tregim 10 diamantat
Teater, 10 diamantet
12/01/2017
Letër e Papës drejtuar të rinjëve
Të dashur të rinj … ju mund të ndërtoni një botë më të mirë
14/01/2017
sistemi parandalues

Sistemi Parandalues

MB XII 918-923
Sistemi preventiv në edukimin e të rinjve

Shpesh herë më është kërkuar të shkruaj disa mendime mbi sistemin parandalues, që përdoret në shtëpitë tona. Për mungesë të kohës, nuk kam pasur mundësi t’jua realizoj këtë dëshirë, e tani duke dashur ta botoj rregulloren që përdoret zakonisht në shtëpitë tona, e shoh të nevojshme të them diçka, por që do të jetë si fillim i një vepre të vogël që jam duke përgatitur, në qoftë se Zoti më jep jetën në mënyrë që të arrij ta përfundoj, e këtë vetëm për të t’i ardhur në ndihmë artit të vështirë të edukimit të rinisë. Do të them pra se çfarë është sistemi parandalues, dhe pse duhet të parapëlqehet, aplikimi i tij praktik dhe avantazhet që sjell.

I. Çfarë është sistemi Parandalues e pse duhet të preferohet.
Dy janë sistemet që gjithmonë janë përdorur në edukimin e rinisë: Parandalues e Shtypës.
Sistemi shtypës qëndron në njohjen e vartësve me ligjet, dhe të vigjilojë që të zbulojë kush i shkel ato dhe kështu të caktojë, aty ku është e nevojshme, dënimin e merituar. Në këtë sistem fjalët dhe paraqitja e superiorit duhet të jenë gjithmonë të ashpra, në fakt kërcënuese, dhe ai vetë duhet të largojë çdo familjaritet me vartësit.
Drejtori, për të bërë që të rritet autoriteti i vet, duhet të rrijë rrallë më vartësit e vet dhe për më tepër vetëm atëherë kur bëhet fjalë për të dënuar ose për të kërcënuar.
Ky sistem është i thjeshtë, jo shumë i lodhshëm sidomos i përdorshëm në fushën ushtarake dhe në përgjithësi mes personave të rritur, të cilët e dinë vetë e kujtohen për ligjet dhe rregullat.
Ndryshe, mund të them i kundërt, është sistemi parandalues. Ky qëndron në njohjen e normave të sjelljes , dhe të rregullave të një Instituti për t’u kujdesur pastaj në mënyrë që nxënësit të kenë mbi vete gjithmonë syrin vigjilent të Drejtorit dhe të asistentëve, që flasin si prindër të dashur, që shërbejnë si drejtues në çdo situatë, që japin këshilla dhe qortojnë me dashuri, pra: vendosjen e nxënësve në pamundësinë për të bërë akte jo të lejueshme.
Krejt ky sistem mbështetet mbi arsyen, besimin e mbi të gjitha dashamirësinë. Ndaj përjashton çdo ndëshkim të dhunshëm dhe mundohet të mbajë larg edhe ndëshkimet e lehta:

Duket se ky sistem është i parapëlqyer për disa arsye:

I. Nxënësi i paralajmëruar në kohë nuk mbetet i turpëruar për gabimet që bën siç ndodh kur dërgohet tek Superiori. As nuk nervozohet për korrigjimin që i bëhet ose për dënimin që do marrë ose i është dhënë, sepse në këtë korrigjim ndjen gjithmonë qortim miqësor dhe parandalues që e arsyeton, e për më tepër arrin t’ia fitojë zemrën kështu pra që nxënësi njeh nevojën e ndëshkimit dhe gati e dëshiron.

II. Arsyeja më e rëndësishme është paqëndrueshmëria e të riut, që papritur harron rregullat e disiplinës, dhe dënimin që vjen si pasojë. Për këtë arsye shpesh fëmija bëhet fajtor dhe e meriton dënimin që në momentin kur po vepronte as që e kujtonte dhe që sigurisht do ta kishte evituar në qoftë se një zë miqësor do ta kishte lajmëruar në kohë.

III. Sistemi Shtypës mund të pengojë një rrëmujë, por zor se mund t’i bëjë më të mirë të këqijtë; dhe është parë që fëmijët nuk i harrojnë menjëherë dënimet e marra, e për më tepër e ruajnë inatin për t’u hakmarrë. Shpesh duket se nuk e marrin parasysh, por ai që i ndjek e di shumë mirë se janë të tmerrshme kujtimet e rinisë; dhe që dënimin e prindërve e harrojnë shpejt, por atë të një edukatori jo. Ka disa fakte që tregojnë se disa persona në pleqëri janë hakmarrë për disa dënime që me të drejtë kanë marrë në kohën e edukimit të tyre. Në të kundërt Sistemi Parandalues e bën nxënësin mik, ai arrin të shohë në asistentin një bamirës që e paralajmëron, ia do të mirën, e dëshiron ta çlirojë nga shqetësimet, nga dënimet, nga çnderimi.

IV. Sistemi Parandalues e paralajmëron gjithmonë nxënësin, në mënyrë që edukatori të mund të flasë gjithmonë më gjuhën e zemrës, si në periudhën e edukimit por edhe më pas. Edukatori pasi ta ketë fituar zemrën e fëmijës, mund të ushtrojë mbi të një sundim të madh, ta këshilloj, ta korrigjojë deri edhe atëherë kur të ndodhet si nëpunës në zyrat civile ose në tregti. Për këto arsye e shumë të tjera duket se Sistemi Parandalues duhet të preferohet ndaj atij Shtypës.

I. ZBATIMI I SISTEMIT PARANDALUES.

Zbatimi i këtij sistemi bazohet mbi fjalët e Shën Palit ku thuhet: “Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, arsyeton gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka”.(1Cor.13,4-7). Për këtë arsye vetëm i krishteri mundet me sukses të zbatojë Sistemin Parandalues. Arsyeja dhe Feja duhet të jenë mjetet që duhet t’i përdorë vazhdimisht edukatori, mësuesi. Ai vetë duhet t’i praktikojë në qoftë se dëshiron të jetë i dëgjuar dhe të arrijë me sukses gjithçka.
Prandaj Drejtori duhet të jetë i përkushtuar plotësisht atyre që i edukon, nuk duhet të marrë përsipër disa angazhime që e largojnë nga kjo detyrë, përkundrazi duhet të gjendet gjithmonë në mes të nxënësve, sa herë që ata të mos jenë të zënë nga ndonjë punë tjetër, me përjashtim të rastit kur të jenë të asistuar sa më mirë nga dikush tjetër.
Mësuesit, përgjegjësit e zanateve, asistentët duhet të njihen si persona me moral të lartë, të ndershëm. Ashtu siç mundohemi të largojmë sëmundjen e kolerës, ashtu duhet të mundohemi të largojmë çdo lidhje të veçantë me nxënësit dhe të kujtohet se gabimi i një edukatori në këtë drejtim mund të komprometojë punën e krejt një Instituti. Duhet të gjejmë mënyrën që nxënësit të mos lihen kurrë vetëm. Për sa të jetë e mundur asistentët duhet gjithmonë t’i paraprijnë nxënësve në vendin ku duhet të mblidhen, të rrinë me ta derisa të vijë dikush tjetër; mos t’i lënë kurrë pa bërë diçka.
Duhet t’u jepet liri të hidhen, të vrapojnë, të bërtasin me sa dëshirë të kenë. Gjimnastika, muzika, recitimi, teatri, shëtitjet, janë mjete të frytshme për të mbajtur disiplinën, për të qenë persona të ndershëm dhe të shëndetshëm. Të kihet kujdes që përmbajtja e asaj që zhvillohet, personat që ndërhyjnë, diskutimet që bëhen të mos jenë të pandershme.
Bëni çfarë të doni, thoshte një mik i madh i rinisë, Shën Filipo Neri, mjaft që mos të mëkatoni. Rrëfimi i vazhdueshëm, kungimi i vazhdueshëm, pjesëmarrja çdo ditë në Meshën Shenjte, janë shtyllat që duhet ta mbajnë në këmbë ndërtesën edukative, nga e cila duhet të mbahen larg kërcënimi dhe shkopi. Nuk duhet kurrë t’i detyrojmë fëmijët në marrjen e sakramenteve vazhdimisht, por vetëm t’i inkurajojmë e t’u japim atyre mundësinë që të mund t’i marrin. Ndërsa në disa raste të tjera si: ushtrime shpirtërore, triditëshe, nëntëshe, predikime, katekizëm, të vihet në dukje, bukuria, madhështia, shenjtëria e atij besimi, që na propozon disa mjete aq të thjeshta dhe shumë të nevojshme për shoqërinë civile, për qetësinë e zemrës, për shpëtimin e shpirtit, siç janë pra Sakramentet e shenjta.
Duke bërë kështu, fëmijëve në mënyrë spontane u vjen dëshira për lutjen, do të afrohen me shumë dëshirë, me kënaqësi duke sjellë shumë fryte të mira.
Të përdoret një mbikëqyrje e vazhdueshme për të penguar që në çdo Institucion të mos ketë shokë, libra o persona që mund të bëjnë biseda imorale. Zgjedhja e një rojtari të mirë është një thesar për një shtëpi edukimi. Çdo mbrëmje, pas lutjeve, para se nxënësit të shkojnë të pushojnë, drejtuesi ose kush të jetë mbikëqyrës duhet t’u drejtojë disa fjalë plot me dashuri duke u dhënë ndonjë vërejtje ose këshillë rreth atyre gjërave që duhet të bëhen ose jo, e të kërkojë t’u japë një mesazh nga gjërat që janë zhvilluar brenda Institutit ose jashtë, por diskutimi i tij nuk duhet t’i kalojë më shumë se 2-3 minuta.
Ky është çelësi i moralitetit, i një ecjeje të mirë, i një suksesi të mirë në edukim.
Ta mbani larg si kolerën opinionin e disave që dëshirojnë ta shtyjnë kungimin e parë në një moshë më të madhe, ndërkohë që në shumicën e rasteve djalli ka marrë nën sundim zemrën e një të riu duke i bërë dëm të pallogaritshëm pafajësisë së tij. Sipas disiplinës së Kishës së lashtë ishte zakon t’u jepeshin fëmijëve ostet e shuguruara që mbeteshin nga Kungimi i pashkëve. Kjo na bën të ditur se sa Kisha e ka për zemër që fëmijët të pranohen me kohë ne kungimin e parë. Kur një fëmijë di të dallojë mes bukës e bukës, dhe tregon se ka përgatitjen e duhur, mos shikoni moshën, le të vijë Sovrani qiellor të mbretërojë në këtë shpirt të bekuar. Katekizmat rekomandojnë kungimin e shpeshtë; sh. Filip Neri e këshillonte çdo tetë ditë edhe më shpesh. Koncili Tridentin thotë qartë se dëshiron shumë që çdo besimtar i krishtere kur shkon të dëgjojë Meshën e Shenjtë, të marrë edhe kungimin. Ky kungim të mos jetë vetëm shpirtëror, por edhe sakramental që të ketë fryte sa më të mëdha nga Sakrifica hyjnore e madhërishme.

DOBIA QË SJELL SISTEMI PARANDALUES.

Disa thonë se ky sistem është i vështirë për t’u praktikuar. Kam eksperimentuar se nga ana e nxënësve është shumë i lehtë për t’u praktikuar, jep një kënaqësi shumë të madhe dhe është mjaft i dobishëm. Ndërsa nga ana e atyre që edukojnë paraqiten disa vështirësi, por në qoftë se punohet me zell, këto vështirësi mund të mënjanohen. Edukatori është një person i përkushtuar tërësisht nxënësve të tij, për këtë arsye ai duhet të jetë i gatshëm të përballojë çdo shqetësim çdo mund, në mënyrë që të arrijë objektivat e tij: pra, edukimin civil, moral e shkencor të nxënësve të tij.
Përveç këtyre avantazheve që thashë më sipër mund të shtojmë edhe këto pika:

I. Nxënësi do të ketë gjithmonë respekt ndaj edukatorit të tij, dhe gjithmonë do ta kujtojë me kënaqësi drejtimin që ka marrë, duke i konsideruar si prindër dhe vëllezër mësuesit e tij si dhe eprorët e tjerë. Kudo që të shkojnë këto nxënës për më tepër do të jenë ngushëllimi i familjes, qytetarë të dobishëm dhe të krishterë të mirë.

II. Sido që të jetë karakteri, natyra dhe gjendja morale e një nxënësi në momentin që pranohet, prindërit ose të afërmit duhet të rrinë të qetë dhe të jenë të sigurt që fëmija i tyre nuk do të përkeqësohet madje, mund të jenë të sigurt, do të kenë gjithmonë ndonjë përmirësim. Në disa raste të tjera, ato fëmijë që patën qenë shqetësim i madh për prindërit e tyre që as shtëpitë e riedukimit nuk i pranonin, të edukuar sipas këtyre parimeve, ndërruan natyrë, karakter, dhe filluan një jetë të rregullt e tani kanë detyra të nderuara në shoqëri duke u bërë mbështetje për familjet e tyre, dhe krenaria e vendit ku jetojnë.

III. Nxënësit që pranohen në shkollë dhe kanë marrë zakone të këqija nuk mund t’i dëmtojnë shokët e tyre. As fëmijët e mirë nuk duhet të dëmtohen nga ata, sepse nuk kanë as kohë, as vend dhe as mundësi, sepse asistenti që është gjithmonë i pranishëm, do të ishte gjithmonë i gatshëm për të ndërhyrë.

NJË FJALË MBI DËNIMIN.
Cili është rregulli që duhet të përdoret mbi dënimin?
Për sa të jetë e mundur të mos përdoret kurrë dënimi, në raste të kundërta duhet të kemi parasysh këto gjëra:
1. Edukatori në mes të nxënësve të mundohet të bëhet i dashur, në qoftë se ai dëshiron që ata ta dëgjojnë dhe ta kenë frikë. Në këtë rast mos shfaqja e dashamirësisë është një dënim, por një dënim që të shtyn në korrigjim, të jep kurajë e nuk të dekurajon kurrë.
2. Për të rinjtë quhet dënim ai që paraqitet si dënim. Është vënë re se një shikim jo i ëmbël ka në disa efekt më të madh se një shuplakë. Lëvdata kur një gjë është bërë mirë, qortimi kur është lënë pas dore, janë ose mund t’i quajmë shpërblim ose ndëshkim.
3. Me përjashtim të disa rasteve të rralla, dënimi kurrë nuk duhet të bëhet në publik, por gjithmonë në mënyrë private, larg shokëve. Para se të jepet dënimi, duhet të përdoret maturia dhe duresa, në mënyrë që nxënësi ta kuptojë gabimin me arsye e me fe.
4. Rrahja në çfarëdolloj mënyre, vendosja në gjunjë në një vend të vështirë, shkulja e veshëve dhe shumë dënime të tjera të ngjashme, patjetër duhet të shmangen, sepse janë të ndaluara nga ligji, i acarojnë shumë nxënësit dhe e poshtërojnë mësuesin.
5. Drejtori duhet t’i shpjegojë mirë rregullat, shpërblimet dhe dënimet të vendosura nga ligji i disiplinës, në mënyrë që nxënësi mos të arrijë kurrë të thotë: nuk e dija se kjo gjë ishte një urdhër ose e ndaluar.

Në qoftë se në shtëpitë tona do të praktikohet ky sistem, unë besoj se do të arrihen shumë avantazhe, pa pasur nevojë të përdoret shkopi ose dënime të tjera të dhunshme. Rreth 40 vite që merrem me edukimin e rinisë, e nuk e kujtoj të kem përdorur dënime, por me ndihmën e Zotit kam arritur jo vetëm atë çka ishte e detyrueshme, por edhe atë që më dëshironte zemra e pikërisht nga ata fëmijë për të cilët dukej e humbur shpresa e çdo suksesi në edukim.

Meshtar Giovanni Bosko

Comments are closed.