MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT
PËR DITËN XXXVII BOTËRORE TË RINISË 2022-2023
«Maria u nis me nxitim» (Lk 1,39)
Shumë të dashur të rinj!
Tema e DBR në Panama ishte: «Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti» (Lk 1,38). Pas asaj ngjarjeje kemi rifilluar rrugën drejt një caku të ri – Lisbona 2023 – duke lënë të jehojë në zemrat tona ftesa nxitëse e Hyjit për t’u çuar. Në vitin 2020 kemi medituar mbi fjalën e Jezusit: «Djalosh, ty po të them: çohu!» (Lk 7,14). Vitin e kaluar na ka frymëzuar figura e Shën Palit apostull, të cilit Zotëria i Ringjallur i tha: «Çohu! Dua të të bëj dëshmitar të këtij vegimi» (krh. Vap 26,16). Në kohën që ende na mungon për të arritur në Lisbonë do të ecim së bashku me Virgjrën e Nazaretit që, menjëherë pas lajmërimit, «u nis me nxitim» (Lk 1,39) për të shkuar e për të ndihmuar kushërirën Elizabetë. Folja e përbashkët e tri temave është çohem, shprehje që – është mirë ta kujtojmë – merr edhe domethënien e “ringjalljes”, “rizgjimit në jetë”.
Në këto kohë të fundit kaq të vështira, në të cilat njerëzimi, tashmë i vënë në provë prej traumës së pandemisë, torturohet prej dramës së luftës, Maria rihap për të gjithë dhe veçanërisht për ju, të rinj sikurse ajo, rrugën e afërsisë dhe të takimit. Shpresoj, dhe besoj fort, se përvoja që shumë prej jush do të jetojnë në Lisbonë në gushtin e vitit të ardhshëm do të përfaqësojë një fillim të ri për ju të rinjtë dhe – bashkë me ju – për gjithë njerëzimin.
Maria u çua
Maria, pas lajmërimit do të kishte mundur të përqendrohej në vetveten, në shqetësimet dhe në druajtjet e shkaktuara prej gjendjes së vet të re. Por jo, ajo i beson tërësisht Hyjit. Mendon për Elizabetën. Çohet dhe del në dritën e diellit, ku ka jetë e lëvizje. Pavarësisht se lajmi tronditës i engjëllit ka shkaktuar një “tërmet” në planet e saj, e reja nuk e lë veten të paralizohet, sepse brenda saj është Jezusi, fuqia e ringjalljes. Brenda vetes tashmë bart Qengjin e Flijuar por gjithmonë të gjallë. Çohet dhe vihet në lëvizje, sepse është e sigurt se planet e Hyjit janë projekti më i mirë i mundshëm për jetën e saj. Maria bëhet tempull i Hyjit, shëmbëlltyrë e Kishës në ecje, Kishë që del dhe vihet në shërbim, Kishë bartëse e Lajmit të Mirë!
Të përjetojmë praninë e Krishtit të ringjallur në jetën tonë, ta takojmë atë “të gjallë”, është gëzimi shpirtëror më i madh, një shpërthim drite që nuk mund ta lërë “të ndalur” askënd. Vë menjëherë në lëvizje dhe nxit për t’ua çuar të tjerëve këtë lajm, për të dëshmuar gëzimin e këtij takimi. Është ajo që frymëzon nxitimin e nxënësve të parë ditët pas ringjalljes: «Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij» (Mt 28,8).
Tregimet e ringjalljes përdorin shpesh dy folje: zgjohem dhe çohem. Me to Zotëria na nxit të dalim drejt dritës, të lejojmë që Ai të na prijë për të kapërcyer pragun e të gjitha dyerve tona të mbyllura. «Është një shëmbëlltyrë domethënëse për Kishën. Edhe ne, si nxënës të Zotërisë dhe si Bashkësi e krishterë jemi të thirrur të çohemi me nxitim për të hyrë në dinamizmin e ringjalljes dhe për të lejuar që Zotëria të na prijë në rrugët që Ai dëshiron të na tregojë» (Homelia në të Kremten e Shën Palit e Pjetrit, 29 qershor 2022).
Nëna e Zotit është model i të rinjve në lëvizje, jo të palëvizur para pasqyrës duke soditur imazhin e vet apo “të zënë në kurth” prej rrjeteve. Ajo është krejt e projektuar përjashta. Është gruaja pashkore, në një gjendje të përhershme daljeje, daljeje prej vetvetes drejt Tjetrit të madh që është Hyji dhe drejt të tjerëve, vëllezërve e motrave, sidomos atyre më nevojtarë, siç ishte kushërira Elizabetë.
… u nis me nxitim
Shën Ambrozi i Milanos, në komentin e tij të Ungjillit të Lukës, shkruan se Maria u nis me nxitim drejt malit «sepse ishte e gëzuar prej premtimit dhe plot me dëshirën që të kryente devotshmërisht një shërbim, me hovin që i vinte prej gëzimit të brendshëm. Tashmë, e mbushur me Hyjin, ku mund të nxitonte të shkonte përveçse drejt së larti? Hiri i Shpirtit Shenjt nuk duron ngadalësi». Prandaj nxitimi i Marisë është kujdes i shërbimit, i lajmit të gëzueshëm, i përgjigjes së gatshme ndaj hirit të Shpirtit Shenjt.
Maria ka pranuar t’i përgjigjet nevojës së kushërirës së vet të moshuar. Nuk është tërhequr prapa, nuk ka qëndruar indiferente. Ka menduar më shumë për të tjerët se sa për vetveten. Dhe kjo i ka dhënë dinamizëm e entuziazëm jetës së saj. Secili prej nesh mund të pyesë veten: si reagoj përballë nevojave që shoh përreth meje? A mendoj menjëherë për një justifikim që të mos angazhohem, apo interesohem dhe bëhem i gatshëm? Sigurisht, nuk mund t’i zgjidhni të gjitha problemet e botës. Por ndoshta mund të filloni prej problemeve të atyre që i keni më afër, prej çështjeve të territorit tuaj. Një herë i kanë thënë Nënë Terezës: “Ajo që bëni ju është vetëm një pikë në oqean”. Dhe ajo është përgjigjur: “Por po të mos e bëja, oqeani do të kishte një pikë më pak”.
Para një nevoje konkrete e urgjente, duhet të veprojmë me nxitim. Sa persona në botë presin një vizitë të dikujt që të kujdeset për ta! Sa të moshuar, të sëmurë, të burgosur, refugjatë kanë nevojë për vështrimin tonë plot dhembshuri, për vizitën tonë, për një vëlla apo një motër që i kapërcen barrierat e indiferencës!
Cilat “nxitime” ju bëjnë të lëvizni, të dashur të rinj? Çfarë ju bën të ndieni nevojën e ngutshme për të lëvizur, aq sa të mos mundeni të rrini ndalur? Shumë vetë – të goditur nga realitete si pandemia, lufta, migrimi i detyruar, varfëria, dhuna, fatkeqësitë klimatike – shtrojnë pyetjen: pse më ndodh kjo? Pse pikërisht mua? Pse tani? E atëherë pyetja qendrore e ekzistencës sonë është: për kë jam unë? (krh. Nxit. ap. passinodale Christus vivit, 286).
Nxitimi i gruas së re të Nazaretit është nxitimi karakteristik i atyre që kanë marrë dhurata të jashtëzakonshme të Zotit dhe nuk mund të mos bashkëndajnë, nuk mund të mos bëjnë të vërshojë hiri i pamasë që kanë përjetuar. Është nxitimi i atij që di t’i vërë nevojat e tjetrit mbi nevojat e veta. Maria është shembulli i të riut që nuk humb kohë duke kërkuar vëmendjen apo miratimin e të tjerëve – siç ndodh kur varemi prej “like”-ve në rrjetet sociale –, por lëviz për të kërkuar lidhjen më të njëmendtë, atë që vjen prej takimit, prej bashkëndarjes, prej dashurisë dhe prej shërbimit.
Që prej lajmërimit e më tutje, që kur për herë të parë është nisur për të shkuar e vizituar kushërirën e vet, Maria nuk resht së përshkuari hapësira e kohë për të vizituar bijtë e saj që kanë nevojë për ndihmën e saj të kujdesshme. Ecja jonë, nëse banohet prej Hyjit, na çon drejt e në zemrën e çdo vëllai dhe motrës sonë. Sa dëshmi na vijnë prej personave “të vizituar” nga Maria, Nëna e Jezusit dhe Nëna jonë! Në sa vende të humbura të tokës, gjatë shekujve – me dëftime apo hire të veçanta – Maria e ka vizituar popullin e vet! Praktikisht nuk ekziston vend në këtë tokë që të mos jetë vizituar prej Saj. Nëna e Hyjit ecën në mes të popullit të vet, e nxitur nga një ëmbëlsi e kujdesshme, dhe merr mbi vete ankthe e halle. Dhe kudo ku ka një shenjtërore, një kishë, një kapelë të kushtuar asaj, bijtë e saj shkojnë atje të shumtë. Sa shprehje të përshpirtërisë popullore! Shtegtimet, festat, lutjet, pritjet e figurave në shtëpi dhe shumë gjëra të tjera janë shembuj konkretë të marrëdhënies së gjallë mes Nënës së Zotit dhe popullit të saj, që vizitojnë njëri-tjetrin!
Nxitimi i mirë na shtyn gjithmonë drejt së larti dhe drejt tjetrit
Nxitimi i mirë na shtyn gjithmonë drejt së larti dhe drejt tjetrit. Por ekziston edhe nxitimi jo i mirë, si për shembull ai që na bën të jetojmë në mënyrë sipërfaqësore, ta marrim gjithçka me lehtësi, pa angazhim e pa vëmendje, pa marrë pjesë me të vërtetë në gjërat që bëjmë; nxitimi i atyre rasteve kur jetojmë, studiojmë, punojmë, frekuentojmë të tjerët pa përdorur kokën e aq më pak zemrën. Mund të ndodhë në marrëdhëniet ndërpersonale: në familje, kur nuk i dëgjojmë kurrë me të vërtetë të tjerët dhe nuk u kushtojmë atyre kohë; në miqësitë, kur presim që një mik të na bëjë të zbavitemi dhe t’u përgjigjet nevojave tona, por menjëherë e shmangim dhe shkojmë te një tjetër nëse shohim se është në krizë dhe ka nevojë për ne; e, edhe në marrëdhëniet afektive, mes të fejuarve, pak vetë kanë durimin të njihen e të kuptohen në thellësi. Po këtë qëndrim mund ta kemi në shkollë, në punë dhe në fusha të tjera të jetës së përditshme. E pra, të gjitha këto gjëra të jetuara me nxitim vështirë se do të sjellin fryt. Ekziston rreziku që të mbeten të shterpëta. Kështu lexohet në librin e Fjalëve të urta: «Synimet e të kujdesshmit gjithmonë shpien në mbushulli, kurse kush ngutet – nxitimi i keq – mbetet në skamje» (21,5).
Kur Maria më në fund arrin në shtëpinë e Zakarisë dhe Elizabetës, ndodh një takim i mrekullueshëm! Elizabeta ka përjetuar në veten e vet një ndërhyrje të mrekullueshme të Hyjit, që i ka dhënë një fëmijë në moshën e tretë. Do të kishte të gjitha arsyet që të flasë më parë për vetveten, por nuk është e mbushur me vetveten, është e prirur të presë kushërirën e re dhe frytin e kraharorit të saj. Sapo dëgjon përshëndetjen e saj, Elizabeta mbushet me Shpirtin Shenjt. Këto befasi dhe vërshime të Shpirtit ndodhin kur jetojmë një mikpritje të vërtetë, kur në qendër vëmë mysafirin, jo vetveten. Është ajo që shohim edhe në historinë e Zakeut. Tek Luka 19,6 lexojmë: «Kur Jezusi erdhi në atë vend [ku gjendej Zakeu], shikoi përpjetë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde”. Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim».
Shumë prej nesh na ka ndodhur që, papritmas, Jezusi na ka dalë përpara: për të parën herë, në Të kemi përjetuar një afërsi, një respekt, një mungesë paragjykimesh e dënimesh, një vështrim mëshire që nuk e kishim takuar kurrë më parë në të tjerët. Jo vetëm kaç, kemi dëgjuar edhe se Jezusit nuk i mjaftonte të na vështronte prej larg, por donte të rrinte me ne, donte të bashkëndante jetën e vet me ne. Gëzimi i kësaj përvoje ka ngjallur në ne nxitimin për ta mirëpritur, nevojën e ngutshme për të qëndruar me Të e për ta njohur më mirë. Elizabeta e Zakaria kanë mikpritur Marinë dhe Jezusin! Le ta mësojmë prej këtyre dy të moshuarve domethënien e mikpritjes! Pyetni prindërit tuaj dhe gjyshërit tuaj, si dhe anëtarët më të moshuar të bashkësive tuaja, çfarë do të thotë për ta të jenë mikpritës ndaj Hyjit dhe ndaj të tjerëve. Do t’ju bëjë mirë të dëgjoni përvojën e atyre që ju kanë paraprirë.
Të dashur të rinj, është koha të rinisemi me nxitim drejt takimeve konkrete, drejt një mirëpritjeje reale të atyre që janë të ndryshëm prej nesh, siç ka ndodhur mes Marisë së re dhe Elizabetës së moshuar. Vetëm kështu do t’i kapërcejmë distancat – mes brezave, mes klasave shoqërore, mes etnive, mes grupeve e kategorive të çdo lloji – si edhe luftërat. Të rinjtë janë gjithmonë shpresë e një bashkimi të ri për njerëzimin e fragmentizuar e të ndarë. Por vetëm nëse kanë kujtesë, vetëm nëse i dëgjojnë dramat e ëndrrat e të moshuarve. «Nuk është e rastësishme që lufta është kthyer në Europë në momentin në të cilin brezi që e ka jetuar atë në shekullin e kaluar është duke u zhdukur» (Mesazhi për Ditën II Botërore të gjyshërve dhe të të moshuarve). Ka nevojë për aleancën mes të rinjve e të moshuarve, për të mos i harruar mësimet e historisë, për të kapërcyer polarizimet dhe ekstremizmat e kësaj kohe.
Duke u shkruar Efezianëve, Shën Pali shpallte: «Në Jezu Krishtin, ju që ishit ‘larg’ erdhët ‘afër’ – në saje të gjakut të Krishtit. Përnjëmend Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës domethënë armiqësinë – në trupin e vet» (2,13-14). Jezusi është përgjigjja e Hyjit përballë sfidave të njerëzimit në çdo kohë. Dhe këtë përgjigje, Maria e bart brenda vetes kur shkon te Elizabeta. Dhurata më e madhe që Maria i bën kushërirës së moshuar është se i çon Jezusin. Sigurisht edhe ndihma konkrete është shumë e çmueshme. Por asgjë nuk do të kishte mundur ta mbushte shtëpinë e Zakarisë me një gëzim kaq të madh e me një kuptim kaq të plotë sa prania e Jezusit në kraharorin e Virgjërës, që ishte bërë tabernakulli i Hyjit të gjallë. Në atë krahinë malore Jezusi, vetëm me praninë e vet, pa thënë asnjë fjalë, bën “fjalimin në mal” të parë: shpall në heshtje lumturinë e të vegjëlve dhe të të përvuajturve që ia besojnë veten mëshirës së Hyjit.
Mesazhi im për ju të rinj, mesazhi i madh që e bart Kisha, është Jezusi! Po, Ai vetë, dashuria e tij e pafundme për secilin prej nesh, shpëtimi i tij dhe jeta e re që na ka dhënë. Dhe Maria është modeli i asaj se si duhet ta pranojmë këtë dhuratë të pafundme në jetën tonë dhe t’ua komunikojmë të tjerëve, duke u bërë edhe vetë bartës të Krishtit, bartës të dashurisë së tij të dhimbshme, të shërbimit të tij bujar ndaj njerëzimit që vuan.
Të gjithë së bashku në Lisbonë!
Maria ishte një vajzë si shumë prej jush. Ishte një nga ne. Kështu shkruante për të ipeshkvi Tonino Bello: «Shenjtja Mari, […] e dimë mirë se ke qenë e përcaktuar për lundrime të vështira. Por nëse të detyrojmë të lundrosh afër bregut, nuk e bëjmë këtë sepse duam të të ulim në nivelet lundrimit tonë të vogël. E bëjmë sepse, duke të të parë kaq afër brigjeve të shkurajimit tonë, të mund të bëhemi të vetëdijshëm se jemi të thirrur edhe ne që të guxojmë, sikurse ti, të hyjmë në oqeanet e lirisë» (Maria grua e ditëve tona, San Paolo, Cinisello Balsamo 2012, 12-13).
Nga Portugalia, siç kam kujtuar në Mesazhin e parë të kësaj trilogjie, në shekujt XV e XVI shumë të rinj – mes të cilëve shumë misionarë – janë nisur drejt botëve të panjohura, edhe për të bashkëndarë përjetimin e tyre të Jezusit me popuj e kombe të tjera (krh. Mesazhi DBR 2020). Dhe kësaj toke, në fillim të shekullit XX secolo, Maria ka dëshiruar t’i bëjë një vizitë të veçantë, kur nga Fatima u ka drejtuar të gjithë brezave mesazhin e fuqishëm e të mrekullueshëm të dashurisë së Hyjit që thërret në kthim, në liri të vërtetë. Secilit dhe secilës prej jush ia përtërij ftesën time të zjarrtë për të marrë pjesë në shtegtimin e madh ndërkontinental të të rinjve që do të kulmojë në DBR të Lisbonës në gusht të vitit të ardhshëm; dhe ju kujtoj se 20 nëntorin që vjen, e Kremtja e Krishtit Mbret, do të kremtojmë Ditën Botërore të Rinisë në Kishat e veçanta të përhapura në të gjithë botën. Në lidhje me këtë, dokumenti i kohëve të fundit i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën – Orientime baritore për kremtimin e DBR në Kishat e veçanta – mund të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë personat që veprojnë në baritoren rinore.
Të dashur të rinj, ëndërroj që në DBR të mund të përjetoni përsëri gëzimin e takimit me Hyjin dhe me vëllezërit e motrat. Pas periudhave të gjata të largësisë dhe izolimit, në Lisbonë – me ndihmën e Hyjit – do të rigjejmë së bashku gëzimin e përqafimit vëllazëror mes popujve dhe mes brezave, përqafimin e pajtimit e të paqes, përqafimin e një vëllazërie të re misionare! Shpirti Shenjt ndeztë në zemrat tuaja dëshirën për t’u çuar dhe gëzimin për të ecur të gjithë së bashku, në stil sinodal, duke i braktisur kufijtë e rremë. Koha për t’u çuar është tani! Le të çohemi me nxitim! Dhe sikurse Maria le ta bartim Jezusin brenda vetes për t’ua komunikuar të gjithëve! Në këtë periudhë shumë të bukur të jetës suaj, ecni përpara, mos e shtyni për më vonë atë që Shpirti mund të kryejë në ju! Me gjithë zemër i bekoj ëndrrat tuaja dhe hapat tuaj.
Romë, Shën Gjoni në Lateran, 15 gusht 2022, E kremtja e Të ngjiturit të Zojës në qiell
FRANÇESKU