ja (Lëvizja Rinore Saleziane). Grupi ishte i vogël në numër, por pasurues në shpirt. Ishim 10 persona nga oratoret tona dhe dy udhëheqësit Padër Adolfo Scandurra dhe mt. Mimoza Paluca. Tema e këtyre ushtrimeve jo pa qëllim ishte: Në udhëtim me Pjetrin! Meditimi, lutja, adhurimi, rrëfimi kanë qënë miqtë tanë më të ngushtë në këta dy netë e tre ditë.
Shikimi ynë ishte i përqëndruar mbi Pjetrin, por jo vetëm. Në pasigurinë e jetës një gjë është e sigurtë “UNË KAM URI”. Duhet të zbulojmë për çfarë kemi uri, cilat janë uritë e mia më të mëdha? A është urgjente uria jonë? Të zbuloj se vërtetë kam shumë uri dhe se uria është kaq shumë urgjente saqë mund të them si Jezusi në kryq “KAM ETJE”. Etje për Jezusin e gjallë, etje për të jetuar me të, etje për të ecur përkrah tij.
Të gjithë e dimë që Pashkë do të thotë kalim, kështu kemi bërë dhe ne: jemi munduar me forcën e Shpirtit Shenjt për të parë jetën tonë nën shikimin e Jezusit. Për të bërë kalimin e jetës sonë nga jeta e vjetër në jetën e re nuk është e mundur në rradhë të parë që të bëhet vetëm. Atëherë ku mund ta gjejmë forcën o Zot? Sigurisht që vetëm në TY. Për të bërë këtë kalim atëherë jetën tonë e kemi konsideruar si një trailer ose më mirë të themi si një film me metrazh të shkurtër. Regjisori i këtij filmi është Jezusi. Gjithçka është në dorën time nëse dua apo jo ta lejoj Jezusin ta realizojë jetën time apo ndoshta mua më pëlqen të rri e strukur në strofullën time dhe të mendoj në egoizmin tim vetëm për veten time. Dështimi më i keq është të jetosh për jetën natyrore, për strofullën tënde. Atëherë pse Jezusi ka vdekur për mua përderisa unë nuk kam nevojë për një shpëtimtar? Mëkati është i lidhur shumë ngushtë me lumturinë dhe derisa ne kuptojmë qëllimin e jetës sonë nuk jemi të liruar nga vdekja. Lindja e parë vërtetë ka ndodhur pa pëlqimin tim ndërsa lindja e dytë “RINGJALLJA” do të ndodh me pëlqimin tim dhe për këtë ka vdekur Krishti, për mua.
Po si ta bëjmë këtë kalim nga jeta në vdekje, nga jeta e vjetër në jetën e re dhe si ta jetojmë ringjalljen në jetën e përditshme? Pjetri dhe Juda saqë kanë ngjashmëri me njëri-tjetrin aq kanë dhe ndryshim. Të bëhemi dhe ne si Pjetri, të lejojmë Jezusin që me shikimin e Tij të përditshëm të ndryshoj rrënjësisht gjithë jetën tonë. Të lejojmë që ringjallja e të dielës së Pashkëve të jetë në çdo moment me ne. Edhe pse shpesh mendojmë se ne duhet të fitojmë, të triumfojmë para të tjerëve me drejtësinë tonë, me një shpresë që shpesh bëhet peshë më shumë se lehtësim për të tjerët. Atëherë ta lejojmë Jezusin e ringjallur që çdo ditë të jetës sonë të eci bashkë me ne që çdo ditë të jetë vdekje e të keqes dhe mëkatit dhe ringjallje e jetës dhe lumturisë.
Nga Matilda Doçi